Analiza

Rusia është bërë sërish e rrezikshme

Iluzioni i një Europe të qëndrueshme vdiq bashkë me pasagjerët e vrarë të MH17

David Frum

Rusia wshtw bwrw swrish e rrezikshmeVetëm një muaj më parë, Vladimir Putini qëndronte krah për krah me liderët e zgjedhur të botës perëndimore, në përkujtim të Ditës së zbarkimit në Normandi. Shpresoj që, kushdo që e firmosi atë ftesë, të ndiejë një farë sikleti sot. Përgjatë të tetë muajve të fundit, të përshkallëzimit të dhunës së Rusisë kundër Ukrainës, shumë qeveri europiane e kanë trajtuar çështjen e Ukrainës si të largët dhe skajore: për të ardhur keq, po, por jo një rrezik ndaj paqes në kontinent. Ata mendonin se ishte më e rëndësishme të ruhej një marrëdhënie normale me Rusinë. Ai iluzion vdiq dy ditë më parë, bashkë me pasagjerët e vrarë të Malaysia Airlines, Fluturimi 17.

Rusia po financon, amatos dhe urdhëron të përparojnë kryengritësit e dhunshëm, kundër një qeverie europiane të zgjedhur demokratikisht. Në Krime, Rusia dërgoi trupat duke shkelur një kufi të njohur ndërkombëtarisht, rrëmbeu territor, dhe më pas kërcënoi dhe abuzoi popullsinë e pushtuar. Ky nuk është një konflikt dypalësh Rusi-Ukrainë, në kuptimin që, për shembull konflikti mes Rusisë dhe Gjeorgjisë në vitin 2008 mund të konsiderohej si dypalësh. Kjo është një sfidë për stabilitetin e të gjithë kontinentit.

Për një dekadë pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik, europianët shpresuan se Rusia mundej dhe do të zhvillohej si një vend në paqe me vetveten dhe me fqinjët, ashtu si kishte bërë Gjermania që nga viti 1945. Rusia u ftua t’i bashkohej Grupit të Shtatë Vendeve më të Industrializuar (G7). NATO e ripërcaktoi misionin e saj, duke u riorientuar si një organizatë globale paqeruajtëse, dhe jo një aleantë perëndimore e projektuar për të frenuar Rusinë. NATO i ofroi një lloj status quoje Rusisë, dhe Rusia mori garanci se nuk do të vendoseshin trupa të NATO-s në ish territoret e Paktit të Varshavës.

Loja e dyfishtë e Putinit në Ukrainë

Ngjitja në pushtet e Vladimir Putinit i dërrmoi këto shpresa. Megjithatë, për një kohë të gjatë, europianët – por gjithashtu edhe amerikanët – hezituan të pranojnë atë që po ndodhte në Rusi. Kishte disa arsye të mira për këtë hezitim: Putini bashkëpunonte ndonjëherë me botën perëndimore – në Afganistan për shembull. Kishte edhe arsye të këqia. Teksa çmimet e energjisë u rritën pas vitit 2000, ekonomia ruse nisi të rimëkëmbet. Rusia kishte më shumë vlerë për t’i shitur pjesës tjetër të botës, dhe më shumë para për të blerë ato që Perëndimi kishte për të shitur – gjithashtu, edhe më shumë para për të blerë politikanë perëndimorë.

Mbi të gjitha, askush nuk dëshironte të rikthehej në kohët e një Europe që armatosej kundër vetvetes, e ndarë në blloqe armiqësorë, me luftën e tmerrshme vetëm një buton larg. Mendja njerëzore është e ndërtuar në mënyrë të tillë që, ato gjëra që ne nuk urojmë t’i besojmë, mundemi që për një kohë të gjatë të mos i besojmë. “Lufta e Ftohtë ka mbaruar”, kritikoi kancelarka Angela Merkel Shtetet e Bashkuara, kur NSA-ja u kap duke përgjuar komunikimet e gjermanëve. Por NSA po survejonte pikërisht për të monitoruar se sa thellë kishte penetruar spiunazhi rus në shtetin gjerman – sepse ndërkohë që Lufta e Ftohtë kishte mbaruar, kërcënimi për sigurinë nga Rusia nuk ka marrë fund.

Papritur, roli i NATO-s në Europë ka rifituar peshë. Fatkeqësisht, NATO nuk ka besueshmërinë e duhur. SHBA nuk ka më as edhe një tank të vetëm në Europë. Vendet europianë kanë lejuar të gjithë tkurrjen e kapaciteteve të tyre ushtarakë. Nëse vazhdohet me planin e deritanishëm, kapacitetet e luftimit të ushtrisë amerikane do të përgjysmohen deri në fund të dekadës. Edhe nëse NATO do të vendoste që veprimet e fundit të Rusisë ia heqin Perëndimit kufizimin për dërgimin e trupave të përhershëm në Europën lindore, çfarë trupash do të dërgonte?

Ne nuk duhet të heqim dorë nga shpresa që Putini do të jetë vetëm një shmangje e vogël në rrugën e Rusisë drejt një të ardhmeje si një demokraci europiane normale dhe paqësore. Por ne nuk duhet të vazhdojmë të ndërtojmë politikën tonë mbi këtë shpresë. Rusia është bërë sërish e rrezikshme. Nuk është e rrezikshme siç ishte, por është më shumë se mjaftueshëm e rrezikshme. Më shumë se 200 familje në Holandë, Britani, Kanada dhe gjetkë kanë vuajtur atë që qindra ukrainas kanë vuajtur që kur snajperët rusë hapën zjarr kundër protestuesve paqësorë në Kiev, në dimrin e kaluar.

Dhe ne jemi edhe më të goditshëm prej këtij rreziku, sepse kemi lejuar atrofizimin e institucioneve të nevojshëm për t’i bërë ballë. Eshtë koha të rindërtojmë këta institucione. Ky ka qënë kuptimi i krizës ukrainase që në krye të herës. Aksidenti i tmerrshëm i MH17 do të mund të ishte parandaluar nëse do ta kishim përthithur më herët këtë kuptim. Por më mirë tani, se sa ta shtyjmë për më vonë. /The Atlantic/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button