Enciklopedike

Sekreti i Tretë i Fatimas

FatimaPastorelli

Në 13 korrik 1917, rreth drekës, një vizion i Virgjëreshës Mari (thuhet) se iu shfaq tre bareshave të reja në Fatima të Portugalisë. Nuk ishte as hera e parë, dhe as hera e fundit, që Madona shfaqej përpara fëmijëve, Lucia Santos dhe kushërinjtë e saj, Francisco dhe Jacinta Marto, por në këtë rast, ajo u besoi atyre tre sekrete. Ndonëse Kisha Katolike e Romës përgjithësisht nuk u beson vizioneve, fëmijët ishin kaq bindës saqë rrëfimi i tyre mori miratimin e Vatikanit dhe vendi ku ishte shfaqur “Zonja jonë e Fatimas”, u shndërrua në një vend të shenjtë. Sigurisht, vërtetimi u ndihmua edhe prej faktit që 50 mijë njerëz patën gjithashtu vizione, dhe u tha se Dielli kërcente në qiell.

Dy fëmijët Marto vdiqën në gripin e madh të vitit 1919, por Lucia mbijetoi dhe ajo do të bëhej më vonë murgeshë, dhe në vitin 1941 u shfaq bashkë me Peshkopin e Leiras, Jose da Silva, që të zbulonte dy profecitë e para, teksa ndihmonte për kanonizimin e Franciscos dhe Martas. Sekreti i parë ishte një vizion i Ferrit, bashkë me demonë dhe shpirtëra njerëzorë të zinj; profecia e dytë parashikonte fundin e Luftës së Parë Botërore dhe fillimin e Luftës së Dytë Botërore (e cila sigurisht tashmë kishte nisur në vitin 1941); sekreti i tretë zbulonte… Lucia, pasi u mendua gjatë, vendosi që ky ishte një sekret, i cili nuk duhej rrëfyer.

Dy vjet më vonë, Lucia, tashmë në prag të vdekjes, u bind nga da Silva që të shkruante sekretin e tretë, me qëllim që ai të bëhej i njohur në rast se ajo vdiste. Ajo kështu veproi, dhe profecia e shkruajtur u dërgua në Vatikan, me kushtin që të mos hapej përpara vitit 1960. Përpara atij viti, sekreti ishte vetëm për sytë e Papës.

Viti 1960 erdhi – dhe Vatikani nuk e zbuloi tekstin e vizionit të tretë. Pastaj, kaloi viti 1961, dhe sërish asnjë tekst nuk u zbulua, ashtu sikurse kaloi edhe viti 1962, 1963… Në fakt, Sekreti i Tretë i Fatimas nuk u zbulua deri në vitin 2000. Tashmë, dyshimet për atë që ai parathoshte kishin marrë dhenë. Publikimi i tekstit, në fakt nuk ndihmoi aspak për të shuar zhurmat. Sipas linjës zyrtare të Vatikanit, teksti kishte parashikuar atentatin ndaj papa Gjon Palit II, pasi përqëndrohej rreth “një njeriu të veshur me të bardha, i cili shembet përtokë, në dukje i vdekur”. (Gjon Pali II kishte një afrimitet special me Zonjën Tonë Fatima; Mehmet Agca u përpoq ta vrasë në 13 korrik, në përvjetorin e ditës kur Madona u tha sekretin vajzave, dhe papa besonte se dora e Marisë i kish mbajtur plumbat larg prej organeve të tij jetësorë). Duhet pranuar që një atentat ndaj një Pape është gjë e keqe, por Kardinali Ratcinger, më vonë Papa Benedikti XVI, dikur kishte thënë se sekreti i tretë kishte të bënte, me asgjë më pak, se sa “fundin e kohërave”. Dhe përse Motër Lucia – e cila ishte ende gjallë në vitin 2000, pasi e kish marrë veten nga sëmundja në vitet 1940 – ishte betuar për fshehtësi, për një sekret që tashmë nuk ishte më i tillë? Dhe a vlente të mbahej e fshehtë për 40 vite, një profeci për një atentat ndaj Papës?

