Shendeti

Shtatë gjëra befasuese që mund të përmirësojnë shëndetin tuaj

Në këtë artikull, këtë herë do të njiheni me disa mënyra mjaft të habitshme, të cilat përmirësojnë shëndetin tuaj fizik dhe mendor

Screen Shot 2016-04-18 at 07.44.35

Ndërkohë që mjekët na “bombardojnë” vazhdimisht me ftesa dhe këshilla se si të qëndrojmë në shëndet të mirë, gazeta “The week” ka publikuar një artikull, në të cilin paraqiten studime të ndryshme befasuese që mund të përmirësojnë gjendjen tonë të përgjithshme, qoftë fizike ashtu edhe psikologjike. Kështu që, nëse jeni pesimistë kronikë, duhet të dini se edhe kjo mënyrë e të qenët real mund të jetë pozitive.

Pesimizmi

Të qenët pesimistë kronikë mund të jetë eliksir i një jete të gjatë. Një grup shkencëtarësh kanë monitoruar 40 000 persona me moshë nga 18 deri në 96 vjeç për të parë lumturinë e tyre për pesë vjet. Gjatë kësaj periudhe, studiuesit verifikuan se ata që kishin super vlerësuar mirëqenien e tyre, kishin një rrezik 10% më të lartë vdekshmërie apo invaliditeti. Për psikologun Frieder Lang, “pesimizmi rreth së ardhmes mund t’i inkurajojë njerëzit që të jetojnë me më shumë kujdes, duke u preokupuar për shëndetin dhe sigurinë.

Videolojërat

Videolojërat ndihmojnë në rigjenerimin e mendjes, duke e mbajtur atë aktive. Shkencëtarët i kanë dhënë një grupi vullnetarësh, nga mosha 60 deri në 85 vjeç, që të luajnë një lojë të quajtur “Neuro Racer” për një muaj rresht. Kapacitetet e tyre konjinktive kanë rezultuar të përmirësuara. Loja multitasking ka kontribuuar në forcimin e kujtesës së tyre afatshkurtër dhe afatgjatë, përveç aftësisë së përqendrimit.

Këndimi në grup

Këndimi në grup mund të zhvillojë një gjendje uniteti dhe një ndjesi harmonike. Këtë gjë e mbështet një grup studiuesish suedezë, të cilët kanë monitoruar frekuencat kardiake të një grupi këngëtarësh, duke verifikuar se si impulset e tyre rriteshin sipas ritmeve muzikore. Frymëmarrja e kontrolluar duket se ka një efekt qetësues, në mënyrë të ngjashme me ushtrimet e jogës.

Paracetamoli

Nuk shërben vetëm për të ulur temperaturën ose për të qetësuar dhembjet. Ky ilaç mund të përdoret edhe për të ruajtur qetësinë. Shkencëtarët e Universitetit të British Columbia kanë zbuluar që përbërësi kryesor i këtij ilaçi, acetaminofeni, i bën disa njerëz që të jenë shumë më pak të depresionuar ose të shqetësuar në krahasim me situatat e vështira.

Mbrojtja diellore

Përdorimi i vazhdueshëm i një kremi me një bazë faktori mbrojtës kundër diellit, mund të largojë plakjen e lëkurës, duke e mbrojtur atë nga rrudhat dhe duke e bërë më të re. Kjo është teza e disa studiuesve australianë, të cilët studimin e tyre e kanë kryer te një grup vullnetarësh me lëkurë të qartë, që për katër vjet me radhë, çdo mëngjes, kanë aplikuar në fytyrën e tyre, në qafë, krahë dhe duar një krem kundër rrezeve të dëmshme të diellit.

Nostalgjia

Kujtimi i kohëve të bukura dhe të kaluara mund të kontribuojë në kapërcimin e vetmisë dhe të ankthit. Bëhet fjalë për një lloj “konfrontimi psikologjik” që paraqet një mënyrë për të mbajtur dhe kontrolluar situata stresuese. Këtë gjë e ka zbuluar një studim i kryer nga North Dakota State University.

Leximi i librave narrativë

Një grup psikologësh nga Nju Jorku ka zbuluar se narrativiteti i bën personat më të bukur dhe empatikë. Disa vullnetarë iu nënshtruan leximit të një romance, të tjerë artikullit të një gazete, duke i treguar emocionet e tyre përmes shprehjeve të tyre të fytyrës. “Leximi u lejon lexuesve që të futen në një tjetër jetë dhe i ‘detyron’ ata që të ndërtojnë mendjen e personazheve, që reflekton edhe në situatat e jetës reale”, ka thënë Emanuele Castano, autori i studimit.

Leave a Reply

Back to top button