Analiza

SHPETIMI I NXENESEVE / Gjithë risqet e një blici pothuajse të pamundur

shpetimi i nxeneseveNë teori është një koalicion i madh. SHBA, Britania e Madhe, Franca, Izraeli dhe disa shtete afrikanë, të bashkuar në operacionin e shpëtimit të studenteve të Chibok, që janë marrë peng prej grupit ekstremist Boko Haram. Qeveritë perëndimore kanë vënë në dispozicion agjentë, mjete dhe informacione. Një ndihmë që mund të jetë e rëndësishme, me kusht që vendasit të dinë ta shfrytëzojnë si duhet, gjë që nuk është aspak e sigurtë. Plani ka si pikë të parë gjetjen e vendndodhjes së terroristëve dhe pengjeve. Në bazë të videos së shpërndarë nga Boko Haram është e mundur që një grup i madh të ndodhet në pyllin e Sambiasas, afro 30 kilometra larg prej qytetit të rrëmbimit. Kolona të tjera të grupit janë shpërndarë mes Kamerunit dhe Cadit. Një taktikë për ta bërë blicin shumë të komplikuar. Amerikanët kanë ofruar mjete specialë si U28, të përshtatshëm për misione zbulimi. Avionë për rikonjicion, por edhe në gjendje të interceptojnë komunikimet përmes radios. Po kështu, në Niger ndodhen disa avionë të telekomanduar që mund të zhvendosen për patrullime me rreze të gjatë. Nuk përjashtohet që edhe Londra të ofrojë një mjet me karakteristika identike.

Ndërsa në terren, misioni u është besuar bërthamave mikse, me 007-a dhe anëtarë të forcave speciale që janë dërguar nga të gjithë shtetet e sipërpërmendur. Një prani që nuk fillon nga zero. Amerikanët, bashkë me anglezët stërvisin prej kohësh batalionet specialë nigerianë. Izraelitët e njohin mirë zonën. Francezët kanë mobilizuar një skuadër teknike. Nëse “eksploruesit” do të zbulojnë terroristët, do të jenë këshilltarët që do të studiojnë realizueshmërinë e një aksioni të mundshëm, i cili gjithësesi duket problematik. Boko Haram është një grup i organizuar, nuk ka asgjë për të humbur, vepron në një terren të gjerë dhe ka demonstruar se nuk ka asnjë lloj respekti për jetët e pengjeve. Këtu nuk bëhet fjalë për të hedhur në erë një ndërtesë apo një avion, këtu duhet të shpëtohen dhjetëra vajza të reja. Mjafton një breshëri kallashnikovi për t’u marrë jetën shumë prej tyre. Në mars të vitit 2012, pengu italian Franco Lamolinara dhe një kolegu i tij britanik u vranë gjatë sulmit që kryen specialët nigerianë bashkë me komandot anglezë. Një fatkeqësi që u shkaktua prej informacioneve të pasigurtë, koordinimit të mangët dhe nxitimit. Sot, ai rrezik është edhe më i madh. Kjo është arsyeja përse Nigeria duhet të shqyrtojë edhe rrugën e negociatave. Në fund të fundit është një element politik. Reagimi global ndaj sfidës së militantëve, ndërkohë që nga njëra anë është i detyrueshëm, nga ana tjetër ushqen famën e lëvizjes ekstremiste. Boko Haram po fut në siklet nigerianët, duke u bërë njëkohësisht armiku publik numër një në Afrikë. Protagonizmi nuk është një faktor dytësor, sidomos në grupe të armatosur që kanë ambicie për një projektim rajonal. Dhe udhëheqësi i grupit, Abukabar Shekau i ka këto ambicie. Një lloj lufte që e kemi parë tashmë me kaedistët në zonën e Maghrebit. Ishin ata që treguan rrugën. (Guido Olimpio/Corriere della Sera)

Leave a Reply

Back to top button