Histori

Shën Petersburg 1914: Dera për te një epokë tjetër

Ndërsa Europa po përgatitej të shpërthente në një luftë të përgjakshme shumëvjeçare, viti 1914 qe viti i fundit i Epokës së Bukur. Në Shën Petersburg jetonin krah njëri-tjetrit varfanjakët e panumërt dhe pasunarët e mëdhenj, dhe pati edhe një turne ndërkombëtar shahu…

Screen Shot 2015-07-04 at 09.59.55

Steve Rosenberg, BBC

Ndërsa lufta afrohej më 1914, kryeqyteti i Rusisë Shën Petersburgu qe skena e një madhështie perandorake dhe e varfërisë aty pranë, shpresave utopike dhe ogureve të tragjedisë së pritshme.

Nuk kam takuar kurrë dikë që të jetë më krenare për derën e saj të kuzhinës sesa Firuza Seidova. Në fakt, Firuza është kaq krenare për derën e saj në kuzhinën në Shën Petersburg sa më ftoi mua në apartamentin e saj në Liteini Prospekt për ta parë.

Jam këtu shumë herët në mëngjes – treni i natës nga Moska më ta sjellë në Shën Petersburg, qyteti është ende i errët dhe i përgjumur dhe jashtëzakonisht i ftohtë. Por në shtëpi, Firuza është e zgjuar plotësisht dhe shumë mikpritëse. Ajo më bëri mëngjesin gati – bukë e zezë me copa të trasha djathi dhe një filxhan me çaj të ngrohtë jeshil. Qemë ulur në tavolinën e kuzhinës së saj duke ngrënë buterbrodi – dhe duke parë derën e saj. Për të qenë i ndershëm, nuk duket sikur është një derë speciale. Panelet e vjetra të drurit kanë rënë. Ato janë plot me njolla dhe të gërvishtura. Nuk mund t’i shpëtoj mendimit se kanë nevojë për një shtresë të re boje.

Por kur Firuza fillon të tregojë historinë e apartamentit të saj, unë kuptoj se po flitet për shumë më tepër sesa për një derë të vjetër e të lodhur – ajo është një derë drejt të shkuarës së artë, te Shën Petersburgu i vitit 1914.

“Pas në atë kohë, të gjitha llojet e gjërave kaluan përmes kuzhinës sime”, thotë ajo. “Perandori Nikolas qe këtu, Sergei Prokofiev gjithashtu dhe disa nga më të famshmit në historinë e shahut”.

Firuza më tregon një fotografi të vjetër bardhë e zi të dy njerëzve të impenjuar në një lojë shahu. Menjëherë dalloj derën në sfond të fotografisë, është ajo e kuzhinës së Firuzës!

Njëqind vjet më parë, apartamenti i Firuza Seidovës qe zyra qendrore e Shoqërisë së Shahut të Shën Petersburgut. Dera e kuzhinës është e vetmja që ka mbetur nga dhomat origjinale – lidhja e vetme e mbijetuar me një shoqëri shumë intriguese.

Qe vera e vitit 1914. Për të festuar përvjetorin e dhjetë të vetin, Shoqëria e Shahut e Shën Petersburgut organizoi një turne për disa nga lojtarët më të mëdhenj të planetit. Jo të gjithë mund të merrnin pjesë në të. Yje shahu nga Austro-Hungaria refuzuan ftesën për shkak të tensioneve të paraluftës me Rusinë.

Pavarësisht kësaj, lista e konkurrentëve qe shumë mbresëlënëse.

Lojtari favorit qe nga Gjermania: kampioni botëror për 20 vitet e fundit, Emanuel Lasker – aq shumë elegant, lojtar frymëzues që shtypi i Shën Petersburgut e përshkroi si “poeti i tavolinës së shahut”.

Rivali i tij kryesor pak më vonë u përshëndet si “makina njerëzore e shahut”. Ai qe diplomati pompoz kubanez, Hoze Raul Kapablanka (Jose Raul Capablanca).

Nga Anglia mbërriti pijetari i rëndë Mankunian Xhozef Bllekburn (Mancunian Joseph Blackburne), i cili kishte nofkën “Vdekja e Zezë”. Nga Amerika erdhi takticieni më i mirë, Frank Marshall. Për të përfaqësuar Rusinë qe sulmuesi Aleksander Alekhine. Këta të gjithë hynë aty për të luftuar në apartamentin e Firuzës.

