Analiza

Sa Perëndimore është Gjermania?

Ese nga Christiane Hoffmann

Shumë gjermanë ndiejnë që kanë një marrëdhënie speciale me Rusinë. Kjo e bën krizën ukrainase vecanërisht të rrezikshme për Berlinin, pasi ngre pikëpyetje për vetë natyrën e identitetit gjerman. A jemi vërtetë me rrënjë aq të thella në Perëndim, sa beson shumëkush?

Traditional painted Matryoshka dolls, or Russian nesting dolls, are seen for sale at a stall outside the Red Square in MoscowE vetmja arsye përse gjyshi im gjerman mbijetoi si i burgosur lufte në Rusi është se ai kishte një zë shumë të bukur për të kënduar. Ishte rregjistruar në milicinë e Volksstrum në vitin 1944, gjatë fazës finale të luftës, në të cilën partia naziste rekrutonte meshkujt më të bëshëm në forcat e armatosura, pavarësisht moshës së tyre. Rusët e kapën gjatë rrethimit të Breslaut dhe e dërguan në një kamp pune të detyruar, ku punoi si sharrtar.

Nuk kishte pothuajse asgjë për të ngrënë dhe ai më ka treguar që njerëzit vdisnin si miza. Herë pas here, kuzhinieri i kampit i ofronte gjyshit tim një racion më tepër qull, apo një copë bukë më shumë, për arsye se kishte zë kaq të bukur. Natën, kur këndonte këngët e tij ndanë zjarrit, aty pranë uleshin edhe rusët, duke kaluar dorë më dorë shishen e vodkës, dhe zëri i tij ua mbushte vërtetë sytë me lotë – ose të paktën ky version ngjarjesh është përcjellë gojë më gojë në familjen time.

Deri sot e kësaj dite, gjermanët dhe rusët ruajnë një marrëdhënie speciale. Nuk ka vend dhe popull tjetër, me të cilët marrëdhëniet e gjermanëve të jenë kaq emocionale dhe kaq kontradiktore. Lidhja shkon deri thellë në historinë familjare gjermane, e “farkëtuar” prej dy luftërash botërore dhe ekzistencës 40-vjecare të Gjermanisë Lindore. Familjet gjermane vazhojnë të tregojnë histori rusësh mizorë, por edhe zemërbardhë e shpirtmirë. Ne përcmojmë primitivizmin e rusëve, ndërkohë që vlerësojmë shumë kulturën e tyre dhe shpirtin rus.

Emocione lufte

Marrëdhënia jonë me rusët është po aq shumëplanëshe, sa edhe perceptimi që kemi për karakterin e tyre. “Kur vjen puna tek marrëdhënia mes rusëve dhe gjermanëve, ka një tërheqje fatale, mes afeksionit të thellë dhe një mospëlqimi total”, thotë shkrimtari gjerman Ingo Schulze, autor i “Histori të thjeshta”, një roman që flet për identitetin gjermano-lindor dhe ribashkimin e Gjermanisë. Rusët perceptohen ndonjëherë si Ivani i Tmerrshëm, si të huaj, si aziatikë. Rusët na frikësojnë, por ne i shohim edhe si njerëz mikpritës. Ata kanë një territor shumë të madh, një shpirt dhe kulturë të thellë – vendi i tyre është vendi i Tchaikovskyt dhe Tolstoyt.

Kështu që, nuk habit askënd fakti që roli i Rusisë në krizën e Ukrainës është më polarizues se cdo cështje tjetër në politikën gjermane sot. Për Gjermaninë, kriza e Ukrainës nuk është një problem i largët, si Siria apo Iraku – ajo prek drejt e në zemër të cështjes së identitetit gjerman. Ku qëndrojmë ne kur flitet për Rusinë? Dhe më tej: Cilët jemi ne si gjermanë? Me rrezikun e një konflikti të ri Lindje-Perëndim, kjo pyetje ka dalë gjithmonë e më shumë në pah në Gjermani dhe në fund mund të na detyrojë të ripozicionohemi, ose të paktën, të rikonfirmojmë pozicionin tonë në Perëndim.

Në javët e fundit, ka patur një debat të fortë dhe plot polemika mes atyre që kanë prirjen të simpatizojnë Rusinë, dhe atyre që mbështesin një linjë më të ashpër ndaj Moskës. Pozicionet kanë qenë ekstremë, me polemika që shpërthejnë njëra pas tjetrës. Sa më të lartë të jenë zërat në njërën anë në dënimin e veprimeve të Rusisë në Ukrainë, aq më të fortë bëhen ata zëra që kërkojnë një kuptim më të thellë të një Rusie të poshtëruar dhe mposhtur. Teksa numri i zërave që kritikojnë Rusinë për shkelje të ligjeve ndërkombëtare në Krime vjen e forcohet, po kështu ndodh edhe me ata gjermanë që ngrejnë akuza kundër Perëndimit.

