Analiza

Russiagate, Comey, dhe besnikëria e mohuar Donald Trumpit. Prapaskenat e largimit të drejtorit të FBI-së

Nuk qetësohen polemikat në Shtetet e Bashkuara, për shkarkimin e papritur të numrit një të FBI, James Comey, nga ana e presidentit amerikan Donald Trump. Dhe mbi këtë çështje vazhdojnë të shfaqen prapaskena të reja.

Darka në të cilën Trumpi kërkoi “besnikërinë” e Comeyt

Ka qenë, në fakt, një takim ballë për ballë që u zhvilluar në janar mes presidentit amerikan dhe kreut të policisë federale, sipas Nju Jork Tajms, për të bindur presidentin amerikan të shkarkojë numrin një FBI. Më 20 janar, një javë pas inaugurimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump e thirri James Comeyn për një darkë mes të dyve. Presidenti amerikan dhe më pas kreu i Byrosë filluan të flasin për zgjedhjen e Trumpit dhe manifestimet që po ndodhnin në Shtetet e Bashkuara. Pastaj, presidenti, siç ka zbuluar gazeta nga dy kolegë të Comeyt, që kanë dijeni për përmbajtjen e bisedës nga ana e ish-kreut të Byrosë,e devijoi bisedën, duke i kërkuar Comeyt, në qoftë se ai mund të premtonte të ishte “besnik”. Comey i tha jo.

Ai mund të garantonte Presidentin se “do të ishte gjithmonë i sinqertë me të,” por nuk mund t’i garantonte atij “besnikërinë” nga pikëpamja politike. Trump, në bazë të rindërtimit që ka bërë Nju Jork Tajms, nuk ishte i kënaqur me përgjigjen. Aq sa në fund të darkës ai tha përsëri Comeyt se e kishte të nevojshme “besnikërinë” e tij. Comey nuk ishte i gatshëm për t’ia dhënë atë, dhe i përsëriti presidentit se mund t’i garantonte atij vetëm “ndershmërinë”.

“Do të jetë një ndershmëri besnike?” e pyeti në fund, Trumpi. Dhe Comey iu përgjigj po. Shtëpia e Bardhë, megjithatë, tha se rrëfimi i kolegëve të Comeyt nuk ishte i saktë. Darka ka ndodhur, siç konfirmohet po nga Trump në një intervistë që dha dje në NBC, por, sipas versionit të Presidentit, takimin e kish kërkuar Comey, për shkak se ai donte të konfirmohej në krye të FBI. Dhe asnjë garanci për besnikëri nuk iu kërkua Comeyt nga Trumpi. “James Comey duhet të shpresojë se nuk ka regjistrime të bisedave, tona para se të fillojë të flasë për shtypin,” shkroi Donald Trump sot në Tuiter, duke komentuar mbi zërat e publikuara nga Nju Jork Tajms.

Trump ndryshon version për arsyet e largimit

Ndërkohë, presidenti i SHBA, i cili anuloi vizitën e paralajmëruar në selinë e FBI, pasi disa zyrtarë të agjencisë federale i thanë Shtëpisë së Bardhë se presidenti nuk do të pritej ngrohtësisht, mori vetë përgjegjësinë e shkarkimit të Comeyt. Gjatë një interviste me NBC, Trump bëri të qartë, në fakt, se e kish maturuar prej kohësh në mendjen e tij, shkarkimin e James Comeyt, pavarësisht nga rekomandimet e bëra nga Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions, dhe zëvendësi i tij, Rod Rosenstein. Ish-drejtori i FBI “është fanatik i etur për ekspozim, do ta kisha shkarkuar, pavarësisht nga rekomandimet”, tha Trump në NBC.

Kështu Presidenti amerikan ka marrë përsipër rolin e tij qendror në heqjen e drejtorit të FBI-së, duke kundërshtuar versionin zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, e cila ia atribuonte vendimin Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions dhe zëvendësit të tij Rosenstein. Rrethanë, kjo, që kishte kontribuar për të nxitur polemika mbi shkarkimin e ish-drejtorit të FBI, duke e interpretuar si një mënyrë për të bllokuar aktivitetet hetimore, të kryera nga ish-kreu i Byrosë për Russiagate, duke parë përfshirjen e mundshme në hetim të vetë Prokurorit të përgjithshëm, Jeff Sessions, i akuzuar për kontakte me ambasadorin rus në Uashington, Sergej Kislyak, gjatë fushatës së vitit 2016.

Hetimi i Russiagate

Pavarësisht se Trump sqaroi se ai e kishte marrë vendimin, pavarësisht mendimit të shprehur nga Rosenstein, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm ende do të duhet të paraqitet përpara Senatit, për të shpjeguar dinamikën e shkarkimit të ish-kreut të FBI-së. Udhëheqësi republikan i shumicës, Mitch McConnel, dhe demokrati, Chuck Schummer, e kanë ftuar zëvendësministrin e Drejtësisë për të raportuar. Sipas Politiko, për më tepër, ka qenë vetë Rosenstein që ka kërkuar të dëgjohet nga Komiteti i Inteligjencës së Senatit, i cili po heton dyshimet për ndikimin e Moskës në zgjedhjet presidenciale dhe kontaktet midis disa këshilltarëve të Trumpit, me zyrtarë të qeverisë ruse. Rosensteinit i janë drejtuar edhe Ministrat e Drejtësisë të njëzetë shteteve të SHBA, të cilët i kanë kërkuar Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm të emërojë një prokuror të posaçëm, të pavarur nga Trump dhe qeveria, për të hetuar Russiagate.

Pavarësisht se hetimet për ndërhyrje të mundshme të Kremlinit në zgjedhjet amerikane vazhdojnë prej rreth një viti, pa prodhuar për momentin asnjë provë, të shumtë janë ata, si në radhët e republikanëve, edhe në radhët e demokratëve, që kërkojnë që hetimi të vazhdojë, pavarësisht shkarkimit të ish-kreut të FBI-së. Shtëpia e Bardhë, megjithatë, ka deklaruar se ajo nuk e konsideron të nevojshëm emërimin e një prokurori të veçantë në këtë rast. Trumpi në intervistën për NBC, tha se kish marrë disa herë siguri nga vetë Comey, se nuk është përfshirë në hetimin e Russiagate. /Il Giornale – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button