Analiza

Rusia e Putinit dhe islamizmi radikal, armiqtë tanë “më të mirë”

Po sikur Perëndimi dilte nga plogështia e tij për të hyrë përsëri në histori?

Pascal Bruckner

Shkrimtar dhe eseist

Evropa ka dashur pra të dalë nga historia, por historia e tërheq atë nga mëngët. Të lëna në inercinë e tyre, demokracitë e mëdha bien në plogështitë e rehatisë, kultin e lumturisë private, fabulat engjëllore. Prandaj ne duhet të falënderojmë gjithashtu Putinin apo “kalifin” Al-Baghdadi për armiqësinë që ata na ofrojnë. Ata na gjallërojnë duke na urryer, na terrorizojnë po aq sa na mobilizojnë. Ata na shtyjnë ne në kapitullim, po aq sa në rezistencë

Laser bomb

Në vitin 1989, ndërkohë që perandoria sovjetike po shembej, Aleksandër Arbatov, këshilltari diplomatik i Mihajl Gorbaçovit, pati këtë vërejtje të shkëlqyer kundrejt perëndimorëve: “Ne do t’ju bëjmë juve shërbimin më të keq, ne do t’ju privojmë nga armiku”.

Zhdukja e komunizmit e zhyti në fakt Evropën dhe Shtetet e Bashkuara në një plogështi të madhe. Njëzet e pesë vjet, “Bota e vjetër”, e dalë fitimtare nga skepticizmi, duket se bashkon kundër saj dy armiq shumë të ndryshëm: islamin radikal dhe Rusinë e Vladimir Putinit. Njëri dhe tjetri ndajnë një mëri të njëjtë kundrejt Perëndimit, fajtor, për të parin se është armiqësor ndaj besimit fetar të Profetit, për të dytin, sepse shpejtoi rënien e BRSS.

Shëmbëlltyra ndalet aty: ndërkohë që të marrët e Allahut hedhin poshtë botën perëndimore si një mëkat, Putini hiqet si një perëndimor hiperbolik, ai sulmon Evropën ateiste dhe dekadente në emër të vlerave të ortodoksisë, të vëna në shërbim të perandorisë euroziatike.

Të gjitha të këqiat që vuan Rusia i vijnë, jo nga rusët apo nga historia e tyre, trashëgimia e dyfishtë despotike e carizmit dhe e komunizmit, por nga Evropa korruptuese, Amerika keqbërëse, NATO-ja satanike. Putini përbuz Perëndimin, simbol i lirisë dhe i frymës kritike, sepse ai ndjen frikën e infektimit demokratik, eksportimin e një Mejdani të ri edhe në Rusi.

Rusia vetëm beson se është selia e Romës së tretë dhe djepi i kristianizmit të vërtetë. Në emër të këtij misioni, qeveria propozon të zgjaten minifundet, të ulen takat e larta, të zëvendësohen të brendshmet femërore me dantella, me të mbathura prej pambuku, si dhe të hiqen fjalët e ndyra në letërsinë dhe këngët.

Putini nuk është as Stalini, as Hitleri. Por nga vitet e kaluara në KGB, ai ka ruajtur një parim themelues të sovjetizmit: strategjinë e sallamit. Ajo lejon të presë në copa, para se t’i gëlltisë, vendet që mendon të ripushtojë: Oshetia dhe Abkhazia në Gjeorgji, Krimeja dhe rajoni i Donbassit në Ukrainë, Transnistria në Moldavi, nesër ndofta, në qoftëse e lejojmë, një copë e Estonisë, një pjesë e Bjellorusisë, një tjetër e Kazakistanit. E gjitha kjo në emër të fjalës së urtë, mjaft të njohur sovjetike: “Gjithçka që është e imja është e imja, ajo që është e jotja është gjithmonë e negociueshme”.

Aftësia e frikshme me të cilën ai ndan shumë vende të Bashkimit Evropian, financon disa parti të djathta ekstreme kundra Brukselit, blen Hungarinë, lajkaton Sllovakinë, të lë të mendosh që qëllimi i tij është të ndajë Evropën për t’u hakmarrë për përballjen e vitit1989. Me rripin e zi të xhudos, ai gëzon në Perëndim një popullaritet të çuditshëm.

Autoritarizmi i tij magjeps të dobëtit: ai pëlqen të parakalojë me kalë me trupin gjysmë lakuriq, të luajë me armët, të notojë në lumin Ienissei, të pilotojë një avion bombardues, të praktikojë sportet ekstreme. Ky hipervirilitet aktiv e bën atë një ikonë të rrjeteve gay, duke qenë në kontrast me fizikun trupor të udhëheqësve tanë. Mendoni sa keq do të dukeshin në plazh me rroba banjo François Hollande, apo David Cameron.

Kulti që Rambo moskovit gëzon tek ne shkon nga Marine Le Pen (Kryetare e Frontit Kombëtar FN) dhe Alain Soral, të përulur përpara këtij mashkulli mbizotërues, deri tek Jean-Luc Mélenchon (Kryetar i Partisë komuniste franceze), për të cilin Moska, nolens volens, është trashëgimtare e BRSS-së, e vetmja fuqi që ka kundërshtuar kapitalizmin.

