Magazine

Shpejtësi e lartë në fund të detit

Vetëm 1 përqind e trafikut ndërkombëtar telefonik dhe internetor qarkullon nëpërmjet satelitëve. Pjesa tjetër kalon nëpërmjet kabllove nënujore

Screen Shot 2016-03-08 at 07.44.07

Me 14 dhjetor 2015 Ile-de-Sein, një anije 140 metroshe e specializuar në vendosjen e kabllove nënujore, po lë portin e Calais e drejtuar për në Sri Lanka. Është një prej 7 anijeve të flotës Alcatel Lucent Submarine Networks (ALSN) dhe do të shkojë në Oqeanin Indian për të vendosur 5300 kilometra fibër optike midis Kolombos në Sri Lanka dhe Xhibutit në Afrikën Perëndimore. Këto kabllo formojnë pjesën qendrore të një sistemi prej pothuajse 20000 kilometrash të quajtur SeaMeWe 5, në pronësi të një konsorciumi prej 17 operatorësh telekomunikacionesh europianë dhe aziatikë, që do të lidhë Tulonin me Singaporin, me degëzime drejt Italisë, Turqisë, Emirateve Arabe, Pakistanit, Indisë, Bangladeshit dhe Birmanisë. Për të ngarkuar anijen janë dashur 3 javë. Kablloja është mbledhur drejtpërsëdrejti në “Ile-de-Sein” nga impianti i prodhimit i instaluar në zonën industrial e portit të Calais, nëpërmjet një tuneli prej 600 metrash që kalon nëpër rrugë dhe bankinat. Kapiteni Philippe Kervella, një 34 vjeçar francez, drejton manovrat e ekuipazhit të tij, të përbërë nga 52 persona midis të cilëve marinarë dhe teknikë: “Kablloja është mbështjellë në 2 cilindra me 19 metra diametër. Është e gjatë 5300 kilometra dhe peshon pothuajse 5 tonelata”.

Sapo të arrijë në Sri Lanka, “Ile-de-Sein” do të riniset drejt perëndimit për të vendosur kabllon. Anija do të ndjekë një rrugë shumë të saktë, të caktuar pas një studimi të hollësishëm të fundoqeaneve për të shmangur sa më shumë të jetë e mundur majat, skarpatet dhe faljet sizmike. Deri në 1500 metra thellësi, kabllo do të vendoset në fund të një kanali të gërmuar me “parmendë”, një makineri 35 tonëshe që rrëshqet në fund të detit. Në këtë fazë, anija do të avancojë nja 20 kilometra në ditë. Kur deti do të arrijë më shumë se 1500 metra thellësi, kablloja do të vendoset drejtpërsëdrejti në fund dhe anija do të mund të përshkojë më shumë se 150 kilometra në ditë. Në fund të udhëtimit, në një plazh të qetë apo në një bankinë pak të frekuentuar, kablloja do të tërhiqet në tokë dhe do futet nëntokë, për ta përfunduar më pas rrugën e saj në një stacion rakordimi të rrjetit tokësor, zakonisht një ndërtesë kinse anonime për të kaluar pa u vënë re.

Rini e dytë

Kablloja nënujore është një shpikje e tetëqindës, por pas internetit dhe shpërthimit të komunikimeve elektronike ka njohur një rini të dytë. Patricia Boulanger, Drejtore e stabilimentit të Calais të Alcatel Submarine Netëorks (ASN), kujton rolin qendror të kësaj industrie në revolucionin dixhital: “Krejt në kundërshtim nga sa mund të imagjinohet, satelitët kanë një rol dytësor në funksionimin e internetit. Pothuajse 99 përqind e trafikut ndërkombëtar të të dhënave dhe atij telefonik kalon nëpërmjet kabllove si të tonat”. Në ekspansion të plotë, rrjeti botëror ndërthuret sidomos në fundet e deteve apo oqeaneve.

Sot komunikimet ndërkontinentale sigurohen nga 900000 kilometra kabllo: më shumë se 340 rrjete që lidhin të gjithë kontinentet, shumicën e ishujve të banuar dhe deri platformat detare. Kabllot lidhin edhe shumë qytete që ndodhen në të njëjtin breg: Barcelonë dhe Gjenovë, New York dhe Miami, Perth dhe Adelaide. Edhe kur është i mundshëm një lidhje tokësore, shpesh operatorët preferojnë kabllin nënujor, të fshehur dhe më pak të cënueshëm. “Këtu prodhojmë internetin që mund të preket, është diçka konkrete”, sintetizon Boulanger.

