Analiza

“Shoku robot!” / Noam Chomsky: Çfarë mrekullie, nëse makinat na “vjedhin” vendet e punës

Screen Shot 2016-04-04 at 19.26.42

Ka një fjali që Noam Chomsky, 87 vjeç, e përsërit me energji gjatë gjithë intervistës: “It’s our choice”, pra gjithçka varet nga ne. Po të varej nga ai, gjuhëtari i famshëm në të gjithë botën, intelektual asnjëherë i butë me pushtetin, atëherë një shans robotëve u duhet dhënë. “Mund të jenë ata që të na çlirojnë nga litarët e rutinës”, të na bëjnë të rendin drejt fushave të pakorrura të krijueshmërisë dhe kënaqësisë.

Profesor Chomsky, sipas jush, çfarë duhet të presim në të ardhmen e afërt nga zhvillimi i Inteligjencës Artificiale?

Mund ta kuptojmë inteligjencën artificiale në dy mënyra. E para është ajo të cilës i kam kushtuar jetën time: investigimi për inteligjencën njerëzore, përpjekja për ta rindërtuar. Shumë gjëra ende nuk janë demonstruar, por me “revolucionin kopernikas” të linguistikës, e kemi kuptuar më në fund gjuhën si pronësi biologjike, duke treguar se shumëllojshmëria e madhe gjuhësore mund të ndiqet në një sistem shumë të thjeshtë i cili prodhon mendimin. Mënyra tjetër për të kuptuar inteligjencën artificiale është ana inxhinierike e problemit: pajisjet e nevojshme, për shembull makinat me vetëngarje. Doni të dini si e shoh atë lloj të ardhmeje? Me entuziasëm.

Fituesi i çmimit Nobel për Ekonominë, Paul Krugman, bën thirrje për maturi: thotë se në realitet robotët do të na vjedhin vendet e punës, dhe që pabarazia është prapa qoshes. Ju e keni për zemër temën e pabarazisë. A ia vlejnë robotët atë risk?

Kush akuzon robotët që na vjedhin vendet e punës duhet të ketë provat në anën e tij: produktiviteti duhet të rritet, gjë që për momentin nuk ndodh. Por nëse vërtetë makinat do të na zëvendësonin, unë do të thoja: mirë! Do të ishte një dobi e madhe për njerëzimin. Sigurisht, kur një robot hyn në një sektor të caktuar, do të ketë probleme përshtatjeje, punëtorët e atij sektori duhen zëvendësuar. Por një botë e robotizuar është një mundësi çlirimi.

Clirimi nga çfarë?

Nga rutina, nga puna e përsëritur dhe e mërzitshme. Cili prej nesh dëshiron të rrijë tetë orë në një arkë supermerkatoje, në vend që t’u dedikohet gjërave që i do vërtetë? Nëse robotët do të bënin punët që na mërzisin në vendin tonë, do të ishim të lirë të krijonim, të përqëndroheshim tek inovacioni. Mund t’i dedikohemi kënaqësisë.

Cfarë ju bën të mendoni se automatizimi do të menaxhohet për të sjellë më shumë liri dhe barazi? Sot teknologjitë e informacionit janë në duar të pak kompanive të mëdha, që ofrojnë shërbime duke “përtypur” të dhënat tona. Po sikur në të ardhmen, të mriat që sipas jush do të prodhohen prej robotëve, në fund do të shkonin në dobi të pak njerëzve?

Varet prej nesh, teknologjia është neutrale, është si një çekiç: mund ta përdorësh për të torturuar, ose për të ndërtuar. Zgjedhja është politike, e ardhmja është një udhëkryq: nëse imagjinoni teknologjinë të kontrolluar nga pak duar me pushtet, nëse mendoni një “neoliberizëm teknologjik”, atëherë duhet të keni frikë nga totalitarizmat e reja – mendoj për përgjimet si “Vëllazi i madh”, për shembull. Por nëse e imagjinoni në duar të njerëzve, nëse mendoni për një zhvillim teknologjik demokratik, atëherë nënkupton të kundërtën: më shumë dije do të thotë më shumë barazi. Cilët prej dy rrugëve do të marrim? Nuk bëhet fjalë për kataklizma natyrore, po si do të bëjmë histori.

Etiketa radikal që ju ka vendosur shumëkush, a ju peshon?

Sot quhet radikal cilido që del prej mendimit dominues, kështu që e marr si kompliment. Bernie Sanders frymëzohet nga Marrëveshja e Re, e megjithatë ka nga ata që e quajnë ekstremist. Sa për mua, mendoj se punëtorët duhet të kenë punën e tyre, dhe për këtë frymëzohem nga socializmi libertarian. Por këto janë trashëgimi të neoliberalizmit klasik: i marr shumë seriozisht mendimtarë si John Stuart Mill, janë klasikë të mëdhenj. Unë vetë ndihem një “klasik”, por nëse doni më quani radikal…

Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button