Analiza

S’e kuptoj pse Krimea është e imja

Nga Leonid Kaganov

Shkrimtari rus: Përrallat e “marrjes mbrapsht të asaj që është e jona” nuk më motivojnë, thjeshtë më fikësojnë. Sipas kësaj logjike, Rusia duhet të marrë mbrapsht edhe Finlandën, Poloninë, shtetet balltike, si edhe Alaskën. Po sikur të gjithë të fillojnë të bëjnë të njëjtën gjë? Krimea do të kërkohej mbrapsht nga Turqia. Sepse, pavarësisht se sa shumë këmbëngul Rusia që “Krimea ka qenë gjithmonë e jona”, ajo nuk ka lidhje me Khanatin Krimean që ka zotëruar Krimenë që në krye të herës. Më pas Japonia do të kërkojë ishujt Kuril. Gjermania do të kërkojë të marrë mbrapsht Konigsbergun që nuk e di përse ka qenë i Rusisë, kundër të gjithë ligjeve të logjikës, gjeografisë dhe hapësirës

russian_crimea

Për mua, një qytetar i Rusisë, Krimea ka qenë gjithmonë e imja, ndonëse nuk më pëlqen nxehtësia, vendpushimet dhe plazhet. Ishte e imja në Bashkimin Sovjetik, kur prindërit më çonin atje, kur isha ende djalë. Ishte imja në 1993-shin, kur shkova bashkë me miqtë dhe jetova në një çadër pranë bregut për disa ditë, pasi këmbeva rublat me hrivna në stacionin e trenit. Krimea ishte imja në 1999-ën, ndonëse tashmë kisha përllogaritur se për nga çmimi dhe cilësia e shërbimit, Turqia dhe Egjipti ishin shumë më tepër të miat. Cmimet e lartë të biletave të avionit (pothuajse katër herë më të larta se sa ato për në Londër), radhët e gjata disa-javore për tragetin si dhe një luftë e përgjakshme, aty ku dikur kalonin autostradat. Le të shtojmë dhe problemet e statusit: Dikur isha një mysafir i mirëpritur për këdo në Krime. Dhe tani për disa prej tyre (ndonëse për një përqindje të vogël) jam, krejt papritur, një pushtues rus. Dikush mund të më pështyjë në supë kur nuk e kam mendjen. Atëherë, kujt i përket Krimea tani? Mua jo. Mund t’u përkasë oligarkëve. Mund t’i përkasë Hyut të Luftës. Mund t’u përkasë alienëve. Por për mua, një qytetar i thjeshtë i Rusisë, është njëqind herë më pak e imja.
Si qytetar, as që mundem ta kuptoj termin “imja”. Kam një shoqe, një qytetare e Moskës që ëndërronte të jetonte në Krime me fëmijët e saj dhe më në fund bleu një shtëpi të vogël atje. Emri i saj u fut në një regjistër trojesh, sipas rregullave. Dhe Krimea u bë e saja. Shumë më tepër se sa e të gjithë qytetarëve të tjerë ukrainas, të cilëve u përkiste formalisht në harta. A e kuptoni absurditetin? Pronë brenda pronës. Një hartë brenda hartës. Marr një copë letër të bardhë, vizatoj një katror të madh dhe them: “kjo është e gjitha imja”. Vizaton një rreth të vogël brenda këtij katrori të madh dhe përgjigjesh: “dhe kjo është e imja”. Dhe ne jetojmë kollaj me këtë paradoks. Më pas, një grusht të huajsh vjen dhe ulëret: “Krimea është e jona!” Cilit, me saktësi, duhet t’ia drejtoni gishtin?
Kam shumë miq rusë që kanë bërë zyrtarisht të tyren një copë të vogël të një vendi tjetër. Një prej miqve të mi, një patriot i thekur, ka një apartament në Londër. Një tjetër, një liberal i thekur – një apartament në Spanjë. Një i tretë, në Bullgari. Një i katërt, i cili nuk ka të ardhura kushedi çfarë, mezi mblodhi 200 mijë rubla (5 mijë dollarë) për një shtëpi të vogël në malet e Sllovenisë. Asnjëri prej tyre nuk u shqetësua nga fakti që as Britania, e as Sllovenia nuk janë tonat. Ceçenia, nga ana tjetër, është e jona. Të gjithë hartat dhe marrëveshjet ndërkombëtare e thonë këtë. A dëshiron ndokush të blejë prona në Ceçeni, ose të paktën të shkojë me pushime bashkë me fëmijët atje?
