Analiza

Si mund të fitohet Lufta e Ftohte II

Vladislav Inozemtsev

Ekonomist rus, Drejtor i Qendrës së Kërkimeve Post-Industriale. Kryeredaktor i të përmuajshmes “Svobodnaia mysl’” (Mendimi i lirë). Anëtar i Presidiumit të Këshillit të Politikave të Jashtme dhe të Mbrojtjes.

how to winGjatë një postimi të kohëve të fundit në Facebook, një prej ekspertëve perëndimorë që ka më shumë njohuri për Rusinë, ish ambasadori në Moskë, Michael McFaul pranonte atë që pak a shumë dihej: “Tragjikisht, po hyjmë në një periudhë të re me disa dallime të rëndësishëm, por me shumë ngjashmëri me Luftën e Ftohtë”. McFaul shprehte shpresën e tij që “kjo periudhë e errët nuk do të zgjasë aq shumë sa Lufta e Ftohtë”. Ky është një hap i rëndësishëm drejt rrokjes së situatës në terma realistë, një hap që e gjithë bota perëndimore ka qenë tejet hezituese për ta ndërmarrë. Mundet vetëm të shpresojmë që SHBA dhe Europa do të ndjekin shembullin e ekspertit politik me shumë përvojë, dhe do të pushojnë së pari Vladimir Putinin si një njeri me qëllime të mirë.

Po ta bënin, cdo gjë do të shkonte në vendin e vet. Elita revanshiste post-komuniste në Rusi, pasi ka përvetësuar pasurinë kombëtare, në një moment u ndie e gatshme të rivendoste “habitatin” e saj tradicional: një shoqëri autoritare, e karakterizuar nga ideologjia imperiale dhe menaxhimi që mbështetet tek forca dhe një “ekonomi e komanduar”. Në vitet e fundit, Perëndimi ka bërë gjithcka të mundshme për t’i ndihmuar ta realizojnë këtë qëllim. Perëndimi ka ftuar Rusinë të marrë pjesë në G8 dhe është ekzaltuar nga suksesi i saj. Fytyra e Putinit ka qenë në kopertinën e cdo reviste të respektuar dhe emri i tij është ngjitur në majën e renditjeve të njerëzve me më shumë influencë. E gjithë kjo ka forcuar besimin e monarkut rus tek plotfuqisihmëria e tij. Tani, pulat kanë ardhur në kotec tek gjeli.

Megjithatë, e fundit gjë që kemi nevojë sot është të tregojmë me gisht fajtorët. Ajo që na nevojitet është një analizë e kujdesshme dhe një strategji e re. Rusia nuk u zbut. E drejtuar nga oficerë të ish KGB, ajo thjeshtë nuk mund të integrohej në botën perëndimore. Tani Lufta e re e Ftohtë është një realitet, dhe detyra e Perëndimit duhet të jetë që ta fitojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe me minimumin e shpenzimeve, pa armiqësuar popullin rus apo pa e kthyer atë në një armik të betuar të botës së qytetëruar.

Duke rrëmbyer Krimenë (dhe unë besoj se Putini do të bëjë të tjera gjëra të tilla) Moska shkeli ligjet ndërkombëtarë. Në fakt, kjo shkelje është kaq e rëndë, saqë bota mund t’i kthejë shpinën Rusisë. Jo ta ndëshkojë, por ta injorojë. E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por indiferenca. Ky duhet të jetë themeli i qasjes perëndimore ndaj Rusisë.

Rusia ka shumë nevojë për botën jashtë kufijve të saj. Praktikisht, nuk ka industri ruse të teknologjisë së lartë dhe, në një masë të madhe, Rusia importon ilace, ushqime dhe mallra konsumatore. Ajo paguan për gjithcka që blen jashtë përmes të ardhurave nga nafta, gazi dhe lëndët e para, që zënë 77% të eksporteve të Rusisë. Burimi kryesor i të ardhurave shtetërore vjen prej doganave (më shumë se 50%) dhe jo nga mbledhja e taksave. Mjeti kryesor për t’i bërë presion Rusisë do të ishte një reduktim gradual i importit të mallrave. Kjo do të bënte elitën ruse që të kufizonte aksesin e popullit të vet tek mallra perëndimorë, një gjë edhe më eficiente kjo se sa sanksionet ekonomikë te Perendimit.

