Analiza

Shërbimi sekret dhe vendimmarrësi politik: Sekretet e një marrëdhënieje të vështirë

 

Sherman Kent dhe roli i inteligjencës në procesin e vendimmarrjes politike

Cili është raporti më korrekt dhe më i ekuilibruar midis shërbimeve sekrete dhe vendimmarrësit politik? Kësaj pyetje provon që t’i përgjigjet nëpërmjet një analize të mendimit të Sherman Kent, historian i Yale University dhe drejtues i inteligjencës amerikane, Matteo Faini, hulumtues pranë Princeton University dhe tashmë autor i “Të kuptosh qëllimet e armikut” dhe “Makiaveli analist inteligjence”.

Screen Shot 2016-07-30 at 07.54.46

Në historinë bashkëkohore të inteligjencës amerikane kanë ardhur duke u afirmuar dy modele të ndryshme marrëdhëniesh midis shërbimeve sekrete dhe nivelit drejtues politiko – strategjik. Sipas të parit, që e merr frymëzimin nga mendimi Sherman Kent, babai i analizës së inteligjencës, roli i një shërbimi sekret duhet të jetë ai i informimit sa më shumë objektivisht dhe paanësisht që të jetë e mundur vendimmarrësi politik, duke shmangur që të jetë i përfshirë në debate politike. Për të dytin, që aplikon refleksionet e Robert Gates, ish Drejtor i CIA-s në fillimet e viteve Nëntëdhjetë, objektiviteti i inteligjencës nuk mund të shkojë në kurriz të rëndësisë së tij, e nënkuptuar si dobishmëri e inteligjencës për procesin vendimmarrës. Në këtë kuptim, sipas Gates, një shërbim sekret efikas duhet të jetë mjaftueshmërisht afër vendimmarrësit në mënyrë që ta asistojë lidhur me çështjet realisht të rëndësishme për të.

Megjithëse i vetëdijshëm për rrezikun e parëndësishmërisë, Kent mbështeste një shkëputje të pastër burokratike midis agjencisë së inteligjencës dhe nivelit drejtues politik. Një ndarje që do t’u mundësonte analistëve që të qëndronin në një pozicion të tretë pa u bërë pjesë aktive e ndonjë procesi politik. Një pozicion komod ky i inteligjencës, në gjendje që të informojë me saktësi dhe thellësi analitike vendimmarrësin, por duke shmangur që të zhvillojë interesa burokratike. Lindja dhe konsolidimi i CIA-s, agjencia qendrore e inteligjencës në shërbim të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, ka ndjekur një rrugëtim të ndryshëm nga ai i treguar prej Sherman Kent duke u bërë, për vullnet politik të saktë, një agjenci operative e kushtuar ndaj covert actions. Duke modifikuar, ndoshta, aplikimin korrekt dhe në çdo situatë të parimit të objektivitetit analitik kaq të rëndësishëm për Kent.

Në vitin 1963, ish Presidenti Harry Truman mezi arrinte që ta njihte agjencinë që kish ngritur 16 vite më parë. Në momentin e krijimit të saj, “objektivi i vetëm” i Central Intelligence Agency (CIA-s) ishte që “vepronte në mënyrë të tillë që Presidenti të ishte i informuar lidhur me të gjitha burimet e inteligjencës e degëve të ndryshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara që kishin lidhje me jashtë”. Në një editorial tek “Washington Post” në dhjetor të 1963, Truman shkruante se CIA ishte bërë në këtë pikë “e përfshirë në operacione [cloak and dagger] në kohë paqeje” dhe, në këtë pikë, “larg nga roli fillestar i saj, sa të shihej si një simbol intrigash djallëzore dhe misterioze ndërkombëtare”. Siç i bënë menjëherë me dije bashkëpunëtorët e vjetër të tij në CIA, sigurisht që Truman nuk mund të ishte i imunizuar nga përgjegjësia lidhur me evolucionin e agjencisë. Siç do ta shikojmë më mirë më poshtë, kishte qenë Këshilli i Sigurisë Kombëtare i kryesuar prej tij që kish autorizuar dhe inkurajuar CIA-n që kryente gjithnjë e më shumë operacione politike sekrete, të ashtuquajturat covert actions, pavarëissht kundërshtimit të drejtuesve të vetë CIA-s.

