Analiza

Si duhet të ndryshojë strategjia kundër ISIS-it

Screen Shot 2015-11-03 at 08.53.38

Nga David Ignatius

“The Atlantic”

“Është tërësisht e vërtetë, siç thonë filozofët, se jeta duhet të kuptohet duke parë pas. Por ata harrojnë domosdoshmërinë tjetër:se ajo duhet të jetohet duke ecur para”. Ky vëzhgim është bërë në vitin 1843 nga filozofi danez Soren Kierkegaard në hyrje të ditarit të rij, por mund të ishte shkruar edhe mbi Lindjen e Mesme bashkëkohore..

Ne po shohim përparimin e Shteti Islamik, të befasuar në çdo hap, por ndoshta mund të fillojmë ta kuptojmë më mirë atë, duke parë pas në kohë. Ndonëse ISIS-i kapi në befasi pjesën më të madhe

të botës, kur pushtoi qytetin irakian të Mosulit, në qershor të vitit 2014, grupi dhe paraardhësit e tij kishin shpallur synimet e tyre që një dekadë më parë.

Ashtu si shumë ngjarje rrjedhimore, edhe kjo s’mund të shkarkojë të gjithë përgjegjësinë mbi politikë-bërësit; ata thjesht nuk e shohin se çfarë formësohet përballë tyre. Shteti Islamik na tha saktësisht se çfarë do të bënte, dhe pastaj e kreu atë. Ky ishte një komplot i fshehur nën një plan të dukshëm.

Çfarë duhet bërë për të asgjësuar ISIS-in?

Shteti Islamik është misterioz, pjesërisht për shkak se është në të njëjtën kohë shumëçka. Ai kombinon devotshmërinë islame dhe nderimin ndaj profetit dhe ndjekësve të tij, me platformat më social-mediatike më moderne dhe skemave të koduara; videot e saj përziejnë dhunën e një filmi, me këngët e devotshme të luftëtarëve fetarë; grupi ka disiplinën e një bande burgu (shumë prej rekrutëve të saj kanë qenë realisht në burgjet e SHBA-së në Irak), por edhe finesën taktike dhe kapacitetin për mashtrimin e anëtarëve më të aftë të shërbimeve të inteligjencës Sadam Huseinit, të cilët ranë në grackën e ISIS-it.

Duket pak më i brishtë se Al-Kaeda, pasi anëtarët e tij kujdesen më pak për doktrinën fetare dhe hierarkinë organizative. Sikurse është thënë për Kishën Episkopale (ndjesë për krahasimin), ISIS-i është i fortë në qendër por i dobët në skaje. Ajo që po e rrënon Lindjen e Mesme, është tashmë dukshëm më e thellë sesa vetë ISIS-i.

Ishte bërë e zakonshme gjatë vitit të shkuar të vëzhgoje se jemi dëshmitarë të rënies së rendit post-osman -se “linjat në rërë” të vizatuara në vitin 1916 nga diplomatët britanikë dhe francezë Mark Sykes dhe François Georges-Picot, e që tashmë janë duke u shndërruar në pluhur.

Por ne nuk e kemi llogaritur, sesi e perceptojnë kryengritësit këtë proces. ISIS- i ka fytyra fetare, psikologjike, dhe teknologjike. Por, në disa aspekte themelore, ajo është një lëvizje anti-koloniale, që merr si pikë referimi konceptimin para-kolonial të pushtetit-një Shtet Islamik, një Kalifat Sunit. Edhe në qoftë se ISIS-i do të shkatërrohet, ideja e “kalifatit tonë” ka të ngjarë të vazhdojnë dhe të rikthehet.

Historia e ISIS-it, na mëson të njëjtin leksion themelor, që ka dalë edhe nga dështimet e tjera të Amerikës në Lindjen e Mesme gjatë dekadës së fundit:Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara apo rebelëve islamikë për të rrëzuar regjimet autoritare në Irak, Libi dhe tanimë në Siri, kanë krijuar boshllëqe pushteti.

Kjo hapësirë e zbrazët politike do të mbushet nga ekstremistët, vetëm nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk do të arrijnë të ndërtojnë ushtri lokale, të afta për të shtypur grupet terroriste dhe lordët e luftës.

Kur SHBA krijon forca të tilla lokale, ky proces duhet të jetë i vazhdueshëm. Nëse tërhiqet nga këto përpjekje, sikurse veproi në Irak në vitin 2011, fton kaosin të zbresë në skenë.

Gjysmë-ndërhyrja amerikane nuk ka prodhuar asgjë, përveçse probleme. Rebelët kanë marrë mbështetje të mjaftueshme për të vazhduar luftën, por jo për ta fituar atë. Historia na mëson se luftërat e tilla, përfundojnë përmes kombinimit të asgjëzimit të luftëtarëve lokalë, dhe një marrëveshje midis fuqive

të mëdha rajonale e ndërkombëtare, në një formulë që redukton luftimet dhe rindërton njëfarë

qeverisjeje.