Për një muaj të plotë madhështor Europa duket se harroi se qe duke u rrokullisur në luftë dhe u fiksua te betejat në tabelën e shahut në Shën Petersburg.

Çdo lëvizje, çdo taktikë dhe kthesë në këtë turne madhështor u transmetua nëpër të gjithë kontinentin nga një ushtri reporterësh. Salla nuk qe aq e madhe sa të priste vizitorë. Një nga gazetarët u ankua se “ajri dhe i nxehti aty arrinte në nivelin e tropikut”.

Ja se si e përshkroi këtë mjedis gazeta Novoje Vremja:

“Spektatorët u vendosën ngushtë dhe pa ceremoni si sardele në një fuçi. Ata rrotullonin qafat; qëndronin në majë të gishtave të këmbëve apo edhe mbi karrige në mënyrë që të arrinin të shihnin lojën… dhe dhoma qe kaq e stërmbushur me tym duhani, qe si një morg ku ata po prisnin trupa”.

Megjithatë, ky mjedis mbytës, një ferr plot tym i një klubi shahu, ofronte një ndjenjë diçkaje speciale që po farkëtohej nga përplasjet intelektuale që po ndodhnin, diçka që kapërcente shahun, diçka që mund ta ndryshonte botën për mirë. Gazeta Kopeika parashikonte se në Shën Petersburg “loja fisnike e shahut” mundej “të promovonte idenë e paqes botërore”.

Në gazetën Rech, Emanuel Lasker shkoi edhe më tutje. Ai dukej sikur nënkuptonte se shumë konkurrentë po mendonin aq fort mbi lëvizjet e tyre në sha sa, diku përgjatë rrugës ata mund të mendojmë për një “set tërësisht të ri vlerash” për njerëzimin. Ky qe një mendim i rëndë dhe goxha ambicioz.

Por edhe “poetët e shahut” dhe “makinat njerëzore të shahut” kishin nevojë për pushim. Kështu, një ditë konkurrentët u qerasën me një xhiro nëpër Shën Petersburg. Dhe ata duhej ta shihnin këtë si ditën kur u ndien më së shumti si në shtëpi. Shën Petersburgu qe qyteti më kozmopolitan i Rusisë, një kryeqytet i krijuar posaçërisht për kryeqytet, për ta bërë Rusinë të dukej si Europë.

Pallatet qenë si ato që mund t’i gjesh në Francë, Itali apo Gjermani; kanalet qenë si të Amsterdamit apo Venecias. Edhe emri i qytetit, Sankt Petersburg, qe zgjedhur me qëllim nga Pjetri i Madh për të tingëlluar më shumë si në holandisht sesa në rusisht. Përgjatë shekujve, arkitektë, inxhinierë, ndërtues anijesh dhe dyqanxhinj kanë udhëtuar këtu nga e gjithë Europa, duke marrë pjesë në këtë projekt unik për perëndimorizimin e Rusisë.

Shumë nga vizitorët zunë rrënjë dhe bashkësi të huajsh u bënë pjesë e fabrikës së Shën Petersburgut. Më 1914, qyteti krenohej me kasapë gjermanë, bukëpjekës austriakë, dyqane ëmbëlsirash angleze. Në dyqanin më madhështor të ushqimeve gurmet të qytetit, Yeliseyev, mallrat reklamoheshin në rusisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

Pastaj kishte kinema, me emrat e tyre ekzotik josllav. Rruga kryesore e qytetit, Nevski Prospekt, qe përplot me kinema – Pallati i Kristalit, Majestic, Folies Bergere, të gjitha emra të huaj që sillnin ndër mend madhështinë europiane. Më 1914 një kinema e re u hap në Nevski, Parisiana. Ajo qe, në të gjitha kuptimet, një ndërtesë mbresëlënëse. Auditoriumi qe ndërtuar në stilin e Luigjit të Katërmbëdhjetë të Francës, me mure stukoje dhe me një palë shkallë monumentale gjithandej prej mermeri. Disa nga ballkonet e lozhave kishin edhe linjë telefonike private. Dhe çatia e kinemasë mund të hapej mekanikisht në mënyrë që të relaksoheshe, të shihje filmin dhe njëkohësisht yjet në qiell.

