Analiza

Sanksionet e Trump ndaj Iranit, mund të prodhojnë efektin e kundërt

Nga David Ignatius

“Fushata maksimale e presionit”, e administratës Trump kundër Iranit, supozon se sanksionet ekonomike po dobësojnë trupat e Gardës Revolucionare, dhe se më shumë sanksione do ta bëjnë edhe më të dobët strukturën kryesore të regjimit iranian.

Problemi është se analistët amerikanë dhe ata evropianë të zbulimit, nuk mendojnë se ky parashikim është i saktë. “Rivendosja e sanksioneve në vitin 2018, ka qenë në favorin e Gardës Revolucionare”- paralajmëron një vlerësim të fundit i inteligjencës perëndimore.

Pra, në vend që t’i kthejë iranianët e thjeshtë kundër udhëheqjes së korruptuar të Gardës Revolucionare, sanksionet ekonomike të SHBA-së, janë duke i dhënë gjeneralit Kasëm Suleimani dhe aleatëve të tij, një kontroll më të madh mbi ekonominë iraniane.

Paradoksi i sanksioneve ndaj Iranit, është thelluar më tej këtë javë me njoftimin e Sekretarit të Shtetit, Majk Pompeo, se Shtetet e Bashkuara do ta fusin Gardën Revolucionare, në listën e organizave të huaja terroriste. Por, siç paralajmëroi Pompeo të hënën, udhëheqësit e Gardës Revolucionare janë mjeshtra të “manipulimit dhe korrupsionit. . . të cilat i përdorin kundër popullit iranian”.

Historia ka treguar se këta operative, gjejnë mënyra të paligjshme për t’i shpëtuar presionit, dhe se rripin detyrohen ta shtërngojnë qytyetarët e zakonshëm iranianë. Ashtu si shumë masa të politikës së jashtme të administratës së Trump, sanksionet ekonomike ndaj Iranit, duken si një fushatë taktike, që është në kërkim të një strategjie.

A po kërkon administrata Trump negociata me Teheranin? Nëse po, pse ka penguar kontaktet me iranianët? “Ne do të përjashtojmë veten nga biseda me njerëzit që kanë rëndësi”- paralajmëron Karim Saxhapur, anëtar i think-tankut “Carnegie Endoëment for International Peace”.

A po kërkon administrata një ndryshim të politikës iraniane, dhe më pak pushtet për fanatikët e regjimit? Nëse po, Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë për të thelluar të çarat brenda elitës iraniane, në vend se të shtyjnë fraksione të ndryshme drejt Gardës Revolucionare. “Synimi duhet të jetë zgjerimi i ndarjeve politike. Kur po përpiqeni të nxisni një ndryshim politik, ju duhet ushtroni presion nga poshtë dhe të përçani lart”- thotë Saxhapur.

Sigurisht, sanksionet kanë ndikimin e tyre. Ndalimi i transaksioneve të naftës dhe atyre financiare, që imponoi sërish presidenti Trump, pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, i ka shkaktuar jo pak telashe Iranit. Eksportet e naftës janë përgjysmuar, nga 2.5 milionë fuçi në ditë në prillin e vitit 2018, në rreth 1.25 milionë fuçi në shkurtin e këtij viti, sipas agjencisë “Reuters”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, parashikoi së fundmi se ekonomia e Iranit do të tkurret me 6 për qind këtë vit, pas një rënie prej 3.9 për qind vitin e kaluar. Inflacioni po shkon në 47.5 për qind.

Zvogëlimi i parave të gatshme, do të thotë më pak fonde, që Irani do t’u japë milicive të mbështetura prej tij në Liban, Siri dhe Jemen.

Hasan Nasrallah, kreu i Hezbollahut në Liban, tha muajin e kaluar, se milicia do të duhej të mbahet më shumë me fondet që do të mbledhë vetë. Një zyrtar izraelit, më tha kohët e fundit, se si pjesë e shtrëngimit të rripit, Hezbollahu ka shkurtuar me 40 % një pjesë të pagave. Ndërkohë në Siri, iranianët po reduktojnë mbështetjen e tyre ndaj milicive shiite, tha zyrtari izraelit.

Presioni është në rritje, por cili është synimi përfundimtar? Ashtu si me politikat e jashtme të administratës Trump, është e vështirë që ne të dallojmë qëllimin strategjik. Trump u ka thënë privatisht udhëheqësve të huaj, se ai dëshiron t’i bëjë presion Teheranit, për ta ulur sërish në tryezën e bisedimeve, dhe për të marrë një marrëveshje më të mirë dhe më të zgjeruar mbi programin e tij bërthamor, se sa ajo e negociuar nga paraardhësi i tij, Barak Obama.

Por këshilltari i sigurisë kombëtare, Xhon Bolton, ka sinjalizuar se dëshiron krijimin e kushteve për ndryshimin e regjimit, dhe jo thjesht për ripërtëritjen e negociatave. Imagjinoni konfuzionin e Shtëpisë së Bardhë, nëse Ajatollah Ali Khamenei, i dërgoi Trumpit një letër, ku i propozon një raund të ri negociatash bërthamore dhe rajonale – me Suleimanin, udhëheqësin e Forcave Kuds të Gardës Revolucionare, si kryenegociatorin e tij.

Trump mund të pretendojë se fitoi, por bisedime të tilla do të shkelin etiketimin si organizatë terroriste të saposhpallur. Rreziku më i madh i fushatës së përshkallëzuar ndaj Iranit, është se ajo rrezikon të zhbëjë suksesin e arritur me shumë vështirësi të SHBA-së në Irak, gjatë 5 viteve të fundit.

Rreth 5.000 ushtarë amerikanë janë ende në Irak, duke trajnuar ushtrinë irakiane, dhe duke kontrolluar fuqinë e milicive shiite, të mbështetura nga Irani. Ata mund të bëhen objektiva të sulmeve, nëse Irani u`a përcjellj milicive në terren emërimin e tij të ri “terroriste”.

Por edhe nëse Irani shmang goditjen mbi trupat amerikanë, politikanët e mbështetur nga Teherani, mund të miratojnë një ligj në parlamentin e Irakut, që do të ndalonte trajnimin e vazhdueshëm të ushtrisë amerikan për forcat irakiane. Kjo do të ishte një humbje e vërtetë. Irani do të tërhiqte Irakun më thellë në sferën e tij të ndikimit – duke kompensuar çdo arritje të SHBA në Liban, Siri ose Jemen.

Sanksionet funksionojnë si një bumerang, për politikëbërësit e SHBA-së. Nëse doni të shihni se sa efekte të kundërta mund të prodhojnë, kujtoni fushatën e sanksioneve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër regjimit irakian të Sadam Huseinit në vitet 1990. Ato masa patën efektin pervers, të fuqizimit të klikës së Sadamit. Ne, rrezikojmë ta përsërisim këtë kapitull të zymtë me Iranin.

“The Washington Post” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button