Analiza

GARA HAPESINORE 1 / SHBA-Rusi, rikthim në “Luftën e Yjeve”

Moska njofton se do të dërgojë një njeri në hënë në vitin 2029, ndërsa 60 vjet pas Luis Armstrongut, Uashingtoni synon planetin Mars. Ndërsa Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar rrezikon të çmontohet

Nga Anna Zafesova

Screen Shot 2015-04-18 at 11.54.25 AM

Rusët duan Hënën. Shefi i Agjensisë Kombëtare të Hapësirës, Igor Komarov njoftoi dje se në vitet 2029-2030 rusët do të arrijnë atë për të cilin patën dështuar në vitet ’60 të shekullit të shkuar, duke shkelur në satelitin e Tokës.

Dhe ndërkohë, që këtë vit, Rusia do të duhet të fitojë “pozita udhëheqëse” të eksplorimit të Hënës dhe Marsit, ky i fundit deri më tani thuajse një ekskluzivitet i plotë i amerikanëve. Gara hapësinore është rikthyer, si një përbërës i detyrueshëm i një Lufte të Ftohtë. Në vitin 2024, Rusia ka në plan të “ndahet” nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, që do të duhej të shënonte fillimin e epokës së bashkëpunimit, dhe rikthyer tek modulet vetjake hënore, satelitët, stacionet dhe në fund fluturimet në Hënë.

Ky do të jetë vetëm fillimi, i një zgjerim të ri territorial të Rusisë:”Do të shkojmë në Hënë për të qëndruar atje përgjithmonë”- premtoi një vit më parë zv.kryeministri rus Dimitri Rogozin, njëherazi përgjegjës për industrinë ushtarake dhe atë të hapësirës ajrore.

Telashet e super-raketës

Nuk është rastësi, që kolonizimi hënor që iu propozua publikut për herë të parë, disa ditë pas aneksimit të Krimesë, dhe Rogozin – ish-udhëheqës i një partie ultra-nacionaliste – ka folur mbi këtë çështje si një domosdoshmëri “shpirtërore” për një komb që nuk do të donte të kishte më kufij (dhe që në vitin 2030, mund të ketë ende të njëjtin president).

Megjithatë zv.kryeministri, u detyrua të ridimensiononte ëndrrat e tij disa muaj më parë, duke pranuar se më parë “duheshin bërë mirë llogaritë”. Por tanimë që kriza ekonomike në pamje

të jashtme e ka kaluar pikën kritike, programi hënor është çuar në tavolinën e Vladimir

Putinit.

Hapi i parë do të jetë lëshimi në vitet 2024-2025, raketa e re super e rëndë Angara 5B, ende mjaft larg nga kolaudimi, dhe një numër dështimesh të testeve mbi raketat prototip, bëjnë mosbesues shumë ekspertë. Nisja është planifikuar nga kozmodromi Vostoçni, që po ndërtohet në Lindjen e Largët, pasi Moska vendosi që baza e marrë me qera në stepat e Kazakistanit, Baikonur, nuk mund të funksioninte përgjithmonë kështu.

Kozmodromi i ri

Por pikërisht kantieri i  Vostochnit ditët e fundit, është shndërruar në një çështje të nxehtë për Kremlinin. Pas Rogozin i pati raportuar Putinit, se pjesa më e madhe e punës kishte përfunduar, punëtorët nisën një grevë urie, për shkak se nuk po paguhen më. Në çatinë e kazermave, punëtorët shkruan “I dashur Putin V.V Na shpëto”. Duam të punojmë. Katër muaj pa rroga”.

Nga kantieri, që Putin urdhëroi të përfundojë në dhjetor, mbërrijnë lajme mbi trazira, grindje dhe punëtorë që po largohen. Një nga menaxherët e projektit, tashmë është arrestuar se nuk ka paguar punëtorët, por situata mbetet ende e tensionuar, në një kohë që punëtorët e mbetur kishin ndërmend të merrnin kontakt me presidentin, gjatë daljes së këtij të fundit në televizion, për një protestë publike. /Repubblica/ Bota.al

Leave a Reply

Back to top button