Speciale

Sa bakshish duhet të lë?

bakshishi

Në Tokio bakshishi është shenjë edukate të keqe, ndërsa në Nju Jork është pothuajse i detyrueshëm. Zakonet e lidhura me paratë ekstra kanë të bëjnë me respektin dhe me vlerën që i jepet punës

Ekstaza e pas ngrënies së drekës është veçanërisht e ëmbël kur qëndrohet i ulur në freskun e një ballkoni të një restoranti të përqafuar nga dielli në në Vernazza të Cinque Terre. Por edhe gjërat e bukura përfundojnë dhe duhet të kryej ritin e dorëzimit: të lë bakshish. Ose ndoshta jo. Jam me pushime prej ditësh dhe kam kuptuar se, në kundërshtim nga sa jam mësuar të veproj në vendin tim, këtu nuk kam lënë kurrë bakshish. Mendoja se në Itali nuk ishte zakon. Për të hequr çdo dyshim pyes kamerierin se cilat janë zakonet e vendit, “Njerëzit lënë ndoshta 1 apo 2 euro, jo më shumë”, më përgjigjet. “Si e gjykon një amerikan që lë vetëm një 1 euro bakshish?”, e pyes. “Koprac”, më përgjigjet. Në Romë mund edhe të sillesh si romanët, por mos prit që të falënderojnë për këtë.

Bakshishi është diçka ambige dhe paradoksale. E lëmë atij që na ofron një shërbim, por jo ndaj dikujt tjetër që ndoshta bën një punë po aq të lodhshme dhe merr një rrogë po aq të ulët. Në Tokio është ofendim të lësh bakshishin, kurse në Nju Jork është fyese të mos lësh një të majmë. Thuhet se qëllimi i bakshishit është që të inkurajojnë një shërbim të mirë, por në realitet e lëmë vetëm pasi që shërbimi i ofruar dhe shpesh personave që nuk do ta shërbejnë më kurrë. Bakshishi vë në krizë përgjithësimet e mëdha të ekonomistëve dhe të antropologëve. Të kuptosh si dhe pse i lëmë këto para ekstra do të thotë të investigosh shtigjet e thella të komplikuara dhe magjepsëse të natyrës njerëzore.

Pothuajse të gjitha historianët bien dakord lidhur me origjinën e bakshishit si zakon aristokratik. Në fillimet e Gjashtëqindës në Angli ishte zakon që të ftuarit e një shtëpie private, përpara largimit, t’u linin shërbëtorëve një sasi të vogël parash, të quajtur vail. Më pas ky zakon është shtrirë në sallat e kafesë dhe në lloje të tjera të shërbimit. Për t’u përhapur më pas jashtë. Tip, fjala anglisht që tregon bakshishin, ka në fakt origjinë të paqartë. Më e mundura është nga latinishtja stips, që do të thotë “obolo”, “ofertë”. Duke qenë se Oxford English Dictionary e zbret përdorimin e parë të termit në 1706, është pothuajse sigurisht një legjendë se është akronimi i To Insure Prompt Service (për të siguruar një shërbim të menjëhershëm), siç do të lexonte në Shtatëqindën poeti Samuel Johnson lidhur me një qyp për bakshishet në një sallë kafeje. Rrallë bakshishi ka siguruar ndonjë gjë. Ashtu si vail i largimit, shpesh lihet shumë vonë sa për të bërë diferencën.

