Ekonomi

Rusia dhe AIIB, humbja më e madhe gjeopolitike e SHBA?

Screen Shot 2015-05-13 at 10.58.56 AM

Suksesi i lançimit të “Asian Infrastructure Investment Bank” ka mundësi që do të kujtohet si një prej humbjeve gjeopolitike më të mëdha të pësuara nga Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2015. E lançuar në tetor të 2014 për të financuar ndërtimin e infrastrukturave, banka qysh nga fillimi është urryer nga Uashingtoni, që ka ushtruar presione të farta ndaj aleatëve të tij me qëllim që të mos aderonin në të. Fillimisht këto presione kanë pasur një farë suksesi: në mbledhjen për nënshkrimin e memorandumin e mirëkuptimit për krijimin e bankës, të mbajtur në Pekin me 24 tetor 2014, kanë marrë pjesë 21 vende aziatike, midis të cilave

India, Tajlanda, Indonezia, Singapori, Kazakistani, por edhe disa vende tradicionalisht kinofobe si Vietnami e Filipinet, por jo Australia dhe Koreja e Jugut, që megjithatë kishin shprehur interes për bankën.

Por vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për të aderuar në AIIB me cilësinë e anëtarit themelues – vendi i parë perëndimor pas Zelandës së Re – ka shkaktuar një reaksion zinxhir në kuptimin e vërtetë të fjalës, duke shkaktuar një valë aderimesh që ndoshta ka befasuar edhe vetë Pekinin. Në fakt, me 17 mars 2015, Franca, Gjermania dhe Italia kanë kërkuar zyrtarisht hyrjen në institutin kreditor dhe në dy javët e mëpasme, të fundit të dobishme që të mund të aderosh në AIIB si anëtar themelues, banka ka marrë miratimin e vendeve si Rusia, Brazili, Afrika e Jugut, Zvicra, Irani, Izraeli,

Spanja e Polonia, pse jo edhe të kuintetit skandinav. Edhe Australia e Koreja e Jugut, që fillimisht u qenë nënshtruar presioneve amerikane, i kanë rishikuar pozicionet e tyre duke hyrë në bankë.

Aleatët e vetëm kyç të Shteteve të Bashkuara që kanë zgjedhur të qëndrojnë jashtë institutit janë Kanadaje e Japonia dhe në këtë të fundit motivet ka mundësi që të kërkohen më shumë në raportet tradicionalisht të tendosura midis Tokios e Pekinit dhe nga roli dominues i luajtur më parë në Asian Development Bank, konkurrentja kryesore e AIIB- së, sesa jo në dëshirën e Japonisë për t’i bërë qejfin një aleati me të cilin, në të kaluarën, nuk kanë munguar motivet e tensionit.

Fillimisht Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar ta pengojnë këtë reaksion zinxhir dhe, në vijim të

vendimit të Downing Street për të aderuar në AIIB, një zyrtar i lartë amerikan ka deklaruar preokupimet e tij ndaj “një tendence konstante ndaj akomodimit të Kinës”. Por kur është shfaqur qartë se presionet nuk do të kishin pasur kurrfarë rezultati, përveçse atë të transmetimit të imazhit të një Shtëpie të Bardhë të dobësuar në planin ndërkombëtar, qeveria amerikane ka ulur tonet dhe, nëpërmjet gojës së Sekretarit të Thesarit Jack Lew, ka deklaruar se është e gatshme të bashkëpunojë me një institucion financiar me drejtim kinez “me kush që ky të adoptojë standard të larta qeverisëse dhe të komplementojë institucionet ekzistuese”.

