Histori

Sa në CIA, sa në KGB: E vërteta e “arratisë së madhe” të nazistëve

Kush nuk u bë agjent i CIA-s hyri në KGB, në Stasi-n e Gjermanisë Lindore apo në shërbime të tjera të fshehta. E ka konfirmuar në vitin 2014 edhe revista gjermane Der Spiegel. Disa dokumenta të deklasifikuar konfirmojnë këtë të vërtetë: “ati” i Gjermanisë së pasluftës dhe Europës së bashkuar – udhëheqësi demokristian Konrad Adenauer – ishte në dijeni të rekrutimit të nazistëve nga shërbimet e fshehta gjermane të pasluftës, dhe ato amerikane. Siç thoshte Lenini, shpesh herë, “cinizmi nuk është në fjalët që përshkruajnë realitetin, por në vetë realitetin”

Screen Shot 2016-07-15 at 13.36.59

Në pranverën e vitit 1945, në Europë, zotat kish pak kohë që ishin shembur. Kush kishte aspiruar t’u zinte vendin – Hitleri dhe Musolini në krye – përgatitej të kishte të njëjtin fund. Berlini digjej nën goditjet e Armatës së Kuqe dhe Milano “kapitullonte” përballë Aleatëve dhe partizanëve. Dhe ndërkohë që Gjermania bënte hesapet me provën e humbjes, pjesa tjetër e botës bënte llogaritë me egërsinë e Holokaustit.

Pamjet e reportazheve të luftës ishin të pangatërrueshme: njerëz si kavie, të mbyllur në kampe shfarosjeje. Qytete të mbuluar prej tonelata bombash. Kombe të tërë në gjunjë paguanin çmimin e ideologjive të përgjakshme. Dhe në ata muaj të fillimit të 1945-ës, shumë hierarkë nazistë u përpoqën të shpëtojnë, duke hyrë në klandestinitet dhe bërë përpjekje për t’u arratisur.

Eksodi
Nga Europa qendrore dhe nga Kroacia, qindra- mijëra refugjatë zbrisnin si në një eksod biblik, drejt Italisë dhe Spanjës, trugë strategjike për arratinë. Shumë gjermanë me duart e lyera me gjak iu bashkuan atyre: të paktën 50 kriminelë lufte dhe më shumë se 300 kuadro ushtarakë të Rajhut shpëtuan. Emrat e tyre dihen: Ante Paveliç, kreu i ustashëve kroatë; Erich Priebke, Kasapi i Ardeatine; Joseph Mengele, “doktori i vdekjes”; Adolf Eichmann, organizatori i “zgjidhjes përfundimtare”; Klaus Barbie, kasapi i Lionit; dhe shumë të tjerë.

Të gjithë nisën një jetë të re, dikush në Lindjen e Mesme, dikush në Australi, e madje dikush në Europë apo SHBA si bashkëpunëtor i CIA-s, KGB-së apo Stasi-t. Si ishte e mundur? Arkivat e hapur në këta vitet e fundit kanë bërë të mundur të hidhet dritë.

