Histori

Sen Zhyst, “Engjëlli i Vdekjes” i Revolucionit Francez

Nga Marisa Linton

Në mesin e udhëheqësve të Revolucionit Francez, asnjë nuk ka një status më mitik sesa Luis Antuan dë Sen Zhyst. Karriera e tij e shkurtër politike, përfshiu momentin më radikal të shekullit XVIII-të:Republikën Jakobine të Vitit Dy (1793-1794). Jakobinët u përpoqën të krijonin një botë më të mirë, në të cilën demokracia, liria dhe barazia do të bëheshin realitet, por për ta arritur atë, ata përdorën terrorin dhe dhunën e sponsorizuar nga shteti, në atë që u bë e njohur si Terrori.

Eksperimenti përfundoi kur Sen Zhyst, së bashku me Robespierin, u ekzekutuan në gijotinë në Masakrën e Termidorit (korrik 1794). Për shumë njerëz, Sen Zhyst, madje më shumë se sa Robespieri, mishëron vetë revolucionin:i ri, i mbushur plot me energji, guxim dhe idealizëm; por, ashtu si terrori revolucionar, i aftë për të sakrifikuar jetën njerëzore, duke përfshirë të tijën, për të bërë realitet idealin.

Kyr Viktor Hygo përshkroi në romanin e tij “Të Mjerët” në vitin 1962 nxënësin e ri Enzholras, i cili drejtonte luftën në barrikada, lexuesit e tij e dinin se kujt i referohej. Disa vjet më parë bashkëkohësi i Hygo, historiani i madh republikan, Zhyl Mishële, e përshkroi Sen Zhystin si “Kryeëngjëlli i Vdekjes”, një frazë që përfshinte legjendën e Sen Zhystit, si një djalë jashtëzakonisht i bukur, por me një gjakftohtësi të tmerrshme.

Sen Zhysti lindi më 25 gusht 1767 në Deçize, në Burgundi, si djali i një oficeri të kalorësisë dhe i vajzës së një noteri. Në adoleshencë, ai ra në dashuri me një vajzë të zonës, Tereza Gele. Ata shpresonin të martoheshin, por babai i saj donte një dhëndër të pasur. Ndërsa Sen Zhyst ishte larg shtëpisë, ajo u martua me shkesi.

Kur Sen Zhyst e mori vesh, u tërbua nga inati, madje edhe me nënën e tij, që ia kishte mbajtur fshehur këtë lajm. Disa javë më vonë, në shtator 1786, ai u largua nga shtëpia e tij, duke marrë me vete një pjesë të argjendit që zotëronte familja, të cilin ai e shiti në një kafene të Parisit.

Pas këmbënguljes së nënës së tij, adoleshenti u gjet u mor në pyetje nga policia dhe u burgos në një qendër riedukimi, ku 6 do të kalojë muaj të mjerë.

Sen Zhysti, duhet të ketë ndjerë thellësisht i poshtëruar nga kjo përvojë:ai nuk foli kurrë për të, dhe pak njerëz e dinin. Ajo ngjarje, mund të ketë ndikuar edhe në mënyra të tjera, sepse në shkrimet e mëvonshme ai sulmoi shtypjen e grave dhe fëmijëve në familjet patriarkale, dhe mbrojti lirinë e grave për të zgjedhur ata që donin.

Frustrimet gjatë burgosjes e frymëzuan të shkruante “Organt”, një poemë epike që tregonte fatkeqësitë e Antuan Organt, djali i paligjshëm 20-vjeçar i një peshkopi. I shkruar në një stil satirik të frymëzuar nga Volteri, ajo ishte vepra e një të riu, i etur për të lënë shenjën e tij në botë; plot imagjinata fantastike dhe disa pasazhe pornografike, që tronditën disa prej biografëve të tij, të cilët ndoshta prisnin diçka më shpirtërore nga “kryeëngjëlli” i ardhshëm i Jakobinëve.

“Organt” u botua në vitin 1789, në vitin e revolucionit, që transformoi jetën e tij. Nga ai moment, ai iu dha me trup dhe shpirt revolucionit. Kishte shumë për të ofruar:ishte i talentuar, i fortë dhe i zgjuar, por ai nuk ishte njeri social, s’kishte lidhje të fuqishme, shumë pasuri apo një profesion të rregullt.

