Në fillim, askujt nuk ia merrte mendja se pandemia do të zgjaste kaq gjatë, sidomos pas lajmeve shpresëdhënëse të daljes së disa vaksinave. Në fillim, askujt nuk ia merrte mendja se pasojat do të ishin të shumta prej kësaj pandemie. Që nga mësimi online e deri tek rritja e kostos së jetesës, këto janë disa aspekte se si COVID-19 e ka ndryshuar jetën tonë.
- Mësuam të mësojmë online.
Mendoni pak sa e vështirë është për një fëmijë që në hapat e parë të dijes, të mësojë online se si të shkruajë. Mbi të gjitha, jo të gjitha familjet kishin mundësi për të siguruar internetin në shtëpi, jo të gjitha familjet jetojnë në kryeqytet. Kompanitë telefonike filluan të mos lëshonin pe, u desh ndërhyrja e qeverisë për të rritur sasinë e internetit dhe mundësitë e studimit në platforma të ndryshme online. Për fat të mirë, i është lënë kohë mësimit plotësues gjatë këtij muaji për të mbushur sadopak mangësitë e mësimit online.
- Puna nga shtëpia.
Sado komode që ishte apo është, puna nga shtëpia bën të humbasë kontakti me njerëzit e tjerë. Jemi bërë njerëz më të ftohtë dhe nuk po ruajmë dot raporte shoqërore me shumë kolegë të punës sonë, për shkak se puna nga shtëpia nuk na ka krijuar mundësitë që shumë punonjës të rinj t’i njohim. Kjo është përkthyer edhe me një kursim më të madh, pasi reduktohet jo vetëm koha për të shkuar në kompani, por edhe çdo shpenzim për ushqimet që do të konsumoje jashtë.
- Dalim më pak, lëvizim më pak.
COVID-19 u shoqërua me një sërë rregullash mes qeverive që ndalonin lëvizjen e lirë për një kohë të gjatë dhe mbi të gjitha, ndalonin lëvizjen midis shteteve. Shumë kompani fluturimesh patën mjaft humbje, sidomos gjatë fillimit të pandemisë. Ndërkohë tani, varianti delta dhe shtimi i rasteve pozitive, na ka shtuar frikën që të dalim nëpër kafe me shoqërinë, apo të lëvizim jashtë Shqipërisë. Situata është ende e frikshme.
- Po mbajmë më pak raporte me të afërmit.
Nuk jemi më ata që kemi qenë më parë, kur shkonim e këmbenim vizita me familjarët. Tashmë mjafton të kesh një virozë prej ndryshimeve klimaterike dhe të kap frika se mund të jesh infektuar, duke u shmangur kështu nga vizitat e të afërmve. Mirëpo kjo sjell akoma më tepër distancim, duke na bërë të frikësohemi se si do të jetë e ardhmja. Shpresojmë që kjo situatë të menaxhohet mirë e të përfundojë sa më shpejt, në të kundërt do i takojmë të afërmit tanë kur të jenë plakur, aq sa mezi do i njohim.
- Kostoja e jetesës është rritur.
Ishte diçka e pritshme, humbjet e mëdha ekonomike gjatë periudhës së karantinës, si dhe bllokimi i këmbimit të produkteve midis vendeve, do të sillnin shtim të shpenzimeve post karantine. Në ditët e sotme janë rritur çmimet e shtëpive me qëra, është rritur çmimi i bukës dhe i shumë produkteve që konsumohen në përditshmëri. Këto janë të gjitha shpenzime që prekin xhepat e qytetarëve dhe shpresojmë që proporcionalisht me këto rritje, të rriten edhe rrogat.