Analiza

Shqiponja e goditur

Antonio Donno

 “Imperium et libertas” është motoja themeltare e të gjithë politikës së jashtme e Amerikës së pasluftës. Deri tek Obama. Pse është në krizë internacionalizmi i Shteteve të Bashkuara

eagleKur më 12 mars të 1947 Presidenti Truman shpalli doktrinën e tij të ndërhyrjes amerikane në botë, “New York Times” e quajti këtë diskutim “një ndryshim radikal (në politikën e jashtme amerikane) në harkun e 21 minutave”. Kongresi amerikan mbeti i shokuar dhe James Reston e përcaktoi ndërhyrjen e Presidentit “të krahasueshme për nga rëndësia” vetëm me Doktrinën Monroe. Në këtë mënyrë, në kujtimet e tij Clark Clifford, këshilltari special i Truman, një prej frymëzuesve të mëdhenj të internacionalizmit trumanian, kujton këtë ngjarje të paharrueshme në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Fillonte era e “globalizmit” amerikan e pasLuftës së Dytë, një politikë me frymëmarrje të madhe që shumë historianë e kanë lidhur me nevojat e luftës së Ftohtë dhe të luftës ndaj Bashkimit Sovjetik. Por nuk është kështu. Nuk është vetëm kështu. Beteja kundër kërcënimit të komunizmit sovjetik ishte vetëm refleksi i një konceptimi grandioz të rolit që Shtetet e Bashkuara do të duhej të luanin në botë. Dhe ky rol nuk ishte as i lidhur thjesht me projektin e “eksportimit” të lirisë në botë, siç kanë thënë shumë.

Projekti i Truman ripasqyronte moton e Tetëqindës që shoqëroi ekspansionin kontinental e Shteteve të Bashkuara: “Imperium et libertas”. Dhe një moto e tillë ka mbetur e nëndheshme në mënyrë implicite për të gjithë politikën ndërkombëtare amerikane e pasLuftës së Dytë, deri tek Barack Hussein Obama. Me Obama ndodh fraktura dramatike, kthesa drejt një izolacionizmi që ka shumë papërfillshmëri politike. Por le të procedojmë me rregull. Me termin “imperium” politikanët dhe vëzhguesit amerikanë të Tetëqindës nënkuptonin një vend–simbol – politik, moral, ekonomik – rreth të cilit do të duhej të vërtitej një sistem politik kontinental i ri, fillimisht, dhe, nga fundi i shekullit e këtej, ndërkombëtar. Ka qenë kështu gjatë gjithë Nëntëqindës, edhe gjatë viteve Njëzet, të konsideruara në mënyrë të gabuar një dekadë izolacionizmi: qe edhe në raportet me Europën, ndaj së cilës amerikanët ushqenin një ndjenjë refuzimi dhe shkëputjeje pas masakrave të Luftës së Parë Botërore, por jo ndaj Azi – Paqësorit, që u bë qendra e interesave politike dhe ekonomike të Washington. Në thelb, “imperium”-i amerikan ka qenë për më shumë një shekull ylli polar i marrëdhënieve ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. “Imperium”-i, e përsëris, për të mos u nënkuptuar me çdo kusht si detyrim, nevojë apo mision për të eksportuar lirinë në botë.