Me editorialin e tij Truman ndërhynte në një debat që e ka shoqëruar CIA-n gjatë gjithë ekzistencës së saj dhe akoma sot është më shumë se kurrë aktual. Cili duhet të jetë roli i inteligjencës në procesin vendimmarrës politik? Cili është raporti i duhur midis vendimmarrësve politikë dhe agjencive të inteligjencës? Me çfarë operacionesh duhet të merret inteligjenca dhe me çfarë forcat e armatosura?

Një prej zërave më autoritarë në këtë debat është patjetër ai i Sherman Kent. Historian i Francës së Tetëqindës në Yale University, me hyrjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore, ashtu si shumë kolegë të tij, Kent u bë pjesë e Departamentit të Kërkimit dhe Analizës të Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS), pararendësja institucionale e CIA-s. Me mbarimin e luftës, Kent u kthyer për disa vjet në botën akademike, duke gjetur kohën për shkruar veprën më të rëndësishme të tij: “Strategic Intelligence for American World Policy”.

Më parë akoma se vepra të ishte botuar, në 1950 Kent u rikthye për të qenë pjesë e CIA-s me cilësinë e Nëndrejtorit të Office of National Estimates dhe të Board of National Estimates. Detyrë e këtyre organeve ishte ajo e koordinimit të analizave, shpesh kontradiktore, të prodhuara nga agjenci të shumta të inteligjencës amerikane dhe t’i përqëndronte në një raport të vetëm autoritar në emër të të gjithë komunitetit të inteligjencës, të ashtuquajturat National Intelligence Estimtates. Të shkruarit e National Intelligence Estimates ishte dhe është akoma sot një punë sa magjepsëse, aq edhe mosmirënjohëse. Bëhet fjalë për të koordinuar punën e agjencive të shumta me interesa shpesh kontradiktore, në radhë të parë departamentet e inteligjencës të secilës forcë të armatosur dhe të Departamentit të Shtetit, por pa u reduktuar në kompromise të ulëta në të cilat thuhet e natyrshmja për të mos bërë të pakënaqur askënd. Prodhohen vlerësime domosdoshmërisht të paqarta, duke e ditur se çdo gabim do të jetë një objektiv nga aty e prapa i kritikëve të pamungueshëm.

Qe ndoshta kjo natyrë mosmirënjohëse e punës së analistit që e shtyu William Langer, Drejtor i Office dhe i Board of National Estimates, ish Shef i Departamentit të Kërkimit dhe Analizës së OSS-së, të kthehej në qetësitë e kampusit të Harvard University vetëm pas 2 vjetësh, në 1952. Kent zuri vendin e tij dhe e mbajti deri në 1967. Gjatë këtyre 15 viteve, Kent pati mundësinë që të vinte në praktikë sa kishte shkruar tek “Strategic Intelligence for American World Policy”, duke e shënuar në thellësi komunitetin analitik të CIA-s. E rrethuar nga burokraci më të madhe, më të fuqishme dhe më të rrënjosura në Washington prej dekadash, si puna e forcave të armatosura dhe Departamenti i Shtetit, e sapolindura CIA nuk mund të shpresonte të konkurronte me to në fushën e tyre. Detyrë e CIA-s nuk duhet të ishte kështu ai i kërkimit të prodhimit të asaj që Kent e quante “primary and substantive work”. Në fakt, CIA duhej të kufizohej në koordinimin dhe inspektimin e punës së agjencive të tjera, duke siguruar që prodhimi i inteligjencës së tyre të pasqyronte standardet më të larta. Përveç këtij roli koordinimi, CIA do të zhvillonte atë të operacioneve të treguara herëpashere nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, edhe në këtë aspekt, Kent e paralajmëronte CIA-në që të mos u mbivendosej operacioneve të agjencive të tjera, sugjerim që nga ana tjetër mund të dukej i panevojshëm, duke parë që Këshilli i Sigurisë Kombëtare në masë të madhe përbëhej nga krerët e po atyre agjencive në terrenin e të cilave CIA do shkonte të shkelte.