Përrallat e “marrjes mbrapsht të asaj që është e jona” nuk më motivojnë, thjeshtë më fikësojnë. Sipas kësaj logjike, Rusia duhet të marrë mbrapsht edhe Finlandën, Poloninë, shtetet balltike, si edhe Alaskën. Po sikur të gjithë të fillojnë të bëjnë të njëjtën gjë? Krimea do të kërkohej mbrapsht nga Turqia. Sepse, pavarësisht se sa shumë këmbëngul Rusia që “Krimea ka qenë gjithmonë e jona”, ajo nuk ka lidhje me Khanatin Krimean, që ka zotëruar Krimenë që në krye të herës. Më pas Japonia do të kërkojë ishujt Kuril – ata iu morën kaq vonë dhe në mënyrë kaq arbitrare, saqë janë e vetmja arsye përse ende nuk kemi firmosur një marrëveshje paqeje dhe përse jemi ende në gjendje lufte me ta. Kina do të kërkojë Siberinë dhe Lindjen e Largme. Gjermania do të kërkojë të marrë mbrapsht Konigsbergun që nuk e di përse ka qenë i Rusisë, kundër të gjithë ligjeve të logjikës, gjeografisë dhe hapësirës. Dhe nëse ia del me këtë, Gjermania mund të kërkojë edhe të gjithë tokat deri në Smolensk, sipas kufijve të 1942-shit. Mongolia mund të kujtohet që dikur ka zotëruar një pjesë të “vogël” të Rusisë, nga Deti i Zi në Siberi, si dhe të kërkojë të mbrojë interesat e Tatarëve në Rusi.
Sigurisht, në këtë fazë, njerëz të ndryshëm dalin e thonë që populli i Krimesë e ka zgjedhur vetë rrugën e tij. Por, rruga nuk zgjidhet në këtë mënyrë. Mund ta bësh si e bënë skocezët: përgatit një referendum të hapur dhe të ndershëm për shumë vite. Nëse nesër Rusia zhytet në mungesë stabiliteti, në kaos dhe një luftë për pushtet dhe Lindja e Largme pushtohet prej ushtarëve kinezë pa shenja identifikimi në uniformë, të cilët pushtojnë të gjithë ndërtesat qeveritare dhe nxitojnë të organizojnë një referendum – unë nuk do të mbështesja as rezultatet e tij. Edhe nëse më thonë se mbi 50% e Lindjes së Largme dëshiron të jetë nën varësinë e kinezëve, në vend që të jenë një rajon me Rusinë. Nuk dua as të marr vesh nëse 52% apo 92% do të votojnë pro kësaj, qoftë nëse ka qenë një votim i ndershëm, qoftë nëse është një makinacion i kinezëve. Referendumet nuk bëhen kështu, pikë.
Për ta përmbledhur, unë, si qytetar i Rusisë, nuk mund ta kuptoj përse Krimea është e jona sot. Dhe saktësisht, përse Krimea u bë e imja, dhe nuk ka qenë e imja më parë.
Disa mund të argumentojnë se unë mendoj si një qytetar, ndërkohë që duhet të mendoj si një shtet. Ok, le të përpiqemi të themi të vërtetën, që nuk është për zakon të thuhet. Konsiderojeni gjithçka që them më poshtë, si fantazinë time. Dakord, unë jam një shtet.
