Horizonti.alMAIN

“Shqisa e gjashtë” është çelësi i mirëqenies tonë, por vetëm nëse dimë ta dëgjojmë atë

Nga Jennifer Murphy & Freya Prentice

Shumica e njerëzve njohin ekzistencën e 5 shqisave (prekjes, shikimit, dëgjimit, nuhatjes dhe shijes). Por jo të gjithë e dinë se ne njerëzit kemi një shqisë shtesë të quajtur interceptim. Kjo është ndjenja e gjendjes së brendshme të trupit tonë.

Ajo na ndihmon të ndjejmë dhe interpretojmë sinjalet e brendshme që rregullojnë funksionet jetësore në trupin tonë, si uria, etja, temperatura e trupit dhe rrahjet e zemrës. Edhe pse nuk e marrim shumë parasysh në përditshmërinë tonë, ajo është një shqisë jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi siguron funksionimin optimal të çdo sistemi në trupin tonë.

Ajo e bën këtë duke na paralajmëruar kur trupi ynë mund të jetë jashtë ekuilibrit të tij. Si për shembull, duke na nxitur të pimë diçka kur ndihemi të etur apo të heqim xhupin kur kemi vapë. Por interceptimi është shumë i rëndësishem edhe për shëndetin tonë mendor.

Dhe kjo sepse ajo kontribuon në shumë procese psikologjike, duke përfshirë vendimmarrjen, aftësinë sociale dhe mirëqenien tonë emocionale. Problemet me këtë shqisë raportohen në shumë gjendje të shëndetit mendor, duke përfshirë depresionin, ankthin dhe çrregullimet e të ngrënit.

Pavarësisht se sa i rëndësishëm është interceptimi për të gjitha aspektet e shëndetit tonë, dihet pak nëse burrat dhe gratë ndryshojnë në mënyrën se si i kuptojnë saktë sinjalet e brendshme të trupit të tyre. Deri më tani, studimet mbi këtë çështje, kanë gjetur rezultate të përziera. Për të pasur një panoramë më të qartë, ne kombinuam të dhënat nga 93 studime, që kanë analizuar interceptimin tek burrat dhe gratë. Ne u fokusuam më shumë tek studimet që vëzhgonin sesi njerëzit i perceptojnë sinjalet e zemrës, mushkërive dhe stomakut në një sërë detyrash të ndryshme.

Për shembull, disa studime u kishin kërkuar pjesëmarrësve të numëronin rrahjet e zemrës së tyre, ndërsa në raste të tjera pjesëmarrësve në studim iu kërkua të përcaktonin nëse shihnin një dritë vezulluese kur tkurrej stomaku i tyre, apo nëse mund të dallonin një ndryshim në frymëmarrjen e tyre gjatë frymëmarrjes në një pajisje që e bën më të vështirë këtë funksion.

Analiza jonë zbuloi se kjo shqisë ndryshon midis burrave dhe grave. Gratë ishin dukshëm më pak të sakta në detyrat e përqendruara tek zemra krahasuar me burrat.

Ndonëse ne zbuluam dallime të rëndësishme midis detyrës së matjeve të rrahjeve të zemrës, rezultatet për detyrat e tjera ishin më pak të qarta. Kjo mund të jetë për shkak se vetëm një pjesë e vogël e studimeve, kanë shqyrtuar këtë shqisë në raport me funksionimin e mushkërive dhe stomakut.

Mund të jetë shumë herët për të thënë me siguri nëse burrat dhe gratë ndryshojnë në perceptimin e tyre ndaj këtyre sinjaleve. Gjithsesi, gjetjet tona mund të jenë të rëndësishme për të na ndihmuar të kuptojmë pse shumë gjendje të zakonshme të shëndetit mendor (si ankthi dhe depresioni) janë më të përhapura tek gratë sesa tek burrat që nga mosha e pubertetit dhe në vazhdim.

Për ta shpjeguar këtë janë propozuar disa teori si gjenetika, hormonet, personaliteti dhe ekspozimi ndaj stresit apo ngjarjeve të rënda në fëmijëri. Por për shkak se ne e dimë se interceptimi është i rëndësishëm për mirëqenien, ka të ngjarë që ndryshimet në interceptim mund të shpjegojnë pjesërisht arsyen pse më shumë gra vuajnë nga ankthi dhe depresioni sesa burrat.

Kjo sepse vështirësitë me interceptimin mund të ndikojnë në shumë fusha, përfshirë funksionin emocional, social dhe atë njohës, të cilët janë që të gjithë faktorë të njohur rreziku për shumë gjendje të shëndetit mendor.

Njohja e dallimeve në mënyrën se si burrat dhe gratë i kuptojnë sinjalet interceptive mund të jetë gjithashtu e rëndësishme për trajtimin e sëmundjeve mendore. Ndërsa studimet e reja sugjerojnë se përmirësimi i funksionit të shqisës së interceptimit e përmirëson shëndetin mendor, studimet të tjera sugjerojnë gjithashtu se burrat mund të përdorin sinjale interceptive – për shembull nga zemra e tyre – më shumë sesa gratë kur përpunojnë emocionet e tyre.

Janë raportuar edhe dallime të tjera.

Dhe studiuesit kanë disa teori për këto, duke përfshirë ndryshimet e dallueshme fiziologjike dhe hormonale, që përjetojnë shumica e burrave dhe grave. Një kuptimi më i mirë i të gjithë faktorëve që ndikojnë në aftësinë interceptive, mund të jetë i rëndësishëm për zhvillimin e trajtimeve më të mira për shumë gjendje të shëndetit mendor. / “Science Alert” – Bota.al

Back to top button