Analiza

Si mund të shpëtohet rendi global, i udhëhequr nga Amerika

Nga Hal Brands

Megjithëse SHBA-ja e ka bërë për dekada, detyra e mbrojtjes së rendit liberal, nuk ka qenë kurrë diçka e thjeshtë për popullin amerikan. Dhe kjo jo vetëm për shkak se “rendi ndërkombëtar liberal” është një term që megjithëse është i dashur nga akademikët dhe politikanët fitimtarë, vështirë se rezonon me votuesin e zakonshëm.

Por edhe sepse mbrojtja e rendit liberal, ka kërkuar që të bëhen përpjekje të jashtëzakonshme: mbrojtje e vendeve të largëta, patrullim i kufijve të largët, dhe veprim kolektiv mbi një numër sfidash diplomatike dhe ekonomike. Kjo do të thotë të pranosh idenë, se SHBA-ja do t’i bëjë të vetat problemet e botës. Dhe kjo është diçka e tepërt për t’u kërkuar nga çdo vend, veçanërisht nga një vend gjeografikisht fatlum dhe natyrisht i sigurt si Amerika.

Historikisht, konsensusi vendas në mbështetje të internacionalizmit amerikan, mbështetej mbi një fron prej tre këmbësh të përbërë nga frika, shpresa dhe udhëheqja politike. Për pjesën më të madhe të epokës së pasluftës, kujtesa e traumave që kishte pësuar SHBA-ja gjatë Luftës së Dytë Botërore – herën e fundit që rendi ndërkombëtar ishte shembur – dhe kërcënimi i përhershëm nga një armik sovjetik totalitar, i bindi në tërësi amerikanët, se kostot globale të angazhimit, ishin në fund të fundit më të pakta se sa kostot e tërheqjes gjeopolitike.

Megjithatë, frika shoqërohej gjithmonë me shpresën. Kishte një ndjenjë të përbashkët, se SHBA-ja po kryente një mision të madh për të rivendosur vlerat demokratike, dhe për të përmirësuar shumë njerëzimin. Kjo aspiratë jo thjesht për të jetuar në botë, por për ta transformuar në thelb atë, e ka origjinën në vetë themelet e republikës.

Më vonë, ajo ndihmoi në frymëzimin e Planit Marshall, krijimin e aleancave që e lidhën Amerikën me demokracitë e tjera, promovimin e të drejtave të njeriut dhe vlerave liberale politike dhe elementeve të tjerë kyç të projektit të Uashingtonit për ndërtimin e rendit.

Në mënyrë kritike, mbështetja e brendshme për atë projekt, ishte gjithashtu një produkt i udhëheqjes politike të vendosur nga elitat e Amerikës.

Nga ditët më të hershme të epokës së pasluftës, zyrtarët amerikanë, e kuptuan se kishte ende prirje të forta izoluese në trupën politike. Kështu, ata ndërmorën një fushatë edukimi publik prej disa dekadash, mbi nevojat e përfshirjes globale.

Ata publikuan imazhe të gjalla – dhe ndonjëherë të ekzagjeruara – të kërcënimeve të paraqitura nga Moska dhe aktorë të tjerë të këqij, dhe pretendonin se formësimi i botës sipas projektit të tyre, ishte kritik për mirëqenien e Amerikës. “Ne po marrim përgjegjësinë, që Zoti i Plotfuqishëm n aka dhënë”- shpjegoi Herri Truman më 1949 -ën, “për mirëqenien e botës në brezat e ardhshëm”.

Për dekada të tëra më pas, pothuajse çdo president – madje edhe ata që hynë në Shtëpinë e Bardhë duke predikuar tërheqjen nga angazhimet ndërkombëtare- arritën ta shihnin atë si përgjegjësinë për të bërë bashkë amerikanët, në kauzën e ndërtimit dhe ruajtjes së rendit liberal.

Megjithatë sot, të tria këmbët e fronit janë bërë gjithnjë e më të dobëta.

Fundi i Luftës së Ftohtë dhe zhdukja e Bashkimit Sovjetik, e bëri më të vështirë të fitimin e mbështetjes bazuar tek frika. Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, siguruan për një kohë të shkurtër një tjetër kujtesë, se në botë kanë mbetur ende rreziqe serioze.

Por kjo ndjesi u zhduk në mesin e luftërave të gjata dhe aspak popullore në Irak dhe Afganistan. Këto luftëra, dëmtuan gjithashtu këmbën e “shpresës” në atë fron, duke çuar në një perceptim në rritje, se lidershipi i SHBA-së ka gjasa të zhysë botën më shumë në kaos, në përpjekje për ta bërë atë më të mirë.

