Analiza

SHBA-GJERMANI. Moment i keq për aleatët

Merkel_ObamaRoger Cohen

Ky mund të jetë momenti më i keq në marrëdhëniet gjermano-amerikane, që nga fundi i Luftës së Dytë. Helmi i skandalit të përgjimeve nga SHBA, në mungesë të një kërkese falje nga Uashingtoni, vazhdon të depërtojë në një shoqëri ku e drejta e privatësisë private është një vlerë themelore e formësuar përgjatë historisë.
Teksa fundi i ndarjes që Lufta e Ftohtë i bëri Europës tashmë ka cerek shekulli që ka kaluar, dhe imperativëve e dikurshëm strategjikë të kohezionit trans-Atlantik u ka ikur koha, theksi është vënë në vlerat e përbashkëta të Europës dhe SHBA, si një zamkë që i mban të bashkuar. Por, në rastin e Gjermanisë, ky argument nuk vlen më. Tashmë është shfaqur një hendek kulturor.
Përplasja e tre traumave – nazistët dhe më pas STASI në Gjermani dhe 11 shtatori në SHBA – e ka lënë secilën prej shoqërive me një vlerësim të ndryshëm për vlerën relative të privatësisë dhe lirisë personale nga njëra anë, dhe sigurisë nga ana tjetër. Ose të paktën kështu e perceptojnë njëri-tjetrin. Shumë pak gjëra ua risjellin në mendje të kaluarën e makthit gjermanëve, se sa zbulimi që të dhënat e tyre personale dhe bisedat në internet “thithen” nga të tjerë. Hidheni pas krahëve, thonë amerikanët, një prej kryekomplotuesve të 11 shtatorit kish jetuar në Hamburg. Të jesh fuqi botërore dhe fuqi rajonale, nuk është e njëjta gjë.
Një bisedë e nxjerrë tashmë, në të cilën Victoria Nuland, kryediplomatja amerikane për Europën, përdori fjalën “Fuck” për të përmbledhur ndjenjat e saj kundrejt Bashkimit Europian dhe përpjekjeve të tij për të bërë diplomaci në Ukrainë zemëroi kancelaren Angela Merkel, e cila përmes zëdhënësit të saj i quajti këto deklarata “absolutisht të papranueshme”. Merkel ndihet ende e zemëruar, e tradhëtuar dhe e poshtëruar prej përgjimit që NSA i kish bërë telefonit të saj. Kohët e fundit, ajo i tha një politikani shumë pranë saj se i mungon Xhorxh Bushi.
Marrëdhënie mes udhëheqëses më të fuqishme të Europës dhe presidentit Obama është e tensionuar. U nis keq, dhe nuk e mori veten asnjëherë. Obama nuk ishte i kënaqur që Merkeli refuzoi kërkesën e tij për të mbajtur një fjalim në Portën e Brandenburgut kur ishte kandidat në vitin 2008; Merkeli e konsideroi arrogante këtë ide, në fund të fundit Obama ende nuk ishte bërë president.
Ajo e urren retorikën e fryrë dhe mendon që Obama shumë premton, por pak realizon (Guantanamo, ndryshimi i klimës, Global Zero për bërthamoren). Obama ka dyshime të tijat: tërheqja e Gjermanisë në rastin e Libisë dhe recetat për masa shtrënguese ekonomike për Bashkimin Europian. Në cdo rast, ky është i pari president amerikan i pasluftës, për të cilin ndjenjat trans-atlantike janë më shumë të detyrueshme prej detyrës se sa të ndjera. Boshti i zhvendosur i diplomacisë amerikane drejt Azisë pasqyronte një zhvendosje të fuqisë, por edhe një prirje personale.
Ndoshta e gjithë kjo nuk është gjë e keqe. Për dekada të tëra, Gjermania ishte problem i Amerikës. Republika e pasluftës u ngrit nën mburojën amerikane. Teksa ajo marrëdhënie prindërore mori fund, sigurisht që do të kishte vështirësi. Kjo është Gjermania më e mirë që ka qenë ndonjëherë, e përparuar dhe në paqe me fqinjët. Një zyrtar i lartë më tha: “Eshtë Ok që nuk jemi më problemi. Po si mund të jemi zgjidhës problemesh, së bashku?”
Pikëpyetja qëndron e varur, teksa një Gjermani gjithnjë e më e fortë rishikon politikën e saj të jashtme dhe peshon zvarritjen e dëmit që shkaktoi skandali i përgjimeve. Javët e para të qeverisë së re të Merkelit janë shenjuar nga një ndryshim në retorikë, që tregon largim prej vetëpërmbajtjes. Joakim Gauk, presidenti i Gjermanisë, ka kritikuar ata që “përdorin fajin që Gjermania ndien për të kaluarën e saj, si mburojë për dembelizmin apo një dëshirë për t’u shkëputur prej botës”. Ai ka thënë se ka ikur koha e mosbesimit; tani ka ardhur koha për një përgjegjshmëri më të madhe të Gjermanisë.
Frank Valter Shtajnmajer, ministri i jashtëm, që ndodhet në Moskë këtë javë, ka paralajmëruar gjithashtu kundër një kulture të të qëndruarit mënjanë. Aktualisht po ndodh një rishikim tërësor i politikës së jashtme, që përfshin debate në qytete të ndryshëm. Si gjithmonë në Gjermani, ekuilibri mes forcës dhe butësisë është i brishtë. Por, peshorja ka anuar nga një Gjermani që nuk sprapset.
Mbetet për t’u parë se si këto fjalë do të transformohen në veprime. Dërgimi i disa ushtarëve gjermanë në Afrikë, ndihma për asgjësimin e armëve kimike siriane, një ringjallje e marrëdhënieve franko-gjermane, dhe politika e Stajnmajerit ndaj Ukrainës janë shenja fillestare. Do të ketë të tjera.
Nuk ka dyshim që është në interesin e Amerikës që të bashkëpunojë me Gjermaninë teksa shpaloset kjo përshtatje. Për këtë, duhet gjetur një rrugë përtej ftohjes aktuale. Stajnmajer ka paralajmëruar se humbja e besimit, sidomos mes të rinjve gjermanë, “nuk do të shërohet vetë”. Ai ka propozuar një forum transatlantik për të adresuar pyetjen se si ruhen të drejtat themelore civile në epokën e “big data”. Ai ka thënë se brezi i ri i gjermanëve duhet të rijoshet sërish prej lidhjes së fortë transatlantike.
Stajnmajer ka të drejtë. Por pavarësisht fjalëve të Sekretarit të Shtetit, Xhon Kerri, për një “rilindje” transatlantike, përgjigja e Uashingtonit ka qenë irritues për Gjermaninë. Një intervistë e Obamës për një televizion gjerman nuk ndihmoi. Plaga është nënvlerësuar. Në Gjermani, kanë filluar të thonë se amerikanët nuk dëgjojnë, ata thjeshtë përgjojnë.
nju jork tajms

Leave a Reply

Back to top button