Në 2015 ASN-ja ka prodhuar më shumë se 20000 kilometra kabllo. Fibra optike, që ka një trashësi prej 0.25 milimetrash, vjen me bobina të mëdha. Fijet vendosen dhe avolzhohen në një seri shtresash mbrojtëse: një tub çeliku, pastaj një strukturë me material të përbërë për t’u rezistuar presioneve të thellësive të mëdha dhe një këllëf bakri që do të përçojë rrymën elektrike. Gjithçka mbulohet në fund me një plastikë izoluese. Në fund të rreth çdo 70 kilometrave fiksohet në kabllo një repetitor, një aparat që shërben për të amplifikuar sinjalin optik. Kablloja, me pothuajse 2 centimetra trashësi, është e gatshme për t’u vendosur në fund të detit, deri në 9 kilometra thellësi, ku do të duhet të funksiononte për të paktën 25 vjet. Në zonat bregdetare mbrohet nga një armaturë suplementare në gjendje që t’u rezistojë rreziqeve të çdo lloji: spiranca, peshkarexha, draga, sabotatorë, peshkaqenë e të tjera. Midis viteve 2016 e 2017, të paktën 35 rrjete të rinj do të instalohen në të gjithë botën nga ASN-ja dhe nga konkurrentët e mëdhenj të saj, japonezja NEC dhe amerikania TE Connectivity. Sistemi Aae-1, që do të lidhë 19 qytete midis Marsejës dhe Kong Kongut, do të jetë 25000 kilometra i gjatë, ndërsa Perseid, që do të lidhë Sainte-Croix në Tortola, dy ishuj të Karaibeve, do të jetë afërsisht 117 kilometra.

E ardhura vjetore globale e sektorit luhatet midis 1 dhe 3 miliard eurove. Sipas Philippe Dumont, President i ASN-së, këto luhatje të forta burojnë nga karakteri ciklik i tregut: “Kur një operator vendos një kabllo të re, ai bëhet më kompetitiv gjatë këtij segmenti dhe mund të ulë çmimet. Për pasojë, që të qëndrojnë kompetitivë, konkurrentët e tij vendosin në të njëjtin segment kabllot e tyre. Në këtë mënyrë përfundohet për të pasur një mbikapacitet, që përdoret në mënyrë progresive”. Kërkesa do të duhet të rritet në vitet e ardhshme: gjigantët amerikanë të internetit janë duke hapur rrugë të reja për nevojat e tyre dhe nganjëherë për përdorimin ekskluziv të tyre. Sipas Dumont, trafiku internetor rritet çdo vit nga 20 në 25 përqind në nivel botëror, por me pothuajse 40 përqind në rrugët që lidhin Shtetet e Bashkuara me pjesën tjetër të botës.

“Kjo rritje është në pjesën më të madhe e prodhuar nga Google, Facebook e Microsoft dhe në mënyrë të veçantë nga aplikiacionet e tyre video. Kur Facebook ka vendosur që t’u mundësojë përdoruesve të tij që të ndajnë me njëri tjetrin video, brenda 6 muajsh trafiku video nëpër kabllot nënujore është katërfishuar. E njëjta gjë ndodh me YouTube kur, për shembull, del një video e re e Beyoncé”.

Drejt lindjes

Gjatë viteve të fundit Google ka investuar në instalimin e kabllove të ndryshme në drejt të Azisë, në bashkëpunim me disa kompani telekomunikacionesh lokale. Kablloja e fundit, Fast, e parashikuar për 2016, do të lidhë bregun perëndimor e Shteteve të Bashkuara me Japoninë dhe Tajvanin. E gjatë 11600 kilometra, do të kushtojë 300 milion euro. Ndërkohë, Microsoft dhe një grup operatorësh aziatikë kanë nisur ndërtimin e New Cross, një kabllo tjetër transpaqësore midis Shteteve të Bashkuara, Kinës, Japonisë dhe Koresë së Jugut. Nga ana e tij, Facebook merr pjesë në financimin e një kablloje rajonale, Asia Pacific Gateway, që do të lidhë Malajzinë, Korenë e Jugut, Japoninë, Singaporin dhe Kinën.

Në Europë, projektet e reja u përgjigjen shpesh nevojave të amerikaneve. Kështu, Google dhe Microsoft kanë zgjedhur Finlandën për ndërtimin e qendrave të përpunimit të të dhënave europiane. Pak kohë më pas, qeveria finlandeze ka nisur ndërtimin e një kablloje në Balltik drejt Gjermanisë. Në të njëjtën mënyrë, Hibernia Express dhe AeConnect, dy kabllo të reja që lidhin Irlandën me Amerikën e Veriut, të vëna në funksionim në 2015, janë përdorur nga Microsoft, që ka prioritetin, dhe në rrugë aksesore nga Facebook e Google, që kanë krijuar filialet e tyre europiane në Irlandë për arsye fiskale dhe logjistike. Në Amerikën Latine, Google merr pjesë në financimit e një kablloje midis Brazilit dhe Miami, ndërsa Microsoft është bërë aleat me grupin amerikan Seaborn Networks për shfrytëzimin e kabllos Seabras-1, që do të shkojë deri në New York. Ndërkohë, qeveria braziliane ka nisur të zhvillojë një strategji autonome për t’u lidhur me pjesën tjetër të botës pa kaluar nëpër Shtetet e Bashkuara. Në bashkëpunim me Bashkimin Europian, Brazili ka krijuar projektin Eulalinks, një kabllo transatlantike drejt Portugalisë që duhet të kompletohet në 2018.