Parisiana simbolizonte gjithçka që Rusia dëshironte të qe më 1914 – një udhëheqës botëror, një superfuqi novatore, industriale, teknologjike dhe kulturore. Përpiqem të gjej Parisianën në Nevski Prospekt. Për fat të keq, nuk është më aty. Ajo është zëvendësuar nga një dyqan suedez rrobash. Megjithatë, supozoj se edhe pulovrat, çorapet dhe recipetat suedeze mbajnë gjallë traditën e Shën Petersburgut që përpiqet të përqafojë Europën.

Filloj të bëj muhabet me një roje sigurie te dyqani i veshjeve. Ai më thotë mua se një kinema e vjetër që ka mbijetuar gjendet pak më tutje. Një korridor i ngushtë me tavan të harkuar më shpie drejt një kopshti të brendshëm dhe aty gjendet kjo – një bizhuteri e fshehur e historisë së kinemave të Shën Petersburgut. Që nga koha e komunizmit, kjo strukturë gjysmërrethore me kolona klasike është njohur si Aurora – në nder të anijes ushtarake që, sipas legjendës, qëlloi predhën e parë të Revolucionit të Rusisë.

Por emri origjinal i kinemasë qe Piçadilly. Ajo gjithashtu, qe e sapondërtuar më 1914 dhe, njësoj si Parisiana, qe konceptuar si një pallat i kushtueshëm për filma. Brenda unë zbuloj hollin më madhështor të një kinemaje që unë kam parë ndonjëherë, me vazo gjigante kineze dhe afresko-elegante.

Nëse hollet spektakolare të kinemave të Shën Petersburgut më 1914 projektonin një stuhi vetëbesimi, një vend të përmbytur nga paratë dhe ambicia, vetë filmat tregonin një histori të ndryshme. Atë vit, filmat pa zë të Rusisë qenë të fiksuar me shkatërrim dhe dhunë.

Në filmin Jeta në Vdekje, një mjek është kaq i interesuar të ruajë bukurinë e bashkëshortes së tij sa e vret atë për të balsamosur trupin e saj. Dhe te Flmi Fëmija e Qytetit të Madh, regjisori Jevdeni Bauer parashikon shpërbërjen e shoqërisë së Rusisë. E dëshpëruar për t’u arratisur nga ekzistenca e saj si punonjëse fabrike, hekurosësja Marie josh një zotëri të pasur të quajtur Viktor. Ajo pastaj ia than të gjitha paratë dhe e hedh pa asnjë grosh në xhep në rrugë. Viktor vret veten.

Pasi sheh trupin e tij të pajetë, Maria zemërgur citohet duke thënë, “mirë pra, ata thotë se nëse takon një burrë të vdekur, kjo të sjell shumë fat”. Ajo kalon përsipër trupit të tij dhe nuk sheh kurrë pas.

Në shumë mënyra, ekrani i madh reflekton realitetin e errët të Shën Petersburgut të vitit 1914. E vërtetë, ky qe një qytet bollëku, ku mund të blije gjithçka, nga shurupi i panjës te palltot e bëra me gëzof kanguri. Por ai qe gjithashtu një vend varfërie pa fund për shumë punëtorë, shtëpive të varfra, kushteve rrëqethëse sanitare dhe sëmundjeve të gjithëpërhapura.

Norma e vdekshmërisë në Shën Petersburg qe më e larta mes të gjitha kryeqyteteve në Europë. Norma e vetëvrasjeve qe në rritje gjithashtu. Dhe ai qe një qytet i dhunshëm. Një rritje dramatike në krimin e rrugës sugjeronte një armiqësi në rritje mes klasave shoqërore.

Shtypi vendës ankohej për një fenomen të ri shqetësues, “huliganizmi”. Ata nuk dinin gjë që në Rusinë e Vladimir Putinit, bandat muzikore femërore dhe aktivistët e Greenpeace do të akuzoheshin 100 vjet më vonë pikërisht për këtë krim.

Kishte greva nëpër fabrika, arrestimet e të dyshuarve për revolucionarë. Më shumë se çdo gjë, kishte një ndjenjë katastrofe që pritej të mbërrinte.

