Ekonomi

Sa i shëndetshëm është sistemi financiar global?

Nga Mohamed A. El-Erian

LONDËR – Në javët e fundit, politikëbërësit në të dy anët e Atlantikut kanë pohuar se sistemi financiar është i shëndoshë dhe i qëndrueshëm. Federal Reserve (Banka Qendrore) e SHBA njoftoi në qershor se të gjitha bankat amerikane e kanë kaluar testin e fundit vjetor të stresit. Dhe kryetarja e Fed, Janet Yellen tani ka sugjeruar se ne mund të mos përjetojmë një tjetër krizë financiare “në jetën tonë”.

Në të njëjtën kohë, Bordi i Stabilitetit Financiar (FSB) – i cili monitoron praktikat rregullatore anembanë botës, për të siguruar përmbushjen e standardeve të miratuara globalisht – ka deklaruar, në një letër drejtuar udhëheqësve të G20, se “format toksike të paktikave bankare jotransparente” janë eliminuar.

Me pak fjalë, masat e vazhdueshme për të mbështetur sistemin financiar botëror padyshim që kanë shpërblyer, sidomos kur bëhet fjalë për forcimin e masave mbrojtëse të kapitalit dhe pastrimin e bilanceve në pjesë të rëndësishme të sistemit bankar. Siguritë e dhëna së fundmi nga politikëbërësit janë ngushëlluese, për ata prej nesh, që shqetësohen se nuk është bërë mjaftueshëm për të reduktuar rrezikun financiar sistemik dhe për të siguruar që bankat t’i shërbejnë ekonomisë reale, në vend që të kërcënojnë mirëqenien e saj.

Megjithatë, është shumë shpejt që t’i jepet sistemit financiar në tërësi, një recetë të pastër shëndetësore. Përpjekjet për të mbështetur sektorin bankar në disa pjesë të Evropës janë ende shumë prapa. Dhe, më e rëndësishmja, rreziqet financiare kanë vazhduar të migrojnë në aktivitete jobankare.

Pasi marrja e papërgjegjshme e risqeve e futi ekonominë botërore në një depresion shumëvjeçar në vitet 2007-2008, rregullatorët dhe bankat qendrore në ekonomitë e përparuara nisën një përpjekje të madhe, për të forcuar sistemet e tyre financiare. Për këtë qëllim, ata u përqëndruan fillimisht tek bankat, të cilat që nga ajo kohë e kanë forcuar kapitalin e tyre të absorbimit riskut, kanë pastruar bilancet e paqarta, kanë rritur likuiditetet, kanë rritur transparencën, kanë ngushtuar shtrirjen e aktiviteteve me risk të lartë, dhe pjesërisht kanë rindërtuar stimuj të brendshëm për të dekurajuar sjelljet e pakujdesshme. Për më tepër, procesi i likuidimit të bankave të dështuara dhe të falimentuara është përmirësuar.

Përveç forcimit të sektorit bankar, politikëbërësit kanë bërë përparim edhe në drejtim të standardizimit të tregjeve të derivateve, duke i bërë ato më të fuqishme dhe transparente, gjë që gjithashtu zvogëlon rrezikun e shpëtimit në të ardhmen të institucioneve të papërgjegjshme financiare, me paratë e taksapaguesve. Për më tepër, sistemi i pagesave dhe shlyerjes është bërë më i sigurt, duke ulur kështu kërcënimin e një “ndalimi të papritur” në aktivitetin ekonomik, si ai që ndodhi në tremujorin e katërt të vitit 2008.

Ka qenë inkurajuese që të shikojnë autoritetet kombëtare të koordinojnë përpjekjet e tyre nën kujdesin e FSB-së. Bashkërendimi më i mirë ka zvogëluar rrezikun e arbitrazhit rregullator dhe adreson rrezikun që bankat të jenë, siç tha guvernatori i Bankës së Anglisë, Mervyn King, “ndërkombëtare në jetë, por kombëtare në vdekje”.

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar morën udhëheqjen në reformë, dhe Evropa po afrohet. Duke supozuar se ndodh, ashtu si kanë ndërmend politikëbërësit, siguria e Yellen për një “sistem shumë më të fortë” bankar në SHBA, do të përcillet edhe për të gjitha juridiksionet e tjera sistemike bankare në botën e zhvilluar. Dhe pohimi i besueshëm i FSB-së se “reformat kanë trajtuar linjat e gabimeve që shkaktuan krizën globale financiare” do të marrë më shumë mbështetje.

Megjithatë, është shumë herët për të thirrur fitore. Megjithëse FSB e përshkruan sistemin financiar si “më të sigurt, më të thjeshtë dhe më të drejtë”, ajo gjithashtu pranon “rreziqet e reja që, nëse nuk mbahen nën kontrolluar, mund të dëmtojnë objektivin e G20 për një rritje të fortë, të qëndrueshme dhe të ekuilibruar”.

Si një vëzhgues dhe pjesëmarrës në tregjet globale të kapitalit, tre prej këtyre risqeve janë për t’u veçuar. Së pari, teksa bankat e rregulluara më me kujdes kanë ndalur disa aktivitete, vullnetarisht ose jo, ato janë zëvendësuar nga jo-banka të cilat nuk u nënshtrohen të njëjtave standarte supervizimi dhe rregullatore.

Së dyti, segmente të caktuara të sistemit jo-bankar tani janë mbërthyer nga një “deluzion i likuiditetit”, në të cilin disa produkte rrezikojnë të premtojnë shumë më tepër likuiditet nga sa mund të ofrojnë për klientët që operojnë në disa fusha – siç janë bonot e korporatave me të ardhura të larta – që janë veçanërisht të ndjeshme ndaj paqëndrueshmërisë së tregut. Dhe në të njëjtën kohë, fondet e këmbimit të valutës janë përhapur, ndërkohë që ndërmjetësit financiarë janë zvogëluar, në krahasim me përdoruesit finalë, më të mëdhenj dhe më komplekse.

Së treti, sistemi financiar ende nuk e ka ndjerë ndikimin e plotë të problemeve teknologjike të nxitura nga përparimet në “big data”, inteligjencën artificiale dhe lëvizshmërinë. Dhe aktivitetet e teknologjisë financiare (fintech), të zgjeruara tashmë, janë të rregulluar në mënyrë jo të përshtatshme dhe ende duhet të testohen nga një cikël i plotë tregu.

Për të qenë të sigurt, një tjetër krizë sistematike financiare që kërcënon rritjen dhe prosperitetin ekonomik në mbarë botën, ka gjasa të mos burojë nga sistemi bankar. Por do të ishte e parakohshme të pohonim se i kemi lënë pas, të gjitha rreziqet që kanë lidhje me sistemin financiar.

Për shkak se rreziqet kanë ndryshuar – dhe kanë migruar nga sistemi bankar – rregullatorët dhe mbikëqyrësit do të duhet të shtojnë përpjekjet dhe të zgjerojnë fokusin e tyre, për të parë përtej bankave. Në fund të fundit, siç thoshte Greg Ip i Wall Street Journal në vitin 2015 “Të shtrydhësh riskun nga ekonomia mund të jetë si shtypja e një dysheku me ujë: rreziku shpesh rishfaqet diku tjetër. Kështu ndodh edhe me përpjekjet për ta bërë sistemin financiar më të sigurt, pas krizës financiare”. / Bota.al

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – How Healthy is the Global Financial System?

Leave a Reply

Back to top button