Ekonomi

Shpëtimi i Greqisë, si shpëtim i Evropës

Screen Shot 2015-07-15 at 11.05.55

Nga Barry Eichengreen

Berkeley – Çfarëdo që dikush mund të mendojë, mbi taktikat e qeverisë së kryeministrit grek Aleksis Cipras, gjatë negociatave me kreditorët ndërkombëtarë, populli grek meriton më mirë, sesa ajo që është duke i ofruar. Gjermania dëshiron që Greqia të zgjedhë, mes kolapsit ekonomik dhe largimit nga eurozona.

Të dyja opsionet parathonë katastrofën ekonomike; i pari, në mos të dy, do të jetë edhe politikisht shkatërrimtar. Kur kam shkruar në vitin 2007, se asnjë shtet anëtar nuk do të largohej vullnetarisht nga eurozona, kam vënë theksin tek kostot e larta ekonomike të një vendimi të tillë.

Qeveria greke, ka treguar se e kupton këtë. Pas referendumit, ajo ra dakord – ndërsa dhe votuesit refuzuan një sërë kushtesh shumë të dhimbshme dhe të vështira. Cipras dhe ministri i tij i ri i financave, Euklid Cakalotos, kanë pranuar sakrifica të jashtëzakonshme, për të zbutur kreditorët e Greqisë.

Por, kur arrita në përfundimin se asnjë vend nuk do të largohej nga zona e euros, s’munda të imagjinoj dot sesi Gjermania, do të detyronte një anëtar tjetër të largohej. Ky, në mënyrë të qartë, do të jetë efekti i kushteve politikisht të patolerueshme dhe ekonomikisht perverse, të paraqitura nga ministria gjermane e financave.

Ideja e ministrit gjerman të financave, Volfgang Shojble, për një “largim” të përkohshëm të Athinës nga eurozona, është qesharake. Duke patur parasysh kolapsin ekonomik, dhe krizën humanitare në rritje më Greqi, qeveria nuk do të kishte zgjidhje tjetër, në mungesë të një marrëveshje, përveçse të shtypte para për të financuar shërbimet sociale thelbësore.

Është e pakonceptueshme, që një vend me një rrezik të këtyre përmasave, të mund të plotësojë kushtet për mbajtjen e euros – inflacioni brenda mesatares 2 përqind të eurozonës, dhe një normë të qëndrueshme të këmbimit për dy vjet – nga tani deri në fund të dekadës.

Nëse Grexit ndodh, kjo nuk do të jetë një festë;përkundrazi do të jetë një dalje në pension. Mëngjesin e së hënës, liderët evropianë ranë dakord për të hequr referencën e këtij “largimi të përkohshëm”, nga shpallja e marrëveshjes së fundit të ndihmës ekonomike. Por kjo derë, duke qenë e hapur, tashmë nuk do të mbyllet lehtë.

Eurosistemi është bërë shumë i brishtë dhe subjekt i destabilizimit. Ministrat e financave të vendeve të tjera evropiane, do të duhet të përgjigjen për të rënë dakord përpara udhëheqësve e tyre, për një project të përkohshëm që i vë fre gjuhës shkatërruese të Shojbles.

Ekonomikisht, programi i ri është pervers, pasi do ta zhysë Greqinë edhe më thellë në depresion.

Ai parashikon rritjen e taksave të tjera, shkurtimin e mëtejshëm të pensioneve, dhe zbatimin automatik të shkurtimit të shpenzimeve, nëse objektivat fiskalë nuk arrihen.

Por nga ana tjetër, programi nuk ofron asnjë bazë për rimëkëmbje apo rritje ekonomike. Ekonomia greke ndodhet tashmë në rënie të lirë, dhe të vetmet reformat strukturore, nuk do të mund ta ndryshojmë këtë prirje.

Marrëveshja vazhdon të kërkojë tepricat parësore buxhetore (nga pagesat e interesit), duke e rritur në 3.5 përqind të PBB-së nga viti 2018, e cila do të përkeqësojë rënien e Greqisë. Riprofilizimi i borxhit të vendit, që është pa dyshim pjesë e marrëveshjes, nuk do të mund të bëjë asgjë për ta përmirësuar këtë, duke patur parasysh se pagesat e interesit tashmë janë minimale, deri në fund të dekadës.

Teksa depresioni thellohet, objektivat e defiçitit do të arrihen, duke shkaktuar ulje të mëtejshme të shpenzimeve dhe përshpejtimin e tkurrjes së ekonomisë. Përfundimisht, marrëveshja do të shkaktonte një Grexit, ose për shkak se kreditorët do të tërheqin mbështetjen e tyre, pasi

objektivat fiskale nuk janë përmbushur, ose për shkak se populli grek do të rebelohet.

Ajo që rrezikon ta shkaktojë këtë largim, është synimi i hapur i Gjermanisë.

Së fundmi, fondi i privatizimit në qendër të programit të ri, s’do të bëjë asgjë për të inkurajuar reformën strukturore.

Po, Greqia ka nevojë të privatizojë ndërmarrjet publike joefikase. Por qeverisë greke, po i kërkohet të privatizojë me një armë të mbajtur tek koka. Privatizimet me çmime tejet të ulta, dhe me shumicën e të ardhurave të përdorura për të paguar borxhin, nuk do të krijojnë tek parlamentarët grekë apo publiku një humor të tillë, që të ecin përpara me entuziazëm me reformat strukturore. Greqia meriton më mirë.

Ajo meriton një program, që e respekton sovranitetin e saj dhe i mundëson qeverisë të krijojë besueshmëri me kalimin e kohës. Athina meriton një program të aftë. për të stabilizuar ekonominë greke, në vend se ta gjakosë atë për vdekje. Dhe ndërkaq meriton mbështetje nga BQE-ja, për të bërë të mundur qëndrimin në eurozonë.

Vetë Evropa meriton më mirë gjithashtu. Vende të tjera evropiane, nuk duhet që me ndërgjegje të pastër të aderojnë në këtë program, politikisht shkatërrimtar dhe ekonomikisht pervers. Ato duhet t’i kujtojnë vetes, se Greqia ka patur shumë ndihma nga partnerët e saj evropianë, në mbërritjen në këtë pikë.

Ato duhet të vazhdojnë të ushtrojnë presion, për arritjen e një marrëveshje më të mirë. Këta partnerë, s’duhet të lejojnë që projekti europian, të sakrifikohet në altarin e opinionit publik ose këmbënguljes së liderëve gjermanë për “rregullat”.

Nëse qeveria e Gjermanisë nuk pranon të shohë dritën, të tjerët duhet të gjejnë një mënyrë për të ecur përpara edhe pa të. Solidariteti franko-gjerman, mund të dëmtohet në mënyrë të pariparueshme, por ky solidaritet nuk ka asgjë vlerë, në qoftë se më e mira që mund të prodhojë është kjo marrëveshje.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, edhe publiku gjerman meriton diçka më shumë. Gjermanët meritojnë një udhëheqës, i cili qëndron fort përballë ekstremizmit, në vend se ta inkurajojë atë, qoftë brenda apo jashtë vendit.

Ata meritojnë një Evropë, që mund të luajë një rol më të madh në çështjet globale. Mbi të gjitha, duke patur parasysh arritjet mahnitëse politike dhe ekonomike të Gjermanisë që prej Luftës së Dytë Botërore, ata meritojnë admirimin dhe respektin e evropianëve të tjerë, dhe jo një pakënaqësi të ripërtërirë apo dhe dyshime.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Saving Greece, Saving Europe

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button