Analiza

“Xhihadistan” mes Sirisë dhe Irakut. Rilind ëndrra e Kalifatit

Mideast Syria Islamic StateMarrja e Mosulit nga ana e forcave xhihadiste ka rizgjuar fantazmat e vjetra. Në mënyrë të veçantë atë të një emirati në provincat sunite të Mesopotamisë, që i shtrin degët e veta deri në brigjet libaneze të Mesdheut. Në fund të fundit ky është programi i Shiil, i shpallur qartë me emrin e tij në arabisht: Dawla islamiyya fi Iraq wa Chaam, që do të thotë Shteti Islamik në Irak dhe në Lindje (Shiil).

Vetëm disa vite më parë, xhihadistët irakenë dukeshin të mbaruar, të shtyrë në provincat e Anbarit dhe të Ninives. Por boshllëku në ofertën politike nga ana e sunitëve u mbush prej Shiil, duke u shfaqur në sytë e popullatës si i vetmi subjekt politik dhe ushtarak që është në gjendje të frenojë superpushtetin e shiitëve dhe shtytjet centrifugale të kërkesave për pavarësi nga kurdët. Përndryshe do të ishte e pashpjegueshme ringjallja e tij. Nuk mjafton lidershipi i Abu Bakr al-Baghdadi, i cili ka arritur të tërheqë sërish luftëtarë nga çdo cep i botës dhe duke i dhënë grupit – që më parë ishte i ndarë prej protagonizmave dhe rivaliteteve të komandantëve të vet ushtarakë – një strukturë të centralizuar dhe më mirë të stërvitur.

Pasi i shpëtoi rrezikut të shpërbërjes, Shiil vuri në zbatim teorinë e teatrit mesopotamian, si i vetmi skenar lufte, me qëllim që të transformojë Tokën e Dy Lumenjve dhe Lindjen në një shtet të madh të xhihadit, një lloj Xhihadistani të vërtetë. Prej këtu buron edhe arsyeja e pjesëmarrjes në konfliktin sirian. Nevojë strategjike dhe program ideologjik bashkë. Në fakt, aleanca me sirianët u mundësoi irakenëve hapjen e një rrugëkalimi drejt Turqisë, prej ku kalojnë tranzit vullnetarë, armë, furnizime, por edhe që të praktikojnë atë xhihad pa kufij, që është pjesë e këndvështrimit që ka për botën xhihadisti global.

Një aleancë që ka krijuar konkurencë të brendshme për hegjemoninë. Ekspansioni “i natyrshëm” i grupit të al-Baghdadit ka ndeshur në rezistencën e Frontit al Nusra, grupimi xhihadist më eficient në Siri. Xhihadistët sirianë kanë një strategji të tyren, më shumë lokale se sa transnacionale. Strategjia globaliste e kaedistëve irakenë rrezikonte të sillte ngatërresa për aleancat që al Nusra i ka ndërtuar me shumë mund. Në repertor bëjnë pjesë edhe aktet e dhunës të Shiil kundër të krishterëve, të cilët kanë ndihmuar për forcimin e aleancës së tyre me mbështetësit alavitë të Assadit. Në radhët e al Nusras militojnë sot jo vetëm mixhahedinët e ardhur nga bota e Gjysmëhënës apo Europës, por edhe luftëtarë islamo-nacionalistë që e bëjnë të pashmangshme zgjedhjen e bashkimit me Frontin, pas stabilizimit të regjimit të Assadit dhe krizës së Vëllazërisë Myslimane në zonën e Homsit.

Konflikti mes dy grupeve kryesorë radikalë të vendit të xhihadit ka arritur në pikën që, vetë lidershipi i al Kaedës historike i ka lëshuar përdorimin e markës së organizatës pikërisht al Nusras, një organizatë kjo më pak e prirur të përsërisë gabimet e degës irakene që prej kohëve të al Zavahirit. Të paktën deri më sot. Sepse, nëse Shiil do të arrijë të prodhojë atë ndarje më tresh të Irakut, e destinuar të burojë prej bërthamës së Kalifatit, duke i dhënë kështu formë politike asaj që deri sot ka qenë një legjendë, atëherë do të ishte e vështirë të vazhdohej të lihej në skaje. Sigurisht, ëndrra – apo makthi – i një shteti islamik radikal që shtrihet nga Bagdadi në Beirut, duke kaluar nga Damasku dhe Siria e madhe është e vështirë të realizohet. Jo vetëm për shkak të ndarjeve mes xhihadistëve. Janë të shumta forcat që janë kundër idesë që flamuri i zi i al Kaedës të valëvitet në shtizat e Gjysmëhënës së Madhe. Sa herë që xhihadizmi ka dalë jashtë logjikës së konfliktit asimetrik, i nevojshëm për marrje territoresh në shkallë të gjerë, ka humbur. Mbi të gjitha sepse ka mobilizuar ata që ishin të ndarë mes tyre në objektivat afatgjatë, duke i bashkuar përballë rrezikut kaedist. /la repubblica/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button