Nga ana e saj, Kina mund të lumturohet prej një fitore të dyfishtë, duke qenë se ka shfaqur sa një fuqi ekonomike tashmë të konsiderueshme, aq edhe

aftësinë për të krijuar përçarje në brendësi të një Perëndimi që jo gjithmonë ia bashkangjit strategjinë gjeopolitike interesave kombëtare, sidomos kur këto nuk përkojnë me ato të shtetit drejtues të tij. Dhe profecitë e shtetarit singaporas Lee Kuan Yew, i cili në 1994 arriti të theksojë se “hyrja e Kinës në botë do të ketë efekte të tilla sa që pas 30 apo 40 vjetësh botës do t’i duhet të gjejë një ekuilibër të ri”, nuk duken më kaq të pabesueshme.

Në këtë kontekst, nuk mund të nënvlerësohet roli i Rusisë, e cila në vitet e fundit po merr mbi vete një rol themelor në mbështetjen e ngjitjes së ish Perandorisë Qiellore. Kthesa e ngadaltë, por konstante, e Moskës nga Europa drejt Azisë, e nisur tashmë menjëherë pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik, ka pësuar një përshpejtim të dukshëm gjatë viteve të fundit, si pasojë kthimit në Kremlin

të një njeriu fuqimisht të papëlqyer në Shtëpinë e Bardhë si Vladimir Putin, të linçimit të integrimit euraziatik dhe sidomos të shpërthimit të krizës ukrainase, e cila jo vetëm i ka mbyllur Rusisë dyert e një Perëndimi që qysh në parë e konsideronte pak më shumë se një shkelës potencialisht të rrezikshëm, por edhe që i bllokuar rrugën krijimit të një marrëdhënieje me Japoninë të ngjashme me atë të vendosur me Gjermaninë pas rënies së Murit. Në ceremoninë hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore të Soçit në shkurt 2014, përveç Presidentit kinez Xi Jinping ishte i pranishëm edhe Kryeministri japonez Shinzo Abe, me të cilin Putini gëzon një raport personal të mirë. Këtë vit, në festimet për përvjetorin e 70-të të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, i vetmi që do të fluturojë drejt Moskës do të jetë Xi Jinping. Në politikën e jashtme të Rusisë

passovjetike është kompletuar kështu një rrotullim 180 gradësh që e ka çuar Rusinë nga Europa në Azi, me një ndalim të shkurtër në Eurazi. Për Dmitrij Trenin, Drejtorin e Carnegie Moscow, “Moska është më afër me Pekinin sesa me Berlinin”, ndërsa prania e mundshme e një klime tensioni midis Rusisë dhe Perëndimit mund të bëjë që ajo e cila fillimisht dukej se paraqitej si një martesë e thjeshtë konvenience është në fakt e destinuar të transformohet në një raport jetëgjatë. Moska dhe Pekini mund edhe të mos duhen, por në këtë fazë interesat e përbashkëta, qofshin ato gjeopolitike apo ekonomike, janë shumë më të forta respektivisht motiveve të tensioneve reale apo potenciale.

Duke thënë këtë, mund të duket aq më pak befasuese që Rusia ka pritur deri me 28 mars përpara se të bëjë kërkesën e aderimit në AIIB,

vetëm tri ditë nga afati përfundimtar për nënshkrimin si anëtar themelues. Ky ngurrim do të dukej akoma edhe më paradoksal në dritën e dy elementëve të tjerë akoma jo të përmendur, por me rëndësi vendimtare.

I pari është aktivizmi i fortë i Kremlinit në krijimin e instituteve financiare “alternative”, me qëllim që të reduktojë pushtetin relativ të organizmave financiarë ekzistues, pothuajse të gjithë me drejtim perëndimor. Qysh në 2007, kur ende Rusia dukej në rrugën e një integrimi të ngadaltë, por të pandalshëm, në Perëndim, Vladimir Putini pohonte nevojën e një sistemi financiar global të ri, duke e përkufizuar atë aktual “të vjetruar, antidemokratik dhe problematik”. Në 2013, gjatë samitit të vendeve BRICS në Durban të Afrikës së Jugut, të njëjtit kanë arritur një marrëveshje për linçimin e Bankës

