Psikologji

Si na e ndryshojnë titujt mënyrën e të menduarit

Screen Shot 2015-01-23 at 5.29.58 PM

Maria Konnikova, The New Yorker

Titulli i një artikulli kushtëzon leximin dhe atë që do të mbajmë mend. Dhe nëse është i gënjeshtërt, as edhe leximi i tekstit nuk do të mjaftojë për të korrigjuar përshtypjen e parë

Përse titujt kanë rëndësi”. “Titujt çorientues mashtrojnë lexuesin”. “Ajo që lexojmë ndikon në mënyrën se si i shohim gjërat”. “Titujt e gabuar prodhojnë kujtime të gabuar”. “Njëmbëdhjetë arsye përse titujt janë të rëndësishëm”. “Nuk do ta besonit shumë se sa i rëndësishëm është një titull korrekt”. Ja, këta janë të gjithë titujt e mundshëm të këtij artikulli, që i kam diskutuar me drejtorin tim. Dhe në fakt, ai që kemi zgjedhur, mund të jetë pjesa më e rëndësishme e artikullit. Tashmë të gjithë e dinë se titulli përcakton se sa persona do e lexojnë një artikull, mbi të gjitha në këtë epokën tonë, të dominuar nga rrjetet socialë. Por gjëja më e rëndësishme është se titulli ndikon edhe në mënyrën se si lexuesit do ta lexojnë dhe kujtojnë një tekst. Kushtëzon të gjithë eksperiencën: thotë se çfarë lloj artikulli po lexojmë – një lajm, një opinion, një inestigim – dhe përcaktonin tonin e tekstit që e pason titullin.

Psikologët e dinë prej kohësh se përshtypja e parë është themelore: ajo që pro- vojmë apo shohim në impaktin e parë kushtëzon mënyrën se si do ta jetojmë një eksperiencë. Artikujt e gazetave nuk bëjnë përjashtim. Ashtu sikurse mundemi të përcaktojmë efektin që do të kemi mbi të tjerët, duke zgjedhur një lloj të caktuar veshjeje, edhe titulli ndikon në perceptimin e tekstit që vijon: duke tërhequr vëmendjen në disa detaje, mund të përcaktojë se cilat prej dijeve tona paraprake do të aktivizohen në trurin tonë. Bazuar mbi mënyrën si është formuluar, një titull mund të kushtëzojë leximin, duke krijuar pritshmëri dhe duke na bërë ne të kujtojmë vetëm gjërat që përkojnë me këto pritshmëri.

Titulli i një artikulli që kam shkruajtur shumë kohë më parë ishte: “Gjeni që ju bën të keni më pak nevojë për gjumin”. Nuk është aspak jokorrekt, por është e mundur që do e bëjë të përqëndrohet vëmendjen e lexuesve tek një pjesë specifike e artikullit. Ndërkohë që, nëse do ta kisha titulluar: “Përse kemi nevojë për tetë orë gjumë”, lexuesit do ta kishin mbajtur mend në mënyrë të ndryshme. Për shkak të këtyre perceptimeve të ndryshëm, kur një titull është lehtësisht çorien- tues, shfaqen probleme. Në vitin 2013, e përditshmja britanike Daily Express ka botuar një artikull me titullin: “Ndotja e ajrit është tashmë shkaku kryesor i kancerit në mushkëri”. Megjithatë, artikulli brenda nuk thoshte asgjë të tillë, ose të paktën jo në këtë mënyrë. Thoshte se ndotja ishte shkaku kryesor “mjedisor” i asaj sëmundjeje, por shkaqet më të mëdhenj ishin të tjerë, mes tyre duhanpirja. Eshtë e lehtë ta kuptosh se si ka lindur ai titull: vetëm kush do të ishte mjaftueshëm kurioz për të lexuar pjesën tjetër do t’i ketë kuptuar të gjithë nuancat. Megjithatë, shpesh herë ndodh që leximi i të gjithë artikullit nuk mjafton për të ndryshuar përshtypjen fillestare që të jep një titull.