Ky aspekt i çorienton ekonomistët, që nuk e kuptojnë se pse njerëzit janë të gatshëm të paguajnë më shumë sesa është e nevojshme për një shërbim. Lënia e bakshishit në këmbim të një shërbimi më të mirë jo vetëm bie në kundërshtim me sekuencën kohore të ngjarjeve, por edhe me vëzhgimin e asaj që ndodh zakonisht. Studimet demonstrojnë se raporti midis kënaqësisë së klientit për shërbimin e marrë dhe madhësisë së bakshishit është shumë e dobët. Ka mënyra të tjera më të sigurta për ta rritur bakshishin. Ajo më e natyrshmja është të bindet klienti që të porosisë akoma ose të marrë pjata dhe pije të kushtueshme. Sa më e madhe që të jetë fatura për t’u paguar, aq më e i madh ka mundësi bakshishi, duke parë se zakonisht pjesa më e madhe e klientëve e llogarit si një përqindje të shumës. Për dekada me radhë antropologët kanë pëlqyer dallimin midis ekonomive të bazuara mbi dhurimin dhe ekonomive të bazuara mbi tregtinë (ose mbi shkëmbimin) të bërë në gjysmën e parë të Nëntëqindës nga antropologu polak Bronisław Malinowski dhe nga sociologu francez Marcel Mauss. Në ekonomitë e shkëmbimit, si ato të vendeve të industrializuara, mallra dhe shërbime zakonisht blihen me para dhe nganjëherë edhe me shkëmbim. Në këtë kultura, një dhuratë nuk është e tillë, nëqoftëse duke e bërë pritet diçka në shkëmbim.

Por me kalimin e kohës janë futur rregulla implicite dhe zakone që bëjnë që kush dhuron diçka të marrë edhe diçka në shkëmbim. Një sistem që u sjell përfitime të gjithëve. Çdo restorant që respektohet e di se të dyja fjalët që përbëjnë shprehjen “industri e mikpritjes” janë të rëndësishme. Është e vërtetë, njerëzit paguajnë për të ngrënë, por personeli duhet të veprojë në mënyrë të atillë që ata të ndjehen mysafirë dhe jo klientë. E mendon kështu Rene Rexhepi, Kryekuzhinier në “Noma” të Kopenhagen, i emëruar 4 herë si restoranti më i mirë i vitit nga revista britanike “Restaurant”. “Në restorante ka shumë njerëz që bëjnë maksimumin për klientin. Lënia e bakshishit është një shenjë vlerësimi. Shaun Hill, kuzhinier dhe bashkëpronar i restorantit me yje “Walnut Tree” në Abergavenny të Uellsit, jep një shembull shumë domethënës: “Nëqoftëse ndalesh në 2 të natës për të pirë një tretës, duke biseduar këndshëm me mikun tënd më të mirë të ri, është dikush që duhet të presë, për më tepër falas, që t’u hiqesh qafe. Në këto raste është edukata e mirë që e lë bakshishin, përveçse nuk dëgjon të thuhet që ta lirosh tavolinën sapo ke përfunduar kafen”.

Garçon francez

Funksioni kompleks i bakshishit pasqyron funksionin shumëplanësh të restorantit. Pjesërisht, është një formë pagimi, një shpërblim për një punë të bërë mirë. Por është edhe një manifestim mirënjohjeje, një mënyrë për t’i dhënë atij që ka shfrytëzuar rastin për të gëzuar të paktën pjesërisht kënaqësinë të cilën kemi gëzuar ne. Ndoshta është për këtë që shumë kamerierë i trajtojnë dy të hyrat veçmas: rrogën për të paguar faturat, bakshishet për daljet e mbrëmjes. Çdo shpjegim universal i bakshishit ndeshet me një problem gjeografik. Si dhe sa të lësh ekstra ndryshon sipas vlerave dhe traditave të secilës kulturë. Një ndryshore duket se ka të bëjë me natyrën dhe rëndësinë e respektit dhe duket se sa më shumë puna e lidhur me restorantit zë një vend nderi në shoqëri, aq më pak u lihet bakshish kamerierëve. Japonia është një prej vendeve të pakta në botë ku lënia e bakshishit është fyese, pasi konsiderohet një çnderim për atë që shërben. Në kulturën japoneze ka një dinjitet të lindur në përmbushjen e rolit tënd në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo nuk do të thotë se të gjitha zanatet kanë status të barabartë, por se çdo zanati i jepet respekti i duhur. Lënia e bakshishit jep përshtypjen se kryerja e zanatit tënd nuk është e mjaftueshme, se kush shërben nuk ka të njëjtin dinjitet me të tjerë që e bëjnë punën e tyre pa marrë bakshish.