Kështu, CIA mund të dukej qypi klasik prej qeramike midis qypave preh hekuri. Sipas Kent, ajo duhej ta fitonte autoritetin dhe influencën e vet duke mos e zgjeruar sferën e veprimit, por falë objektivitetit dhe integritetit të produkteve të saj të inteligjencës. Dobësia e CIA-s, e lidhur me faktin se nuk kishte interesa burokratike të forta dhe bilance të mëdha për të mbrojtur dhe zgjeruar, sipas Kent, duhej të bëhej burimi i forcës së saj. Në fakt, Kent vërente sesi produktet e inteligjencës së forcave të armatosura qenë pashmangshmërisht të influencuara nga interesat e tyre të bilancit. Për shembull, nuk ishte rastësi që aeronautika theksonte se flota e bombarduesve sovjetikë ishte më e madhe nga sa konsideronin forcat e tjera të armatosura, duke justifikuar kështu kërkesën për të prodhuar gjithnjë e më shumë bombardues B-52.

Në të njëjtën mënyrë, ushtria shprehej e bindur se në një luftë konvencionale në Europën perëndimore kundër sovjetikëve nuk do të kishte domosdoshmërisht një eskalim në nivelin e armëve bërthamore. Në një konflikt të tillë, jo shumë të ndryshëm nga Lufta e Dytë Botërore, një forcë tokësore e madhe do të kishte qenë jashtëzakonisht e nevojshme. Detyrë e Board of National Estimates dhe e CIA-s ishte ai i qëndrimit sipër grindjeve burokratike dhe i luajtjes së rolit të arbitrit. Kent mblodhi rreth vetes një grup studiuesish, për më tepër akademikë nga universitetet më të mira amerikane, detyra e të cilit ishte ai i analizimit të çështjeve të sigurisë kombëtare me atë që vetë Kent e quante “objektivitet i çinteresuar” dhe i komunikimit më pas i rezultateve të analizave të tyre vendimmarrësve politikë.

Dy pasoja kryesore rezultonin nga ky vizion i rolit të CIA-s. Në radhë të parë, për të pasur influencë, CIA duhej të fitonte besimin e vendimmarrësve politikë dhe të vendoste me ta një raport të ngushtë, por pa e minuar pavarësinë dhe integritetin e agjencisë. Në radhë të dytë, CIA duhej të shmangte që të zhvillonte interesa burokratike të vetat, siç do të ndodhte nëse do të vihej për të kryer një seri të tërë operacionesh mbi ecurinë e të cilave do të përfundonte t’i varej bilanci. Lidhur me pasojën e parë, Kent nisej nga premisa se raporti më i rëndësishëm në botën e inteligjencës është ai midis prodhuesve dhe konsumatorëve. Ky raport nuk vendoset automatikisht, paralajmëronte Kent, dhe kërkonte në fakt një përpjekje të vazhdueshme dhe të vetëdijshme. “Raporti i duhur midis prodhuesve dhe konsumatorëve të inteligjencës”, shkruante Kent, “është jashtëzakonisht delikat. Inteligjenca duhet të jetë mjaft afër me politikën, me planet dhe me operacionet në mënyrë që të sigurojë numrin maksimal të udhëzimeve [the greatest amount of guidance] dhe nuk duhet të jetë aq e afërt sa të humbasë objektivitetin dhe integritetin e gjykimit të saj”. Dija e prodhuar nga inteligjenca është e dobishme vetëm nëse është e plotë, e përpiktë dhe e saktë. Vetëm duke vendosur një raport të ngushtë me vendimmarrësit politikë, inteligjenca do të mund ta prodhojë këtë lloj dijeje.