së Re të Zhvillimit (NDB), me seli në Shanghai dhe një kapital prej 100 miliard dollarësh. Marrëveshja është ratifikuar në Fortaleza në korrik të 2014. E kotë të thuash se sanksionet e lidhura me krizën ukrainase, në veçanti bllokimi i financimeve nga ana e Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim, e ka forcuar “revizionizmin” e Kremlinit, në të njëjtën mënyrë me të cilën sanksionet ndaj bankave shtetërore dhe disa kompanive të naftës kanë stimuluar interesin nga ana e vetë atyre për hapësira financiare joperëndimore. Në të dyja rastet, kjo ka shkuar në avantazh sidomos të Pekinit.

I dyti është pozicioni i Rusisë në masën euraziatike, që e bën një rrugë kalimi natyrale për shumë prej rrugëve transkontinentale kryesore. Megjithëse duke gëzuar pika ekselence, rrjeti infrastrukturor

aziatik është shpesh i mangët apo gjithsesi i papërshtatshëm (sipas disa vlerësimeve të Asian Development Bank, Azia ka nevojë për investime vjetore të barabarta me 776 miliard dollarë për zhvillimin e infrastrukturave të saj dhe Rusia, që megjithëse gëzon një rrjet hekurudhor të mirë të trashëguar nga epokat cariste dhe sovjetike, nuk bën përjashtim, por potenciali i zhvillimit është i pafundëm, faktor pesha ekonomike në rritje e Kinës dhe e gjithë rajonit euraziatik dhe e nevojës së vetë asaj për të pasur akses në tregjet e pasura evropiane nëpërmjet tokës, duke shmangur kështu kalimet e gjata nëpërmjet detit. Pastaj, Moska gëzon një as në mëngë: Unionin Ekonomik Euraziatik, falë të cilit është e mundur sot të transportohen mallra nga Shanghai në Frankfurt (dhe anasjelltas) duke kaluar vetëm dy kontrolle doganore. Ky faktor

shfrytëzohet tashmë qysh sot nga shumëkombëshe të ndryshme, si kolosi i informatikës Hewlett- Packard, që prej disa vitesh përdor hekurudhën për të transportuar mallrat nga stabilimentet e tij në Chongqing për në tregjet europiane, dhe projektet e reja infrastrukturore që përfshijnë rajonin nuk do të bëjnë gjë tjetër vetëm se do t’i stimulojnë kompanitë e tjera për t’i ndjekur shembullin.

Shumë prej këtyre infrastrukturave të reja do të lidhin Rusinë – dhe, për pasojë, Europën – me Kinën nëpërmjet Kazakistanit apo Mongolisë. Ndër të parat duhet përmendur autostrada “Europë Perëndimore – Kinë Perëndimore”, e cila do të lidhë Shën Petërsburgun dhe portin kinez Lianyungang nëpërmjet Moskës, Kazanit, Aktobes, Kazakistanit jugor, Almatit dhe Rajonit Autnonom Ujgur të Ksiniangut, me një degëzim drejt kryeqytetit uzbek

Tashkent. Sipas disa vlerësimeve, ndërtimi i autostradës do të mundësojë një rritje të transportit të mallrave me rrugë tokësore midis Kinës dhe Kazakistanit nga 12 në 33 milion ton në vit. Për sa i përket të dytave, janë aktualisht në zhvillim takime trepalëshe midis Kinës, Rusisë dhe Mongolisë për fuqizimin e Transmongolianes, hekurudhës që lidh Pekinin me qytetin rus Ulan-Ude, në Transiberiane, dhe ndërtimin e një autostrade të re midis tri vendeve. Pastaj, është në projekt një degëzim i Transmongolianes që do të përshkojë Mongolinë Perëndimore dhe Republikën e Tuvas në Rusi, përpara se të rilidhë edhe atë me Transiberianen në lartësitë e Krasnojarskut. Këto infrastruktura do të kenë rëndësi të veçantë për Kinën verilindore, duke i mundësuar që t’i përmirësojë lidhjet e veta nëpërmjet tokës me Europën. Por projekti më