Një prej akuzave kryesore është se Bashkimi Europian dhe NATO e shpërfillën Moskën me ekspansionin e tyre drejt lindjes. Të gjithë janë zhytur në këtë debat – politikanë, shkrimtarë, ish kancelarë dhe shkencëtarë. Lexuesit, dëgjuesit dhe shikuesit u dërgojnë letra botuesve, postojnë në forume në internet apo bëjnë telefonata në shfaqje televizive dhe radiofonike, për të shprehur mendimet e tyre. “Shumica e gjermanëve duan të dëgjojnë versionin rus për gjërat”, thotë Joerg Baberovski, një profesor i shquar i historisë së Europës Lindore në Universitetin Humboldt të Berlinit. Historiani Stefan Plaggenborg i Universitetit të Ruhrit në Bochum e ka përshkruar marrëdhënien sentimentale mes gjermanëve dhe rusëve si “dashuri e marrë”. Po si ka mundësi që një lidhje e tillë ekziston, edhe pas dy luftërave botërore?

Ndoshta dikush që është rritur në Gjermaninë Lindore mund të shpjegojë se cfarë i lidh gjermanët dhe rusët: Thomas Brussig, shkrimtar nga ish Berlini Lindor, thotë se e ka njohur fillimisht Rusinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, gjatë një vizite. Ai kujton se e pyesnin vazhdimisht, se cilët shkrimtarë rusë kishin patur ndikim tek ai. Brussig nuk jepte përgjigjet që priste shumëkush – Tolstoy ose Dostoyevsky. Ai përmendte një shkrimtar të dorës së tretë, Arkady Gaiar. “E bëja me një ndjesi hakmarrjeje, doja t’ju kujtoja se sa imperialistë kishin qenë”, thotë.

Brussig thotë se nuk ndien ndonjë tërheqje të vecantë me rusët. Thotë se e vetmja figurë ruse që në fakt e sheh pozitivisht është Gorbacovi. Ishte “vizioni i tij për një shtëpi të përbashkët europiane që i hapi rrugë shembjes së Bashkimit Sovjetik”. Ishte një ëndërr për një Europë pa vija ndarëse. “Nuk duhet të veprojmë sikur kufiri me Azinë nis aty ku mbaron Lituania”, thotë Brussig. “Europa shtrihet deri në Malet Uralë”.

Romantizëm dhe luftë

Ka disa shpjegime evidentë për lidhjen mes gjermanëve dhe rusëve: interesa ekonomikë, një antiamerikanizëm me rrënjë të thella në të dy vendet, majtas dhe djathtas në spektrin politik. Por këto janë përgjigje vetëm sipërfaqësore – gërmo pak më thellë, dhe do të gjesh dy shpjegime të thellë: romantizëm dhe luftë.

Shpjegimi i luftës është i lidhur fort me ndjenjën e fajit të Gjermanisë. Si një vend që ka kryer krime monstruozë kundër rusëve, ne ndiejmë ndonjëherë nevojën për të qenë tejet bujarë, edhe kur Rusia shkel të drejtat e njeriut. Si rezultat, shumë gjermanë ndiejnë që Berlini duhet të frenojë kritikat ndaj Rusisë dhe të marrë një pozicion të moderuar në krizën e Ukrainës. Në fund të fundit, ishte Gjermania që pushtoi Bashkimin Sovjetik, duke vrarë 25 milionë vetë me luftën e saj shfarosëse racore.

Hans-Henning Schröder, një ekspert për Rusinë në Institutin Gjerman për Cështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë e përshkruan këtë si Rusofili dhe thotë se është një mënyrë për të kompensuar të kaluarën naziste të Gjermanisë. Historiani i njohur gjerman, Heinrich August Uinkler druhet se gjermanët kanë adoptuar “një proces patologjik të mësuari”.

Cështja e fajit ka krijuar një lidhje mes gjermanëve dhe rusëve, por ajo avulloi me shpejtësi për rusët pas luftës. Ndryshe nga francezët, skandinavët dhe holandezët, rusët nuk kanë prirjen të tregojnë me gisht dhe turpërojnë gjermanët për krimet e bërë gjatë pushtimit gjerman.

“Ata që vuajtën më shumë, kishin më pak urrejtje për gjermanët”, thotë Baberovski, a thua problemi i fajit gjerman avulloi mes etheve të para të hakmarrjes në fund të luftës. Ai beson se u zhduk, më e vona, pas rikthimit të të burgosurve të fundit të luftës në Gjermani. “Rusët tregonin histori që ta bënin gjakun të të ngrinte në vena, por ata nuk ishin asnjëherë akuzues ndaj nesh”, thotë Schulze, i cili ka qëndruar disa muaj në Shën Petërsburg gjatë viteve nëntëdhjetë.