Ai ishte i disavantazhuar për shkak të moshës së re:ishte nën 25-vjeç, dhe nuk mund të bëhej ligjërisht pjesë e politikës. Në qershor 1791, Sen Zhysti publikoi një traktat, “Shpirti i Revolucionit”, i cili theksonte rëndësinë e paqes dhe stabilitetit. Sipas tij monarkia kushtetuese ishte forma më e mirë e qeverisjes; Franca nuk ishte e përshtatshme për të qenë republikë. Sen Zhysti, shpalli kundërshtimin e tij absolut ndaj dënimit me vdekje.

Por stabiliteti politik që ai vlerësoi, ishte gati të shkatërrohej. Lajmi i tentativës së arratisë së Luigjit XVI, kishte marrë dhenë. Shumë revolucionarë, e panë aktin e mbretit si tradhti ndaj popullit të tij:ata s’do t’i besonin më. Brenda 10 muajsh situata politike u rëndua. Lufta me Austrinë dhe Prusinë, rezultoi katastrofike, ndërsa francezët po detyroheshin të mbronin tahsmë kufijtë e vendit.

Shumë revolucionarë fajësuan Luigjin dhe Maria Antonetën, duke pohuar se ata kishin lidhur fshehtas një aleancë me fuqitë e huaja. Më 10 gusht 1792 monarkia ra. Revolucioni i dytë, i dha shansin Sen Zhystit shansin që kërkonte. Pak ditë pas 25 vjetorit të lindjes, ai u bë më i riu nga 749 deputetët e zgjedhur në Konventën Kombëtare, asamblenë e re përfaqësuese.

Veprimi i parë i Konventës, ishte të shpallte Francën një republikë. Sen Zhysti nisi të anojë drejt revolucionarëve më radikalë, Jakobinët, një grup që përfshinte Zhorzh Dantonin, Kamil Dëmulenin dhe Maksimilian Robespierin. Dy vite më parë Sen Zhyst, i kishte shkruar një letër Robespierit:Unë ju njoh, siç njoh Zotin, vetëm përmes mrekullive të tij”.

Robespieri ishte përkëdhelur në sedër. Të dy burrat u bënë miq të ngushtë, dhe ndanë të njëjtat ide deri në javët e fundit të jetës së tyre. Sen Zhyst, mbajti fjalimin e tij të parë në Konventë më 13 nëntor, duke kërkuar dënimin me vdekje të mbretit.

Ashtu si Robespieri, edhe ai ishte financiarisht i pakorruptueshëm, dhe vishej në mënyrë modeste por me shije. Më 10 korrik 1793, zgjidhet anëtar i Komitetit të Sigurisë Publike, një organ prej 12 vetësh që ishte përgjegjës për policinë, arrestimet dhe burgjet. Vera dhe vjeshta, sollën kriza në rritje. Britania, Spanja dhe Holanda u bashkuan me luftën kundër Francës. Shumë rajone të vendit u ngritën në revoltë kundër Parisit; ndërkohë që një luftë civile në shkallë të gjerë përfshiu Francën Perëndimore.

Në këtë situatë, revolucionarët lejuan zbatimin e politikës së terrorit. I ashtuquajturi “Terrori i Jakobinëve” nuk i atribuohet një njeriu të vetëm, pasi ishin një sërë ligjesh, të votuara nga deputetët e Konventës. Pra, pse Sen Zhysti u identifikua me Terrorin? Pjesërisht për shkak se ai ishte i gatshëm ta justifikonte publikisht atë.

Gjatë periudhës shtator-dhjetor 1793, ai ndodhej në rajonin e Alsasës me Ushtrinë e Rinit. Detyra e tij ishte që të sigurohej që ushtria të ishte e mirë-pajisur, dhe të frenonte çdo trazirë civile kundër revolucionit. Arritja e tij më e madhe, ishte roli kyç që ai luajti në mbështetjen e ushtrisë, pasi zbrapsi pushtuesit austriakë matanë Rinit.