Operacioni E Vërteta

Por, përgjigja nuk është e njëzëshme. Dhe është mirë që, para se t’i hysh kësaj çështjeje, të bësh të qarta disa prej broçkullave më të mëdha që ende qarkullojnë mbi këtë temë: Asnjë udhëheqës i lartë nazist në në ’45, nuk u largua në bordin e nëndetëseve të pamundura, nëpër Atlantik. Aq më pak Hitleri. Në plazhet e Amerikës së Jugut kurrë nuk arritën arka të mbushura me arin e vjedhur nga hebrenjtë, as nuk u ndërtuan vendbanime të fshehta në Ande. Edhe i famshmi Plani Odessa – i supozuari operacion për të lehtësuar arratisjen e kriminelëve në pritje të rilindjes së një shteti neonazist – duhet të trajtohet me kujdes. Nuk pati në fakt asgjë të tillë. Përkundrazi, në bazë të rindërtimeve, bëhet fjalë për një rrjet arratisjesh, që u bë i mundur nga mbyllja e syve të njerëzve të shtetit dhe Kishës.
Shumë prej tyre vepruan frikësuar nga i ashtuquajturi “rreziku i kuq”, armiku i ri komunist. Të tjerë prej afërsive elektorale me nazifashistët, të krijuara gjatë viteve ’30. Të njëjtat afërsi, që i bënë ata të gatshëm që të prisnin edhe gjermanët, dhe të refuzonin hebrenjtë.”Kampioni i mikpritjes” ishte Juan Peroni i Argjentinës, i cili pranoi deri në 5 mijë nazistë. I shoqëruar nga drejtues të tjerë shtetesh të Amerikës së Jugut: Brazili priti gati 2 mijë vetë. Kili pak më shumë se 500, i ndjekur nga Uruguaji dhe Paraguaji. Dhe kush nuk e kalonte Atlantikun, shkonte në Afrikën e Jugut, Lindjen e Mesme dhe Australi.
Rrjeti
Shërbimet e fshehta amerikane e quanin Rat line (“vija e minjve”), sistemi i ikjes rrugëve të Evropës që përshkuan nazistët dhe fashistët për të shpëtuar. Teknika ishte kjo: në javët e rënies së Rajhut, kush mundte, futej në klandestinitet. Pastaj, me kalimin e kohës, merrte kontakte me bashkëpunëtorë, falë të cilëve shkonte në baza të sigurta, shpesh me mbështetjen e manastireve, nga Austria në Itali. Ndërkohë, udhëheqësit në arrati merrnin një identitet të ri dhe me mbështetjen e shërbimeve të huaja të inteligjencës, emigronin në vende me regjime të krahut të djathtë dhe anti-komunistë.
Trafiku kontrollohej nga shumë njerëz. Eksponentë të Shtetit, Kishës dhe Kryqit të Kuq. Më aktiv ishte një prift kroat, Atë Krunoslav Dragonovich, i cili që nga viti 1945 ishte i punësuar në Institutin e Kolegjit kroat të Shën Jeronimit të Ilirikëve, në Romë. Aktiviteti i tij ishte i njohur për amerikanët dhe rrugët e ikjes që ai garantonte, ishin të sigurta dhe efikase. “Fluksi arriti kulmin në mesin e viteve 1948 dhe 1949, dhe përfshiu rreth pesëdhjetë ushtarakë, plus një numër të madh kuadrosh të lartë të Rajhut, si dhe mijëra bashkëpunëtorë francezë, belgë, kroatë,

sllovenë, ukrainas dhe hungarezë, si dhe fashistët e Salos”, shpjegon Matteo Sanfilippo, profesor i historisë moderne në Universitetin e Tuscias. Të gjitha këto, në një mjedis kaotik. “Italia, e rraskapitur nga lufta dhe aspak në gjendje për të përballuar emergjencën e re, pas luftës e gjeti veten me rreth 12 milion refugjatë, që kërkonin një shtëpi dhe një identitet”. Në qershor të vitit 1945, në Brennero, për shembull, qeveritë lokale dhe ajo shtetërore, së bashku me shoqatat dhe organizatat ndërkombëtare, kërkuan zgjidhje. U hapën kampe identifikim, aty ku më parë qenë kampet e nazifashiste të përqëndrimit. Shumë refugjatë mbetën atje për vite me rradhë, duke pritur për një identitet të sigurtë.
“Shumë prej tyre ishin të dyshuar si nazistë në arrati”, thotë historiani, “apo spiunë të regjimeve komuniste, që konsideroshin potencialisht të rrezikshëm, por edhe parazitë. Për të adresuar situatën ndërhyri Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe Komisioni Papnor për ndihmat. Ky i fundit u mor me mbështetjen shpirtërore të katolikëve, Kryqi i Kuq me atë materiale të të gjithë refugjatëve, e cila përfshinte një mungesë të përgjithësuar të dokumentave”. Problemi, megjithatë, ishte nëse ndihma është dhënë për të gjithë pa dallim: kriminelë, ose jo.

Fshehje
Ndodhi kështu që, njëri nga përgjegjësit kryesorë për Holokaustin, Adolf Eichmann, me rroba mali dhe një kapelë tiroleze në kokë, arriti të kalojë kufirin në Brenner me ndihmën e “kontrabandistëve” të kufirit. Ata ia dorëzuan pastorit të Sterzingut. Këtu, me miratimin e famullitarit të përgjithshëm të dioqezës së Bressanones (një pro-gjerman, i cili nuk e kishte gëlltitur dot aneksimin e Tirolit Jugor nga Italia) iu dha një emër i ri. Streha e tij ishte më vonë një manastir i françeskanëve, në provincën e Bolzanos, deri kur në Merano siguroi dokumenta të rreme dhe, në Xhenova, një leje zbarkimi., një “leje lirë ulje”.