Kombinuar me ndikimin e recesionit të madh ekonomik dhe pasojat e tyre, ata nxitën shumë amerikanë të mbërrijnë në përfundimin, se Amerika duhet të përqendrohet, siç tha presidenti Obama, në ndërtimin e kombit në vend komb-ndërtimeve jashtë vendit.

Por ky argument u diskretitua edhe me keq. Me gjithë virtytet e tij, Barak Obama dështoi, pasi tregoi gjithmonë një ambivalencë të caktuar rreth rolit global të Amerikës. Donald Trump ka marrë një qasje shumë më të ashpër. Ai e portretizon rendin liberal, si shkakun e shumë prej problemeve që ka sot Amerika.

Ai e vë theksin me shumë tek dëmet që SHBA-ja i ka bërë botës, sesa tek gjërat e mira që i ka sjellë asaj. Presidenti amerikan, nuk është më mbrojtësi kryesor i rendit liberal; ai është kritiku kryesor i saj. Pa dyshim, sondazhet e opinionit publik, tregojnë se pikëpamjet e amerikanëve për aleancat, tregtinë dhe iniciativat e tjera ndërkombëtare, nuk kanë ndryshuar shumë gjatë presidencës Trump.

Por presidenti ka ‘megafonin’ më të fortë në botë, dhe sa më gjatë që ai e kundërshton këtë rend dhe rolin e SHBA-së në mbajtjen e tij, aq më e dobët do të bëhet mbështetja e brendshme për atë përpjekje. Pra, si mundet një grup liderësh pas Trumpit, të rindërtojnë mbështetjen për një mbrojtje të fuqishme të rendit liberal?

Kjo do të kërkojë forcimin e të tria këmbëve të fronit. Sa për fillim, duhet të ketë një fushatë edukimi publik rreth rreziqeve në rritje të sigurisë ndaj SHBA, dhe botës që Amerika ka ndihmuar për të ndërtuar. Kjo nuk është në fakt një çështje e përqendrimit tek kërcënimet si Shteti Islamik, Koreja e Veriut dhe Irani, sado shqetësuese që janë ato.

Përkundrazi, vëmendja duhet të përqendrohet në kërcënimet e paraqitura nga fuqitë e mëdha autoritare: Rusia dhe sidomos Kina. Megjithëse baza e fuqisë së Rusisë është e kufizuar, ajo ka treguar një prirje për të përdorur dhunën, për të mposhtur rendin liberal në Evropë, dhe ka dëshmuar një aftësi për të mbjellë destabilitet politik në SHBA dhe në vendet e tjera perëndimore.

Kina është një regjim totalitar, që tek e fundit mund të provohet gjithnjë e më të fuqishme dhe kërcënuese, sa edhe Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Ajo ka shpallur tashmë synimin e vet, për të konkurruar me SHBA-në për udhëheqjen globale.

Amerikanët duhet të kuptojnë, se nëse këto vende do të kenë sukses në riorganizimin e gjërave sipas dëshirës së tyre, bota do të jetë më pak paqësore, më pak demokratike dhe më pak e pëlqyeshme për sigurinë dhe mirëqenien e SHBA-së. Po aq i rëndësishëm, do të jetë rizbulimi

i narrativave pozitive dhe shpresëdhënëse.

Kjo nuk do të thotë të retushohet historia e politikës së jashtme të SHBA-së, apo të fshihen poshtë qilimit gabimet e ndryshme të Amerikës. Megjithatë, nëse vetë-kriticizmi është i admirueshëm, ajo çka është më e rëndësishme sot, është t’u kujtojmë amerikanëve sukseset e mëdha që SHBA-ja ka pasur në ndërtimin e një bote më të mirë – një botë që ka parë vlerat demokratike të përhapura, njerëz të panumërt që i janë larguar varfërisë, dhe periudhën më të gjatë të paqes mes fuqive së madhe në epokën moderne – sepse kjo do të jetë kritike në tubimin e tyre rreth detyrës së mbrojtjes së rendit ndërkombëtar sot.

Së fundmi, të gjitha këto përpjekje duhet të kenë udhëheqje të fortë dhe të zëshme nga lart. Zyrtarët amerikanë duhet të shpjegojnë, në gjuhën e përditshme, se përse rendi liberal është me vlerë sakrificash amerikane.

Ata duhet të shpjegojnë, se cilat do të jenë pasojat e kolapsit të tij. Kjo nuk është një detyrë e pamundur:Çështja nëse rendi liberal do të qëndrojë ende më këmbë, është në fund të fundit një çështje nëse një botë në të cilën vetë SHBA-ja ka lulëzuar, do të rezistojë ose do të vdesë. Por nëse presidenti amerikan nuk e përdor këtë argument, vështirë se mund të presim që këtë të bëjnë amerikanët e thjeshtë.

Burimi: “Bloombergview”

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button