SHBA dhe Europa nuk duhet t’i “përplasin” sanksionet Rusisë. Ato thjeshtë duhet të rishikojnë prioritetet e tyre energjetikë. Në dy deri tre vjet Europa do të ishte në gjendje të reduktonte furnizimin me naftë dhe gaz nga Rusia: furnizuesit nga Lindja e Mesme do të ishin të lumtur të mbushnin boshllëkun. Putini e ka rritur eksportin me orientim perëndimor të energjisë ruse në një masë të tillë që do të ishte e pamundur të bënte një kthesë të menjëhershme dhe ta dërgonte naftën dhe gazin e Siberisë perëndimore, drejt Kinës: për momentin, më pak se 17% e eksporteve të naftës dhe gazit të Rusisë shkon drejt lindjes. Tani, thjeshtë nuk ka para për të paguar naftësjellës apo gazsjellës të rinj. Përgjysmimi i importeve energjetike të Europës nga Rusia do të rezultonte në një rënie të të ardhruave nga eksporti në Rusi me 1/3: 150 miliardë dollarë në vit.

Vec kësaj, për momentin nuk ka nevojë që SHBA dhe Europa të vendosin sanksione financiarë ndaj Rusisë: do të mjaftonte “një sugjerim” për agjencitë e rating-ut, që do të kish shumë kuptim nëse ulet vlerësimi i aftësisë kredimarrëse të Rusisë. Pavarësisht idesë së pranuar gjerësisht se Rusia pothuajse nuk ka borxh të jashtëm, në 1 janar 2014, qeveria ruse dhe korporatat u kishin 732 miliardë dollarë borxhe kredidhënësve të huaj, që është 44% më shumë se sa rezervat e valutës së Bankës së Rusisë (510 miliardë dollarë në të njëjtën datë). Cdo konfrontim me perëndimin do të sillte një largim masiv të kapitalit. Po t’i shtosh ekuacionit një vlerësim më të ulët të aftësisë kredimarrëse si dhe një thirrje për shlyerje më herët të borxhit për shkak të shkeljes së marrëveshjeve, atëherë bankat dhe kompanitë perëndimore do të shteronin brenda vitit burimet e investimeve të Rusisë.

SHBA dhe Europës nuk do u duhej të kufizonin në mënyrë aktive furnizimin me pajisje të teknologjisë së fundit apo strategjike, përderisa kompanitë ruse në cdo rast nuk do të ishin në gjendje t’i blinin. Në janar 2014, investimet në Rusi ranë me shtatë përqind; deri në fund të vitit, do të jenë ulur me të paktën 20%. Në një klimë autarkie dhe izolacionizmi, nuk ka kërkesë për teknologji modernizimi. Këshilltarët e Putinit pretendojnë se Rusia në fakt do të fitonte prej izolimit nga Perëndimi: gjithcka që duhet të bëjë Europa dhe SHBA është që të hiqen mënjanë dhe t’i lënë të kuptojnë sa shumë gabohen… Rusia nuk ka armik më të madh se sa burokracia e saj e paaftë dhe e korruptuar: thjeshtë lëreni të vazhdojë dhe të vetëshkatërrohet.

Gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik nuk u shemb sepse rreziku ndaj ekzistencës së tij kishte arritur kulmin, por kur joshja prej botës perëndimore – ndryshe nga jeta e rrecokosur sovjetike – u bë e parezistueshme. Tani, Perëndimi vetëm duhet ta përsërisë këtë në një tjetër “terren”. Ky terren është Ukraina – fushëbeteja e “Paqes së Ftohtë”. Cereku i popullsisë së saj janë rusë etnikë, dhe kështu Ukraina shihet nga shumëkush në elitën sunduese në Rusi si pjesë integrale e vetë Rusisë. Nëse Ukraina do të bëhej një shtet europian normal, kjo gjë do të jepte një goditje vdekjeprurëse për legjendën e “vecantisë së Rusisë”, që është themeli i atyre kthimeve pas në epokën sovjetike që po shohim sot. Perëndimi duhet të ndihmojë Ukrainën të bëhet më e suksesshme se Rusia. Dhe ka në dispozicion 10 deri 15 vjet për ta bërë.

Unë nuk mendoj se ky do të jetë një mision i pamundur. Në fakt mund të mos jetë kaq i kushtueshëm. Së pari duhen hequr vijat e reja të demarkacionit. Krimea është humbur dhe nuk ka kuptim të vazhdohet të luftohet për të. Me shumë gjasa, Putini do të përpiqet të aneksojë dhe rajonet e Donetskut dhe Luganskut. Moska duket se mendon që mund të bëjë pazar me Perëndimin për këta territore. Nuk duhet të hyjmë në kësi pazaresh. Lëreni Putinin t’i ketë këta rajone, bashkë me monstrat e tyre të vjetëruar industrialë: do të ishin një tjetër gur mulliri përreth qafës së Rusisë. Ndërkohë, SHBA dhe Europa duhet t’i ofrojnë Ukrainës një “Plan Marshall” të ri me vlerë të paktën 100 miliardë dollarë. Kjo do të thotë më pak se 3% të shpenzimeve federale të buxhetit të SHBA, ose 0.5% e GDP-së së Bashkimit Europian. Këto para do të ndihmonin Perëndimin të arrinte shumë më tepër se sa cdo lloj shpenzimi ushtarak. Në situatën aktuale, nuk mund të lejohet një rënie dramatike e standarteve të jetesës në Ukrainë. Kjo do të shkaktonte rritje të ekstremizmit. As nuk mund të lejohet një regres i ekonomisë së saj, përderisa do të shkaktonte largimin e njerëzve të arsimuar dhe atyre aktivë ekonomikisht. Dhe sërish, kjo asistencë masive ekonomike nuk duhet të jetë fokusi kryesor.

