MagazineMAIN

Si e formëson ritmi, jetën tonë

Nga Nina Kraus

Bashkëshorti im më lexon çdo natë para se të flemë. Ne zgjedhim qëllimisht libra që janë të njohur – me shpesh klasikët për fëmijë – ndaj kur përgjumem një moment shqetësohem se mos humbas diçka të rëndësishme. Kam vënë re se pas një fare kohe – mund të kalojnë edhe pak minuta, sidomos nëse jam shumë e lodhur – kuptimet e fjalëve eklipsohen gradualisht nga tingujt.

Në vend të fjalëve dhe tregimeve, nis të dëgjoj tinguj dhe ritme. Zbehja e thekseve dhe e modeleve të stresit, shndërrohet në një përvojë qetësuese shumë të çmuar, e cila më relakson dhe i ripërtërin energjitë e mira pas një dite të gjatë. Po pse ne na intereson kaq shumë ritmi?

Sepse ai na lidh me botën. Luan një rol të rëndësishëm tek të dëgjuarit, tek gjuha, tek të kuptuarit e të folurit në vende të zhurmshme, gjatë ecjes, dhe madje edhe tek ndjenjat tona ndaj njëri-tjetrit. Ritmi është shumë më tepër sesa një element i muzikës. Ne përjetojmë ndryshimet ritmike të stinëve.

Disa prej nesh kanë cikle menstruale. Dhe të gjithë kemi ritmet tona cirkadiane, cikle ditore të kulmeve tona mendore dhe fizike. Bretkosat kërcejnë në mënyrë ritmike për të tërhequr partnerët e tyre, dhe e ndryshojnë ritmin e tyre për të sinjalizuar një sulm të rrezikshëm.

Baticat, fazat hënore etj janë ritme të tjera natyrale. Ritmet e krijuara nga njeriu përfshijnë infrastrukturën e ndërtuar prej tij:rrjetet e rrugëve, semaforët etj.  Në parim, muzika dhe ritmi janë të rrënjosura në çdo kulturë të njohur. E cili prind nuk përdor lëkundjet ritmike për të qetësuar një fëmijë që qan?

Tingujt dhe heshtjet e përsëritura që përfshijnë modele ritmike, bëjnë të mundur kërcimin, ndihmojnë kujtesën dhe riprodhimin e muzikës dhe e lehtësojnë këndimin apo luajtjen e instrumente ve në grup. Ritmi është përdorur për mijëvjeçarë për të bërë bashkë anëtarët e shoqërisë.

Veprat poetike të mijërave viteve më parë, si ato të Homerit, këndoheshin me një ritëm që i shërbente  një riti kujtimor. Puna e përsëritur apo shumë komplekse krijon një shoqërim ritmik. Në disa raste për të thyer monotoninë, dhe në të tjera për t’i ndihmuar punëtorët ta kryejnë më mirë punën.

Punëtorët që kryejnë punë të rënda, si p.sh ata që thyejnë shkëmbinj, këndojnë që varetë e tyre të godasin në mënyrë ritmike. Punonjësit e postës në Ganë i vendosin vulat mbi pako me një ritëm të veçantë. Endësit e qilimave në Iran përdorin këngë me një strukturë komplekse muzikore  për t’u komunikuar kolegëve modelet e thurjes.

Të gjitha sistemet dhe stilet muzikore bartin motive ritmike organizative. Në fakt, vetë universaliteti i ritmit është një argument i fortë për ekzistencën e proceseve biologjike që rregullojnë perceptimin dhe prodhimin e ritmit. Ritmet në tru janë quajtur  si baza e vetëdijes.

Ritmi është një përbërës i domosdoshëm i vetë komunikimit gjuhësor. Fjalët kanë njësi ritmike, fonema, rrokje, fjalë dhe fjali, ku secila shpaloset me ritmin e vet. Kjo hierarki kohore shihet edhe në muzikë. Muzika është një përzierje frazash të ngadalta dhe notash të qëndrueshme që ndryshojnë me shpejtësi.

Strukturat e ndërthurura e të përkohshme vërehen tek tingujt në mjedis. Kur ecim nëpër pyll, dëgjojmë në të njëjtën kohë hapat e ngadaltë, kërcitjen e gjetheve nën këmbë dhe kërcitjen e shpejtë të një dege lart mbi kokën tonë. Ashtu si njësitë e zërit janë në gjatësi të ndryshme, edhe ritmet e trurit kanë shpejtësi të ndryshme.

Strukturat nënkortikale janë të pajisura për kohën e një mikrosekonde, ndërsa korteksi është më i përshtatshëm për integrimin e tingujve në një shkallë më të gjatë kohore. Ritmet e trurit mund të maten si në momente qetësie, ashtu edhe kur kryeni një aktivitet. Ritmet më të ngadalta të trurit përputhen me lëkundjet e ngadalta të frazave dhe fjalive.

Modele të ngjashme të mbivendosura të trurit janë aktive edhe kur dëgjoni muzikë. Ritmet e trurit mund të parashikojnë zhvillimin e gjuhës tek foshnjat dhe fëmijët. Ato mund të përcaktojnë gjithashtu edhe pikat e forta apo pengesat e një personi që lidhen me gjuhën dhe aftësinë për të kuptuar domethënien e një zhurme.

Fëmijët që i njohin dallimet tek modelet e ritmit, mësojnë të lexojnë dhe shkruajnë më lehtë.

Disa aftësi të mbajtjes së ritmit janë të dëmtuara tek fëmijët më të rritur që vuajnë nga disleksia. Ekipi im i studiuesve, ka gjetur një lidhje midis ruajtjes së ritmit dhe zhvillimit të gjuhës tek adoleshentët dhe tek fëmijët deri në 3 vjeç.

Muzika në përgjithësi, dhe ritmi në veçanti, bën një punë jashtëzakonisht të mirë duke nxitur një ndjenjë komuniteti. Në të vërtetë, muzika që luhet në seancat e negociatave ndihmon në zbutjen e bisedave dhe çon në përparime dhe kompromise.

Shëruesit tradicionalë në të gjitha rajonet e botës, mbështeten tek ritmi si forca parësore në ritualet dhe praktikën e tyre. Sot, ritmi na ndihmon të ushtrohemi ndërsa lëvizim për të mbajtur veten të shëndetshëm. Terapistët e kanë përdorur prej kohësh aftësinë tonë për të perceptuar modelet e tingullit për të forcuar aftësitë e komunikimit.

Shumë studime kanë zbuluar se çrregullime të tjera që përfshijnë lëvizjen, si afazia, belbëzimi, vështirësia në frymëmarrje, gëlltitja dhe të folurit, zbuten ndjeshëm përmes terapisë muzikore. Terapia që përfshin ritmin, ka rezultuar shumë premtuese në trajtimin e komunikimit dhe sjelljes anti-sociale tek njerëzit me spektrin e autizmit.

Fëmijët që nuk mund të flasin, arrijnë të formojnë fjalë dhe fjali kur shoqërohen nga një ritëm i qartë. Ka fëmijë me spektrin e autizmit, që zakonisht nuk duan të përfshihen në një bisedë verbale, por bëjnë me kënaqësi një bisedë ritmike me një person tjetër që i bie baterisë.

Marrë me shkurtime nga “BBC” – Bota.al

Back to top button