Nga Eleonora Barbieri
Federiko Fagin buzëqesh: “Dikush mund të mendojë se libri “I pamodifikueshëm” më referohet mua …”. “Në fakt ai ka lidhje me raportin midis ndërgjegjes dhe materies, pra makinerive që krijojmë ne njerëzit. Dhe është dekurajues për mbështetësit e zjarrtë të Inteligjencës Artificiale”- shton ai. Fagin e nisi karrierën e tij në “Institutin Teknik Industrial” Rosi në Vicenza (qyteti ku lindi në vitin 1941). Më pas u diplomua për fizikë në Universitetin e Padovës. Nisi punë në Itali në një kompani që prodhonte gjysmëpërçues. Më pas vendos të ndjekë “disa projekte në Shtetet e Bashkuara”, dhe pikërisht atje arriti të shpikë mikroprocesorin e pari në botë, Intel 4004. pra një mjeshtër i informatikës (Barak Obama i dha atij Medaljen Kombëtare për Teknologjinë dhe Inovacioni në 2010).
Le ta nisim këtë intervistë nga fillimet tuaja, nga bota e kompjuterave. Kur shkuat në Amerikë?
Ishte viti 1968. Në atë kohë punoja për kompaninë “SGS Fairchild”, që merrej me prodhimin e qarqeve të integruara bipolare. Atje shpika një proces të ri për të prodhura qarqe me një hyrje prej silikoni.
Pse ishte kaq e rëndësishme kjo shpikje?
Sepse brenda 15 vitesh ajo zëvendësoi teknologjinë bipolare, e cila dominonte në qarqet e integruara, duke bërë të mundur krijimin e qarqeve të integruara më komplekse, 5 herë më të shpejtë dhe me një fluks qarkullimi 100-1000 herë më të mirë.
Pastaj?
Më pas kalova tek “Intel”, ku falë teknologjisë së “Silicon Gate”, shpika mikroprocesorin. Këto 2 shpikje e ndryshuan historinë e gjysmëpërçuesve. Dhe me kompaninë “Zilog”, të cilin e themelova në vitin 1974, krijova një mikroprocesor tjetër, Z80, që ishte shumë i suksesshëm dhe vazhdon të prodhohet ende sot.
A jeni shumë i pasur?
Po. Le të themi se para se të mbushja 40-vjeç, kisha mjaftueshëm para për të mos punuar më.
Dhe në vend të kësaj…
Themelova kompaninë tjetër “Synaptics”. Doja që të krijoja qarqe të integruara për kompjutera që mund të mësonin vetë. Pra po flas për sistemet e inteligjencës artificiale. Kam punuar gjatë mbi këtë fushë edhe pse në ato kohë ky sektor nënvlerësohej. Nisa të prodhoja teknologji që funksiononin vetëm me prekje por edhe ekrane me prekje.
A mund të thuhet se keni marrë një kënaqësi të madhe nga bota e makinerive?
Po, por kishte një problem. Edhe pse kisha arritur gjithçka që bota pretendon se mjafton për të qenë i lumtur, unë nuk isha. Pasi tani që kisha bërë gjithçka, ndihesha si përhumbur. Prandaj fillova të studioj ndërgjegjen.
Nga cili këndvështrim?
Në atë kohë isha materialist, ndaj thashë me vete: Nëse truri është një objekt, si kompjuteri, edhe ky i fundit duhet të ketë ndërgjegje. Dhe po përpiqesha të kuptoja se si. Pastaj vura re se tekstet e neuroshkencës e përshkruanin vetëdijen si përvoja që kemi kur shohim një peizazh, nuhasim një parfum apo dëgjojmë muzikë, pra si fryt i sinjaleve elektrike dhe biokimike. Dukej sikur këto sinjale përkonin me përvojën tonë të ndërgjegjshme.
Në çfarë përfundimi arritët?
Që fjala ndërgjegje ishte e padëshiruar, dhe se ajo për të cilin flisnin ata ishte një mashtrim. Njëlloj si sot me Inteligjencën Artificiale: ata na flasin për gjërat që bëjnë kompjuterat, sikur këta i bëjnë ato vetë dhe jo të programuar nga ne. Për më tepër, kompjuterat e bëjnë këtë si makineri. Ato kanë brenda vetëm sinjale. Është një formë indoktrinimi, ku vetëdija identifikohet me një fenomen material, i cili lind nga një mekanizëm, nga faktorë biologjikë, kur në fakt nuk është kështu.