Kent ishte i vetëdijshëm për rreziqet e ndodhura në një raport të ngushtë me pushtetin politik. Pa barriera midis inteligjencës dhe vendimmarrësve politikë, “inteligjenca do të merrte udhëzime me bollëk, ama me një kosto të konsiderueshme”. Inteligjenca do të përfundonte për t’ju përgjigjur pyetjeve të shkurtra faktike, pa u marrë me çështjet me afatgjata, shpesh larg nga horizonyi kohor i vendimmarrësve politikë. Ndoshta më e rëndësishmja, integriteti analitik do ta pësonte. Kjo është pika për të cilën sot Kent kujtohet më shumë dhe është me se drejtë të citohet fjalë për fjalë: «Nuk arrij ta kuptoj sesi inteligjenca mund të shmangë herëpasëhere nga vënia në rresht prapa zgjedhjeve të vendimmarrësve politikë, duke u prostituuar në prodhimin e dijes të prirur për të siguruar objektiva politikë. Nuk shikoj po ashtu sesi inteligjenca, atëhere kur do të arrinte në konkluzione në kontrast me politikat e vendimmarrësve politikë, do të mund ta zhvillonte punën e saj në periudhë afatgjatë. Nuk arrij të mos besoj se në këto raste inteligjenca do të ndodhet në mes të grindjeve politikë, rastësisht e shndërruar në mbrojtësin e pafytyrë e politikave të caktuara, në vend të mbrojtësit të analizës së saj së paanshme dhe objektive».

Ky është thelbi i atij që sot quhet “modeli Kent” i marrëdhënieve midis inteligjencës dhe vendimmarrësve politikë. Kjo vënie theksi mbi objektivitetin dhe mbi paanësinë politike të inteligjencës është akoma sot një element thelbësor i kulturës institucionale të CIA-s. Jo rastësisht, shkolla për analistët e CIA-s quhet “Sherman Kent School of Intelligence Analysis”. Këtu analistëve të ardhshëm u mësohet sesi t’i lënë menjanë prirjet ideologjike dhe pasionet politike të tyre, që të arrijnë në gjykime objektive dhe të lira në vijim debatesh shpesh cfilitës jashtëzakonisht të paprekur nga presione politike. Jo rastësisht, disa prej skandaleve më të mëdhenj në historinë e CIA-s, si ai lidhur me të supozuarat armë të shkatërrimit në masë të Saddam Hussein, kanë ndodhur kur objektiviteti dhe paanësia e analizës janë dukur të kompromentuara. “Modelit Kent” i kundërvihet i ashtuquajturi “Model Gates”, nga Robert Gates, në drejtim të CIA-s nën Ronald Reagan e George H. W. Bush dhe. Më vonë, Sekretar i Mbrojtjes si për George W. Bush, ashtu edhe për Barack Obama. Gates theksonte se objektiviteti i inteligjencës nuk mund të realizohej në kurriz të rëndësisë së saj. Inteligjenca ka detyrën e mbështetjes së politikave të administratës në fuqi në emër të interesit kombëtar dhe nuk duhet të izolohet në një flluskë simil – akademike, duke u reduktuar në rolin e kundërshtuesit me çdo kusht.