Ka një element federues në këtë admirim: antiamerikanizmi i komandimit të elitave tona, si në krahun e djathtë, ashtu dhe në atë të majtë.

Në Francë, shumë nuk do t’ja falin kurrë aleatëve që na ka çliruar ne nga nazizmi, sëdyti nga komunizmi. Ky është një borxh i padurueshëm që kthehet në mllef. Duhet pra, me të gjitha mjetet, të largohet Republika e përtej Atllantikut. Me një fjalë, nuk është dashuria e civilizimit rus, pasioni i Pushkinit, i Gogolit apo Rachmaninovit që i nxit miqtë e Putinit tek ne, është magjepsja për brutalitetin, përbuzjen e të drejtës, kapjen e shtypit dhe të drejtësisë, të cilat i përdor padroni i Kremlinit.

Kundra “Shtetit islamik”, përkundrazi, armiqësia është në aparencë unanime. Edhe Arabia Saudite dhe Katari, të cilët e krijuan kundër Iranit, sodisin me lemeri përbindëshin e lindur nga ngurtësia e tyre teologjike dhe që shkel të gjitha rregullat e mirësjelljes njerëzore. Duhet të përgëzojmë që instancat më të larta të islamit sunit, universiteti i Al-Azhar në Kajro, kanë dënuar këtë lëvizje guerrilase e bazuar në vrasjet masive dhe terrorin.

Vrasja e Hervé Gourdel shpejtoi një ndërgjegjësim të islamit zyrtar në Francë, duke qenë më të rezervuar përballë shmangieve të radikalëve, për atentatet vetëvrasëse, në fetva-të kundër disidentëve të Kuranit, në persekutimin e kristianëve në Lindjen e Mesme.

Një digë ka shpërthyer dhe shpresojmë që ajo të mos mbyllet më. Qëndrimi guximtar i rektorit të Xhamisë së Parisit, Dalil Boubakeur, i imamit të Drancyt, Hassen Chalghoumi, thirrja e firmosur nga njëzetë personalitete nga të cilët rektori i xhamisë së Lionit, Kamel Kabtane, dhe senatorja socialiste Bariza Khiari, lëvizja “Jo në emrin tim”, e lindur në Angli janë, në këtë drejtim, inkurajuese.

Madje nëqoftëse tashmë integralistët dhe salafistë të tjerë mbulohen në zhgunën e viktimës, indinjohen nga këto dënime dhe denoncojnë një islamofobi galopante të krahasuar pa turp me antisemitizmin e para luftës.

Të formulojmë një hipotezë me vetëdije optimiste: ndofta kaosi aktual do të lejojë një përmbysje historike, premisat e një rishqyrtimi të dogmës nga autoritetet Kur’anore zyrtare, në momentin kur kaq të rinj tek ne janë mashtruar nga aroma e masakrave, ndërkohë që miliona myslimanë, të shastisur nga urrejtja, aspirojnë të praktikojnë besimin e tyre, pa pësuar diktatet e mjekërgjatëve të xhihadit.

Evropa ka dashur pra të dalë nga historia, por historia e tërheq atë nga mëngët. Të lëna në inercinë e tyre, demokracitë e mëdha bien në plogështitë e rehatisë, kultin e lumturisë private, fabulat engjëllore. Prandaj ne duhet të falënderojmë gjithashtu Putinin apo “kalifin” Al-Baghdadi për armiqësinë që ata na ofrojnë. Ata na gjallërojnë duke na urryer, na terrorizojnë po aq sa na mobilizojnë. Ata na shtyjnë ne në kapitullim, po aq sa në rezistencë. Kundër qëllimeve territoriale ruse, një strategji e vjetër pa dyshim do të jetë e nevojshme: ajo e frenimit, e përcaktuar nga George Kennan në vitin 1947. Madhësia e Rusisë, fuqia e saj ushtarake përjashton një përplasje të drejtpërdrejtë. As luftë, as paqe, por provë e forcës së vazhdueshme, bashkëpunim nën tension, një partneritet i mosbesimit. Duke pranuar që Shteti islamik i Irakut dhe i Levant mund të jetë mundur ushtarakisht, çështja e potencialit të radikalizmit të islamit sunit dhe shiit, mbetet e shtruar.

Këto dy kantierë do të mbesin të hapura për dekada dhe do të vënë në dukje aq sa pasurinë e armëve, edhe luftën e ideve, po aq sa strategjinë dhe bindjen. Kundërshtari ne na vë në pozicionin kontradiktor, ta duam ta mundim atë, dhe ta duam ta ruajmë atë, për të të ruajtur energjinë që ne na nxit.

Ajo është njëkohësisht e urryeshme dhe e dëshirueshme. Kjo është prova, që një popull ngrihet në këmbë, apo ulet në gjunjë. Kjo lidhje e rreziqeve ne mundet të na shkatërrojë; por ajo mundet gjithashtu të na shpëtojë. /Le Monde/

  • Pascal Bruckner ka lindur në vitin 1948. Ai është autor i eseve të shumta kritike mbi ideologjitë bashkëkohore

 

PERSHTATUR NE SHQIP NGA ëëë.bota.al

Leave a Reply

Back to top button