Analiza

Shërbimet e fshehtë rusë: Paranojë, rrëmbime dhe vrasje

PJESA E DYTE

Russ secret serviceMe 3 qershor të 2006, një Chevrolet Tahoe që kishte 5 diplomatë rusë në bord ju pre rruga nga një minivan dhe një berlinë rreth 400 metra nga ambasada ruse në lagjen luksoze Mansour të Bagdadit. Njerëz të armatosur sulmuan makinën e diplomatëve. Njëri prej tyre, Vitaly Titov, u plagos rëndë dhe vdiq të nesërmen. Katër të tjerët u kidnapuan. Me 19 qershor, një grup rebelësh irakenë kërkuan që trupat ruse të largoheshin nga Çeçenia dhe të lironin të gjithë të burgosurit myslimanë në Rusi brenda 48 orësh, përndryshe diplomatët do të ekzekutoheshin. Me 25 qershor, terroristët shpërndanë një video të pengjeve që tregonte një njëri që i pritej koka dhe një tjetër të qëlluar për vdekje, ashtu si dhe trupin e një të treti. Të nesërmen Rusia konfirmoi se të katër diplomatët kishin vdekur.

Me 28 qershor Vladimir Putin urdhëroi shërbimet sekrete të Rusisë që të gjenin dhe vrisnin rebelët përgjegjës për kidnapimin dhe vrasjen e punonjësve të ambasadës ruse në Irak. Patrushev, Drejtori i FSB-së, deklaroi se shërbimet speciale do të bënin gjithçka të mundur për t’i eliminuar terroristët. “Ne do të sigurojmë që çdo terrorist që ka kryer krim nuk do t’i shmanget përgjegjësisë”, tha ai. “Ky nuk është një mision i rastësishëm. Është në logjikën e asaj që bëjmë”. Me fjalë të tjera, hakmarrja është ajo që modelon kuptimin e antiterrorizmit të shërbimeve sekrete të Rusisë. Disa muaj më pas, forcat amerikane kapën kidnapuesin kryesor – një komandant i supozuar i lartë i al Qaedas i njohur si Abu Nur – dhe ia dorëzoi atë autoriteteve irakene. Por vrasjet i dhanë Vladimir Putinit një pretekst për të propozuar legjislacion të ri, duke lejuar operacione të reja dhe më vdekjeprurëse jashtë vendit. Përveç synimeve hakmarrëse, operacione të tilla janë bërë mjete të ndryshimit të politikave dhe të sjelljeve të vendeve që nganjëherë kanë siguruar vendqëndrime të sigurta për armiqtë e Rusisë. Megjithëse u paraqit në lajme si një reagim emocional ndaj vrasjes së diplomatëve, politika e Rusisë për kryerjen e vrasjeve jashtë vendit ka qenë duke u përgatitur prej disa kohësh. Duma ka kaluar muaj në diskutimin e një iniciative ligjore që do t’i lejonë FSB-së të vriste terroristë në territor të huaj. Sipas Mikhail Grishankov, një zëvendëskryetar i Komitetit të Sigurisë në Dunë, projektligji i parë u paraqit në Dumë në mars të 2006, tri muaj përpara vrasjes së diplomatëve në Bagdad. Pothuajse një javë pas thirrjes së Putinit për hakmarrje në Irak, të dyja e dhomat e Parlamentit i miratuan vrasjet jashtë vendit nga ana e agjencive të inteligjencës.