Vatikani nxorri pamje të katër faqeve të shkruara të Lucias, ku rrëfente për Sekretin e Tretë. Por, kjo i hodhi benzinë zjarrit të debateve: Vetë Lucia, bashkë me disa prelatë të Vatikanit që e kishin parë tekstin, të gjithë komentuan se ai ishte shkruar si një letër në një faqe. Ndër këta dëshmitarë ishte Atë Joaquin Alonso, arkivisti zyrtar i Fatimas për 16 vjet.

Shumë “Fatamistë”, sic janë pagëzuar shumë prej atyre të Kishës Katolike që janë cinikë ndaj linjës së Vatikanit për Sekretin e Tretë, besojnë se ka dy tekste të Sekretit të tretë, ku i pari është një faqe e vetme që përmban fjalët e Virgjëreshës së Bekuar, dhe tjetri një përshkrim të vizionit. Sigurisht, e gjithë kjo ngre pyetjen: Cfarë ka në pjesën që nuk nxirret?

Sipas Fatamistit, Atë Nicholas Gruener, pjesa e fshehtë që nuk është nxjerrë, është një profeci, sipas të cilës vetë Vatikani do të pushtohet nga Satanai dhe Kisha Katolike do të vuajë një krizë besimi.

Kështu që, ndoshta kjo është arsyeja përse ata në krye në Vatikan e kanë mbajtur të fshehur në arkiva pjesën e fundit të profecisë.

DOKUMENT: MOTER LUCIA, PJESA E TRETE E SEKRETIT TE ZBULUAR NE COVA DA IRIA – FATIMA NE 13 KORRIK 1917

Unë shkruaj duke t’u bindur Ty, Zoti im, që më komandon të bëj këtë përmes Shkëlqesisë së Tij, Peshkopit të Leirias, dhe përmes Nënës Tënde të Shenjtë dhe times.

Pas dy pjesëve, të cilat i kam përshkruar tashmë, në të majtë të Zonjës sonë dhe pakëz më lart, ne pamë një engjëll me një shpatë që nxirrte flakë, që dukeshin sikur do i vinin flakën botës; por ato flakë u shuan sapo ranë në kontakt me dritën e fuqishme që Zonja Jonë rrezatoi drejt tij, nga dora e saj e djathtë: duke treguar tokën me dorën e djathtë, Engjëlli thirri me zë të lartë: “Ndëshkim, ndëshkim, ndëshkim!” Dhe ne pamë një dritë të fuqishme që është Zoti: “dicka e ngjashme me mënyrën si njerëzit shfaqen në një dritare kur kalojnë para saj” një Peshkop i veshur me të Bardha “ne patëm përshtypjen se ishte Ati i Shenjtë”.

Peshkopë të tjerë, priftërinj dhe gra të kishës duke iu ngjitur një mali të pjerrët, në majën e të cilit ishte një kryq i madh; përpara se të mbërrinte atje, Ati i Shenjtë kaloi përmes një qyteti të madh, gjysmë në rrënoja, dhe gjysma tjetër duke u lëkundur, i mbushur me dhimbje dhe trishtim, ai u lut për shpirtërat e kufomave që ndeshte rrugës; pasi mbërriti në majë të malit, i ulur në gjunjë rrëzë kryqit të madh ai u vra nga një grup ushtarësh, të cilët e qëlluan me plumba dhe shigjeta, dhe në të njëjtën mënyrë vdiqën njëri pas tjetrit Peshkopët e tjerë, priftërinjtë, burrat dhe gratë e kishës, si dhe njerëz të tjerë, të rangjeve dhe pozitave të ndryshme. Poshtë dy krahëve të Kryqit ishin dy ëngjëj, secili me nga një kristal në dorë, ku ata mblidhnin gjakun e martirëve dhe me të spërkasnin shpirtërat që ishin nisur drejt Zotit”.

Nga “Libri i Madh i Komploteve”

Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button