ambicioz është padyshim ai i ndërtimit të një linje hekurudhore me shpejtësi të lartë midis Moskës dhe Pekinit, një prej temave të takimit të ardhshëm midis Putinit dhe Xi Jinping të parashikuar për 8 maj. Realizimi i pjesës së parë të linjës, që do të lidhë Moskën me Kazanin, do të nisë në 2016 dhe aktualisht janë në zhvillim traktativa midis RŽD-së, kompanisë hekurudhore ruse, dhe disa kompanive kineze për ndërtimin dhe financimin e veprës, që kur të mbarohet do të mundësojë që të përshkohen 750 kilometrat që ndaj dy qytetet ne rreth 3 orë e 30 minuta.

Megjithatë, kur flitet për Rusinë dhe AIIB-në, duhet të mbahen parasysh edhe faktorë të tjerë, për shembull të natyrës gjeopolitike. Ne vigjilje të kthesës ruse, uebsajti kinez opozitar Duowei ka botuar një analizë e cila, megjithëse e hedhur

poshtë nga faktet, mbetet akoma e dobishme për të kuptuar pse-në e ngurrimeve të Moskës. Sipas Duowei, Rusia synon që të vendosë marrëdhënie barazitare me gjigantin kinez dhe, nëse në NDB vetë ajo mund të ketë peshë të konsiderueshme, megjithëse duke disponuar vetëm 18 përqind të kuotave kundrejt 41 përqind të ish Perandorisë Qiellore, në AIIB autoriteti i Kremlinit do të ishte i kufizuar. Kjo rilidhet me një problem tjetër: Rusia, në gjendje të konkurrojë me Kinën (dhe me SHBA- të) në frontin ushtarak, është shumë më pak e tillë në frontin ekonomik dhe elasticiteti që po demonstron gjatë zhvillimit të kësaj krize nuk duhet ta bëjë të harrojë praninë e dobësive strukturore objektive. Kjo të çon në një problem themelor: pavarësisht ngjarjeve të viteve të fundit, Rusia ruan një mosbesim të caktuar ndaj Kinës dhe forcimi i

pranisë ushtarake ruse në Azinë Qendrore, sipas think tank autoritar Stratfor, i detyrohet edhe frikërave të një forcimi të tepruar kinez në rajon. Dhe gjithçka ndodh teksa, përtej barrikadës, Kina ka sot më pak motive se kurrë që të ndjehet e kërcënuar nga Kremlini, duke parë izolimin në rritje të liberalëve e properëndimorëve në nivelin drejtues rus, pamundësinë e një pajtimi me Tokion që akoma disa muaj më parë dukej se ishte i mundur dhe rikonvertimin e Putinit në një lloj Aleksandr Nevskij të ri që, njëlloj si paraardhësi mesjetar i tij, i tregon shpatën Perëndimit, por nuk ia përton të bjerë në ujdi me Lindjen. Në ndryshim nga Perëndimi, Kina ka qenë deri më tani shumë e matur për të mos o dëmtuar ndjeshmëritë ruse, si në frontin gjeopolitik, ashtu edhe në atë kulturor e identitar, por nuk është për t’u përjashtuar që në

vitet e ardhshme lidershipi i saj mund të ndryshojë qëndrim kundrejt fqinjit verior për të marrë një qëndrim më pastërtisht perandorak.
Jo më të thjeshta janë raportet e biznesit midis Rusisë dhe ish Perandorisë Qiellore, edhe për arsye të lidhura me diferencat e forta kulturore midis dy vendeve. Në këtë pikëpamje, treguese është ndodhia e traktativave ruso – kineze për ndërtimin e hekurudhës Moskë – Kazan. Duke qenë tashmë në një gjendje të avancuar, një dështim i tyre duket mjaft i pamundur dhe qysh tetorin e kaluar RŽD-ja dhe kompania hekurudhore kineze kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për ndërtimin e linjës hekurudhore; pavarësisht kësaj, ekzistojnë akoma pika të ndryshme pezull, sidomos ato lidhur me financimet. Në fakt, Kina është e gatshme të investojë para për ndërtimin e linjës, por