Republika e rrënuar e Abkhazisë dukej se qe objektivi i parë pas miratimit të ligjeve. Khamzat Gitsba, i mbiquajtur “Rocky” për shkak të përkushtimit të tij ndaj boksit – është bërë një hero lufte abkhazian gjatë konfliktit Gjeorgji – Abkhazi në periudhën 1992–1993. ai i qe bashkuar një batalioni islamistësh çeçenë që hynë në betejë në anën abkhaze gjatë luftës. Më vonë, ai qe një prej terroristëve që kapën pengje rusë dhe turistë të huaj në tragetin Avrasia në ujërat turke në janar të 1996. Në një moment të caktuar pas 2000, Gitsba u kthye në Abkhazi për të marrë drejtimin e një grupi radikal mysliman në rajon. Me 17 gusht të 2007 ai u qëllua për vdekje në qendrën e qytetit të vogël Gudauta, i vrarë me automatik përpara një xhamie nga dy vrasës qëe prisnin hipur në një Chrysler. Një orë më vonë, Chrysler u gjend i djegur. Policia vendore përcaktoi se makina që kishte udhëtuar përgjatë kufirit ruso – abkhaz në lumin Psou pak ditë përpara vrasjes. Video kamerat në doganat abkhaze i identifikuan targat e Chrysler, por për shkak se Abkhazia nuk i mban regjistrimet e të gjithë atyre që futen në republikë, identitetet e shoferëve qe e pamundur të provohej. Autoritetet abkhaze ju drejtuan policisë kufitare ruse, por media moskovite raportoi se rusët u përgjigjën që një makinë e tillë kurrë nuk e kish kaluar kufirin. Pothuajse në të njëjtën kohë, një valë vrasjesh çeçenesh ndodhi në Azerbajxhan. Rebelizmi çeçen praktikisht u shfaros gjatë luftës së tij të dytë me Rusinë dhe Çeçenia tani qeveriset nga një autokrat mik i Moskës, Ramzan Kadyrov. Megjithatë, agjencitë e inteligjencës ruse dhe skuadronte e Kadyrov përndjekin akoma energjikisht çdo çeçen që ata e dyshojnë për aktivitete antiMoskë.

Në fillimet e 2007, Këshilli i Refugjatëve Çeçenë në Azerbajxhan i dërgoi një apel UNHCR-së, duke raportuar se situata për refugjatët çeçenë në Azerbajxhan qe “përkeqësuar seriozisht”, veçanërisht si rezultat i “kërcënimeve ndaj sigurisë personale të qytetarëve tanë që vijnë në këtë vend në kërkim të strehimit dhe mbrojtjes”. Këshilli u referohej incidenteve që përfshinin “rrëmbimin e njerëzve”, duke cituar rastin e Ruslan Eliev, i cili u zhduk në Baku në nëntor 2006. Në mars të 2007, kufoma e tij u gjet në Çeçeni afër fshatit Samashki. Në nëntor, Imran Gaziev, Zëvendësshefi i Zyrës Përfaqësuese të Republikës Çeçene të Ishkerisë në Azerbajxhan që nuk njihet nga vendet, u vra në kryeqytet. Një vrasës e qëlloi Gaziev teksa po dilte nga makina e tij. Në vitet 2008 dhe 2009 një seri vrasjesh çeçenësh ndodhën në Turqi. Në shtator 2008, Gaji Edilsultanov, një ish komandant çeçen forcash terreni, u qëllua për vdekje në një rrugë në zonën Başakşehir të Stambollit. Tri muaj më pas, me 10 dhjetor 2008, ish shefi ushtarak çeçen Islam Janibekov gjithashtu u vra në Stamboll, përpara gruas dhe fëmijëve të tij. Ai mori tri plagë zjarri në kokë dhe vdiq në vend. Revista ruse Spetsnaz, e cila ka lidhje të ngushta me forcat e operacioneve speciale ruse, supozoi se Janibekov kërkohej nga autoritetet ruse për sulmet terroriste në qytetet Yessentuki e Mineralnye Vody dhe në republikën Karaçaj – Çirkase në fillimin e viteve 2000. Musa Atayev, i njohur gjithashtu si Ali Osaev, një tjetër rebel çeçen, u vra në Stamboll me 26 shkurt 2009. Këto vrasje në dukje nuk qenë vetëm për të reduktuar mbështetjen ndaj rebelizmit çeçen jashtë, por gjithashtu edhe për të ndryshuar politikën e vendeve ku këta rebelë – të konsideruar “armiq të shtetit” – qenë strehuar. Strategjia ka rezultuar efektive. Gjatë viteve Nëntëdhjetë dhe fillimit të viteve 2000s, autoritetet azerbajxhanase i kishin toleruar militantët çeçenë në territorin e tyre dhe kishin lejuar që një zyrë çeçene të operonte në Baku. Por në mesin e viteve 2000, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Azerbajxhanit çuditërisht janë përmirësuar dhe burime në Ministrinë e Brendshme të Rusisë konfirmojnë ekzistencën e një marrëveshje me agjencitë azerbajxhanase të ruajtjes së rendit që lejon aksione nga njësitë e inteligjencës ruse dhe kalim të lirë kufitar. (Kur u botua fillimisht ky informacion në dhjetor të 2007 në gazetën moskovite Novaya Gazeta, nuk u bë asnjë mohim nga ana e Rusisë apo Azerbajxhanit). Shumë refugjatë çeçenë kanë gjetur azil në Turqi, pjesa më e madhe në Stamboll, dhe shërbimet sekrete ruse prej kohësh e kanë akuzuar Turqinë pse po u jep mbështetje rebelëve çeçenë. Dukshëm, vrasjet në Stamboll nuk i dëmtuan marrëdhëniet ruso – turke dhe në vitin 2010 Turqia nënshkroi një marrëveshje për heqjen reciproke të vizave me Rusinë.

