Analiza

Rusia, ose lojave e pasqyrave

Moska po përballet me krizën më të madhe ekonomike që prej vitit 1998. Me besimin e rrënuar tek sipërmarrësit, zhvlerësimin e rublës dhe goditjet e rënda prej saksioneve perëndimore pas krizës në Ukrainë, Kremlini po përpiqet që të rikthejë me çdo kusht normalitetin

ft russiaGjatë një konference të gjatë për shtyp në Moskë të premten që shkoi, presidenti rus Vladimir Putin preku çështjen e statusit të tij, atë të një beqari ndër më të prefreruatit nga gratë. I veshur me një kostum elegant dhe një kravatë ngjyrë vjollcë, presidenti shumëfytyrësh dhe ish-agjenti i KGB-së garantoi dëgjuesit e tij se ai dashuron dikë dhe dikush e do atë. Pasi një javë kur monedha kombëtare rubla, u zhvlerësua sa hap e mbyll sytë brenda pak orësh dhe Banka Qëndore rriti ndjeshëm normën e interesit në mesnatë, zoti Putin dha përgjigje të mjegullta mbi vizionin që ai ka për ta nxjerrë Rusinë nga kriza më e rëndë ekonomike që ka goditur vendin prej vitit 1998. Ai paralajmëroi bashkëkombasit e tij që të përgatiten për 2 vite të vështira ekonomike, duke shtuar se pas 15 vitesh në Kremlin, ai ka ndërmend të ndryshojë  tërësisht ekonominë ruse, duke shmangur varësinë e madhe nga energjia, mineralet apo industria ushtarake. Por zoti Putin nuk tha asnjë detaj sesi kjo do të ndodhë, duke shtuar vetëm se mbetet krenar dhe sfidues dhe pretenduar se problemet ekonomike të vendit vijnë pjesërisht nga sanksionet e vendosura nga SHBA dhe BE, si dhe duke ia faturuar krizën ekonomike situatës në Ukrainë dhe NATO-s, që sipas tij po rreket sërish ta çjerrë ariun rus.
“Disa herë, mendoj se do të ishte më mirë për ariun tonë të ulet dhe të rrijë i qetë në punën e vet, me tepër sesa të sorrollatet nëpër pyll pas gjurmëve të derrit. Më mirë të ushqehet me manaferra dhe mjaltë. Ndoshta vetëm atëherë do ta lënë të qetë”- deklaroi zoti Putin. “Por kjo nuk ka për të ndodhur, sepse ata përherë do të përpiqen që t’a kapin dhe mbyllin ariun në kafaz, sikurse bënë në fakt para disa vitesh, duke e kapur me zor për dhëmbësh apo nga putrat”.
Prapa imazhit të gjallë të pyllit Siberian, gjendja shpirtërore e njerëzve të Putinit është e trazuar. Zhvlerësimi i rublës çoi në konstatimin e realitetit të zymtë që ekziston në adminstratën e tij.
“Ministri i Financave po llogariste se cila normë shkëmbimi valutor për rublën, mund të nxjerrë buxhetin nga pika kritike. Ne filluam të hamendësojmë se cila normë e rublës, mund të ishte një formulë magjike që do të shënonte fundin e epokës së Vladimir Vladimirovich Putinit”- thotë një anëtar i familjes së një prej njerëzve më të ngushtë të presidentit.
“Nuk ka më kohë. Duhet të veprojmë dhe ta bëjmë këtë në mënyrë radikale” – deklaroi Vladimir Milov, ish-Ministër i Energjisë, tashmë në opozitë me qeverinë, duke paralajmëruar se Rusia është mbërthyer nga një krizë e thellë e likuiditetit dhe borxheve, një krizë e buxhetit si dhe e besimit të investitorëve. “Nga pikëpamja politike, ndryshimi i qeverisë dhe drejtimit të Bankës Qëndrore, nuk do t’i ndihte aspak daljes nga situata aktuale, pasi sipas tij kriza e trefishtë është pasojë e një njeriut të vetëm, presidentit aktual Putin”- shkruan ai në një blog në internet. “Dorëheqja e Putinit është e domosdoshme për tejkalimin e kësaj krize, sepse pas 15 vitësh në pushtet, besimi tek ai ka humbur tërësisht”.
Përveç zotit Milov dhe pak mendjeve të pavarura liberale që i janë kundërvënë publikisht zotit Putin, pak vetë në Rusi besojnë se kriza e rublës do ta largojë nga pushteti presidentin rus. “Nuk ekziston asnjë opozitë e qenësishme. Zoti Putin në këtë drejtim ka kryer një punë të shkëlqyer”- thotë një ish-zyrtar i Kremlinit. “Tashmë çështja kryesore është sesi ai do të përdorë presidencën, për të na kthyer në normalitet”.