Nuk i shkoi më keq Josef Mengeles, mjeku sadist i Aushvicit që i mbylli ditët e tij në Amerikën e Jugut, pa dhënë asnjëherë llogari për torturave të rënda, të kryera ndaj grave dhe fëmijëve. Metodat e arratisjes ishin të ngjashme me ato të Adolf Eichmannit: pas disa vitesh në Bavari, siguroi, me mënyra të pasqaruara asnjëherë, dokumenta të rreme nën emrin Helmut Gregor, i lindur në qytetin e Termenos (Bolzano), me profesion mekanik.

Erich Priebke, xhelat i Fosse Ardeatine, ishte pajisur me dokumente të reja identifikimi duke u bërë Otto Pape, “menaxher hoteli letonez”, me banim të dyfishtë në Romë dhe Bolzano. Kaloi gati gjysmë shekulli në San Carlos de Bariloche (Argjentinë) me gruan e tij dhe u kthye në Itali, disa herë para se të arrestohej. Sistemi i arratisjes, për të dhe të tjerët, ka qenë gjithmonë i njëjtë: gjetja e figurave “mike” që zotëronin pasaporta të rreme. Dhe më pas, ikje me to.

Dokumentat e klasifikuara së fundmi kanë mundur të rindërtohen tipologjitë, e madje edhe cmimet e pasaportave: nazistët paguanin deri në 1000 shilinga austriake për të shkuar sa më shpejt, por kishte dhe nga ata që i siguronin falas. Arkivat kanë bërë të mundur të kuptohet edhe se kush i mbulonte kriminelët e luftës: përvec të sipërpërmendurit Dragonovich, dhe famullitarit të përgjithshëm të dioqezës së Bressanones Alois Pompanin, aktiv ishte edhe peshkopi austriak Alois Hudal, udhëheqësi shpirtëror i komunitetit gjerman në Itali. Me të bashkëpunoi peshkopi argjentinas, Augustin Barrere.

Po kreu i Kishës Katolike, Piu XII, a ishte në dijeni? Çështja është debatuar: “Në fakt, përtej priftërinjve individualë, të cilët nuk punonin për Vatikanin, por për shoqata dhe komitete të tjera të Kishës Katolike, nuk ka prova të një strategjie të Vatikanit për të shpëtuar zyrtarë të lartë nazistë,” përgjigjet Sanfilippo. “Në përgjithësi ishin priftërinjtë gjermanë, të cilët ndihmuan ikjen e nazistëve. Ishin në lojë rrjete marrëdhëniesh personale që ekzistonin më parë, dhe ndjenjat e afërsisë politike: Të mos harrojmë se shumë priftërinj e kishin përkrahur fashizmin dhe nazizmin”.
Selia e Shenjtë do të shpenzohej për të siguruar një mënyrë për të shpëtuarpër refugjatët e zhvendosur. Jo për nazistët, por për refugjatët. Kështu bëri Kryqin e Kuq. Eshtë kjo pikëpamja dominuese, edhe nuk e ndajnë të gjithë.

Fitimtarë dhe të mundur

Ndërkohë, të gjithë bien dakord që asnjë prej kompetencave të nazistëve në fushën e torturës dhe presionit psikologjik, nuk humbi më kot. Njerëzit e Gestapos, menjëherë pas luftës u rekrutuan fshehtas nga shumë shtete. Kush nuk u bë agjent i CIA-s hyri në KGB, në Stasi-n e Gjermanisë Lindore apo në shërbime të tjera të fshehta. E ka konfirmuar në vitin 2014 edhe revista gjermane Der Spiegel. E përjavshmja ka botuar përmbajtjen e disa dokumentave të deklasifikuar, që konfirmojnë këtë të vërtetë: “ati” i Gjermanisë së pasluftës dhe Europës së bashkuar – udhëheqësi demokristian Konrad Adenauer – ishte në dijeni të rekrutimit të nazistëve nga shërbimet e fshehta gjermane të pasluftës, dhe ato amerikane. Siç thoshte Lenini, shpesh herë, “cinizmi nuk është në fjalët që përshkruajnë realitetin, por në vetë realitetin”. /Përgatiti: bota.al

Leave a Reply

Back to top button