Edhe në Perëndim, zakonet e lidhura me bakshishin kanë të bëjnë me respektin. Në Amerikën Veriore t’u shërbesh tavolinave konsiderohet një punë e nivelit të ulët dhe për këtë arsye bakshishet janë të larta. Pakashumë e njëjta gjë ndodh në Mbretërinë e Bashkuar. Kurse në Europën kontinentale puna e kamerierit është më e respektuar. Le të provojmë për një moment të mendojmë për stereotipin e kamerierit në Francë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Në Francë, garçon është zakonisht një zotëri i moshuar dhe tullac që shërben steakfrites prej një jete; kurse në Mbretërinë e Bashkuar kamerierët kanë meshkuj ose femra, të rinj, shpesh studentë, që përqpien të fitojnë diçka përpara se të gjejnë një “punë të vërtetë”. Ideja që bakshishi është i lidhur në mënyrë inverse me respektin është shtangëse. Ndoshta shpjegon se pse skandinavët lënë ndër bakshishet më të ulëta në Europë. Tore Skjelstadaune, që përfaqëson punonjësit e restoranteve dhe personelin e hoteleve të Oslos në Federatën e Bashkuar të Sindikatave të Norvegjisë (Fellesforbundet), është kundër bakshishit përveç rasteve kur shërbimi është ekstra. “Parimi në Norvegji është se secili duhet të ketë një rrogë që t’i mundësojë të jetojë”, i ka deklaruar në 2013 gazetës online norvegjeze “Nettavisen”.

 

Nivel jetese i kënaqshëm

Rezultatet e një studimi të Michael Lynn, pedagog Marketingu dhe i Sjelljes së Konsumatorëve në Cornell University të Shteteve të Bashkuara, thonë më shumë: sa më e lartë barra fiskale në përqindje ndaj PPB-së, aq më i ulët është bakshishi. Në Skandinavi, ku barra fiskale është shumë e lartë, respekti kërkon që shoqëria të jetë e strukturuar në mënyrë të tillë që t’u garantojë të gjithëve një nivel jetese të kënaqshëm. Dhënia e respektit të duhur secilit nënkupton që të veprohet në mënyrë që të mund të fitohet për të jetuar dinjitetshëm, duke punuar dhe duke marrë një rrogë të barabartë. Ja pse në restorantin “Noma” të Kopenhagenit bakshishi mesatar përfaqëson rreth 3 përqind të shumës së shpenzuar. Parë nga kjo perspektivë, bakshishi duket një atavizëm i një epoke në të cilën puna në një restorant konsiderohet më e keqja midis të këqijave, me të drejta të reduktuara në minimum apo deri edhe inekzistente. Shaun Hill kujton se më parë bakshishet “paguanin pjesë të rrogës së kamerierëve” dhe se kuzhinierët përfitonin shuma të majme nga furnitorët, që kalonin zarfe me 5 përqind të vlerës së shpenzimit. Në Mbretërinë e Bashkuar, varësia nga bakshishet ka qenë një zakon deri në 2009, kur është bërë e paligjshme t’i konsideroje pjesë të rrogës, siç bënin punëdhënësit për të arritur rrogën minimale të detyruar kamerierëve. Por edhe sot të punosh në një restorant sigurisht që nuk do të thotë të punosh në parajsë. “Duke e njohur sektorin nga brenda dhe duke e ditur sesa të ulëta janë rrogat, e di mirë se pjesa më e madhe e kuzhinierëve dhe e kamerierëve mezi arrin ta shtyjë muajin. Bakshishet peshojnë shumë mbi bilancin mujor të një punëtori”, thotë Rexhepi.

