Analiza

Sfida e OKB / Tani duhet një grua, për të udhëhequr botën

Screen Shot 2015-03-11 at 20.29.53

Më jepni një grua, dhe do të ngre botën pezull: pas gati 70 vjetësh zhgënjime dhe premtime të shkelura, dhe pas 8 burrave në krye të Sekretariatit të Përgjithshëm të OKB-së, të gjithë të dënuar për t’i folur një bote që nuk i ka dëgjuar ndonjëherë, ka nisur një lëvizje për të zgjedhur një grua në krye të Pallatit të Qelqtë, ku një tavan i padukshëm ka penguar përherë ngjitjen e tyre.

Në këtë fushatë janë mobilizuar ish-sekretarë të përgjithshëm si Kofi Anan, i cili shkroi një editorial në gazetën “New York Times”, duke kërkuar që shefi i ri i OKB, pas Ban Ki-Munit, të jetë një grua, dhe duke propozuar shembuj të tillë si ish-kryeministrja norvegjeze Gro Brundtland, ndërsa kombi i saj edhe më herët ka patur sekretarin e parë të përgjithshëm të organizatës, Trygve Lie.

Natyrisht me to, dy zonja ndryshe, por me famë të madhe dhe karizëm si Hilari Klinton dhe Melinda Gates, gruaja e themeluesit të “Microsoft”. “Është koha që ‘ai’ të jetë një ‘ajo” – shkroi  Anan, një frazë kjo që shkon përtej lojës së thjeshtë të mbiemrave.

Në fakt është maskiliste vetë rezoluta e miratuar në vitin 1946, për të vendosur procedurat për zgjedhjet, kur përshkruan karakteristikat e personit, që do të zgjidhet në krye të papatit laik të OKB-së. “Një burrë”, citohet dhe jo një person, “me prestigj të madh dhe i realizuar”, një term në mashkullor, që organizata e ka ndjekur me një fanatizëm gati fetar, pas Lie, Hamarskjöldit, i vrarë gjatë një aksidenti ajror, U.Thant, figura kontradiktore e Valdheimit, ish-oficer i Vehrmahtit gjerman në frontin rus, Perez de Kuelar, Butros Gali, Anan, dhe kreu aktual Ki-Mun.

Një listë, nga e cila spikatin dy mungesa: ajo e një gruaje, mesa duket i bllokuar sugjerimi për “një burrë”, dhe një Sekretar i Përgjithshëm, që të vinte nga Evropa Lindore.  Kjo e fundit, shpjegohet me efektet anësore të Luftës së Ftohtë, dhe për këtë arsye me pengimin e secilit kandidat, që propozohej nga blloku sovjetik.

Por ajo betejë gjeopolitike ka përfunduar, ndërsa maskilizimi i sanksionuar 69 vite më parë, është anakronik, përballë një bote, në të cilën gratë tashmë po drejtojnë 20 kombe, e ndoshta së shpejti 21, nëse gara e Hilari Klintonit në Shtëpinë e Bardhë nuk do të ndalet nga kundërshtari republikan, përgjatë shtegut të ashpër të jetës së tij të gjatë dhe plot ngjarje politike.

Në sondazhet që kryejne burokratët e lartë dhe përfaqësuesit e 193 kombeve të njohura në Pallatin e Qelqtë, kanë filluar pra të qarkullojnë emrat e grave, veçanërisht nga vendet e Evropës Lindore. Më aktive janë gratë e mbledhura në një organizatë shumë të fshehtë “UomanSG”. “Sekretarja e përgjithshme do të jetë grua” – thonë ato.

Sipas një hulumtimi të kryer nga agjensia e mirënjohur e lajmeve “Associated Press”, në vendet e para renditen shpesh emrat e Helen Klark, ish-kryeministre e Zelandës së Re, kryeministres aktuale kiliane Mishel Bashelet, kryeministries daneze Hele Torning-Shmid. Pastaj, vijnë në rradhë zonjat nga lindja, tashmë të çliruara nga kalbëzimi sovjetik, presidentja e Lituanisë Dalia Gribauskaite, e mbështetur shumë nga amerikanët, por shumë e kundërshtuar nga rusët. Komisioneret e BE-së, bullgarja Kristalina Georgieva, që mund të kishte votën pro edhe të Kremlinit, dhe sigurisht do të kishte votat e vendeve të eurozonës si dhe patriotes së saj Irina Bokova, Drejtoreshë e UNESCO-s, krahu kulturor i Kombeve të Bashkuara.

Por pas këtyre grave, rritet megjithatë hija e lartë e zonjave, të cilat tashmë kanë emrin e tyre në faqet e para të gazetave, dhe që mund të mbledhin vota dhe mbështetje nga kombet, të cilët kanë ndikuar në karrierën e tyre. Më e shquara, ajo që do të zhbënte çdo lloj paragjykimi të fiksuar që në aktet e vitit 1946, dhe që përputhet me kriterin e një karriere të madhe, është Kristin Lagard, aktualisht drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, një karrige nga e cila me siguri ka bërë miq, por edhe shumë armiq.

Në mënyrë të pashmangshme qarkullon edhe emri i gruas, që tani për tani është udhëheqësja më e fuqishme politike në botë, Angela Merkel. Zgjedhja e saj në Sekretariatin e Përgjithshëm të OKB-së, duke pasur parasysh mungesën e mëparshme të rëndësisë së grave, do të ishte me siguri një lajm i mirë për shumë nga armiqtë e saj.

Por mobilizimi i grave, që si brenda ashtu edhe jashtë Pallatit të Qelqtë, duan të thyejnë “tavanin e fundit politik të qelqit”, që ende pengon ngjitjen e grave – së bashku me Shtëpinë e Bardhë, ose ngjashëm me Kuirinalen apo Pallatin Kixhi – shkon përtej emrit të kandidatit.

“Një për 7 miliardë”- sa ka njerëz mbi Tokë, është një nga slloganet dhe do të jetë një rastësi e jashtëzakonshme nëse një “ajo” do të ngjitet në zyrën e katit të fundit të ndërtesës së OKB-së në dhjetor të vitit 2016, kur edhe do të përfundojë mandati i Ban Ki-Munit, pak ditë para se një grua tjetër të hyjë, por këtë herë si presidente, në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, në 20 janar të atij vitit pasardhës. /La Repubblica/

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button