Kjo qe kryefjala e Woodrow Wilson, por ishte vetëm një slogan: realiteti që i qëndronte prapa ishte se Shtetet e Bashkuara paraqiteshin si element i një stabilizimi ndërkombëtar jetëgjatë: më mirë, nëse nëpërmjet një procesi të përhapjes së lirisë, por, në radhë të parë, si frenim, ftohje, ndërmjetësim midis shtytjeve centrifuge që qenë shfaqur në skakierat e ndryshme e sistemit politik ndërkombëtar. Kështu, “imperium”-i amerikan u forcua dhe u bë gjilpëra e peshores gjatë viteve të Luftës së Ftohtë. Duhet të çlirohet fusha nga një mit konstant në historiografinë e pasLuftës së Dytë dhe në vetë opinionin publik. Bipolarizimi i viteve të Luftës së Ftohtë nuk qe një duopol Shtete të Bashkuara – Bashkim Sovjetik, nuk qe një ndarje e botës midis dy modelesh: kjo donte të thoshte se komunizmi sovjetik nuk e pati një fuqi tërheqëse të krahasueshme me liberalizmin amerikan. Nuk ka gjë më false. Komunizmi u imponua në gjysmën e botës me dhunë, jo nëpërmjet bindjes, siç e demonstron mirë historia e Perëndimit liberal. Bipolarizmi është një term i teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, jo i historisë së shekullit të Njëzet e cila është shpalosur para syve të miliona e miliona njerëzve në çdo pjesë të botës. Modeli liberal, me shtytjen ekonomike fantastike të tij, u jepte Shteteve të Bashkuara një centralistet në sistemin politik ndërkombëtar që komunizmi as nuk mund ta çonte nëpër mend për ta kundërbalancuar. Komunizmi ishte mohimi i lirisë: ky ishte problemi. Presidentët amerikanë e pasLuftës së Dytë dhe qeveritë e tyre e dinin mirë. Komunizmi ishte armiku për t’u mundur, por akoma më e rëndësishme ishte që t’i jepej botës, edhe asaj komuniste, një pikë referimi efikase për të stabilizuar së më shumë të ishte e mundur sistemi politik i përgjithshëm.

Kjo qe detyra e amerikanëve gjatë gjithë pasLuftës së Dytë, një detyrë që në kompleks është kryer në mënyrë mrekullueshme nga të gjitha presidencat, republikane apo demokrate qofshin ato. Suksesi ka qenë i tillë që në mënyrë të ngadaltë, por të pandalshme, Bashkimit Sovjetik i është dashur që të përulet para të dhënës faktike: superioritetit të modelit amerikan mbi atë komunist. Rënia e komunizmit nuk i detyrohet vetëm shpërbërjes së brendshme të tij, por faktit që modeli i tij, me kalimin e kohës, është treguar i paaftë sa për t’i rezistuar sfidës. Asnjë president amerikan nuk e pati kurrë ndonjë dyshim lidhur me rezultatin final të konfrontimit. Në veçanti me Nixon dhe Kissinger, modeli stabilizues i sistemit politik të dëshiruar nga Shtetet e Bashkuara triumfoi. Nga ai moment e prapa, kriza e Bashkimit Sovjetik si model alternativ ndaj centralitetit amerikan në botë që evidente dhe më pas çoi në shpërbërjen finale. Në të njëjtën mënyrë, aksioni penetrues i diplomacisë amerikan ndaj Kinës komuniste çoi në një rezultat të paimagjinueshëm për shumë, por jo për dyshen Nixon/Kissinger: Washington e zhdoganoi Pekinin në funksion antisovjetik, por Pekini e kuptoi shumë shpejt se për ta ruajtur dhe forcuar këtë rol të tij, të dhënë nga amerikanët, duhet të ndryshonte regjistër në nivel ekonomik. Kështu i dha jetë një kapitalizmi agresiv, për sa ende i drejtuar nga aparati i Partisë Komuniste. Për momentin.