Zakonisht pakti ratifikon kufijtë jozyrtarë rajonalë që kanë dalë gjatë luftimeve, në mënyrë që çdo sekt të ketë një “zonë të sigurtë” në një shtet të decentralizuar, që funksionon nën ombrellën e kombit të vjetër. Kjo është ajo që ndodhi në Liban me Marrëveshjen e Taifit në vitin 1989, dhe kjo është ndoshta rruga më e mirë që mund të shpresohet të ndërmerret në Irak dhe Siri.

Për të reduktuar vuajtjet njerëzore, në rrugën drejt arritjes së këtij ekuilibri të ri në rajon, është e rëndësishme, aty ku është e mundur, që të mbështeten forcat e moderuara të cilat krijojnë zonat e sigurta dhe që përfundimisht do të formojnë pjesët e një shteti të ri federal – çka kërkon platforma të reja shtetërore për të sulmuar grupet ekstremiste.

Luftërat e Lindjes së Mesme, përfundojnë rrallë me fitore të plotë dhe stabilitet të përhershëm, ndaj fjala “zgjidhje” mund të mos premtojë shumë. Në rastin më të mirë, për shumë vite, kjo mund të thotë thjesht një armëpushim i qëndrueshëm, ulja e gjakderdhjes dhe më pak refugjatë dhe terrorizëm. Në fund të fundit, gabimet në gjykim që shkaktuan krijimin e ISIS-it, kanë qenë shumë më të rëndësishme sesa çdo lloj këshillë që përshkruhet lehtë.

Ç’mësime duhen nxjerrë nga fushata e deritanishme kundër ISIS-it në Irak dhe Siri?

Së pari, operacionet ajrore dhe tokësore anti-ISIS kanë qenë të suksesshme, kur janë nisur nga zonat me resurse të forta operative dhe strategjike, si dhe luftëtarë të trajnuar dhe mirëmotivuar. Rajoni i Kurdistanit në Irak, është një shembull kuptimplotë që unë e pashë vetë gjatë një vizite që zhvillova kohët e fundit: Partisë Demokratike e Kurdistanit e luftëtarëve Peshmerga nën klanin Barzani, e kanë zprapsur ISIS-in në perëndim dhe jug, ndërsa e mbajnë periodikisht të ngujuar në Mosul.

Çdo vizitor mund të udhëtojë aktualisht i patrazuar, në krahinën veriore të Ninivës dhe mbi Digën e Mosulit, e cila në vjeshtën e vitit 2014 ishte në duart e Shtetit Islamik. Milicitë e Unioni Patriotik të Kurdistanit, kanë mbajtur zonën e tyre në veri të Kirkukut, ndonëse ka një shqetësim në rritje në mesin e kurdëve dhe amerikanëve, se ata janë duke marrë urdhra nga Irani dhe Forcat Kuds.

Në mënyrë të ngjashme, militantët shiitë nën mbikëqyrjen iraniane, kanë luftuar mirë për mbrojtjen e Bagdadit. Problemi qëndron tek krijimi i një force sunite, që mund të ndihmojë ushtrinë irakiane të përzërë ISIS-in nga Mosuli, Falluxha dhe Ramadi, dhe më pas të rimarrë edhe territoret e tjera që mbeten në duart e xhihadistëve.

Një forcë e tillë, do të duhet të veprojë nga një bazë e sigurtë- jo vetëm logjistike, por një bazë e besuar- në të cilën sunitët të ndjejnë se po luftojnë për një pjesë të Irakut, që realisht do të jetë e tyrja pas mposhtjes së ISIS-it. Ambasadori i Irakut në Uashington, Lukman Faily, më ka thënë se favorizon ndryshimet kushtetuese, të cilat do të krijonin atë lloj federalizmi në Irak, që realisht do t’u japë sunitëve njëfarë autonomie, e do t’u mundësojë funksionimin e decentralizimit në Irak.

Në mungesë të këtij përbërësi thelbësor politik, është e vështirë të imagjinohet sesi mund të funksionojë strategjia e tanishme e SHBA-së kundër ISIS-it. Ndërkohë, strategjia amerikane në Siri ka qenë aq e dobët (dhe implementimi i saj aq i pavend, si në ditët më të këqija të Zonës së Gjelbër në Bagdad) saqë Shtetet e Bashkuara ngjajnë me një partner të vogël, në një kohë që Rusia po merr rolin vendimtar në formësimin e betejës kundër Shtetit Islamik.

Së pari, nuk ka armë të mjaftueshme që rebelët të arrijnë të mposhtin forcat e Asadit, dhe pothuajse me çdo sirian që kam biseduar mendon se ky është faji i Amerikës. Së dyti, komandantët e Ushtrisë së Lirë Siriane janë duke u përpjekur të kenë një drejtim më të mirë të aksioneve. Dhe së treti, në këtë luftë kaotike dhe me mungesë kapacitetesh dhe burimesh, fuqia e xhihadistëve-salafistë që kërkojnë vetëm të jenë martirë, duket se po rritet. 

“The Atlantic” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button