
Katherine Butler
Kërcënimi i Donald Trumpit për të marrë nën kontroll Groenlandën “një mënyrë apo një tjetër” ka shkaktuar tronditje në fuqinë sovrane të tij Danimarkën, ndërsa pjesa tjetër e Europës është duke kërkuar me ngut mënyra për ta ndalur.
Pas tronditjes që shkaktoi sulmi ushtarak i SHBA-së ndaj Venezuelës, ambicia e Trumpit për ta pasur Groenlandën si objektivin e radhës nuk shihet më në Europë si mburrje apo fantazi, por si një qëllim serioz, i nxitur nga ideologjia, neo-imperializmi, etja e SHBA-së për minerale kritike, ose nga të gjitha këto së bashku.
Mospërfillja e hapur e Trumpit ndaj të drejtës ndërkombëtare po nxjerr sërish në pah dilemën e dhimbshme që buron nga varësia paralizuese e Europës nga SHBA për sigurinë ushtarake: a duhet ta përballin apo ta zbusin, edhe kur veprimet prej “shteti të çmendur” pasqyrojnë pushtimin rus të Ukrainës, të cilin ata e konsiderojnë të paligjshëm?
Menjëherë pas sulmit ndaj Venezuelës, i cili u shoqërua me një heshtje shurdhuese nga Europa, këshilltari i Trumpit, Stephen Miller, u mburr në një intervistë për CNN se “askush nuk do të luftojë me Shtetet e Bashkuara” për Groenlandën.
A ka të drejtë Miller? Ditët e fundit është vërejtur një ndryshim toni. Udhëheqësit e gjashtë fuqive europiane, Franca, Gjermania, Spanja, Italia, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar, nxorën një deklaratë të rrallë të përbashkët, duke riafirmuar mbështetjen e tyre për sovranitetin danez dhe duke i dërguar në thelb një paralajmërim Trumpit, që të mbajë duart larg Groenlandës. Groenlanda i përket popullit të saj, thanë ata: “Vetëm Danimarka dhe Groenlanda duhet të vendosin mbi çështjet që kanë të bëjnë me Danimarkën dhe Groenlandën”.
Por se çfarë lloj “lufte” janë të gatshme të ndërmarrin këto fuqi europiane për Groenlandën, nëse diplomacia dështon, mbetet e paqartë.
Në një takim në Uashington, Danimarka po përpiqej ta çtensiononte krizën me premtime sigurie, duke këmbëngulur se Groenlanda nuk është në shitje. Shumë groenlandezë kanë ndjenja të përziera ndaj Danimarkës për shkak të trashëgimisë koloniale, por për momentin të dy qeveritë janë në një linjë. Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, pritej të ringjallte ide më tipike të shekullit të 19-të, si “blerja” e shkëputjes së territorit.
Justifikimi i Trumpit për kërcënime ndaj një aleati besnik të NATO-s, gjoja për ta mbrojtur Groenlandën nga një agresion i mundshëm i ardhshëm rus apo kinez, nuk qëndron, thonë analistët. Shqetësimet e sigurisë së SHBA-së mund të adresohen pa aneksuar Groenlandën.
Groenlanda është një territor gjysmëautonom që nga viti 1979, por si pjesë e Danimarkës mbrohet nga NATO. Trump mund të kërkojë që aleatët e NATO-s të forcojnë mbrojtjen e kufijve të jashtëm të këtij territori strategjik.
Traktatet ekzistuese të epokës së Luftës së Ftohtë mes Danimarkës dhe SHBA-së për mbrojtjen e përbashkët të Groenlandës i japin Uashingtonit dorë të lirë për të dislokuar më shumë trupa. Ai mund të rihapë 16 nga 17 bazat ushtarake amerikane që kishin operuar më parë, por që më pas i kishte mbyllur.
Një modus vivendi?
Teksa alarmi rritet në Danimarkë dhe në vetë Groenlandën, – prej ku raportimet përshkruajnë një atmosferë frike, me shumë njerëz që pyesin veten nëse duhet të largohen, mund të shohim Mbretërinë e Bashkuar të luajë një rol më aktiv për të zbutur krizën. Qeveria e Keir Starmerit shpreson të ndërmjetësojë një modus vivendi me Uashingtonin. Pasi mbajti një profil të ulët për Venezuelën, Starmer shpreson se shqetësimet amerikane për sigurinë e gjithë rajonit Arktik mund të adresohen brenda traktateve ekzistuese, duke qetësuar njëkohësisht frikën daneze për “pronësinë”.
