Analiza

SHBA dhe Kina, loja “e hollë” e dy gjigandëve

frague22Francesco Guerrera

Wall Street Journal

Ndodhesha në një taksi, dhjetë vjet më parë, kur e kuptova me të vërtetë se sa e madhe është Kina. Po flisja për futbollin me taksistin, në një përzierje të tmerrshme mes kinezçes dhe anglishtes. “Baggio…ting hao… very good!”-kur hymë në një autostradë gjigande, e cila dukej sikur ishte hapur vetëm një ditë më parë. “Autostrada e katërt”, më tha ai i mbushur me krenari. “Pekini është i vetmi qytet në botë që ka katër autostrada”.

Sot, të tilla në Pekin janë shtatë, monumente asfalti që lartësojnë dëshirën për rritje të Kinës moderne.

Ka vite që Kina vazhdon të shkelë gazin dhe rezultatet janë të jashtëzakonshëm. Kina është duke parakaluar Amerikën, për t’u bërë ekonomia më e madhe e botës. Të paktën këtë ka thënë pak javë më parë International Comparison Program, një projekt i Bankës Botërore.

Lajmi bëri bujë, mbi të gjitha në Amerikë dhe në Kinë. Nëse raporti ka të drejtë, atëherë do të gjendemi përballë një momenti historik, një dorëzim i stafetës nga Perëndimi në Lindje që do të konfirmonte rënien e SHBA dhe ngjitjen tashmë të pandalshme të Kinës si superfuqi ekonomike.

Megjithatë, shifrat nuk janë të qarta. Nëse shihet vetëm GDP, ekonomia e SHBA vlen pak a shumë sa dyfishi i asaj kineze. Dhe parakalimi nuk pritet të ndodhë para vitit 2020. Por International Comparison Program dhe Banka Botërore kanë prirjen të masin dimensionet “e vërtetë” të ekonomive të planetit. Jo vetëm vlera nominale e GDP, por edhe fuqia blerëse e monedhave.

Ideja është e qartë për këdo që ka udhëtuar jashtë: në vendet në zhvillim si Kina, paraja “blen” më shumë sepse mallrat dhe shërbimet kushtojnë më pak se sa në “botën e parë”. Në këtë kuptim – dhe vetëm në këtë kuptim – raporti i Bankës Botërore ka nxjerrë që Kina është duke parakaluar SHBA.

Metodologjia është legjitime, por rezultatet janë të diskutueshëm. Eshtë e vërtetë që në Shangai një juan blen më shumë se sa një dollar në New York, por një vend si Kina duhet të përdorë monedhën e saj për të importuar mallra nga jashtë. Kur blejnë raketa dhe anije lufte, iPhone apo BMW, kinezëve u duhet të paguajnë çmimin që diktojnë tregjet ndërkombëtarë.

Por edhe nëse Kina nuk është ende superfuqia e vetme e ekonomisë botërore, fryma e dragoit kinez ka nisur të ndihet në qafën e SHBA, që po e ndiejnë që çke me të.

Reagimet e dy vendeve për llogaritjet e bëra nga Banka Botërore flasin shumë për pozicionin delikat të ekonomisë botërore. Në SHBA, mediat dhe ekspertët kanë tentuar të injorojnë shifrat e raportit ose të shpjegojnë përse këta janë të gabuar. Në Kinë, qeveria ka bërë të njëjtën gjë. Instituti kinez i statistikave ka deklaruar se “nuk i njeh rezultatet si statistika zyrtare” dhe organet qeveritarë të shtypit e kanë thënë qartë se nuk u besojnë këtyre shifrave.

Eshtë një lojë politike e hollë, mes dy vendeve që kanë shumë për të humbur nga një përplasje e hapur në frontin ekonomik.

SHBA – mbi të gjitha administrata e dobët e presidentit Obama – nuk duan të dëgjojnë të flitet për një rënie të pandalshme, disa vite pas një krize financiare dhe një recesioni shkatërrimtar. Ndërsa Kina bën taktikën klasike: nuk ka aspak ndërmend që të trembë botën dhe as të rrisë pritshmëritë e një popullsie vendëse që, në përgjithësi, nuk sheh shumë frute nga kjo rritje ekonomike që të lë pa frymë. E vërteta është që Kina mbetet një vend i varfër sepse ka pothuajse një miliardë e gjysmë banorë: GDP për frymë është i 99-i në botë, edhe duke marrë parasysh fuqinë blerëse të monedhës. “Kina është e madhe, por nuk është e fortë”, ka thënë guruja i ekonomisë kineze Mao Yushi për Financial Times. Eshtë një aforizmë e aplikueshme në shumë aspekte të rritjes ekonomike të një vendi që gjysmë shekulli më parë ishte ende në Mesjetën e Mao Cedunit.

Për momentin, SHBA dhe Kina janë aleatë në kuptimin që nuk duan të ndryshojnë statusin ekonomik. Por është një paqe e brishtë, e destinuar që të ndërpritet nga rrymat e pandalshme të tregut, kapitalit dhe rritjes ekonomike.

Kina tashmë kontrollon aspekte themelorë të ekonomisë së planetit. Oreksi i saj i pashuar për lëndë të para është duke transformuar (për mirë) vende si Australia dhe Brazili, Mongolia dhe Angola. Investimet e kompanive dhe bankave kineze po ndihmojnë Afrikën që të luftojë shekuj të tërë shtypje dhe probleme ekonomikë. Nuk ka shumë paralele historikë për impaktin që ka Kina mbi pjesën tjetër të botës: një vend në rrugën e zhvillimit që lëviz tregjet globalë dhe ndryshon realitetet ekonomikë të kontinenteve të tërë. Nuk është rastësi që suksesi i Pekinit po kirjon tensione politikë mbi të gjitha në Japoni, një tjetër fuqi ekonomike në rënie, që një herë e një kohë kishte ambicie për hegjemoni rajonale në Azi.

Por do të ishte gabim që të konsiderohej SHBA si e mbaruar. Pavarësisht dështimeve të viteve të fundit dhe një krize serioze lidershipi politik në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres, Amerika zotëron burime unikë. Dhe nuk flas vetëm për naftën dhe gazin që po sjellin një revolucion të ri industrial në disa pjesë të vendit. I referohem më shumë “energjive kapitaliste” të një vendi që e ka shndërruar inovacionin dhe rinovimin në raison d’être. Lista e avantazheve të Amerikës ndaj pjesës tjetër të botës është e gjatë: që nga tregjet financiarë, tek industria e Hollywoodit, që nga sipërmarrësit e teknologjisë, deri tek ushtrima e imigrantëve të gatshëm për të bërë gjithçka vetëm për të prekur një copë nga ëndrra amerikane.

Ndikimi i Shteteve të Bashkuara mbi pjesën tjetër të botës është më i madh edhe se sa ekonomia e SHBA, dhe as Kina, as Europa nuk munden që t’i kundërvihen në vitet që do të vijnë. Në autostradën e ekonomisë, parakalimet janë më të vështirë se sa në autostradat e gjera të Pekinit.

* Kryeredaktor financiar i Wall Street Journal

Leave a Reply

Back to top button