Analiza

SHBA është duke vepruar gabim me Irakun

Screen Shot 2015-03-23 at 12.29.29

Nga Rula Jebreal

Forcat irakiane duket se po i afrohen ngadalë një fitoreje të rëndësishme taktike kundër ISIS-it. Por ndërsa ato po përparojnë, në përpjekjet e tyre për të rimarrë qytetin e Tikrit nga kryengritësit e Shtetit Islamik, ka një çështje të rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj duhet ta trajtojnë: A mundet realisht kjo fitore të dëmtojë strategjinë e vetme të qëndrueshme për garantimin e stabilitetit të Irakut?

E vërteta është se fitoret taktike afatshkurtra nuk do të jenë të mjaftueshme për të mposhtur ISIS-in. Madje mbështetja ndaj milicisë shiite të përkrahur nga Irani, ka gjasa të përkeqësojë tensionet me popullsinë lokale, kryesisht sunite. Në fakt, deri tani përbërësi vendimtar i luftës në terren, ka qenë shumë i varur nga milicia shiite, mbi të cilën janë mirëdokumentuar një rekord rastesh dhune sektare. Për pasojë, përfshirja e tyre kërcënon të hedhë edhe më shumë sunitë të Irakut në krahët e ISIS-it.

Gjenerali amerikan Martin Dempsej, kreu i Shefave të Përbashkët të Shtabit, ka deklaruar se përfshirja e këtyre grupeve “do të jetë problematike, nëse rezulton në sektarizëm”. Por, bazuar në përvojën e kaluar, shumë vendas kanë lënë të kuptohet se janë më shumë të frikësuar nga “çlirimtarët” e tyre, sesa nga ekstremizmi vicioz i ISIS-it, që ka sunduar qytetet e tyre gjatë 8 muajve të fundit. Historikisht, Iraku nuk e ka patur përherë të nevojshme milicinë shiite nën komandën e Iranit, për të luftuar ekstremistët sunitë. Al-Kaeda u përjashtua nga Iraku i veriut në vitin 2007, kur sundimi i saj i ashpër shkaktoi kundërshtimin e liderve fisnorë, të cilët kishin mbështetur fillimisht kryengritjet anti-amerikane, duke bërë që ata të kenë një kauzë të përbashkët me SHBA, në atë që u bë e njohur si lëvizja “Zgjimi”.

Për fat të keq, pasi qëllimi u arrit, Bagdadi e suprimoi lëvizjen, duke tradhëtuar premtimin për integrimin e sunitëve në ushtrinë kombëtare dhe politikë, dhe në vend të saj arrestoi dhe vrau udhëheqësit e saj, së bashku me

përfaqësuesit sunite të zgjedhur në parlament. Shtetet e Bashkuara patën një qasje tjetër, duke e konsideruar këtë si një çështje politike “të brendshme”.
Kjo e inkurajoi kryeministrin Nuri al-Maliki të zgjerojë fushatën e tij të spastrimeve të përfaqësuesve të zgjedhur sunitë, dhe të arrinte që pas zgjedhjeve të vitit 2010, të formonte një koalicion qeverisës, pavarësisht se partia e tij mori më pak vota sesa blloku rival që përfshinte shumë udhëheqës sunitë.

Këto veprime e minuan punën që Shtetet e Bashkuara kishin bërë deri atëherë, për të bindur sunitët e Irakut se lufta kundër Al-Kaedës dhe pjesëmarrja në ato zgjedhje ishte mënyra më e mirë për të çuar përpara interesat e tyre. E thënë thjesht, veprimet e Al-Malikit ishin një tallje e hapur me mirëbesimin e sunitëve tek sistemi zgjedhor apo qeveria kombëtare. Ajo shkaktoi mënjanimin e sunitëve nga përfaqësimi politik dhe në organet e pushtetit, çka i mundësoi pasardhësin e Al-Kaedës, ISIS-it, të rrikthehet përsëri tek ato komunitete.

Frika në rritje në mesin e shumë sunitëve është përforcuar nga deklarata e kryeministrit Haider al-Abadi në parlament, se çdo iraken që zgjodhi të qëndrojë neutral, efektivisht e kishte përafruar veten me ISIS-in. Një kritikë kjo, që krijon një atmosferë të tillë që rrit dhunën ndaj sunitëve të zakonshëm, shumë prej të cilëve ndihen të mbërthyer, ndërmjet ekstremistëve dhe një qeveri shiite, e cila i ka shtypur në mënyrë sistematike dhe tjetërsuar ata.

Dhe padyshim ISIS-i ka ditur të fitojë kapital në mjedisin tolerant të krijuar nga një tjetërsim i tillë, i cili vazhdon pavarësisht se administrata Obama e ka bindur veten e vet, se Al-Abadi do të dëshmohet të jetë më gjithëpërfshirës, sesa paraardhësit e tij nga e njëjta parti shiite.

E gjitha kjo sugjeron se përvoja e “Zgjimit”, e cila tregoi se irakianët sunitë do të refuzonin ekstremistët e dhunshëm, nëse besojnë se do të kenë një trajtim më të drejtë nga qeveria qëndrore, një akt ky si kurrë më parë jetik për perspektivën e mundjes së ISIS-it. Por rezultati duhet të jetë i ndryshëm nga “Zgjimi” i fundit.

Sunitëve të gatshëm për të luftuar ISIS-in duhet t’u jepet kontroll mbi punët e veta në veriun e Irakut, në mënyrë që aspiratat kurde të plotësohen. Alternativa tjetër, përmes mbështetjes tek forcat sektare për të përzënë ekstremistët,

ka më shumë gjasa të sigurojë kthimin e tyre, sesa ta parandalojë atë.
Ndërtimi i një rendi të ri politik në Irak, që ofron perspektivën e stabilitetit të qëndrueshëm, dhe përparimit do të kërkojë kompromis, jo vetëm në mesin e irakianëve, por edhe ndërmjet sponsorëve rajonalë ndaj fraksioneve të pretenduara. Iraku është shndërruar në një fushëbeteje kyçe në luftën rajonale mes kampeve të udhëhequra nga Irani dhe sauditët.

Krijimi i një rendi politik të aftë për të stabilizuar Irakun do të kërkojë ndërkaq një siguri të re, si dhe një “ujdi të madhe” të negociuar midis aktorëve kyç. Fitoret taktike afatshkurtra, nuk do të shkaktojnë humbjen e ISIS-it, dhe përfshirja e milicive me shumë gjasa do të forconte Shtetin Islamik.

Realiteti është se në fund të fundit, vetëm një marrëveshje politike, që garanton përfshirjen e Irakut sunit, barazi dhe mbrojtje, një pakt që zbatohet edhe nga Irani dhe milicia e tij aleate e Irakut, mund të zgjidhë problemin ISIS. Dhe deri kur të gjitha palët e interesuara do te jenë të gatshme të negociojnë një mënyrë të re të të jetuarit së bashku, Iraku ka të ngjarë të mbetet një fushëbetejë, ku Shtetet e Bashkuara, do ta gjejnë pa dashje veten në rolin e atij që përforcon dhe jo zgjidh problemin./ CNN”/

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button