Që ky plan të ketë sukses, Ukraina duhet të integrohet me shpejtësi në Europë. Kjo do të sillte shumë më tepër dobi se sa cdo lloj ndihme e drejtpërdrejtë ekonomike. Nëse në vitin 2014, BE jo vetëm do të firmoste Marrëveshjen e Asociimit, por edhe do i jepte Ukrainës statusin e vendit kandidat si dhe do të përcaktonte një afat për anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian – le të themi, 1 janar 2020 – kjo do të kishte një sërë pasojash të rëndësishme. Pikësëpari, do të dërgonte një mesazh se Ukraina është një vend i sigurtë për investime. Në vetëm shtatë vite, që nga fillimi i negociatave deri në anëtarësimin në BE në 2004-ën, Polonia tërhoqi të paktën 60 miliardë euro investime të huaja direkte. Ukraina, me krahun e lirë të punës dhe tregun e madh mund të tërheqë shumë më tepër. Mund të shndërrohet në një lloj Azie juglindore për BE-në, një fuqi e re industriale në Europë.

Objektivi i Perëndimit duhet të jetë që ta shndërrojë Ukrainën në një komb të suksesshëm europian me një popullsi të lidhur ngushtë etnikisht dhe kulturalisht me Rusinë. Nëse ia dalin – sidomos në sfondin e Rusisë së prapambetur dhe të varfër – mund ta fitojnë Luftën e Ftohtë II. Ndryshe nga e para, kjo mund të fitohet me shpejtësi dhe eficencë, pa shpenzime të tepruar dhe rrezikun e një konfrontimi ushtarak real.

Elementi kyc që Perëndimi të sigurojë fitoren do të ishte mosdorëzimi para propagandës së Putinit. Cfarëdo që të thonë ekspertët sot, ideologjia komuniste luante një rol shumë të rëndësishiëm në shoqërinë sovjetike. Populli sovjetik e besonte. Ai ishte ankoruar në heroizmin e të shkuarës dhe shumë njerëz e ndienin madhështinë e fuqisë sovjetike. Sot Rusia është një guaskë boshe, një komb pa një ekonomi produktive dhe pa një ideologji universale unifikuese. Elitat e korruptuara nuk kanë lidhje me një popull të mbushur me vlera konsumeriste. Rusia sot është një shoqëri individualiste e perëndimizuar, që nuk është e gatshme të përqafojë demagogjinë e Putinit. Mund të organizosh mitingje revanshistë në Moskë, por nuk mund të zëvendësosh me propagandë prosperitetin që po zhduket. Dhe nuk mund t’i rezistosh tundimit të suksesit, sidomos nëse këtë sukses e arrin fqinji yt.

Perëndimi duhet të kuptojë se Rusia nuk u bë sërish fuqi e madhe thjeshtë sepse vendosi të besojë që mund të bëhet. Nuk do të duhej një përpjekje e madhe për të fituar Luftën e Ftohtë II. Gjithcka që duhet kuptuar është:

–        Nuk duhet të përpiqesh të izolosh Rusinë, por të mësosh të jetosh pa të. Jam i sigurtë që do të jetë shumë më e lehtë nga sa beson shumëkush.

–        Duhet bërë gjithcka që është e mundur për të ndihmuar Europën Lindore – sidomos Ukrainën – që të bëhet më e suksesshme ekonomikisht, më e lirë politikisht dhe më tolerante nga pikëpamja sociale, se sa Rusia.

–        Ndërtimi i marrëdhënieve me Rusinë duhet bërë jo duke patur në mendje interesat e elitave, por ndjenjat e popullit rus, që do të evoluojnë me shpejtësi.

–        Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, BE duhet të fillojë të mendojë për interesat e saj afatgjatë dhe t’i vendosë këto mbi kënaqësinë e castit të bankierëve të Londrës, tregtarëve gjermanë të gazit dhe atyre të pasurive të paluajtshme në të gjithë Europën, që janë të etur për paratë e rusëve.

Nëse bashkon të gjithë këta faktorë, Perëndimi mund ta fitojë Luftën e Ftohtë II shumë më shpejt nga sa pritet tani.

Leave a Reply

Back to top button