Krimea dikur ka qenë një gadishull, tani është një ishull. Kufizohet nga një det me ujë jo të pijshëm dhe nga një shtet i huaj, me të cilin unë, si shtet, i prisha marrëdhëniet e shkova deri në prag lufte. Krimea nuk ka industri. Bujqësia e saj janë tre pemë pjeshke dhe një vresht i tharë, gjysmë i shkatërruar prej Prohibicionizmit të viteve tetëdhjetë. Uji i pijshëm dhe energjia elektrike vijnë prej një vendi që ne e quajmë fashist. Edhe të gjithë rrugët dhe hekurudhat janë aty, në duar të të ashtuquajturve fashistë.
Si shtet, unë jam në pozitën e një banditi, i cili për një arsye të caktuar i mori me forcë celularin një ish-shokut të tij (“nuk është faji im! telefoni kërceu e m’u fut në xhep!”), dhe në mëngjes kuptoi që nuk ka, as karikuesin, as edhe kutinë me manualin dhe letrat që vërtetojnë blerjen. Dhe atë karikues të rrallë ose nuk e gjen askund, ose është shumë i kushtueshëm. Ndërsa pa letrat, celulari tani konsiderohet i vjedhur.
Si shtet, po përpiqem të sajoj një karikues për celularin: domethënë, të ndërtoj një korridor drejt Krimesë përmes një shteti të të ashtuquajturve fashistë, duke nisur një luftë civile atje. Dhe nuk po e bëj dot. Sepse rruga më e shkurtër drejt Krimesë kalon nëpër bregdet dhe përfshin katër rajone: Luhanskun, Donetskun, Zaporizhyen dhe Khersonin. E ka parë ndokush hartën e Ukrainës? E kollajtë ta kuptosh atë që po ndodh.
Në disa prej rajoneve më të afërt – Luhansk dhe Donetsk – flakët u ndezën shumë shpejt. Por nuk shkuan përtej tyre. Slovianskun e lamë shpejt dhe me dëshirë – nuk ndodhet në rrugën drejt Krimesë. Për të njëjtën arsye, as në Kharkiv, Sumy apo rajone të tjerë rusisht-folës pranë Rusisë, problemi as nuk u ngrit. Nuk ishin rrugës për në Krime. Mariupoli ndodhet rrugës. Eshtë thelbësor, por ka një problem për ta marrë. Mund të sjell disa mjete më shumë si dhe vullnetarë profesionistë “me pushime”, që të marrin Mariupolin. Por më pas do të më duhet të shkoj përmes Berdyanskut, Melitopolit, dhe Khersonit… Dhe njerëzit atje janë ndryshe, askush nuk duket i gatshëm të ngrihet për mua. Kufiri im është larg, dhe atje nuk mund të fusësh vjedhurazi një flotë. Korridori nuk mund të ndërtohet, celulari nuk mund të karikohet.
Cfarë do të fitoja unë si shtet, edhe po të mundja ta realizoja këtë? Një tjetër rajon të subvencionuar, të cilin nuk mundem ta shndërroj në një nyjë të nanoteknologjisë, në një kopësht të lulëzuar mbi gurë të thatë, madje nuk mundem ta bëj as edhe vendpushim fitimprurës – edhe në Sochi nuk ia kam dalë të nxjerr fitime.
Dhe çfarë mora realisht unë, si shtet? Një ishull ku shkohet me traget. Një luftë civile pranë kufirit tim. Dhe një luftë të re të ftohtë me të gjithë shtetet më të mëdhenj të botës. Përbuzjen e të gjithëve. Sanksione. Imazhin që bie në nivelet më të ulët. Tensione ndërkombëtarë. Rënien ekonomike dhe monedhën kombëtare që humbet pothuajse një të katërtën e vlerës. Goxha fitime për një shtet që ka kohë që predikon stabilitet.
Tani, le të themi të vërtetën e plotë. Unë, si shtet, ia bëj të gjithë këtë Ukrainës (dhe Gjeorgjisë para saj) për një arsye të vetme – për shkak të doktrinës time ushtarake të Luftës së Ftohtë, me origjinë në vitet gjashtëdhjetë. Ajo dikton që, sa më pranë kufijve të mi i vendos NATO armët e saj bërthamore, aq më e shkurtër do të jetë koha e fluturimit të një rakete në kohë lufte bërthamore, si dhe aq më i lartë do të jetë rreziku për raketat e mia balistike, të prodhuara dhe montuara pothuajse gjysmë shekulli më parë.