“Normalitet” nuk është një frazë që gjendet kollaj në gojën e mijëra rusëve, që vërshuan këtë javë nëpër banka për t’i kthyer kursimet e tyre në dollarë dhe euro, në vend të një ruble që luhatet në mënyrë të paparashikueshme. Në një moment kritik të martën, rubla u zhvlerësua me 36 përqind dhe gjendja shpirtërore në rrugë evoluoi nga një shqetësim i kuptueshëm në një gjendje të plotë paniku. Një nga degët e njërës prej bankave kryesore të Moskës “Sber- bank”, huadhënësi më i madh në Rusi, tregon për “Financial Times” se në orën 7 pasdite, pati në arkat e saj vetëm 100 dollarë, në një kohë që e pati nisur ditën me 100 mijë dollarë.
Gremisja e rublës
Rusët e tjerë, duke patur frikë se humbën shansin për të kthyer kursimet e tyre në dollarë, sipas një kursi të leverdishëm, e shpenzuan rublën duke blerë mallra. Dyqanet e elekroshtëpiakeve u zbrazën brenda natës, ndërsa e njëjta gjë ndodhi edhe me pikat e gjigandit botëror të mobilierisë “Ikea” pas shpalljes së uljeve të mëdha. Megjithatë luhatja e rublës ishte aq e madhe sa kompanitë mbyllën pikat e shitjeve on-line, për të rillogaritur çmimet e produkteve.
“Kur ju vrëreni që njerëzit derdhen nëpër banka, kjo do të thotë se vendi gjendet në ditën e tij më të keqe”- shprehet Oleg Kouzmin, një ish-zyrtar i lartë i Bankës Qëndrore, që tani punon si ekonomist në bankën e investimeve “Renaissance Capital”.
Shenjat për gremisjen e rublës ishin shfaqur që prej disa muajsh. Ato ishin rënia e ndjeshme e çmimit të naftës që përbën eksportin kryesor të Rusisë, sanksionet e vendeve perëndimore që ia bënë shumë të vështirë kompanive ruse rifinancimin e borxhit të tyre të brendshëm, si dhe një humbje e thellë e besimit në perspektivën e ekonomisë ruse, duke bërë që sipërmarrjet, veçanërisht ato të huaja të pezullonin investimet e parashikuara.
Problemet e mëdha me zbatimin e shtetit ligjor, korrupsionin dhe mbrojtjen e pronës private, kanë shkaktuar largimin e kapitalit të huaj gjetiu. Sipas të dhënave të Bankës Qëndore në Moskë, kapitali që është larguar nga vendi pritet të dyfishohet këtë vit në 134 miliardë dollarë. Rënia e sigurtë ekonomike dhe mundësia e zhvlerësimit të mëtejshëm të monedhës kombëtare, sugjerojnë se kjo tendencë do të vazhdojë me të njëjtin ritëm edhe në vitin 2015. Pak interes ka patur edhe ndaj ofertës së zotit Putin, në fillim të këtij muaji, për të falur plotësisht të gjithë ata sipërmarrës rusë që rikthejnë në vend kapitalet e tyre.
Rubla e cila filloi që të forcohet disi të mërkurën, ishte sërish në pikën më të ulët në fund të kësaj jave me 2 përqind me dobët sesa kishte nisur java. Por pasojat e së martës mbeten ende të rënda. Zoti Putin fajësoi drejtuesen e Bankës Qëndrore, Elvira Nabiullina, se nuk ndërhyri në kohë për të mbështetur rublën. Një hap në drejtimin e duhur do të ishte një shitje e rezervave të mëdha, që Rusia ka në valutë të huaj.  Por instikti rebel i zotit Putin e kundërshtoi edhe këtë masë. Njëra nga arritjet më të mëdha të presidentit rus, ishte shlyerja e borxhit të jashtëm rus dhe akumulimi i qindra miliardë dollarëve në rezerva-një provë kjo konkrete në vetëmburrjen e tij se Rusia rifitoi sovranitetin e saj, pas krizës së rëndë të borxheve të vitit 1998.
