Ekonomi

Si e sheh Gjermania “Brexit”-in?

Screen Shot 2016-04-21 at 09.53.51Clemens Fuest

Në 23 qershor, votuesit në Mbretërinë e Bashkuar do të vendosin nëse vendi i tyre do të lërë Bashkimin Europian. Ata vetë do të hedhin votat, por impakti politik dhe ekonomik i votimit për t’u larguar, do të ndihet në të gjithë BE-në, në mos gjithë botën.

Për Gjermaninë, ekonomia më e madhe e Europës, pasojat e Brexit do të ishin të rënda. opinioni publik në vend është i ndarë në lidhje me këtë çështje. Disa druhen se BE do të bëhet më pak liberal nëse largohet Britania. Të tjerë, të prekur nga supozimi i britanikëve se duhet të lejohen që të dalin nga BE, mezi presin të shohin largimin e britanikëve. Kur vjen fjala tek impakti ekonomik i Brexit, Gjermania ka shumë për të humbur dhe asgjë për të fituar.

Si fillim, Brexit do të ndryshonte mënyrën si kompanitë shumëkombëshe marrin vendimet për investime. Mbretëria e Bashkuar do të përballej me një eksod kompanish të huaja, teksa këto kërkojnë të ruajnë një prani në BE. Por nuk ka arsye të besohet që ato do të zhvendosen domosdoshmërisht në Gjermani; shumë kompani shumëkombëshe amerikane, për shembull, do të preferonin të vendoseshin në Irlandë.

Në të njëjtën kohë, BE në tërësi – dhe Gjermania në veçanti – do të bëheshin më pak tërheqëse për investitorët. Mbretëria e Bashkuar do të ishte e lirë t ëlehtësonte rregullat dhe ulte taksat, me qëllim tërheqjen e investimeve, për të cilët një këmbë në BE nuk është e nevojshme. Edhe kjo do të reduktonte investimet në Gjermani.

Së dyti, ndërkohë që disa besojnë se dalja e Britanisë do të sillte rritjen e rëndësisë së Frankfurtit si qendër financiare, rezultati është tejet i pasigurtë. Sot, Londra është qendra financiare dominuese e Europës, edhe pse Mbretëria e Bashkuar nuk është anëtare e eurozonës. Kjo të thotë që afërsia me Bankën Qendrore Europiane nuk është një faktor i rëndësishëm në suksesin e një industrie financiare.

Sigurisht, BE do të gjendet në trysni për të përdorur masa rregullatore, me qëllim që t’i “marrë” bizneset Londrës, por nuk dihet nëse kjo do të funksionojë. Që tani, bursa e Gjermanisë dhe ajo e Britanisë kanë shpallur se një bashkim i planifikuar mes tyre do të ecë përpara, pavarësisht nga rezultati i referendumit britanik.

Edhe nëse rëndësia e Londrës si qendër financiare bie, një pjesë e biznesit do të merret prej qendrave jashtë Europës, si Nju Jorku apo Hong Kongu. Dhe biznesi që migron në BE, mund të përthithet menjëherë prej rivalëve të Frankfurtit, si për shembull Parisi.

Së treti, eksportuesit gjermanë me shumë gjasë do të vuajnë. Në vitin 2015, teprica nga tregtia me Mbretërinë e Bashkuar arriti në 50 miliardë Euro, teksa eksportet gjermane arritën një vlerë totale prej 89 miliardë Euro, ose 3% e GDP të Gjermanisë. Vetëm Franca dhe SHBA blenë më shumë mallra gjermane. Çdo ndërprerje e tregtisë dypalëshe do të ndihej në të gjithë vendin.

Se sa do të preken prurjet e tregtisë dhe kapitalit, kjo varet nga marrëveshja e daljes, që do të negociohet mes BE dhe Mbretërisë së Bashkuar. Nëse Britania do të mbetej, ashtu si Norvegjia dhe Islanda, pjesë e tregut të përbashkët europian, atëherë dëmi ekonomik do të ishte i kufizuar. Por, fatkeqësisht, kjo nuk ka gjasa të ndodhë.

Vendeve jo-anëtare të BE që kanë qasje në Tregun e Përbashkët Europian u kërkohet gjithashtu që të zbatojnë shumicën e rregullave – gjë që është ekzaktësisht arsyeja përse Mbretëria e Bashkuar dëshiron të dalë nga BE. Veç kësaj, disa vendim-marrës europianë mund të duan të sigurohen që Brexit do të shkaktojë sa më shumë dhimbje që të jetë e mundur, për të frenuar të tjerët që do të dëshironin të ndiqnin shembullin e Britanisë.

Dke shpallur qëllimin për t’u larguar, Britania do të zbatonte zbatimin e Nenit 50 të Traktatit të BE, i cili kërkon një afat 2-vjeçar për arritjen e një marrëveshjeje të daljes. Nëse nuk firmoset marëveshje përpara përfundimit të këtij afati, anëtarësimi në BE thjeshtë skadon. Një pakicë prej 35% e votave në Këshillin Europian do të mjaftonin për të bllokuar një marrëveshje, e cila minimizon kostot britanike të Brexit.

Së fundi, dalja e Britanisë do të ishte një sprapsje për integrimin europian. Anëtarët e tjerë të BE-së mund të bien dakord më kollaj për politika të përbashkëta, në lidhje me sigurinë e brendshme dhe të jashtme, si dhe politikëne  jashtme; por për Gjermaninë, do të bëhej më e vështirë të mbështeste tregtinë e lirë dhe t’i kundërvihej proteksionizmit. Aktualisht, BE përmban një bllok shtetesh – Mbretëria e Bashkuar, Irlanda, Holanda, Republika Çeke, Sllovakia, si dhe vendet skandinave dhe ato balltike (me pikëpamje favorizuese për tregtinë e lirë – të cilët kontrollojnë 32% të votave në Këshillin Europian. Kjo i jep Gjermanisë, e cila ka 8% të votave, një rol qendror në negociatat për politikat ekonomike. Bashkë me bllokun liberal, Gjermania mund të bllokojë vendimet e Këshillit, gjë që i mundëson asaj të shfrytëzojë dallimet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, si dhe i jep një rol të rëndësishëm në ndërtimin e konsensusit.

Nëse Mbretëria e Bashkuar largohet, pjesa e bllokut liberal në votimet e Këshillit do të binte në 25%, duke arritur në afro 34% bashkë me Gjermaninë – pra, jo një pakicë bllokuese. Sigurisht, mund të krijohen koalicione të reja, por ndikimi politik i Gjermanisë në BE do të binte shumë.

Shkurt, Gjermania ka një interes të fortë në vazhdimin e anëtarësimit të Mbretërisë së Bashkuar në BE. Votuesit britanikë kanë një shans që t’u kursejnë vetes një trazirë të fortë ekonomike, ndërkohë që do u mundësojnë gjermanëve – si dhe shumë të tjerëve nëpër EUropë – që të marrin frymë të lehtësuar.

PROJECT SYNDICATE – BOTA.AL

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – How Germany Views Brexit

Leave a Reply

Back to top button