bankat e saj, në ndryshim nga ato perëndimore, nuk kënaqen me një rol të thjeshtë partneri financiar, duke u kufizuar kështu në dhënien e huave dhe duke kërkuar kthimin e tyre në kohën e duhur, por synojnë që të marrin pjesë aktivisht në ndërtimin e hekurudhës. “Shpresa që të mund të zëvendësojë kreditë që deri më tani merrnim nga Perëndimi me ato kineze”, pohon një ekonomist rus, “ka rezultuar e kotë. Kinezët na thonë pothuajse me sarkazëm: Ne nuk jemi spekulatorë, nëqoftëse hedhim paratë, jemi ne kontraktorët, këta janë furnitorët tanë e kështu me radhë. Me ta nuk është aq e lehtë”. Dhe kjo ndërkohë që Rusia synon në një taksë lokalizimi të ndërtimit të veprës jo më të ulët se 80 përqind. Pastaj, tetorin e kaluar, autoritetet e Pekinit kanë vendosur si kusht për një financim prej 10 miliard dollarësh kalimin e zgjatjes së linjës

drejt Kinës nëpërmjet Ürümqi, kryeqendrës së Ksiniangut, nga ku do të lidhet me rrjetin kinez të shpejtësisë së lartë.
Megjithatë, nëse është e vërtetë se diferencat kulturore dhe ambiciet gjeopolitike kanë peshën e tyre, është edhe e vërtetë se situata aktuale nuk i ofron Rusisë shumë alternativa dhe, për sa nuk është e pamundur që pjesa më e madhe e popullsisë ruse dhe ndoshta e klasës drejtuese të saj akoma sot të preferojë një aleancë me Bashkimin Europian apo deri me Shtetet e Bashkuara, ndaj një të tille me Kinën, nuk duhet harruar se një normalizim i plotë i raporteve me Perëndimin, në gjendjen aktuale, është i mundur vetëm me kushtet e Shteteve të Bashkuara, me ndonjë lëshim lidhur me tematika dytësore të tillë si përdorimi i rusishtes dhe decentralizmi

administrativ, ngjashëm me sa ka ndodhur për Serbinë në raportet me Bashkimin Europian lidhur me çështjen e vështirë të Kosovës. Për Kremlinin, është shumë më e dobishme që të peshojë kundrejt Uashingtonit atë që Huntington e quante “karta ruse”, domethënë fuqinë e Rusisë për t’i modifikuar në mënyrë domethënëse raportet e forcës midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, ngjashëm me sa është bërë nga Kina Popullore gjatë Luftës së Ftohtë. Veç këtyre, janë edhe nevojat e përmendura më parë të ekonomisë. Kështu, nëse fillimisht Moska i kishte refuzuar ftesat e Pekinit për të aderuar në bankë, duke e kapur këtë të fundit në befasi, në vijim e ka rishikuar pozicionin e saj, shkaktar edhe interesi në rritje për bankën nga ana e shtypit, e vendeve të ndryshme perëndimore dhe ngritja e një komiteti kinez për Azinë e Paqësorin të

drejtuar nga Zëvendëskryeministri Igor’ Šuvalov. Mbesin akoma shumë të panjohura lidhur me menaxhimin e institutit kreditore, mbi ndarjen e kapitalit, mbi rolin e Pekinit në organet drejtuese dhe është po aq e vështirë që Kina, që do të kontribuojë me 50 miliard dollarë në ngritjen e një banke që kapital do të ketë 100 miliard, të mos bëjë të ndjehet pesha e vet; ama vështirë se Moska do të duhet të qajë për vendimin e saj.

(nga Geopolitics)

Përgatiti ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button