Ndërkohë, nga 2017, tri kabllo do të lidhin Brazilin me Afrikën – Angolë, Kamerun dhe Afrikë e Jugut – falë financimeve ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë kineze. Për Presidenten braziliane Dilma Roussef objektivi është si politik, ashtu edhe ekonomik. Në tetorin e 2014 Roussef e ka shpalosur problemin në mënyrë eksplicite: “Është një zgjedhje strategjike shumë e rëndësishme për vendin tonë dhe duhet kujtuar se kabllot nënujore janë midis instrumenteve kryesore për të spiunuar komunikacionet”. Referimi është për zbulimet e Edward Snowden lidhur me programet e survejimit të NSA-së, agjencisë amerikane të sigurisë, që ka instaluar instrumente interceptimi në stacionet e ardhjes së shumë kabllove nëujore, edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Përveç kësaj, vende të ndryshme, midis të cilave Shtetete e Bashkuara dhe Rusia, posedojnë nëndetëse ne gjendje që të kapnin në largësi sinjalet e dërguara përgjatë kabllove nënujore.

Rruga arktike

Në Calais, ASN-ja fillon edhe të lëvizë lidhur me një projekt tjetër të madh, atë të quajtur Arctic Fibre, që do të lidhë Mbretërinë e Bashkuar me Japoninë nëpërmjet Oqeanit Arktik. Bëhet fjalë për rrugën më të shkurtër dhe ndoshta më të sigurtë, por nuk është përdorur përdorur ende për shkak të akullit. Por tani, falë ngrohjes globale dhe përparimeve teknike, projekti është i realizueshëm. Sistemi do të shkojë në më shumë se 15000 kilometra dhe do të kushtojë rreth 700 milion euro. Koha e transferimit të të dhënave midis Europës dhe Azisë do të reduktohet në ndonjë milisekondë – një avantazh shtesë për punonjësit e bursave të Londrës dhe të Tokios. Arctic Fibre do të jetë pronësi e një kompanie kanadeze me të njëjtin emër, e një grupi financiar nga New York dhe e Quintillion, një kompani e re telekomunikacionesh me seli në Alaskë. Me 19 nëntor, Elizabeth Pierce, përgjegjësja e Quintillion, ka shkuar në Calais për të finalizuar kontratën me ASN-në për të përfunduar pjesën e parë të Arctic Fibre.

Në këtë moment, Quintillion është partneri kryesor i projektit, pasi fillimisht Arctic Fibre do të kufizohet në 1850 kilometra përgjatë brigjeve veriore dhe perëndimore të Alaskës. Kablli do të lidhë impiantet petrolifere dhe 6 fshatra të vegjël bregdetarë. “Sot në këto komunitete të izoluara lidhjet internetore janë shumë të kushtueshme, të ngadalta dhe pak të besueshme, sepse përdorin sidomos rrjetin me mikrovalë tokësore dhe, në pjesë të vogla, satelitët”, shpjegon Elizabeth Pierce. “Ardhja e internetit me shpejtësi të lartë dhe me çmim të mirë do të sjellë avantazhe në të gjithë sektorët”. Vendosja e kabllos do të duhet të fillojë në pranverë, për të përfituar nga muajt në të cilat oqeani është e liruar nga akujt. “Fillojmë nga Alaska pasi prej disa vitesh në këtë rajon klima është më e butë se në të kaluarën”, saktëson Elizabeth Pierce.

Kurse më në jug, në veri të Kanadasë, bën ftohtë më shumë se zakonisht. “Shtresat e akullit janë shumë të trasha, bile edhe në verë është e pamundur të vendoset kabllo. Por metereologët parashikojnë se në 2017 apo në 2018 cikli do të ndryshojë, Alaska do të ftohet, ndërsa Kanadaja do të fillojë të ngrohet. Kjo do të na mundësojë që të avancojmë drejt lindjes”. Për shkak të këtyre kufizimeve të imponuara nga klima, Quintillion dhe partnerët e tij nuk kanë mundur ta përcaktojnë një datë për përfundimin e punimeve. Në pritje të shkrirjes së veriut të Kanadasë, do të nisin në 2017 vendosjen e kabllos nën Paqësor, midis Alaskës dhe Japonisë.

(Yves Eudes për Le Monde)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA/Bota.al

Leave a Reply

Back to top button