Kent e njihte rrezikun e izolimit të inteligjencës në pikën sa ta bënte t’i humbiste rëndësia, edhe pse nuk mungon që të theksojë se në praktikë nuk bëri aq sa duhej për ta shmangur izolimin. Në fakt, Kent theksonte se “midis dy rreziqeve, atij për inteligjencën që është shumë larg nga konsumatorët dhe atij që është shumë afër, rreziku më i madh është ai i pari”. Atëhere cili duhej të ishte ekuilibri i duhur? Zgjidhja e Kent ishte ajo e ruajtjes së një ndarjeje administrative të ngurtë midis atij që investigonte dhe atij që ekzekutonte. Të dy funksionet duhet të zhvilloheshin nga njerëz të rekrutuar në mënyrë të ndryshme, të paguar nga bilance të ndryshme, natyrshmërisht të çinteresuar në suksesin e njëri tjetrit. Ky koment na bën që të marrim në konsideratë pasojën e dytë që derivon nga konceptimi i rolit të inteligjencës së Kent, lidhur me, e kujtojmë këtë, nevojën pqë të shmangur që një agjenci të zhvillojë interesa burokratike të sajat. Kjo do të ndodhte veçanërisht nëse agjencia do të vihej të kryente një sasi të madhe operacionesh, në pikën sa ta bënte bilancin e saj të varej nga ecuria e vetë këtyre operacioneve. Kështu Kent e kufizonte rolin e inteligjencës në atë të furnizimit të vendimmarrësve politikë me informacione: “Inteligjenca nuk përcakton se cilët janë objektivat, nuk projekton politikat, nuk bën plane, nuk kryen operacione. Inteligjenca luan një rol ndihmës respektivisht këtyre funksioneve. Detyra e saj është që të veprojë në mënyrë të tillë që vendimmarrësit politikë të jenë të mirinformuar, të qëndrojë prapa krahëve të tyre me librin e hapur në faqen e duhur, të tërheqin vëmendjen e tyre lidhur me faktet që po i injorojnë dhe, me kërkesën e tyre, të analizojnë opsionet e ndryshme pa u treguar se cilin prej tyre të zgjedhin”.

Njerëzit janë të prirur ta mendojnë CIA-n si një agjenci kryesisht të kushtuar ndaj covert actions, operacioneve politike sekrete si grushti i shtetit në Iran në 1953, pushtimi i Gjirit të Derrave në 1961 ose, në kohë më të vonshme, sulmet me drone në Pakistan dhe Jemen. Ekzistojnë arsye të vlefshme historike prapa këtij perceptimi të CIA-s, megjithatë ky vizion i rolit të CIA-s është i anshëm dhe, në aspekte të caktuara, i deformuar. Qysh nga hapat e para të saj, CIA e ka konceptuar rolin e e vet ashtu siç e konceptonte Kent, si një agjenci që informon politikën, por duke mos bërë “politikë”. Për shembull, qysh në 1947, drejtuesit e Central Intelligence Group (CIG), paraardhësi direkt i CIA-s, “qenë dakord për faktin që Drejtori [i CIG-së] nuk duhej të merrte pjesë në vendimet e Këshillit [të Sigurisë Kombëtare], për faktin se ky ishte një organ që vendos mbi politikat [një policy making body] dhe ekziston një marrëveshje e vjetër lidhur me faktin që Central Intelligence nuk duhet të vendosë lidhur me politikat”.

Në dhjetor të 1947, Këshilli i Sigurisë Kombëtare përcaktoi se ekzistonte nevoja për operacione psikologjike sekrete dhe vendosi se “ngjashmëria në mjetet operative midis operacioneve psikologjike sekrete dhe aktivitetit të inteligjencës (…) e bën Central Intelligence Agency si agjencinë më të logjikshme për kryerjen e këtyre operacioneve”. Hillekoetter, Drejtori i CIA-s, priti 3 muaj përpara se ta ngarkonte Office of Special Operations (OSO), degën e CIA-s që merrej me grumbullimin e informacionit klandestin, me kryerjen e operacioneve psikologjike. Si Hillenkoetter, ashtu edhe OSO-ja qenë ngurrues.

Këshilli i Sigurisw Kombwtare e kuptoi shpejt se OSO-ja nuk do t’i kishte kryer covert actions me intensitetin dhe shpejtwsinw e dëshiruar. U vendos kështu qw tw krijohej Office of Special Projects, shpejt e ripagwzuar me emrin mw tw zbutur Office of Policy Coordination, qw tw merrej me covert actions, gjithmonë nwn CIA-n. Edhe kwtu Hillenkoetter kundërshtoi, duke propozuar qw tw “lihej tw merrej Departamenti i Shtetit, pa pasur ato [covert actions] asnjë lidhje me ne”. Swrish, Kwshilli i Sigurisw Kombwtare shkoi kundër dëshirave tw CIA-s dhe e urdhëroi qw tw merrej me covert actions. Office of Policy Coordination u fut pwr arsye administrative nw brendësi tw CIA-s, edhe pse kontrolli mbi operacionet i takonte Departamentit tw Shtetit dhe Pentagonit.