Më 19 maj, Shën Petersburgu u pushtua nga pilivesat, një infektim acarues me përmasa biblike – qielli, rrugët dhe lumi Neva u mbushën me insekte… shumë në qytet e panë këtë si një ogur i keq i tmerrshëm

Ky qe një qytet shumë i ndryshëm nga pikërisht qyteti ku yjet luajtën shah në turneun e vitit 1914 – ata shijuan koncerte, bankete luksi të ekzagjeruar dhe u prezantuan me gota vere të praruara me arë të prodhuara posaçërisht nga Faberge. Të mbyllur në flluskën e tyre intelektuale, lojtarët mund të kishin mendime të mëdha mbi ndryshimin e botës. Por jashtë, bota po ndryshonte gjithsesi, dhe nuk qenë mjeshtërit e shahut ata që po i jepnin formë të ardhmes.

Një javë para mbërritjes së pilivesave, Lasker u shpall kampioni i shahut të Shën Petersburgut. Atë verë, pati edhe një garë tjetër ndërkombëtare shahu, në Manheim, Gjermani. Aty morën pjesë 11 lojtarë nga Perandoria e Rusisë.

Në këtë kohë, gjithsesi, shumë pak njerëz besonin në fuqinë e shahut për të ndryshuar botën. Pas raundit të 11 në turneun e Manheimit, Gjermania i shpalli luftë Rusisë. Të gjithë lojtarët rusë u arrestuan dhe u burgosën, përfshirë kampionin e ardhshëm të botës, Alekhine. Më vonë ai u dënua me izolim për shkak se i buzëqeshi një roje.

Në përgjigje ndaj shpalljes së luftës, Cari Nikolai i Dytë e riemëroi kryeqytetin e tij. Papritur “Sankt Petersburgu” tingëllonte tepër gjerman dhe qyteti u bë Petrograd – shumë më tepër rus. Natyrisht makthi rus i Shekullit të Njëzetë qe thjesht duke filluar. Lufta botërore do të sillte një revolucion dhe një luftë civile të përgjakshme.

Por ajo që unë gjej më mbresëlënëse nga Shën Petersburgu i 1914 është se ky qe momenti i madh i qytetit në histori – në prag të një ndryshimi kataklizmik – kur Rusia arriti kulmin e vet krijues. Kur artistët dhe kompozitorët përcaktuan gjithçka që ndodhte, duke eksperimentuar si kurrë më parë me fjalët, tingujt dhe ngjyrat.

Shumë nga shkrimtarët më prodhimtarë të Rusisë dhe poetët kishin tendencën të rrinin te Kafeja e Qenve të Rrugës në Shën Petersburg – një sallon artistik në një bodrum ku mund të qëndronin të gjithë natën duke recituar poezitë e tyre dhe të debatonin mbi artin dhe politikën. Revolucioni i Rusisë do të shkatërronte pak më vonë shumë prej tyre. Mandelstam vdiq në kampet e burgosjes sovjetike Tsvetaeva and Majakovski kryen vetëvrasje.

E ulur në tavolinën e kuzhinës së saj, në atë që qe dikur Shoqëria e Shahut e Shën Petersburgut, Firuza Seidova ka një shpjegim të thjeshtë për të gjithë këtë shpërthim të krijueshmërisë, që parapriu katastrofën e Rusisë.

“Ndodh e njëjta gjë me lulet e shtëpisë, kur unë nuk kujdesem për to siç duhet”, thotë ajo duke bërë me shenjë nga vazot te parmaku i dritares.

“Kur lulet ndiejnë se po vdesin, ato përpiqen të lulëzojnë edhe një herë të fundit”.

Shën Petersburgu

Qyteti u themelua nga Cari Pjetri i Madh në fillim të shekullit të 18 si një port detar dhe kryeqytet i ri i Rusisë (duke zëvendësuar Moskën)

Pallati i Dimrit u bë rezidenca zyrtare e monarkëve të Rusisë nga viti 1730 derisa u pushtua gjatë revolucionit të vitit 1917

I njohur në rusisht si Sankt Petersburg, emri i qytetit u ndryshua në Petrograd më 1914, pastaj më vonë në Leningrad pas vdekjes së Leninit më 1924 dhe sërish në Sankt Petersburg më 1991

Rastësia

Më 19 maj, Shën Petersburgu u pushtua nga pilivesat, një infektim acarues me përmasa biblike… shumë në qytet e panë këtë si një ogur i keq i tmerrshëm./Shqip

Leave a Reply

Back to top button