Analiza

Selia e shenjtë si shembull

Në një letër të hapur, një gazetar turk i kërkon papa Françeskut t’i shpjegojë myslimanëve se si Kisha katolike kaloi nga inkuizicioni në shpirtmirësi. Faleminderit që na kujtoni se madhështia e një njeriu nuk matet me mënyrën e jetesës së tij, por me përulësinë e tij. “Të fundit do të jenë të parët, thoshte një banor i Nazaretit, që ne e duam të dy, dhe të dytët do të jenë të fundit”

Francis

I dashur Papa Françesk,

Si një qytetar i thjeshtë turk dhe si mysliman dëshiroj t’ju uroj mirëseradhjen në Ankara [vizita e Papës u bë më 28 deri më 30 nëntor] dhe të ndaj me ju disa mendime mbi Turqinë, Islamin dhe madje në se më lejoni, mbi misionin tuaj.

Unë nuk do t’ju mësoja asgjë duke ju thënë se bota myslimane nuk paraqitet shumë mirë. Madje do thoja se asnjëherë nuk ka qenë kaq keq. Nën zhvillimi i vendeve myslimane, praktikisht në të gjitha fushat, është përkeqësuar nga fanatikët që vrasin apo shtypin në emër të islamit. Të pakënaqur së kërcënuari kristianët apo perëndimorët, ata po merren dhe me ne. Bota duhet të kuptojë si dhe përse ky fanatizëm zhvillohet. Partizanët e laicitetit nuk e kuptojnë këtë sfidë të re dhe përfundojnë duke konkluduar se është besimi fetar shkaku i tij dhe nëqoftëse besimet fetare nuk do të ekzistonin, nuk do të kishte më problem.

Dhe megjithatë historia e institucionit tuaj, Selisë së Shenjtë, jep një korrigjim të dobishëm këtyre pikpamjeve simpliste. Në një periudhë, Kisha Katolike, pak si militantët e sotëm islamistë, nisi luftëra të shenjta kundra “të pabesëve” dhe dënonte “heretikët”. Por sot është kjo kishë katolike, e cila hap menca popullore për më të varfërit dhe qendra shëndetësore të destinuara për fëmijët. Madje historia e besimit tuaj tregon se besimi fetar mund të vihet në shërbim të së mirës, por nganjëherë gjithashtu në shërbim të së keqes. Pyetja e madhe që shtrohet sot për islamin: si t’i luftojmë apo t’i konvertojmë këta fanatikë myslimanë dhe të bëjmë përsëri islamin një instrument paqe, lirie dhe shpirtmirësie? Për këtë qëllim, përvoja juaj dhe evolucioni i doktrinës katolike mund të jenë shumë të çmueshme, me qëllim që t’u lejojë bashkëkombësve të mi besimtarë që të hapin sytë. Ajo që u realizua nga Vatikani II në vitet 1960 ishte e jashtëzakonshme, pa folur për përpjekjet tuaja të admirueshme që komunitetet tuaja të jenë të hapura ndaj ateistëve dhe homoseksualëve. Për myslimanët (dhe ndofta për kristianët konservatorë) është shumë e rëndësishme të kuptojnë që këto vendime progresiste nuk ju shmangin ju nga besimi juaj, por përkundrazi ju lejojnë të ndiqni rrugë ende të pa eksploruara.

Gjithashtu më lejoni t’ju shpreh të gjithë mirënjohjen time për vullnetin tuaj të dialogoni akoma dhe përgjithmonë me myslimanët. Mos u dekurajoni.

Do të kisha shumë për të thënë për Turqinë. Lajmi i mirë është se përsa i përket fanatikëve myslimanë, gjithsesi ne jemi më të fituar se sa vendet tona fqinje, si Siria dhe Iraku. Jo, problemi kryesor në Turqi është mëkati shumë i veçantë, i përcaktuar në mënyrë të admirueshme nga Shën Agustini: libido dominandi, domethënë, vullneti i fuqisë. Turqia është tmerrësisht e ndarë midis një qeverie e cila digjet nga kjo dëshirë dominimi dhe një opozite, e cila ka gjasa se nuk do të vepronte ndryshe, në se ajo do të ishte në pushtet. Megjithatë, unë mund t’ju siguroj se shembulli juaj i modestisë shembullore nuk kalon pa u vlerësuar. Mediat nuk kanë harruar të theksojnë që ju keni refuzuar të flini në pallate me pesë yje dhe të lëvizni me limuzina luksoze.

Ky është një mësim për bashkëqytetarët tanë si dhe për presidentin tonë i cili shpenzoi miliarda dollarë për një pallat të ri presidencial me përmasa shumë të mëdha dhe një avion privat luksoz. Faleminderit që na kujtoni se madhështia e një njeriu nuk matet me mënyrën e jetesës së tij, por me përulësinë e tij. “Të fundit do të jenë të parët, thoshte një banor i Nazaretit, që ne e duam të dy, dhe të dytët do të jenë të fundit”.

Përzemërsisht,
Mustafa Akyol (një shok në rrugën monoteiste) / Hürriyet/

Pergatiti: Sali Metani / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button