Kështu, “globalism” jepte frytet e tij, ky objektiv dhe pasojat nuk do të mund të arriheshin kurrë pa praninë e “imperium et libertas” amerikane në botë. Konceptimi i Truman, i paraprirë me shumë vite nga Wilson, ishte rrënjosur në traditën politike amerikane dhe në vizionin e botës e klasave drejtuese të tij. Ishte tashmë tendenca mbizotëruese e pranisë amerikane në botë. Ishte edhe krenaria e amerikanëve. Falë rolit qendror të Shteteve të Bashkuara në skakierën ndërkombëtare globale bota ka gëzuar një stabilitet substancial, që i detyrohet edhe dobësimit progresiv të mesazhit komunist. Ky rol ka vazhduar edhe pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, gjatë viteve të Clinton dhe pastaj atyre të Bush, pavarësisht shfaqjes së disa të çarave në ekuilibrin ndërkombëtar. Megjithëse fillimisht ngurrues, disekuilibret që vinin e thelloheshin e shtynë Clinton që të mos e privojë sistemin politik nga roli ekuilibrues themelor i Shteteve të Bashkuara. Domethënë Clinton nuk mundi t’i mbyllte sytë përballë realitetit historik të funksionit thelbësor të ushtruar nga Shtetet e Bashkuara në arenën globale. Një funksion i sanksionuar prej një shekulli – “shekulli amerikan” – hegjemonie të pandërprerë të Washington në botë. Në thelb, sistemi politik ndërkombëtar ishte prerë dhe modeluar rreth çernierës të formuar nga roli i Shteteve të Bashkuara. Ky është realiteti që na ka lënë shekulli i Njëzet. Siç paralajmërojnë të gjithë studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, sistemi politik global nuk toleron boshllëqe. Por duhet zbritur nga teoria në realitetin historik.

Për të mos u kthyer shumë prapa në kohë, le të shikojmë atë që ka ndodhur në Lindje të Mesme gjatë viteve të fundit të shumëakuzuarit George W. Bush. Kur Bush, pas 11 shtatorit, ka vendosur që të çojë trupat e tij në Afganistan, këtë gjë e ka bërë sepse në atë rajon, pas largimit të sovjetikëve, ishte krijuar një boshllëku pushteti në të cilin ishte instaluar me shpejtësi një qendër islamiste, për shkak të së cilës po përhapej në botë një sulm terrorist në shkallë të gjerë, të cilit vetë Shtetet e Bashkuara i pësuan pasojat tragjike. Akoma, kur Bush ka vendosur për të rrëzuar Saddam Hussein, këtë gjë nuk e ka bërë vetëm për të përhapur demokracinë në botën arabe, por sidomos pse diktatori iraken, fillimisht me luftën kundër Iranit dhe më pas me pushtimin e Kuvajtit, tentonte të modifikonte thelbësisht asetin gjeopolitik e Lindjes së Mesme, duke krijuar nëpërmjet forcës boshllëqe pushteti në të cilat të fuste hegjemoninë e vet. Tërheqja e Bashkimit Sovjetik dhe me Kinën akoma jo të përfshirë në rajone të largëta nga influenca e saj, fuqia e vetme në gjendje që të shmangte një tronditje aq të madhe dhe potencialisht në gjendje të përmbyste stabilitetin e sistemit politik ndërkombëtar qenë Shtetet e Bashkuara. Dhe me Bush, Shtetet e Bashkuara edhe një herë akoma ndoqën kursin e politikës ndërkombëtare tradicionale të tyre, duke u paraqitur si forcë goditëse luftarake e aftë që të rivendoste ekuilibrin në një rajon nga do të mund të zhvillohej një valë sizmike me shtrirje ndërkombëtare. Ashtu siç po ndodh sot. Kështu, Bush nuk është shkaku i tërmetit islamik që po trondit Lindjen e Mesme, siç e ka demonstruar shkëlqyeshëm Carlo Panella në artikujt e tij të fundit. Përkundrazi, aksioni i Bush ka vonuar avancimin islamiste në rajon, duke i dhënë goditje mjaft të ashpra. Bush është vendosur në mënyrë autoritare në korrentin kryesor e politikës amerikane ashtu siç kishte ardhur duke i konfiguruar gjatë gjithë shekullit të Njëzet, historia e të cilit i kishte besuar vendit amerikanoverior një rol themelor ruajtjeje dhe rregullimi të stabilitetit të sistemit politik ndërkombëtar. Bëhet fjalë për një rol të cilit Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i shmangen. Jo sepse duhet të vazhdojnë të jenë “bamirësit” e njerëzimit, por sepse vetë ata, duke ju shmangur rolit të tyre si fuqi ekuilibruese e skenarit ndërkombëtar, vënë në rrezik sigurinë e tyre dhe vetë sigurinë e atij kompleksi të jashtëzakonshëm vlerash me të cilat Perëndimi është pajisur ndër shekuj. Çështja e sigurisë, kanë pohuar kontestuesit e Bush dhe, akoma më shumë, antiamerikanët e të gjitha llojeve, do të ishte justifikimi për çdo ndërhyrje amerikane në fushën ndërkombëtare.

