Analiza

SHBA, frikë nga një “Pearl Harbour” në hapësirë

TOSHIKI YAZAWA

U

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Leon Panetta ka paralajmëruar vazhdimisht për një “Pearl Harbor” të dytë kohët e fundit, duke përmendur goditshmërinë e Amerikës nga sulmet kibernetikë prej Kinës. Në fakt, Kina është duke zgjeruar tashmë objektivat amerikanë për sulmet e vet kibernetikë, që deri më tani janë përdorur kryesisht për të vjedhur sekrete korporatash që lidhen me industritë bërthamore, atë të çelikut e të tjera.

Sipas një studimi të Kongresit amerikan, sistemet e kontrollit të disa satelitëve artificialë amerikanë që janë përgjegjës për kontrollin e trafikut ajror dhe sistemet e pozicionimit global (gps) kanë pësuar valë të tëra sulmesh kibernetikë që besohet se e kanë origjinën në Kinë.

Nëse SHBA qëndron duarlidhur, funksionet kryesorë të ushtrisë amerikane, si ata të zbulimit dhe sistemeve të alarmit, mund të paralizohen për shkak të sulmeve të befasishëm.

Administrata e presidentit Obama ka bërë padi kundër pesë kinezëve në muajin maj, për përfshirje në sulme kibernetikë të një njësie në Ushtrinë Clirimtare të Kinës. Ky veprim i SHBA reflekton një rritje të ndjesisë së frikës për një Pearl Harbour të dytë, sic ka deklaruar Panetta. Ky i fundit ka qenë në krye të Pentagonit në administratën Obama, nga viti 2011 deri në 2013.

Sipas medias kineze, Presidenti Xi Jinping urdhëroi forcat ajrore në prill që të rrisin kapacitetet e sulmit dhe mbrojtjes, duke përfshirë edhe ata hapësinorë, duke nxitur integrimin e politikave të mbrojtjes dhe atyre hapësinore. SHBA është veçanërisht e alarmuar nga një sistem kinez armatimi, i projektuar që të shkatërrojë satelitë spiunë duke përdorur raketa balistike.

Në një test që shkaktoi shpërndarjen e mbetjeve në hapësirë, Kina shkatërroi me sukses një satelit me anë të një rakete balistike në janar 2007. Mendohet se që atëherë Kina e ka përmirësuar shumë saktësinë në shënjestrim.

Një zyrtar i lartë amerikan e përshkroi sistemin kinez të armatimit si një prej rreziqeve më të mëdhenj ndaj ushtrisë së SHBA. Një numër gjithnjë në rritje ekspertësh thonë se Kina, për shkak të aftësive në vjedhje informacionesh, tashmë ia ka kaluar SHBA në prodhimin e bombarduesve të rinj supersonikë, të cilët është e vështirë t’i kapë radari. Ky mendim i ka shtuar benzinë zjarrit të shqetësimeve në Kongresin amerikan.

Ajo që e shqetëson edhe më shumë SHBA në fushën hapësinore dhe ushtarake është Rusia, me të cilën Amerika është mbërthyer tashmë në një konfrontim gjithnjë e më të thellë për shkak të Ukrainës. Administrata Obama është e fokusuar tek asteroidet, si shënjestra më e afërt në planet e eksplorimit hapësinor. Por kjo politikë është e pambështetur jo vetëm në vend, por edhe në nivel ndërkombëtar. Në fakt, Agjencia Hapësinore Europiane tani po kërkon marëdhënie më të ngushta me Kinën, Indinë dhe tregje të tjerë në zhvillim. Kina dërgoi me sukses një anije kozmike në Hënë, ndërkohë që India nisi me sukses një anije kozmike në Mars.

NASA dëshiron që të mbajë Britaninë, Gjermaninë, Francën dhe Japoninë në një “vathë” me SHBA. Në janar, NASA bëri të ditur vendimin e saj për të zgjatur me të paktën katër vite misionin e Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar. Sipas marrëveshjes mes shteteve që marrin pjesë në këtë stacion, që përfshin edhe Japoninë dhe vende europianë, misioni duhej të përfundonte në 2020-ën.

John Sheldon, një ish diplomat britanik me shumë njohuri në çështje të politikave hapësinore ndërkombëtare, tha se NASA vendosi të zgjasë misionin e stacionit hapësinor për të mos lejuar Kinën që të luajë një rol udhëheqës në projektet ndërkombëtarë të eksplorimit të hapësirës.

Ndërkohë, zëvendës kryeministri rus, Dmitry Rogozin zbuloi disa plane “hakmarrës” ndaj SHBA në muajin maj, si përgjigje ndaj sanksioneve ekonomikë që pasuan krizën e Ukrainës. Këto masa përfshijnë ndalimin e furnizimit me motorrë rusë të raketave amerikane që përdoren për qëllime ushtarake. Rusia kërcënoi gjithashtu se do i japë fund bashkëpunimit për projektin e stacionit hapësinor, duke shtuar se është e pasigurtë pjesëmarrja e saj në projekt pas vitit 2020.

Ajo që alarmon më shumë SHBA është partneriteti mes Kinës dhe Rusisë, që po forcohet në fushën hapësinore.

Kina dhe Rusia në fakt po bashkëpunojnë në forume ndërkombëtarë si Konferenca e Carmatimit e OKB në Gjenevë, për të parashtruar propozimet e tyre për rregulla të reja në përdorimin ushtarak të hapësirës. SHBA po përpiqet që të mbajë në anën e saj Australinë, Kanadanë, Britaninë dhe të tjerët. Po kështu, Amerika po përpiqet të forcojë bashkëpunimin me Japoninë në këto fusha.

Por SHBA dhe Japonisë u duhet të bëjnë më shumë përparim në fushën shumë të rëndësishme të bashkëpunimit për mbrojtjen raketore, sipas një burimi që ka njohuri për marrëdhëniet dypalëshe. Vendet europianë përveç Britanisë nuk duan një varësi të madhe nga SHBA, kështu që atyre u duhet të bëjnë kujdes për ekuilibrin mes SHBA nga njëra anë, dhe Kinës e Rusisë nga ana tjetër.

Një rënie e fuqisë së SHBA është e pashmangshme, për shkak të ngjitjes së Rusisë dhe Kinës. Konfuzioni për politikat ushtarake dhe hapësinore të Amerikës mund të thellohet. Në vitet ’50 dhe ’60 të shekullit që kaloi, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik ishin mbërthyer në një garë të fortë për zhvillimin hapësinor, duke kryer teste të shkatërrimit të satelitëve. Tensionet e pakuptimtë vazhduan mes Lindjes dhe Perëndimit, për çështje të mbrojtjes raketore, por edhe të tjera.

Një situatë e re e ngjashme me Luftën e Ftohtë duket se po afrohet në hapësirë, për shkak të dy ndryshimeve në dinamikën gjeopolitike: rritjes së fuqisë së Kinës dhe krizës së Ukrainës.

Ka një mundësi që bashkëpunimi ndërkombëtar për përdorimin paqësor të hapësirës të zhduket fare, në mesin e një vale mosbesimi reciprok mes SHBA nga njëra anë, dhe Kinës e Rusisë nga ana tjetër./Asian Review/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button