Pavarësisht faktit se politikanët gjermanë kanë shfrytëzuar frikërat nga Rusia për shumë vite gjatë periudhës së pasluftës, lufta i lidh ende gjermanët dhe rusët sot. Marrëdhënia jonë karakterizohet nga “intimiteti i një lidhjeje që u krijua mbi dy luftëra botërore”, thotë Herfried Muenkler, profesor i teorisë politike në Universitetin Humboldtit. Ai e përshkruan luftën si një përvojë të përbashkët të gjermanëve dhe rusëve. Muenkler argumenton se konflikti krijon një dinamikë më të fortë komuniteti se sa paqja – dhe që, si pasojë e luftës, gjermanët mësuan një gjë: që të mos e sulmojnë më kurrë Rusinë.

Pastaj, sigurisht, ekzistojnë edhe ide romantike të gjermanëve për Rusinë. Ky vend është idealizuar gjithmonë prej gjermanëve. Asnjë vend tjetër nuk ishte aq i kënaqur sa Gjermania, kur glasnosti dhe perestroika cuan në ctensionimin e konfliktit Lindje-Perëndim. Më në fund, ata ndien që ishte e pranueshme për ta, që ta donin sërish Rusinë. Me Gorbacovin ishte rikthyer rusi imirë, dhe gjermanët nuk kishin më arsye të jetonin me frikë prej Rusisë.

Programet dokumentarë për Siberinë e largët dhe brigjet e lumit Vollga tërhoqën shumë shikues. Në dekadat paraardhëse, veprat e autorëve në gjuhën gjermane, si Heinz Konsalik – libri i të cilit “Doktori i Stalingradit” fliste për të burgosourit gjermanë të luftës – dhe Johannes Simmel – me tema nga Lufta e Ftohtë – kishin qenë best seller-a.

“Lindja është një vend që gjermanët e duan”, thotë Muenkler. Gjerësia dhe pafundësia e hapësirës ruse ka qenë gjithmonë subjekt i obsesionit gjerman për një jetë më të thjeshtë, më pranë natyrës dhe të cliruar prej kufizimeve të qytetërimit. Miliona gjermanët që u dëbuan nga Europa Lindore dhe u detyruan të zhvendosen në Perëndim pas vitit 1945 e ushqyen këtë ndjenjë. Për ta, ajo përfaqësonte natyrën e patrazuar dhe vendlindjen e tyre.

Një traditë ndjenjash antiperëndimore

Ana tjetër e dëshirës gjermane për Rusinë, është dëshira e saj për t’u diferencuar prej Perëndimit. Kundërshtimi themelor ndaj Perëndimit që shihet si sipërfaqësor shihet si pjesë e shpirtit rus: mënyrat e biznesit dhe fitimit të parasë nga perëndimorët shihen si në kontrast me emocionet dhe spiritualitetin e Lindjes. “Kur dicka romantizohet, ka gjithmonë një dell antidemokratik”, thotë Baberovski. Privilegjon harmoninë ndaj konfliktit, unitetin ndaj konfrontimit.

Kjo traditë mendimi antiperëndimor është e gjatë në Gjermani. Tek “Reflektimet e një njeriu apolitik”, shkruajtur gjatë Luftës së Parë, Thomas Mann përpiqej që të diferenconte fort gjermanët nga Perëndimi, madje duke cituar edhe Dostoyevskyn. “Të jesh gjerman”, shkruante Mann, “do të thotë kulturë, shpirt, liri, art dhe jo qytetërim, shoqëri, e drejtë për të votuar, letërsi”. Mann i rishikoi më vonë pikëpamjet e tij, por eseja mbetet një dokument për ata që duan të gjejnë vendin e Gjermanisë mes Lindjes dhe Perëndimit.

Uinkler kujton një betejë mes intelektualëve gjermanë të epokës, që vuri përballë “Idetë e 1914” – të përhapura nga Johann Plenge dhe që vinin theksin në “vlerat gjermane” të detyrës, disiplinës, ligjit dhe rendit, ide që më vonë do të influenconin Nacional Socializmin – kundër atyre të lirisë, barazisë, vëllazërisë – që u adoptuan gjatë revolucionit francez të 1789-ës.

Kur Gjermania Perëndimore u bë politikisht pjesë e Perëndimit pas vitit 1945, mënyra lindore e të menduarit u shty në skaje. Por rusia mbeti një vend i pëlqyer për gjermano-lindorët. Muenkler beson se pëlqimi i Rusisë është gjithashtu një simbol “i asaj që dikur e mendonim, por që tani nuk duhet ta mendojmë më”.

Një rol special për Gjermaninë?