SHBA janë në rregull, ato janë në anën tjetër të globit, dhe mua nuk më lanë të vendos raketat e mia pranë kufirit me ta, në Kubë – atëherë, për shkak të kësaj pothuajse nisi një luftë. Prandaj e gjithë histeria ime aktuale dhe politika ime ndërkombëtare kanë një pikëpjekje: largoji bazat e NATO-s nga kufijtë tanë, me çdo kusht. Në Europë, Franca dhe Britania kanë armë bërthamore, ndërkohë që raketat amerikane janë vendosur fshehtësisht në vendet e NATO-s: Belgjikë, Holandë, Turqi, Gjermani, Itali (në Lindjen e Largme, po fshehtësisht, në Japoni dhe Korenë e Jugut). Ritualët e hershëm ndërkombëtarë, intriga e sofistikuar politike, shantazhi energjetik dhe ekonomik më ndihmojnë që të mos lejoj shtetet balltike, Poloninë dhe Finlandën që të armatosen. Eshtë hequr një lloj vije kufiri – armët bërthamore të NATO-s janë vendosur shumë larg prej kufijve të mi, gjë që më jep kohën e mjaftueshme për të reaguar në rast të një lëshimi të tyre. Territori im mbrohet prej një mburoje njerëzore shtetesh miqësorë, si Bjellorusia, Ukraina dhe Kazakistani. Atje janë vendosur detektorë të vjetër, të pluhurosur, por gjithësesi miqësorë. Dhe tani, si nga hiçi, Ukraina nis një rrëmujë shumë pranë kufirit tim. Ukraina! Ajo që ishte territori me më shumë armë bërthamore në epokën sovjetike – prej aty, ne vinim në shënjestër të gjithë kryeqytetet europianë. Pesë centrale bërthamorë, përfshirë edhe fatkeqin Chernobyl, si dhe një prej arsenalëve bërthamorë më të mëdhenj në botë (pothuajse 4000 raketa). Ukraina i humbi raketat, por zakonet e vjetër është vështirë të harrohen. Dhe tani, kjo Ukrainë e çarmatosur, rrëzoi kukullat e mia dhe thërret: “Do të shkoj në Europë dhe NATO!” Si do të jetoj unë, si shtet, me një hartë të tillë sot?
Cfarë duhet të bëjë unë, si shtet? Dëgjoj që një prej fqinjëve të mi po shkon në NATO, do të bëj gjithë sa duhet për të krijuar një zonë “sfungjer” në hartë dhe do ta djeg në një luftë lokale, vetëm që të mos lejoj që kjo të ndodhë. Unë, shteti, nuk e kam kapërdirë ende Gjeorgjinë. Tani, Ukraina është një problem shumë më i rëndësishëm!
Megjithatë, mua si shtet, nuk më bëhet vonë që askush në NATO nuk do të dërgojë raketa, por janë thjeshtë të frikësuar prej meje, ashtu sikurse edhe nga ekstremistët myslimanë apo “gogolë” të tjerë politikë. Dhe unë, si shtet, nuk dua të mendoj se në 50 vite ndodhën aq shumë ndryshime teknologjikë, e si pasojë mbrojtja anti-raketore varet prej një tërësie teknologjish moderne, ku distanca nga pika e lëshimit nuk është kriteri i vetëm, dhe as më i rëndësishmi për suksesin. Megjithatë, unë si shtet, nuk mundem dhe nuk do ta përmirësoj sistemin tim të raketave. Dua të rikthehet dekada e bukur e viteve shtatëdhjetë.
Kjo do të përfundojë me Kinën që futet në NATO. Ndërkohë që Kina rri e heshtur në mençurinë e saj orientale, ajo e ka përllogaritur tashmë se cili është tregu dhe furnizuesi kryesor i teknologjisë dhe kush është fqinji i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm, që lufton dy herë brenda një dekade, shokët e vjetër, në të majtë e në të djathtë.
Këtë mendoj unë, si qytetar dhe si shtet.
PERGATITI: www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button