Analiza

Sfidat që Kina ia shtron qetësisht Perëndimit

Screen Shot 2015-08-12 at 15.40.24Jean-Vincent Brisset, François-Bernard Huyghe

Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, Francë

Perandoria e Mesit është imponuar si një vend që nuk mund të evitohet në shumë aspekte, qysh prej rënies së ekonomive perëndimore në vitin 2008. Pasi është bërë motorri ekononomik i botës, në një kohë që Perëndimi mjekonte plagët e tij financiare, Kina ndërton hegjemoninë e saj në shumë fusha të tjera. Ajo është liruar nga Perëndimi në vlerat etike, e ka kaluar atë në planin sportiv, e kërcënon atë në sigurinë kibernetike, dhe gjithnjë e më tepër interesohet në zonat e Azisë juglindore…
Sfida e parë: Piratimi i të dhënave dhe lufta kibernetike, kur Kina përgatit armët e saj për një konflikt të delokalizuar në internet.

François Bernard Huyghe: Shtetet e Bashkuara akuzojnë sistematikisht Kinën, për çdo sulm të ri informatik që i shënjestron ato. Ky është një lejtmotiv i kompanive të sigurisë të SHBA, i think tankeve, Komandës Kibernetike, etj: rreziku i superioritetit kinez në fushën e sulmeve kibernetike. Aq sa për këtë çështje, Obama i ka adresuar qortime publike presidentit Xi Jinping vjet, dhe drejtësia amerikane fajësoi tre oficerë kinezë, që kishin ndërmarrë sulme nga celulat e tyre të Shangait. Një nga më virulentet është Hillary Clintoni: qysh në vitin 2010, ajo mbështeste Google kundër Pekinit, në një konflikt lidhur me një ndërhyrje të padrejtë në Gmail, dhe ajo nuk resht së denoncuari rrezikun e verdhë kibernetik në fushatën e saj elektorale.

Këto akuza mbështeten në tre arsyetime: 1. Adresat IP të kompjuterëve në origjinë të shumë sulmeve, janë të vendosura në territorin kinez; 2. Në një vend tepër të kontrolluar, kjo nuk mund të bëhej pa urdhërin, ose të paktën pëlqimin e qeverisë; 3. Pekini ka motivin (dëshirën për të pushtuar teknologjinë perëndimore) dhe mjetet për të bërë ndërhyrje sistematike, pra të jetë fajtor.

Kina është bërë sinonimi i piraterisë së pronësisë industriale dhe i “Advanced Persistent Threat” (një piratim informatik i sofistikuar, për të depërtuar në një ndërmarrje apo një organizatë). Edhe nëse supozojmë që amerikanët shtojnë në fabrikimin e armikut të madh, është e vështirë të mohosh praktikën e spiunazhit kibernetik në shkallë të gjerë. Përkundrazi, nuk vërehen pothuaj raste ku ky vend përdor sabotimin e sistemeve të informacionit (si për shembull, amerikanët vonojnë nuklearizimin e Iranit me virusin “Stuxnet”, apo Rusinë kundër Estonisë apo Gjeorgjisë). Nëse ju mendoni që spiunazhi nuk është lufta, kinezët asnjëherë nuk kanë bërë akte lufte kibernetike. Por asnjeri nuk dyshon se ata janë të pajisur me armë informatike sulmuese, dhe se ata përgatiten në çdo rast.
Eshtë e vështirë të thuhet se kur Kina është ndërgjegjësuar lidhur me rëndësinë që ajo të jetë pararendëse në luftën kibernetike dhe të hakerave. Në fakt, doktrina kineze për këtë çështje është më tepër diskrete. Në vitin 2009, një raport i Northrop dhe Gruman paraqiste një transformim të thellë të kapaciteteve ushtarake kineze, qysh prej shumë vitesh: një “strategji lufte informacioni e quajtur Integrated Network Electronic Warfare (INEW) me sulmet nga rrjetet e kompjuterëve dhe luftë elektronike”, të kombinuara me sulme “klasike” me hekur dhe me zjarr.

Në mjediset strategjike citohet një libër i dy kolonelëve kinezë, Q. Liang dhe W. Xiangsui “Lufta jashtë kufijve”, i botuar në vitin 1999 dhe që teorizonte tashmë vendin e sulmeve informatike në konfliktet e ardhshme. Viruset made in China dhe operacionet e mëdha të denoncuara dhe të pagëzuara qysh prej pesëmbëdhjetë vjetësh (Byzantine Candor, Titan Rain, Shady Rat, etj.).

Fama e dragoit kibernetik mbështetet sidomos në gjerësinë e mjeteve të përdorura, numrin e sulmeve të spiunazhit dhe karakterin sistematik të ndërhyrjeve në sistemet e kompanive, institucioneve, qendrave kërkimore, administratave, të gjithë botës. Pra një energji e palodhur e vazhdimësisë dhe vullnetit për t’u futur kudo, më tepër se një sofistikim i madh apo agresivitet i sulmeve (që marrin më tepër informacion se sa shkatërrojnë apo sabotojnë ato). Përsa i përket mbrojtjes kineze, ajo mbështetet në faktin që vendi, duke luajtur kartën e “ballkanizimit të Internetit”, ka ditur të izolohet nga ndikimet ideologjike (dhe a fortiori nga sulmet kibernetike), të ardhura nga perëndimi. Flitet për një Mur të madh numerik, që bën që vendi të ketë kufij të sigurt në hapësirën kibernetike. Krahas kësaj, Kina ka ëndërruar të pajiset shumë herët me ekuivalentët vendas të Google apo të Facebook, të furnizuesve të aksesit, etj, për të mos u varur nga Perëndimi (gjë që lejon të kontrollohet popullsia e përdoruesve të internetit të botës dhe të mbrohet nga çdo vartësi teknologjike). Kjo dëshmon se ky vend ka një strategji afatgjatë të sovranitetit dhe të sigurisë numerike.