Heinrich August Uinkler argumenton se Gjermania ka mbërritur tashmë në fundin “e një udhëtimi të gjatë drejt perëndimit”. Por, me krizën e Ukrainës dhe rrezikun e një ringjalljeje të konfliktit Lindje-Perëndim, kjo mbërritje tashmë duket jo dhe aq finale. Papritur, kanë ridalë në sipërfaqe pyetjet e vjetra për një rol special të Gjermanisë. Sigurisht, askush nuk vë në dyshim anëtarësinë tonë në BE dhe NATO, por marrëdhënia speciale e Gjermanisë me Rusinë – që e dallon atë nga shtetet e tjerë europiano-perëndimorë – ka një efekt të justifikueshëm në politikën tonë.

“Ideoligjia e marrjes së pozicionit në mes është vetëezauruar”, i ka thënë Uinkler gazetës Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung në vitin 2011. Ishte e lehtë ta thoje në një kohë kur rivaliteti Lindje-Perëndim ishte zhdukur. Sot, nuk ndodh më kështu.

Nëse BE arrin të flasë me një zë të vetëm, mbetet e mundur që Perëndimi të jetë në gjendje të arrijë dicka të përafërt me pozicionin e konsensusit. Por nëse konflikti me Rusinë përkeqësohet dhe duhen marrë vendime për sanksione ekonomikë, apo vendosje trupash, situata mund të bëhet shumë e sikletshme për Gjermaninë. Mund të detyrojë shumë gjermanë që të përballen me pyetjen e rëndësishme, se ku qëndrojnë ata në marrëdhënien me Rusinë. Do të ishte një pyetje shumë e vështirë për gjermanët, duke parë rolin de facto të udhëheqësit që Gjermania ka aktualisht në Europë.

Në krizën e Ukrainës, steka për Gjermaninë është shumë më lartë se sa për cdo vend tjetër të Europës. Deri tani, kancelarja Merkel dhe Ministri i Jashtëm, Steinmeier kanë arritur me vështirësi të ruajnë një pozicion të unifikuar, por të carat kanë nisur të shfaqen. Udhëheqësit e PSD, e cila implementoi Ostpolitikën ndaj Lindjes në kohën e kancelarit Brandt, janë shumë më pak të prirur të marrin rolin e kundërshtarit të Rusisë, se sa konservatorët e Merkelit. Socialdemokratët kanë adoptuar tani të njëjtën strategji me regjimin autoritar të Putinit, sic bënë në vitet ’70, kur kërkuan një kuptim më të mirë të komunistëve. Qasja e tyre – për të kërkuar një kuptim më të mirë të pozicionit të Rusisë – ka qenë një model i suksesshëm për partinë.

Gjermanët të ndarë për Perëndimin

Sërish, një hendek po thellohet mes elitës politike dhe atyre në Gjermani që janë simpatizues kundrejt Rusisë. Një sondazh i kohëve të fundit i kryer nga Infratest tregonte se pothuajse gjysma e gjermanëve duan që vendi të pozicionohet në mes të Rusisë dhe Perëndimit. Në shtetet që dikur i përkisnin ish Gjermanisë Lindore, dy herë më shumë njerëz se sa në ish Gjermaninë Perëndimore besojnë se Gjermania duhet të marrë një rol special. Por edhe në shtetet perëndimorë, ka vetëm një shumicë të vogël që beson se Gjermania duhet të qëndrojë fort në anën e NATO dhe BE, në konfliktin me Rusinë. Eshtë e drejtë të thuhet se kur vjen cështja tek përkatësia ndaj Perëndimit, Gjermania është një vend i ndarë.

Ndjenjat e vjetra antiamerikane, të forcuara prej skandalit të përgjimeve të NSA mund të luajnë fare mirë një rol, së bashku me frikën e një përkeqësimi të konfliktit me Rusinë. Megjithëkëtë, nuk ka gjasa që shumica e gjermanëve të duan të ringjallin rendin e vjetër Lindje-Perëndim.

Si fëmijë, në Gjermaninë Perëndimore, unë personalisht i kisha frikë rusët. Nuk mund të flija natën sepse, të paktën teknikisht kishim arritur vetëm një marrëveshje armëpushimi me Bashkimin Sovjetik dhe dukej sikur luftimet do të rifillonin pas një pushimi të shkurtër. Fatmirësisht, në familjen time këndonim shumë. Ndoshta kjo vinte prej gjyshit. Ndoshta ata donin që të na jepnin një mjet të fortë mbijetese, ta kishim më vonë gjatë jetës – në rast se do të vinin rusët. Në cdo rast, gjyshi im, i cili kishte kënduar për vite të tërë vetëm që të mbijetonte, nuk tha kurrë një fjalë të keqe për rusët. (DER SPIEGEL)

Leave a Reply

Back to top button