Magazine

Shkolla mbaroi, mjaft me lotët

Nga Tracey Thorn

Mbaroi, mjaft më me shkollën, dhe jo vetëm për këtë verë, por si e thotë edhe kënga, përgjithmonë. Mjaft me lapsa, libra, mjaft me uniforma apo emrat në etiketa, me semestrat apo mbrëmjet e prindërve, justifikimet për arsyet shëndetësore apo kërkesat për leje, mjaft me ofrimin vullnetarë për panairet njëditore apo mbushjen e formularëve për alergji apo vaksina.

Mjaft me shpërblime apo ndëshkime, drama shkollore apo ditë sportive; mjaft me koncerte Krishtlindjesh, dreka, festa verore apo shëtitje të sponsorizuara, mjaft me shitje biskotash apo mëngjese bamirësie. Mjaft me detyra shtëpie, prova në klasë apo rishikime. Gjithçka mbaroi, sepse më i vogli dha provimin e fundit dhe tani na mbetet vetëm të presim rezultatin në gusht. Përfundojnë kështu njëzetë vite të kaluar si prind nxënësish.

Gjatë një aktiviteti në fund të vitit shkollor, një mësuese më pyeti: “Atëherë, si ndihesh? E trishtuar sepse mori fund gjithçka?. Unë iu përgjigja duke qeshur: “Jo, jo jam mirë”, i thashë. “Dhe gati të vazhdoj, jemi të gjithë gati të kthejmë faqe”, dhe e thoja seriozisht. E megjithatë edhe tani, ndërkohë që shkruaj, gjendem në një situatë ku më duhet të gëlltis lotët.

Ishte gjithçka më se e qartë

Eshtë një pjesë kaq e rëndësishëm e jetës së fëmijëve të tu dhe e të qënit prind. Kur filluan të shkojnë në shkollë, lidha miqësi të reja kur e bënin dhe ata. Janë disa nëna që i kam takuar që ditën e parë, dhe me të cilat vazhdoj të takohem edhe tani, për një çaj.

Në atë kohë mendonim se kishim gjithçka të qartë, gjithçka nën kontroll. Do të bënim një punë shumë të mirë: ao i ndihmonim që të mësonin të lexonin, do të ofroheshim vullnetare për të shkuar në muze, do të shkonim në koncerte, do të ndiqnim kurset e pianos, do i mundonim me detyrat ndërkohë që përgatisnim mëngjesin, do i shpinim të flinin në kohën e duhur, do të kufizonim kohën para ekranit, do të theksonim fort rëndësinë e vaktit të mëngjesit, dhe në fund do të shkonte gjithçka mirë, në perfeksion. Ishte gjithçka e qartë.

Pastaj, jeta nisi të rrjedhë dhe koha të kalojë. Gjithë ata vogëlushë të lakueshëm nxorrën personalitete jo dhe aq të lakueshme, preferenca dhe antipati, si dhe probleme që dukej se lindnin nga hiçi. Në një pikë të caktuar, filluam të humbasim kontrollin e gjërave dhe të kuptonim se në pjesën më të madhe të kohës improvizojmë, dhe se gjëja më e mirë që mund të bënim, ishte që të bënim më të mirën tonë.

Disiplina e viteve shkollore na jep ndjesinë sikur kemi gjithçka nën kontroll. Tani, kur takoj prindërit e tjerë flasim për kundërvënien mes natyrës dhe arsimit, dhe se si kanë ndryshuar opinionet tona mbi këtë temë, qysh kur jemi privuar nga iluzionet që ushqenim mbi forcën e ndikimit tonë.

Nga e njëjta anë e botës

Di që gjithçka që bën si prind ka një pasojë, dhe se asnjë akt mirësie nuk shkon asnjëherë dëm, por jemi të gjithë të tronditur se sa shumë fëmijët tanë janë bërë të paparashikueshëm dhe nga mënyra se si, që kur kanë ndezur motorrin, makina ka vazhduar të ecë si e marrë, ndërsa ne nuk kemi arritur asnjëherë të mbajmë duart fort mbi timon.

Ka shkuar gjithçka mirë, pak a shumë. Ka patur xhunga dhe gërvishtje, apo edhe aksidente të vërtetë, por jemi të gjithë ende këtu, dhe vazhdojmë të bëjmë më të mirën tonë. Më pak mendjemëdhenj, më të ashpër me veten tonë dhe rolin tonë, ndonjëherë të hidhëruar, herë të tjera të keqardhur. Dhe fundi i shkollës, është pak a shumë si të pranosh se nga tani e tutje, ata do të mblidhen në anën tonë të botës, në botën e të rriturve, në të mirë e në të keq.

Do të kenë më shumë liri, por edhe më shumë përgjegjësi, do të duhet të marrin vendime më të vështira. I thashë asaj mësueses se jam gati që të kthej faqem dhe në një masë të madhe është e vërtetë. Nuk më bëhet vonë që nuk do të duhet të lexoj më fletën e notave, që e ka të vështirë të gjejë se çfarë të thotë për një fëmijë, që ka një notë jo dhe aq të mirë në gjeografi. Nuk do të më mungojë fakti që më duhet të dëgjoj fëmijët e të tjerëve që i bien basit. Nuk do të më mungojnë provimet.

Por do të më mungojnë ato ditë plot energji dhe pafajësi, kur nisi gjithçka. Ato uniforma të mëdha që kishin formën e fëmijës, që do të rritej brenda tyre. Projektet e artit, të gjithë të mbushur me glitter dhe plastelinë, rrotulla letre higjenike dhe duarsh. Vështrimi yt kur më shihje tek dalja e shkollës.

Dhe do të më mungojë diçka nga rutina. Tani, dita ime do të ketë më pak formë. Duhet të bëj një sofrcim për t’i dhënë një tjetër formë, për të ruajtur pak disiplinë.

Ose ndoshta nuk do e bëj! Ndoshta ky është momenti im për t’u rebeluar, shkurtuar fundin, ndezur një cigare, vënë pak rimel, grisur detyrat e shtëpisë dhe treguar gishtin të gjithëve.

Shkolla mbaroi!

New Statesman – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button