Është pikërisht kështu, por jo për arsyet e lidhura me akuzën e zakonshme trishtuese të Amerikës “imperialiste”. Kur Afganistani qe një boshllëk politik dhe aty u vendos terrorizmi xhihadist, pikërisht nga ai territor u ndërmor një sulm i fortë ndaj Shteteve të Bashkuara. Pse? Sepse Shtetet e Bashkuara janë numri një i botës së lirë; sepse Shtetet e Bashkuara kanë çliruar dhe çlirojnë forcën vitale të individualizmit liberal; sepse Shtetet e Bashkuara janë pjesa më e fuqishme e botës së qafirëve ose më mirë të atyre që në fakt janë besnikë ndaj trashëgimisë së lirisë perëndimore; sepse Shtetet e Bashkuara janë… Shtetet e Bashkuara, domethënë armiku numër një i totalitarëve të çdo ngjyre. Le të japim një shembull tjetër. Kur Saddam Hussein tentoi me dy lëvizje që ta trondiste Lindjen e Mesme (luftën kundër Iranit dhe pushtimin e Kuvajtit), duke kërcënuar nga afër një aleat të Shteteve të Bashkuara, Arabinë Saudite dhe akoma më shumë Izraelin, të dy presidentët Bush, në kohëra të ndryshme, ndërhynë. Por kërcënimi i paraqitur Izraelit e vinte në rrezik sigurinë e Shteteve të Bashkuara? Sipas çdo gjase, po. Sepse Izraeli përfaqëson avampostin e qytetërimit perëndimor, domethënë zemrën pulsuese, vitale të botës së vlerave të tij, atë botë të qafirëve që ka qenë dhe është rreziku historik për ekspansionizmin islamik. Presidentët amerikanë të kohës, interpretues besnikë të traditës amerikanë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të rolit prej ekuilibruesi të luajtur historikisht nga Shtetet e Bashkuara në skenën ndërkombëtare, nuk ju shmangën detyrimit të tyre. Rënia e Izraelit do kishte qenë dhe do të ishte sot shumëfishuesi i tmerrshëm i radikalizmit terrorist islami, shpallja e fitores finale të besimtarëve kundër qafirëve, paraprirja e triumfit planetar të utopisë islamiste, siç ka shkruar aq mirë Panella. Dhe Shtetet e Bashkuara do të ishin përfshirë drejtpërsëdrejti në këtë disekuilibër dramatik, si interpretuesit besnikë të një bote antagoniste respektivisht totalitarizmit islamik. Pas aventurës laike të utopisë nacionalsocialiste dhe komuniste, tani projekti, kësaj radhe fetar, i ndërtimit të “njeriut të rij” ka kaluar në duart e xhihadit islamik, totalitarizmi i ri.

Politika ndërkombëtare e Barack Hussein Obama nuk mund të kuptohet nëqoftëse nuk futet në shtratin e traditës internacionaliste amerikane. Por me t’u kryer ky operacion, del një lloj oshëtime e pakuptueshme, në shumë aspekte e papranueshme për vlerat e botës perëndimore, sikur bota perëndimore të mos ishte në një lloj stanjacioni vlerash. Barack Hussein Obama është i huaj ndaj traditës politike amerikane, sidomos për atë që ka të bëjë me rolin e Shteteve të Bashkuara në botë. E gjitha kjo quhet pragmatizëm, por pragmatizmi nuk mund të ndahet nga një kontekst i qëndrueshëm vlerash dhe traditash. Ai i Barack Hussein Obama është një pragmatizëm i verbër, i privuar nga një vizion politik, siç e kanë demonstruar në mënyrë të paekuivok lëvizjet e tij në politikën ndërkombëtare. Le t’i shohim sipas kronologjisë së tyre.