Paranojë e ngulitur thellë

Masa e dokumentave të WikiLeaks “CableGate” përmbante një mesazh të dërguar Washington nga ambasada amerikanë në Moskë përpara një vizite në Moskë të Drejtorit të FBI-së me 9 nëntor 2009. Në telegram, ambasadori John Beyrle i përshkruante drejtuesit e shërbimeve sekrete ruse si “kundërshtarët më me influencë të axhendës së angazhimit”— politikës “reset” të Administratës Obama ndaj Rusisë. Shefat e inteligjencës ruse, nënvizonte Beyrle, “tentonin drejt një mentaliteti Lufte të Ftohtë, që i shikon Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre që synojnë ta minojnë Rusinë dhe kanë bërë akuza publike në këtë drejtim”. Të paaftë për ta çliruar veten nga ky mentalitet thellësisht i ngulitur prej KGB-je, shërbimet sekrete ruse mbesin të kyçur në të kaluarën, duke shfaqur në mënyrë të përsëritur të njëjtën paranojë ndaj Perëndimit që shënonte dekadat e konfrontimit të Luftës së Ftohtë.

Në të njëjtën kohë, afërsia e zyrtarëve të rangut të lartë të inteligjencës me Kremlinin – e paprecedent edhe kur krahasohet me kohën sovjetike – e bën të vështirë për liderët rusë që të arrijnë në ndonjë vlerësim të pavarur të informacionit të siguruar nga shërbimet sekrete. Me shpeshtësi gjithnjë e në rritje, kjo ka rezultuar në keqllogaritje dhe gabime në politikën e Kremlinit brenda dhe jashtë vendit kur përballen me armiqtë e Rusisë, reale apo të perceptuar si të tillë. E ndeshur me terrorizimin në Kaukazin verior, FSB-ja bën pretendime paranojave rreth përfshirjes së shërbimeve të inteligjencës perëndimore në aktivitetet e rebelëve islamistë vendas, duke e kompromentuar aftësinë e këtyre shërbimeve për të ndihmuar Moskën që të gjejë dhe ekstradojë militantë që janë arratisur nga Rusia. Si rezultat, shërbimet sekrete të Putinit kanë përqafuar vrasjet, duke e dëmtuar seriozisht reputacionin e Rusisë. Një dorë ruse tani dyshohet çdo herë që një opozitar i Kremlinit vritet jashtë vendit. Nëpërmjet angazhimit në beteja për të frenuar një kërcënim në pjesën më të madhe imagjinar të influencës perëndimore nëpër ish territorin sovjetik, shërbimet sekrete të Rusisë në mënyrë të përsëritur u kanë dhënë argumenta kritikëve të Kremlinit, të cilët deklarojnë një imazh njëlloj mitik të një “Rusie perandorake”. Në reagim të kësaj, Kremlini kërkon që t’u mbyllë gojën të gjitha kritikave ndaj shërbimeve sekrete në valën e dështimeve të tyre. Ky është një rreth vicioz, një rreth që praktikisht u jep liçencë, bile dhe mandaton, që FSB-ja dhe SVR-ja të adoptojnë politika akoma më aventureske dhe metoda akoma më brutale.

Përgatiti: ARMIN TIRANA

www.bota.al

Klikoni me poshte per Pjesen e Pare:

Shërbimet më sekrete të Rusisë
https://bota.al/2014/09/sherbimet-sekrete-te-rusise/
Kur Bashkimi Sovjetik ra, shumë vëzhgues prisnin që një gjë e tillë të ndodhte edhe me aparatet e sigurisë së tij. Në fakt, epoka passovjetike ka parë shfaqjen e një grumbulli organizatash inteligjence akoma më influence që dolën nga dy agjencitë fillestare sovjetike: KGB-ja, e cila kombinonte inteligjencën e brendshme dhe të jashtme, dhe GRU-ja, e cila menaxhonte inteligjencën ushtarake

Leave a Reply

Back to top button