Sfida e dytë: ekspansionizmi kinez, i justifikuar nga dëshira për të mishëruar një pushtet të paevitueshëm në Azinë e juglindore, dhe në të gjithë rajonin.

Jean-Vincent Brisset: Kur flitet për raportet e Kinës me botën e jashtme, është e nevojshme të kujtojmë disa elementë thelbësorë. Megjithëse nuk janë të afishuara në mënyrë të hapur, ato janë thellësisht të ngulitura në nënvetëdijen kolektive, dhe shpjegojnë shumë gjëra.

Së pari Kina, Perandoria e Mesit, pozicionohet si qendra e një bote kryesisht të populluar nga hanët konfucianë.

Rrethi i parë i saj është përbërë nga kombe, të cilët të paktën në një moment të historisë së tyre, kanë qenë vasalë dhe mundet (a do të duhet?) të bëhen përsëri. Jashtë rrethit, “Barbarët”, të huaj për qytetërimin kinez.

Në kundërshtim me Perëndimin, Kina konsideron kufijtë dhe traktatet sikur janë fotografi e situatës në momentin e nënshkrimit, dhe jo si një angazhim për të ardhmen. Nga ku lind mundësia për t’i vënë ato në diskutim, nëse evoluojnë raportet e forcës.

Më në fund, në kundërshtim me shumë ide, shtrirja e territorit të kombit kinez ka evoluar shumë gjatë shekujve. Perandoria e Mingëve, pa dyshim më e fuqishmja nga dinastitë e mirëfillta kineze (1368–1644, 6,500,000 km²), mbulonte vetëm një pjesë të Kinës së sotme (9,596,961 km²), vetë ajo më pak e gjerë, gjatë pushtimit mongol (dinastia Yuan, 1271-1368, 14,000,000 km²), apo mançure (dinastia Qing, 1644-1912 13,150,000 km²).

Pika e parë bën që, edhe nëse udhëheqësit janë shumë të ndërgjegjshëm se kanë një fat planetar, aspiratat e thella të vendit nuk janë medoemos të të njëtit nivel. Mund të mendojmë që, nëse kinezët do të dëshironin të jenë njohur në nivel botëror dhe ndofta madje të konsiderohen që janë në thelb superiorë, ambicjet e tyre hegjemonike janë më shumë rajonale, në një hapësirë në të cilën ata mund të tregohen përsosmërisht këmbëngulës. Megjithatë, kjo skemë sot është prishur. Hapja me botën e jashtme, e refuzuar gjatë shekujve, është bërë e vështirë për t’u penguar, edhe se qeveria vazhdon të mendojë legjitime kufizimin e disa lidhjeve me botën e jashtme, duke censuruar mediat si dhe duke kontrollur ashpërsisht qasjen në Internet.

Vullneti ekspansionist vërehet aktualisht, sidomos në drejtim të Detit të Kinës Lindore dhe Detit të Kinës së Jugut. Këto pretendime janë mbështetur nga fuqia e një marine luftarake të ngritur në disa vite, megjithë një mungesë pothuaj totale të traditave dhe përvojës në këtë fushë.

Ajo që ndodhi në detin e Kinës Lindore, rreth ishujve Senkaku/Diaoyu, ka forcuar opinionin publik japonez dhe lejuar udhëheqësit japonezë, të vënë në diskutim politikën e mbrojtjes së Tokios, në një kuptim shumë më tepër sulmues. Në të njëjtën mënyrë, vendet që lagen nga Deti i Kinës së Jugut, reaguan duke u përpjekur të implikonin në pretendimet e tyre ASEAN-in. Përballë Japonisë, Pekini reagon duke i kaluar në heshtje pretendimet e veta. Dhe për të penguar çdo reagim të përbashkët të vendeve të ASEAN, Pekinit i është dashur të ushtronte presione shumë të forta në vendet që janë më afër dhe më të varur prej tij, si Kamboxhia dhe Birmania. Kina arriti të bllokonte hartimin dhe miratimin e një kodi sjelljeje (i propozuar nga vendet e përfshira drejtpërdrejt), që do të vendoste kufij të qartë.

Krahas kësaj, ndërtimet e bazave për qëllime ushtarake dhe të platformave të naftës në zonat e pretenduara ka vazhduar në zonat bregdetare.

Por ajo më kundërproduktiv, për Kinën është fakti që ajo që u perceptua si një seri agresionesh nga fqinjët e saj, pati si efekt afrimin e tyre me SHBA, kundërshtarin e saj kryesor.

Eshtë larg koha kur disa besonin se shihnin të skicohej një G2. Sot, mbështetja pak a shumë e drejtpërdrejtë e Uashingtonit kërkohet nga shumica e vendeve të interesuara, përfshirë dhe Vietnamin. Dhe kjo kërkesë legjitimon praninë e mjeteve ushtarake amerikane në zonë. Tashmë kanë ndodhur incidente, por kinezët e dinë shumë mirë se ato nuk mund të bëjnë gabimin, që të trajtojnë një anije të marinës amerikane, si një anije peshkimi filipinase.

s.m./Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button