Me shtytjen e një opinioni publik të lodhur nga luftërat, Obama ka shpallur dhe më pas realizuar në fakt mjaft me shpejtësi tërheqjen amerikane si nga Afganistani, ashtu edhe nga Iraku, duke lënë një boshllëk pushteti të rrezikshëm në të parin dhe duke e braktisur të dytin kur akoma po vinte duke u konfiguruar një skenar pjesëmarrjeje demokratike. Një gabim i pafalshëm, sepse tani si në njërin vend, ashtu edhe në tjetrin, forcat e terrorit islamik po ribashkohen. Do të ishte vërtet e tmerrshme nëse pikërisht në Afganistan të rikrijohej, në çfarëdo forme, ajo qendër terrorizmi që i ka goditur Shtetet e Bashkuara me qq shtator. Nga ana tjetër, Iraku është sot objekt i një sulmi frontal nga ana e forcave terroriste të ISIS-it. Ky ka qenë debutimi katastrofik i politikës së jashtme të Obama, i një presidenti amerikan që për t’ju nënshtruar ndjenjës popullore gjithsesi të kuptueshme ka hequr dorë për të vlerësuar më kthjelltësi interesat strategjike e vendit të tij në një rajon që ka qenë dhe është akoma një vatër e terrorizmit islamik antiamerikan.

Ngjarjet e Libisë kanë qenë shembulli më i bujshëm i budallallëkut obamian. Duke ju nënshtruar objektivave jorealiste të Sarkozy, pa një vlerësim objektiv të pasojave rajonale të eliminimit të regjimit të Khaddafi, duke qëndruar në linjë me një “pranverë” libiane të privuar nga perspektiva konkrete dhe pa vlerësuar impulset antiamerikane në këtë lëvizje (dhe duke e privuar ambasadën amerikane në Benghazi nga mbrojtja e nevojshme, kështu që vetë ambasadori amerikan Christopher Stevens është masakruar barbarisht), Obama ka realizuar një kryevepër amatorizmi politik. Më pas, “pranvera” arabe tjetër, ajo egjiptiane, ka konfirmuar paaftësinë e Obama për të menaxhuar krizat rajonale. Fillimisht ka mbështetur eksponentin e Vëllazërisë Myslimane, Morsi, me pas, më rënien e këtij të fundit, është kapur pas regjimit të al Sisi, pa kuptuar asgjë nga ajo që po ndodhte. Shpjegimi është i thjeshtë: kur një president amerikan heq dorë me vetëdije dhe me projekt ndaj rolit të vendit të tij në politikën ndërkombëtare, duke u privuar nga një vizion politik në këtë fushë themelore për një fuqi të madhe i Shtetet e Bashkuara, përfundon për të mos kuptuar më kur faktet e shtrëngojnë që të marrë një pozicion politik. Rusia dhe Irani gëzojnë, duke e kuptuar mirë se rajoni i Lindjes së Mesme mund të jetë në dispozicionin e tyre. Së fundi, lëkundjet e Obama në krizën siriane i kanë dhuruar spektakël të trishtuar një vendi që e ka humbur busullën e rolit ndërkombëtar të tij. Tani janë Shtetet e Bashkuara e Barack Hussein Obama ato që tregojnë një boshllëk iniciative politike alarmues që nuk premton asgjë të mirë.

Antonio Donno është Profesor i Historisë së marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Lecces. Midis librave të tij, përmendim “In nome della libertà. Conservatorismo Americano e Guerra fredda” (2004) dhe “Barry Goldwater. Valori americani e lotta al comunismo” (2008)

Përgatiti për bota.al:

ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button