Horizonti.alMagazine

Shkencëtarët zbulojnë se si ta kthejnë trupin e njeriut, në një bateri

“Popular Mechanics”

Pacemaker, pompat e shpërndarjes së ilaçeve, Fitbits dhe pajisje të tjera mund të funksionojnë me një lloj të ri energjie të rinovueshme, atë që vjen nga vetë trupi i njeriut. Një vegël e vogël e quajtur gjeneratori termoelektrik (TEG), e kthen drejtpërdrejt nxehtësinë e trupit tuaj në energji elektrike.

TEG përdor ndryshimin e temperaturë – si ai midis temperaturës së trupit tuaj kundrejt ajrit përreth – për ta kthyer atë në energji. Për të vendosur ekuilibrin, nxehtësia shpërndahet automatikisht në vende më të freskëta, dhe TEG shfrytëzon rrymën elektrike të prodhuar në moment kur grimcat me energji lëvizin nga vendi më i nxehtë në atë më të ftohtë përgjatë një çipi.

Kjo është një skemë e përshtatshme, pasi nxehtësia e trupit të njeriut është një burim mjaft i qëndrueshëm. Për të mbajtur një temperaturë konstante prej rreth 37 gradësh, trupi jonë duhet të rregullojë një ekuilibër të ngushtë midis fitimit të nxehtësisë dhe humbjes së saj.

Dhe për shkak se trupi nuk është aq efikas, ne humbim afro 75 për qind të energjisë që prodhojmë nga nxehtësia. Ndërsa pjesa e pajisjes që prek lëkurën tuaj e kthen nxehtësinë në energji, mjetet që vendosen po në trup e mbrojnë anën e saj të ftohtë nga rrezet e diellit përmes një filmi selektiv të gjatësisë së valës për të ruajtur diferencën e temperaturës.

Një material i veçantë i vendosur brenda pajisjes e riparon veten nga shkëputjet duke i ri-ngjitur ato në nivelin mikro. Rongui Jang, profesor i inxhinierisë së energjisë në Universitetin Huazhong të Shkencës dhe Teknologjisë, që ishte i përfshirë në studim, thotë se ky dizajn është një përmirësim shumë i madh në krahasim me projektet e mëparshme. Dhe kjo falë disa përmirësimeve të rëndësishme.

Ekipi i Jang kombinoi tre përbërje komerciale të disponueshme, për të krijuar poliminën, një material i përkulshëm. Duke përdorur rrezet lazer mbi poliminë, studiuesit krijuan vrima të vogla për të vendosur çipat termoelektrike që prodhojnë energji.

“Rezultati përfundimtar është një aftësi superiore e shtrirjes, vetë-riparimit, riciklimit dhe ri-konfigurimi. Këto cilësi nënkuptojnë që produkti përfundimtar është i qëndrueshëm si kurrë më parë”- thotë Jang.

Sasia më e madhe e energjisë mund të mblidhet nga një “byzylyk sportiv” i ngjashëm me Fitbit që furnizon me energji një orë. Këto forma të reja të TEG mund të krijojnë edhe më shumë energji, duke ngarkuar pajisje që kanë kërkesa më të larta për energji elektrike. Por duke pasur parasysh që këto pajisje mund të gjenerojnë vetëm rreth 1 volt energji për çdo centimetër katror të lëkurës, pra më pak tension sesa shumica e baterive ekzistuese, ka ende punë për të bërë.

Për shembull, një bateri AA ose AAA që vlerësohet se ka një fuqi prej 1.5 volt, mund të mjaftojë për të drejtuar disa pompa për futjen e insulinës në trupin e një diabetiku. Nga ana tjetër bateritë në përgjithësi kanë një teknologji shumë ndotëse që përdor ndonjëherë metale që gjenden rrallë në tokë apo materiale gërryese.

Kur bateritë nisin të shpërbëhen nëpër landfille, kimikatet brenda – përfshirë acidin klorhidrik, që gjendet në sasi të mëdha edhe në aparatin tuaj tretës – derdhen në tokë, duke ndotur ujin. Bateritë me jonet e litiumit, të cilat janë të zakonshme në oraret e fitnesit, shpërthejnë shpesh dhe marrin flakë në vend-depozitime, duke lëshuar në atmosferë gazra të dëmshme serrë.

Nëse trupi juaj mund të bëjë të njëjtën punë si një bateri ore me teknologji më të pastër, më të riciklueshme, kjo do të jetë një fitore për mjedisin. Bateria e ekipt të Jang përmban një teknologji plotësisht të riciklueshme.

Për njerëzit që mbajnë stimulues kardiak, bateritë e TEG mund të nënkuptojë një të ardhme pa kirurgjinë zëvendësuese të baterive. Sipas Johns Hopkins Medicine, pacientët me stimulues kardiakë duhet t’i nënshtrohen këtij lloj operacioni çdo 5-10 vjet, pasi bateria me jonet e litiumit brenda implantit të tyre fillon që të shterojë.

Dizajni TEG mund të duket shumë kompleks. Por në realitet, ai është thjesht një kombinim i ekuilibruar dhe mjeshtëror i teknologjive ekzistuese. Jang thotë se përdoruesit do të jenë në gjendje të rregullojnë vetë qarqet. Këto lloj pajisjesh mund të dalin në shitje brenda 5-10 viteve të ardhshme. / bota.al

Back to top button