Duke parë korrelacionin historik që ka me kushtet e këqija të punës dhe me shpërblimin, nuk është rastësi që dikush ka provuar ta abrogojë bakshishit. Në 1904 Uilliam Skot themeloi Anti-tipping Society of America (Shoqata Amerikane kundër Bakshishit) dhe në 1916 shkroi The Itching Palm: A Study of the Habit of Tipping in America (Pëllëmba që kruhet: Një studim lidhur me zakonin e bakshishit në Amerikë). Sipas Skot, bakshishi inkurajonte “vullnetin e të treguarit servil për të pasur konsideratë” dhe përfaqësonte kështu një hap mbrapa drejt Europës monarkike antidemokratike. Në fillimet e Nëntëqindës, iniciativat e tij çuan në ndalimin e lënies së bakshishit në shtetet Arkansas, Georgia, Mississippi, Iowa, South Carolina, Tennessee e në Washington State (të gjitha masat u abroguan në vitet Njëzet). Scott do të rrotullohej në varr nëqoftëse do të mësonte se sot Shtetet e Bashkuara janë vendi me bakshishet më të larta të botës. Një prej paradokseve të shumta të bakshishit: është një fenomen amerikan par excellance dhe, në të njëjtën kohë, thelbësisht antiamerikan. Ky tension midis vlerash kundërshtuese shpjegohet me faktin se Shtetet e Bashkuara, megjithëse duke aspiruar të jenë një vend me kulturë barazitare, nuk ndajnë të njëjtin preokupim kolektivist të Europës për rezultatet ekonomike. Në Shtetet e Bashkuara, më individualistë, garantimi i të njëjtit respekt nënkupton t’u japësh njerëzve lirinë e bërjes së zgjedhjeve të tyre dhe të fitojnë për të jetuar me ndërhyrjen shtetërore minimale të mundshme: është më shumë një çështje mundësishë të barabarta sesa barazie rrogash. Ja se pse, akoma sot, në Shtetet e Bashkuara shumë kamerierë e shtyjnë me bakshishet.

Diferencat kulturore shpjegohen pjesërisht edhe me teorinë e barazisë, e zhvilluar në 1963 nga psikologu i sjelljes Xhon Stejsi Adams. Koncepti qendror është se secili prej nesh është socialist i prirur që të provojë ankth apo bezdi kur raportet me të tjerët janë të pabarabartë. Në Japoni e në Norvegji lënia e bakshishit nënvizon diferencat e statusit, duke e theksuar ndjenjën e pabarazisë dhe duke e rritur bezdinë. Kurse në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara bakshishi shikohet si një mënyrë për të reduktuar pabarazinë ekonomike midis klientit dhe stafit dhe, për pasojë, e zbut tensionin. Kështu, edhe pse dikur bakshishi konsiderohej degradues, sot ka mundësi gjërat të kenë ndryshuar. Asnjë prej kamerierëve që më ka qëlluar të flas nuk mendon se lënia e bakshishit është një gjest superioriteti ndaj tyre. Ndoshta motivi është se deri jo shumë kohë më parë statusi social i një personi përcaktohej nga lindja dhe pranohej nga të gjithë. Sot jetojmë në një botë më fluide, që i ka ndryshuar dinamikat midis klientit dhe kamerierit. Nuk jemi më përballë një subjekti socialisht superior që shërbehet nga kamerieri i thjeshtë i tij. kamerieri që sot i shërben klientëve, nesër do të shërbehet nga dikush tjetër. Baristi mund të jetë më i kualifikuar sesa personi të cilit sapo i ka dhënë një koktej. Edhe për këtë, klienti që e trajton kamerierin me ndjenjë superioriteti zakonisht shikohet keq si nga stafi i restorantit, ashtu edhe nga klientët e tjerë.