Si e bëtë këtë zbulim?
Siç e kam shpjeguar në librin tim të parë “Silicio”, unë pata një përvojë të jashtëzakonshme, të cilën e quaj zgjim, e cila më bëri të kuptoj se si vetëdija ishte shumë më tepër se sa mendoja, dhe më hapi një portë drejt një bote tjetër, atë të spiritualitetit, të cilën e kisha eliminuar. Është një botë që ka një kontakt të fortë me fenë, dhe më ka nxitur të nis një rrugëtim, i cili zgjati 20 vjet, mbi natyrën e ndërgjegjes, meditimit…Unë i kam përjetuar të gjitha ndjesitë, por pa përdorur asnjë lloj droge.
Dhe ku ju çoi kjo rrugë?
E kuptova që vetëdija nuk mund të jetë një fenomen i fizikës klasike. Në moshën 68-vjeçare dola në pension për t’iu përkushtuar studimit të ndërgjegjes. Në vitin 2009 krijova Fondacionin Federiko dhe Elvia Fagin, për të kuptuar fizikën e ndërgjegjes, Jo vetëm metafizikën, por edhe për të ndërthurur aspektet shpirtërore dhe shkencore, për të krijuar një urë lidhëse midis të dyjave, diçka që sot cilësohet e pamundur.
Si arrin t’i mbash ato së bashku?
Që të dyja kombinohen shumë mirë për të krijuar një vetë-njohje, e cila nuk do të ishte e mundur vetëm përmes realitetit fizik, simbolik. Në fakt kjo e fundit integrohet me përvojën e brendshme, që është realiteti kuantik.
Çfarë thotë fizika kuantike për përvojat e brendshme të njeriut?
Që informacioni kuantik nuk mund të dhurohet: Ai përfaqëson përvojën e sistemit që është në atë gjendje kuantike, e cila është private, pra një përvojë e brendshme e ndërgjegjes. Tek e fundit, ne e dimë mirë se sa unike është përvoja jonë.
A është kjo ajo që ju e quani Seity?
Seity është entiteti i ndërgjegjshëm: Pra sistemi kuantik që është i vetëdijshëm, që mund të veprojë me vullnet të lirë dhe ka një identitet, që është i vetëdijshëm.
Po materia?
Materia ka realitetin e vet, që është informacioni klasik. Pra është ajo që i lejon Seity të komunikojë, përmes simboleve të ndashme, të tilla si pjesët e kompjuterit ose fjalët, në mënyrë që të gjithë të kemi qasje këtë informacion. Pra, ne sjellim një kuptim mbi fizikën, duke krijuar një lidhje midis brendësisë – fizikës kuantike – dhe eksterioritetit – fizikës klasike.
Një formë idealizmi?
Po, por jo shumë i madh. Fakt është se kjo teori ecën në drejtim të kundër me materializmin që është sot dominues. Ndaj kjo tezë do të hasë shumë rezistencë. Do të duhen të paktën 30 ose 40 vjet. Por ne do të arrijmë atje.
Në këtë pikë, a mund të quhet vërtet inteligjencë ajo që quajmë sot Inteligjenca Artificiale?
Jo, sepse inteligjenca e vërtetë ka nevojë për vullnet të lirë, dhe për atë aspekt jo–algoritmik që quhet krijimtari.
Po alarmet në kompjuterat që do të na monitorojnë?
Mendoj se gjërat që ata thonë mund të ndodhin, jo sepse kompjuteri dëshiron që të fitojë kontroll mbi ne njerëzit, por sepse njeriu, ai që kontrollon kompjuterat, dëshiron që t’i nxitë makinat ta bëjnë këtë. Kompjuterat nuk mund të vendosin për asgjë. Është një shpëlarje truri, që kryhet përmes përdorimit të ideve të gabuara, për të fituar para dhe për ta shfrytëzuar informacionin tonë. / “Il Giornale” – Bota.al