Horizonti.al

Si do të marrë fund Universi?

Nga Adam Mann

Si do të marrë fund universi? “Jo me shumë zhurmë, por me një psherëtimë”- shkroi dikur poeti amerikan T.S.Eliot, në lidhje me fundin e botës. Por nëse doni një përgjigje më të saktë, do të zbuloni se fizikantët kanë kaluar orë të panumërta, duke e shoshitur këtë çështje në mendjen e tyre, dhe kanë arritur të përshtasin me kujdes hipotezat më të besueshme në disa kategori.

“Në tekstet shkollore, dhe në kursin e kozmologjisë, ne mësojmë se ekzistojnë tre të ardhme themelore për Universin”- thotë Robert Kalduell, kozmolog në Universitetin Dartmauth në Nju Hempshajër, SHBA.

Sipas njërit prej skenarëve, kozmosi mund të vazhdojë të zgjerohet përgjithmonë, me gjithë materien që në fund do të shpërbëhet në energji, në atë që njihet si një “vdekje e nxehtë”, shprehet Kalduell. Nga ana tjetër, graviteti mund të shkaktojë rishfaqjen e universit, duke krijuar një Big Bang në drejtimin e kundërt, që do të quhet Big Crunch.

Ose ekziston mundësia, që energjia e errët të bëjë që zgjerimi i Universit të përshpejtohet gjithnjë e më shumë, duke u zhvilluar në një proces të arratisur të njohur si Big Rip (Gjumi i Madh).

Para se të diskutojmë mbi fundin e universit, le të kthehemi tek lindja e saj. Ka një konsensus të përgjithshëm në mesin e shkencëtarëve, se koha dhe hapësira filluan gjatë Big Bengut, kur shpërtheu një pikë subatomike, super e nxehtë dhe super e dendur. Sapo gjërat nisën të ftoheshin, grimcat filluan të formonin struktura më të mëdha si galaktikat, yjet dhe të gjithë jetën në Tokë.

Ne jemi aktualisht gati 13 miliardë vjet, pas fillimit të Universit. Por, duke pasur parasysh skenarët e ndryshëm të vdekjes së tij, është e paqartë se edhe sa do të vazhdojë që të jetojë Universi.

Në skenarin e parë – Universi merr fund për shkak të vdekjes së nxehtësisë. Të gjitha yjet në kozmos, do të digjeshin në karburantin e tyre, me shumicën e tyre që do të lënë pas mbetjet e dendura të njohura, si xhuxhë të bardhë dhe yje neutrone.

Yjet më të mëdhenj, do të shpërbëheshin në vrima të zeza. Ndërsa këtë “përbindësha” nuk janë kaq të pangopura sa portretizohen shpesh, duke pasur parasysh kohë të mjaftueshme, tërheqja e tyre e madhe masive gravitacionale, do të nxjerrë më shumë materie në brendësi të tyre.

“Pastaj, mund të ndodhë diçka spektakolare”- mendon Kalduell për “Live Science”. Vrimat e zeza, mendohen se shkaktojnë një lloj të posaçëm emetimi, të quajtur Rrezatimi Houking, për nder të fizikantit të ndjerë, Stefën Houking, që ishte e pari që e formuloi këtë teori. Ky rrezatim, i vjedh në fakt çdo vrime të zezë një sasi të vogël të masës, duke bërë që vrima të avullojë dalëngadalë.

Pas 10-100 vjetësh (që është numri 1 i ndjekur nga 100 zero), të gjitha vrimat e zeza do të zhduken, duke mos lënë pas asgjë tjetër përveç energjisë inerte, sipas Kevin Pimblet, astrofizikant në Universitetin Hall në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë, nën Big Crunch, tërheqja gravitacionale e yjeve dhe galaktikave, do të fillonte një ditë të tërhiqte sërish të gjithë Universin.

Procesi do të zhvillohej si një Big Bang i prapambetur, me grumbujt e galaktikave që ndahen dhe bashkohen, me yjet dhe planetët që shkrihen me njëri-tjetrin, dhe me fund me gjithçka në Univers që do të krijonte një mjegullnajë të madhe, dhe më pas një tjetër pafundësisht të vogël. Një rezultat i tillë, i siguron kozmosit një simetri të përkohshme. “Gjithçka është e rregullt dhe e pastër. Është njëlloj si të shkosh për kamping, dhe të mos lësh asgjë mbeturinë kur largohesh”.

Skenari i fundit mbi fundin e Universit, njihet si Big Rip. Në këtë skenar, energjia e errët – substanca misterioze që vepron kundër gravitetit – ndan gjithçka. Zgjerimi i kozmosit përshpejtohet, derisa galaktikat e largëta largohen aq shumë nga nga ne, sa që drita e tyre

nuk mund të shihet më.

Teksa zgjerimi rritet, objektet gjithnjë e më të afërta fillojnë të zhduken pas asaj që Kalduell e përshkruan si “muri i errësirës”. “Galaktikat ndahen, sistemi diellor largohet, lëreni imagjinatën juaj të shfrenohet. Më pas po kështu ndodh me planetët dhe pastaj atomet, dhe në fund me vetë Universin”- thotë ai.

Po cili “fund” i Universit do të ndodhë? Për shkak se vetitë e energjisë së errët, nuk janë kuptuar ende mirë, studiuesit nuk e dinë se cili prej skenarëve të mësipërm do të mbizotërojë. Kalduell shpreson që observatorët në zhvillim, si “Wide Field Infrared Survey Telescope” (WFIRST) e NASA-s, apo “Large Synoptic Survey Telescope” (LSST), të vendosen sa më shpejt në punë, për të na ndihmuar në sqarimin e sjelljes së energjisë së errët, ndoshta duke na ofruar një kuptim më të mirë mbi fundin që do të ketë Universi. / livescience – bota.al

Leave a Reply

Back to top button