Shpërthimi i luftës së Koresë qe në origjinën e një ekspansioni dramatik të covert actions të CIA-s. Drejtori i ri i saj, Gjenerali Beddell Smith, siguroi kontrollin e Office of Policy Coordination, por vazhdonte që të shprehte dyshime lidhur me covert actions. Gjatë një mbledhjeje të brendshme të CIA-s me 22 tetor 1951, Smith theksoi se “operacionet [paraushtarake dhe të Office of Policy Coordination] kanë arritur një dimension të tillë krahasuar me funksionet tona të inteligjencës sa që duhet të vendosim nëse CIA do të mbesë një agjenci inteligjence apo do të shndërrohet në një “departament të Luftës së Ftohtë””.

Edhe një herë akoma, Këshilli për Sigurinë Kombëtare e shtyu CIA-n që të kryente gjithnjë e më shumë covert actions. Të nesërmen, pas mbledhjes së CIA-s, Këshilli miratoi rezolutën NSC10/5, duke urdhëruar “zgjerimin e menjëhershëm të organizatës sekrete (…) dhe intensifikimin e operacioneve sekrete”, duke theksuar veç të tjerash “përgjegjësinë dhe autoritetin e Drejtorit të CIA-s për kryerjen e këtyre operacioneve”. Ia vlen këtu të citohet përgjigja e Drejtorit Smith fjalë për fjalë: «NSC10/5 ripërkufizon përgjegjësitë e CIA-s në një sektor që ka mundësi nuk ishte parashikuar në momentin e miratimit të National Security Act e vitit 1947 [ligjit që krijoi CIA-n] (…). ky është sektori i aktiviteteve sekrete të Luftës së Ftohtë, përfshi gueriljen. (…) Me mbështetjen e nevojshme, CIA do të mund t’u përgjigjet siç duhet këtyre kërkesave; por duke qenë se kanë çuar në një zgjerim kaq të madh të buxhetit dhe të personelit të Agjencisë, duhet nënvizuar se:

  1. Këto nuk janë funksione thelbësore me qëllimin e përgjegjësive të inteligjencës së CIA-s.
  2. U caktuan në këtë Agjenci pasi nuk kishte një tjetër që të mund të merrej me to.
  3. Në mënyrë të pashmangshme, këto funksione do të shkojnë në kurriz të funksioneve parësore të inteligjencës së CIA-s dhe paraqesin një rrezik të vazhdueshëm dhe në rritje të sigurisë së vetë CIA-s. (…)»

Pavarësisht ngurrimit të saj, CIA u bë një agjenci e dedikuar që të bënte politikë, në kurriz të rolit informativ të saj. U bë një agjenci e tillë pasi kështu deshën vendimmarrësit politikë, të shtyrë nga urgjenca e të luftuari kundër Bashkimit Sovjetik me të njëjtat armë si të tijat. Nuk është e qartë nëse vendimmarrësit politikë qenë të ndërgjegjshëm për rreziqet të cilave u nënshtrohej kështu objektiviteti i analizës së vetë CIA-s. Nëse nuk qenë, dështimi pushtimit të Gjirit të Derrave, nga përgatitja e të cilit analistët qenë mbajtur qëllimisht në errësirë, i bëri këto rreziqe deri shumë të dukshëm.

Sipas çdo gjase, ish Presidenti Truman kishte në mendje disfatën e Gjirit të derrave kur shkroi editorialin e tij në 1963. Vërejtjet e tij qenë korrekte, por çuditërisht harruese për rolin që vetë Truman dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare i tij kishin luajtur në shtytjen e CIA-s në këtë drejtim. CIA u bë dhe në aspekte të caktuara mbetet akoma një agjenci e përkushtuar ndaj covert actions, pavarësisht kundërshtimit të atyre si puna e Kent dhe e shumë drejtorëve të CIA-s që kanë menduar gjithmonë se një gjë e tillë shkonte në kurriz të funksionit informativ dhe të objektivitetit të analizës së vetë Agjencisë.

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button