Gishti i fajit ra edhe mbi Igor Sechinin, njëri nga njerëzit më të besuar të presidenti Putin dhe shefi i “Rosneft-it”, kompania më e madhe shtetërore e naftës, që ka qenë edhe shënjestra kryesore e sanksioneve perëndimore. Rosneft-i shiti bono në vlerën e 625 miliardë rublave, përpara maturimit të borxhit që ka në dollarë tek bankat e huaja. Banka Qëndore lejoi autoritet që të shërbejnë si garanci për injektimin e 700 miliardë rublave për bankat ruse. Në fakt, Rosneft mbuloi nevojën për rifinancimin, duke marrë direkt hua nga Banka Qëndrore dhe vendosur kësisoj rublën nën presion. Zoti Putin ishte duke përgatitur një darkë me biznesmenet më të pasur të vendit për të diskutuar mbi këtë situatë.
Dëmet nga sanksionet
Nëse shumëkush duhet të fajësohet për gremisjen e rublës, pak persona bëjnë përgjegjës guvernatoren Nabiullina. Alexei Kudrin, një ish-ministër finance që gëzon respekt në opinionin publik, deklaroi në profilin e tij në “Twitter” se marrëveshja e Rosneft, ishte kryer në momentin më të keq të mundshëm. I pyetur se si do të vepronte në vend të zonjës Nabiullina, Viktor Gerashenko, një ish-guvernator i Bankës Qëndrore përgjigjet: “Unë do të gjeja një pistoletë dhe do të vrisja veten”.
Më shumë sesa rritja e çmimit të naftës, ekonomia ruse duhet që të shpresojë në heqjen e shpejtë të sanksioneve nga Perëndimi. Sipas Timothy Ash, shefi i tregjeve financiare në “Standard Bank”, “sanksionet perëndimore gradualisht kanë reduktuar likuiditetin në dollarë, duke e vendosur ekonominë ruse nën një morsë të mirëfilltë.
Por sikurse liderët e SHBA dhe BE kanë bërë të qartë javën që lamë pas, sanksionet nuk do të hiqen deri kur Rusia t’i japë fund destabilizimit të Ukrainës, përmes mbështetjes ushtarake të separatistëve në rajonin juglindor të Donbass-it. Disa besojnë se që prej kësaj jave Rusia po e rimendon sjelljen e saj. Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, tha se Rusia nuk do të këmbëngulë mbi “federalizimin” e Ukrainës, duke u tërhequr kështu nga njëra prej kërkesave kryesore të Moskës për zgjidhjen e krizës.
Nga ana e tij zoti Putin gjatë konferencës së tij për shtyp, iu referua rajonit të shumëdiskutuar si “Ukraina Lindore” (në vend të “Novorossiya” “Rusia e Re”), një shprehje kjo gjeopolitike që në kohërat e carëve dhe të cilën ai e pati përdorur më herët përgjatë këtij viti, në një mënyrë që Rusia kishte ndërmend të aneksonte një territor të gjerë ukrainas nga Donjecku në Odesë.

Ndërkohë, në terren ka pak shenja se rebelët pro-rusë dhe trupat ukrainase do të vendosin brenda dimrit një armëpushim afagjatë. Ndërsa mbetet e paqartë sesi zoti Putin mund të bëjë lëshime ndaj Ukrainës, në një masë të tillë sa të kënaqë qeveritë perëndimore, pa dëmtuar presidencën e tij. Që prej shtypjes së protesave të mëdha demokratike të opozitës në Moskë në dhjetor të vitit 2011, dhe veçanërisht që prej revolucionit të muajit shkurt në Kiev, aparati shtetëror i presidentit Putin ka përdorur tone të forta nacionaliste, që lënë pak hapësirë për të qenë fleksibël. Shkarkimi i shumëpërfolur i kryeminisrit Dmitry Medvedev, mund të ishte një shenjë pozitive, nëse ky i fundit do të zëvendësohej nga zoti Kudrin apo ndonjë tjetër me të njëjtin reputacion për menaxhimin e kujdesshëm të financave të vendit dhe që kupton mirë rolin e ekonomisë ruse në botë. Por do të kishte pak shpresë , nëse kryeministri i ri do të jetë Dmitry Rogozin, një tjetër i besuar i Putinit dhe një drejtues i linjës së ashpër i industrisë ushtarake ruse. “Nëse do të kishin Rogozin në krye te qeverisë, kjo do të sillte më shumë retorikë armiqësore ndaj perëndimit, më shumë para për mbrojtjen dhe një ekonomi më e mbyllur. Ndërsa nëse do të kishim Kudrin, kjo do të dëshmonte një sinjal për hapje, kompromis dhe reforma”- deklaron një diplomat europian në Moskë. “Fakti që lavjerrësi lëkundet mes këtyre të dyve, të çon në përfundimin se zoti Putin është i gatshëm që të shfrytëzojë çdo mundësi që i ofron shanse më të mira për të çimentuar qëndrimin e tij pushtet”./Financial Times/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button