Starmer dhe Trump kanë folur dy herë gjatë javës së fundit për të bërë më shumë për të mbrojtur “veriun e lartë” nga një inkursion i mundshëm rus. “Qëndrimi në Londër është se ka një marrëveshje të mundshme për Groenlandën,” tha Patrick. “Vështirësia me këtë administratë amerikane, megjithatë, është të identifikosh saktësisht se cilat janë motivet e presidentit kur flet për ‘pronësinë’.”
“Groenlanda duket se ka një cilësi pothuajse mistike për Trumpin, por a do të thotë kjo se ai thjesht dëshiron të jetë në gjendje të tregojë me gisht në hartën e SHBA-së dhe të thotë se territori i saj është zgjeruar duke përfshirë Groenlandën? Kjo mbetet e paqartë.”
Starmer ka dërguar sekretaren e jashtme, Yvette Cooper, në Finlandë dhe Norvegji. Përpara vizitës së saj, ajo nuk përmendi drejtpërdrejt Groenlandën apo nevojën për t’u përballur me kërcënimet e Trumpit, por i bëri thirrje “NATO-s të intensifikojë punën e saj në Arktik për të mbrojtur interesat euro-atlantike në rajon”. Deklarata e Cooper shtoi gjithashtu: “Me ndryshimet klimatike që hapin Arktikun, rajoni do të bëhet një front gjithnjë e më kritik për NATO-n.”
“Duke iu referuar ndryshimeve klimatike, shkrirjes së akullit arktik dhe rrjedhimisht rritjes së kërcënimit të paraqitur nga Rusia,” thotë Patrick, “Mbretëria e Bashkuar po pranon vlefshmërinë e shqetësimeve të Trumpit, por sigurisht jo zgjidhjen e tij, pra pushtimin amerikan.”
Megjithatë, me Trumpin që duket i gatshëm të shkatërrojë NATO-n për hir të kontrollit të Groenlandës, pavarësisht motiveve të tij, opsionet e Europës duken të mbushura me rrezik.
Por ka edhe karta strategjike që Europa mund të luajë. Robert Habeck, ish-zëvendëskancelari i Gjermanisë, argumentoi në Guardian të hënën se Europa duhet të shfaqë pak nga machtpolitik-a e saj (politika e forcës) dhe t’i ofrojë Groenlandës një rikthim në anëtarësimin në BE, së bashku me një paketë masive investimesh, për t’u mbrojtur nga kërcënimet amerikane. Groenlanda u largua nga Komunitetet Europiane në vitin 1985, për të rifituar kontrollin mbi peshkimin. Por nëse BE-ja do të barazonte grantin vjetor të Danimarkës me miliarda investime të reja, llogaritë mund të ndryshonin në një botë të transformuar rrënjësisht.
Fabian Zuleeg, drejtor ekzekutiv i Qendrës së Politikave Europiane në Bruksel, tha se Europa, nëse qëndron e bashkuar, mund t’i tregojë Trumpit se shtrëngimi i tij grabitqar ka një kosto. Ai theksoi se Europa duhet të ndërmarrë “jo gjeste simbolike, por masa që rezonojnë brenda SHBA-së dhe e dëmtojnë Trumpin dhe zgjedhjet e tij politike aty ku ka më shumë rëndësi: tek baza e tij elektorale. Tregtia, qasja në tregje, bashkëpunimi rregullator dhe partneritetet industriale ofrojnë të gjitha leva presioni.”
Për analistin me bazë në Paris, Alexander Hurst, kursi më i mirë i veprimit për Europën është të detyrojë “një çarje” me SHBA-në, përfshirë edhe kërkesën që SHBA të largojë bazat e saj ushtarake nga Europa. “Gjithçka, përveç luftimit të drejtpërdrejtë, duhet të merret në konsideratë,” shkroi Hurst. / The Guardian – Bota.al