Më të vështira se betejat ushtarake, ku armiku ishte i dukshëm, qenë betejat politike që po ndodhnin në Paris, ku armiqtë ishin bashkë-revolucionarët. Edhe këtu, Sen Zhysti luajti rolin e tij. Gjatë dimrit të viteve 1793-94, një krizë politike po përçante Jakobinët. Dy fraksione sfiduan autoritetin e Komiteteve.

Hebertistët, të udhëhequr nga revolucionari Hebert, donin përshkallëzimin e terrorit; Dantonistët, të udhëhequr nga Dantoni dhe Dëmuleni, dhënien fund të tij. Komitetet, nga frika se fitorja e secilit fraksion do të rrëzonte qeverinë revolucionare, vendosën t‘i eliminojnë që të dyja.

Më 13 mars 1793, Sen Zhysti ai mbajti një fjalim kundër Hebertistëve.

Ata u arrestuan, u nxorën para Gjykatës Revolucionare dhe u ekzekutuan. Armiqtë e tyre, Dantonistët u gëzuan, duke e menduar veten të sigurt, por 18 ditë më vonë Sen Zhysti i denoncoi ata si komplotistë. Fjalimi i tij u bazua në akuza të paqarta dhe të pabazuara në fakte.

Ashtu si Robespieri, edhe Sen Zhysti kishte frikë se individët ambiciozë dhe të korruptuar, do ta shtrembëronin Revolucionin, duke e përdorur atë si një mjet për të siguruar pushtet personal.

Ai druhej se do të vdiste përpara se republika të sigurohej. Ai u përpoq të imagjinonte një kohë përtej Terrorit, kur republika mund të mbahej më këmbë nga institucionet sociale, dhe jo nga imponimi dhe dhuna. Por ai nuk mund të shihte dot një mënyrë për të arritur atje, dhe shumë nga planet e tij ishin vizionare, dhe jo projekte praktike.

Në javët e fundit të jetës e humbi shpresën, në pamundësi për të gjetur një rrugëdalje nga makthi në të cilën ishte shndërruar Revolucioni. “Revolucioni është i ngrirë”- shkroi ai në dëshpërim.

“Të gjitha parimet e tij po dobësohen. Kanë mbetur vetëm intrigat…”. Por heqja dorë nga terrori nuk do të ishte e lehtë.

Atmosfera në Paris ishte toksike. Robespieri u ndje i tradhtuar nga disa jakobinë, teksa filloi të mos merrte pjesë në mbledhjet e komiteteve. Për herë të pare, Sen Zhysti e humbi besimin tek ai. Së bashku me Barrasin, si u përpoq të ndërmjetësonte një kompromis midis Robespierrit dhe kundërshtarëve të tij në komitete, të cilat u shpërbënë menjëherë, me Robespierin që akuzoi armiqtë se kërkonin shkatërrimin e tij.

Më 8 Termidor (26 korrik) 1794, Robespieri shkoi në Konventë për të denoncuar disa Jakobinë, megjithatë refuzoi t’i përmendë ata me emër, duke i tmerruar të gjithë dhe duke shkaktuar një luftë për jetë a vdekje mes tij dhe rivalëve. Sen Zhysti mori një mbrëmje një vendim fatal:të hiqte dorë nga pozicioni i tij si zëdhënës i komiteteve, dhe të mbante një fjalim personal në mbrojtje të Robespierit.

Vetëm pak disa çasteve pasi kishte nisur të fliste, ai u ndërpre nga deputetët jakobinë të vendosur të rrëzonin Robespierin. Ata u kthyen edhe ndaj tij. Pol Barras, që ishte pjesë e komplotit, e përshkroi Sen Zhystin një “person të patundur dhe që sfidonte të gjithë me gjakftohtësinë e tij”.

Debatet e ashpra, kulmuan me arrestimin e Robespierit, Sen Zhystit dhe 3 deputetëve të tjerë, të gjithë të akuzuar për komplot kundër Republikës.

Të nesërmen, pa asnjë gjyq, Robespieri dhe ndjekësit e tij u dërguan në gijotinë. Sipas të gjitha dëshmive, Sen Zhysti shkoi drejt vdekjes i qetë. Ai nuk kishte mbushur ende 27-vjeç. Karriera e tij si një udhëheqës revolucionar, zgjati më pak se 2 vjet. / History Today – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button