Kështu që të thuash se bakshishi është natyrshëm gabim duket e tepruar. Por duke parë që ka diferenca të mëdha në botën në të cilën realizohet, si i bëhet që të përcaktohet se çfarë është e drejtë të bëhet? Disa restorante kanë provuar ta abrogojnë krejtësisht bakshishin vullnetar. Në Mbretërinë e Bashkuar është bërë shumë e zakonshme të përfshihet automatikisht në faturë. Në Shtetet e Bashkuara, “Linkery” në San Diego aplikon një tarifë shërbimi prej 18 përqind dhe i fton klientët që të mos lënë bakshish, ndërsa “Toast Kitchen and Bar” në Oakland i shton faturës 15 përqind dhe i lë klientit të drejtën për të derdhur një kuotë plus për të arritur në 20 përqind. Rexhepi është fuqimisht kundër kësaj tendence. “Nuk më pëlqejnë restorantet që vendosin një përqindje fikse për shërbimin”, thotë ai. “Bakshishi duhet të bazohet mbi përvojën personale të klientit dhe mbi sa secili prej nesh mund t’i lejojë vetes”. Në restorantin e mëparshëm të Shaun Hill, “Merchant House” në Ludloë, shërbimi përfshihej në faturë. Por kështu restorantet e tjerë dukeshin gjithnjë e më ekonomikë, vetëm pse ndanin koston dhe shërbimin. Në “Ëalnut Tree”, lokalin e ri të tij, klienti mund të zgjedhë nëse do ta paguajë shërbimin, por Hill nuk i kritikon restorantet që i shtojnë automatikisht faturës një përqindje kur kanë të bëjnë me grupe: “Tavolinat e mëdha janë më të lodhshme për kamerierët dhe bakshishet janë shumë më të ulëta”, shpjegon ai. Për sa më përket, shtimi i shërbimit në faturë e vë në diskutim vetë idenë e bakshishit, duke e transformuar nga një dhuratë e bërë lirisht nga klienti në një lloj mbivlere të imponuar nga pronari. Prishet ekuilibri delikat midis punës dhe kënaqësisë që një restorant duhet të ruajë gjithmonë. Edhe kur bakshishi është vullnetar, shumë restorante e vënë në provë tolerancën e klientit duke i shtyrë që të jenë më bujarë. Kur klienti paguan me kartë krediti mund të zgjedhë të lërë një bakshish të barabartë me një përqindje të faturës. Shpesh përqindja më e ulët është mbi mesataren dhe nëse një klient do të lërë më pak, duhet ta thotë dhe të përballet me një figurë të keqe të pashmangshme.

Mendoj se në perspektivë të gjitha këto tentativa për të bindur apo nxitur klientët për të lënë një bakshish të mirë do të prodhojnë efektin e kundërt, pasi njerëzit janë gjithnjë e më pak të gatshëm për të dhënë diçka kur ndjehet e detyruar. Dhe nëse pagimi i shërbimit do të bëhet normë, atëhere vështirë se klientët do të lenë diçka më shumë me vullnetin spontan të tyre. shpesh bakshishi shikohet si një sistem i vrazhdë dhe jo i përkryer shpërblimi, por të paktën ka vetinë që të humanizojë përvojën e të ngrënit jashtë, në vend që ta shndërrojë në mall. Boll të mendohet për atë që ka thënë Shaun Hill për grupet e mëdha që lënë më pak bakshish në përqindje ndaj faturës. Ose për faktin që klientët e zakonshëm lënë bakshishe më të larta ose akoma që klientët lënë ekstra më të mëdha nëse kamerieri është i seksit tjetër. Të vënë bashkë, gjithë këta elementë na thonë se sa më shumë ndërveprimi midis klientit dhe kamerierit është personal, aq më i madh është bakshishi. Fatura mbulon shkëmbimin pastërtisht ekonomik, por bakshishi, si gjest pastërtisht vullnetar, është shenja se mbrëmja nuk ka rezultuar në një transaksion komercial të thjeshtë.

(Julian Biaggini për Aeon)

Përgatiti: ARMIN TIRANA / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button