Pikërisht për këta “operacione çoroditës” mendonte Ullrich Ecker, një psikolog dhe neuroshkencëtar në Universitetin e Australisë Perëndimore, kur vendosi që të verifikojë se si disa hollësi të vogla të titujve të gazetës mund të ndikojnë mbi leximin e artikujve. Në studimet e tij të mëparshëm Ecker ishte marrë me dizinformimin: mënyrën se si ndikojnë mbi ne informacionet e shtrembëruar, pavarësisht asaj që na thuhet më pas. Këtë herë donte të studionte pasojat e nuancave pakëz çoroditëse. Në një seri studimesh të botuar në Revistën e Psikologjisë Eksperimen- tale, Ecker u kërkoi një grupi studentësh që të lexonin katër artikuj – dy kronika dhe dy opinione – ku e vetmja gjë që ndryshonte ishte titulli. Një prej tyre, për shembull, fliste për një rritje me 0.2 % të grabitjeve nëpër banesa vitin e kaluar, gjë që i kundërvihej një rënieje prej 10% gjatë dhjetë viteve të fundit. Ajo rritje e vogël, theksonte artikulli, ishte jonormale, por ajo që kishte rëndësi ishte tendenca afatgjatë. Titujt që e shoqëronin vinin në dukje njërin prej dy aspekteve: “Rritje e grabitjeve në banesa”, ose “Përqindja e grabitjeve në banesa ka tendencën të bjerë”. Ndërsa opinionet vinin përballë mendimin e një eksperti dhe atë të një njeriu të zakonshëm: për shembull, frikërat e një qytetari për sigurinë e ushqimeve të modifikuar gjenetikisht dhe argumentat e një shkencëtari të një kompanie fiktive, psh Organic Food Science Australia. Titujt nënvizonin ose njërin aspekt, ose tjetrin. “Me kalimin e kohës, OMGJ-të mund të shkaktojnë dëme për shëndetin”, ose “OMGJ-të janë të sigurtë”. Qëllimi i Eckerit ishte që të verifikonte se sa shumë titulli do të ndikonte në leximin. Në rastin e artikullit të kronikës, dallimi mes dy titujve ishte i qartë, duke qenë se flitej për një tendencë të përgjithshme me një përjashtim të vogël. Tek opinionet, më i pakët. Flitej për dy këndvështrime dhe u jepej të dyve e njëjta hapësirë. I takonte lexuesit të gjykonte.
Pasi lexuan artikujt, studentët e universitetit që u përfshinë në studim, duhej t’i vlerësonin në bazë të pesë shkallëve të ndryshme, që kishin të bënin me aspekte të tillë si interesi dhe lehtësia e leximit. Në fund duhej t’i përgjigjeshin një pyetësori të përbërë nga gjashtë pyetje mbi atë që kujtonin dhe atë që kishin deduktuar. Titujt kishin ndikuar tek ata në mënyrë domethënëse. Në rastin e artikujve të kronikës, titulli i pengonte lexuesit që të kujtonin detajet. Praktikisht, mbanin mend më kollaj informacionet që ishin në një linjë me titullin: rritjen e grabitjeve në shtëpi në rastin e parë, apo tendencën e përgjithshme në rënie në rastin e dytë.

Megjithatë, informacionet që studentët deduktonin mbeteshin të saktë: anshmëria e titullit të parë ishte kaq e qartë, saqë kush lexonte artikullin e korrigjonte menjëherë përshtypjen fillestare. Ndër konkluzionet e studimit thuhej: “Cilindo titull që të lexonin, parashikonin që vitin e ardhshëm numri i grabitjeve do të ulej”. Në rastin e artikujve me opinione, një titull i çbilancuar, si ai që parashikonte që OMGJ-të janë të rrezikshme, i pengonte lexuesit të bënin deduktimet e duhur. Për shembull, kur u kërkohej të parashikonin se cilat do të ishin në të ardhmen kostot e OMGJ sa i përket shëndetit publik, personat që kishin lexuar titullin ndikues parashikonin kosto shumë më të larta, nga sa mund të nxirrej prej leximit të tekstit.
I miri dhe i keqi
Ecker dhe kolegët e tij arritën të njëjtët rezultate edhe në një studim të dytë, këtë herë për mospërputhjet mes titujve dhe pamjeve. Në secilin titull ishte përmendur emri i personit që shfaqej në fotografinë që shoqëronte artikullin, apo ai i një tjetri që nuk ndodhej në fotografi. Artikujt, 16 në total, flisnin gjithmonë për një vrasje dhe përshkruanin një “të mirë” (viktimën, një polic apo gjykatësin) dhe një “të keq” (fajtorin). Ndërsa titujt shfaqnin ose emrin e njërit, ose të tjetrit. “Gjendet i akuzuari për vrasjen e Thornlie”, apo “Një burrë i moshuar vritet në Thornlie”. Dhe fotoja ishte ose e vrasësit, ose e viktimës. Pasi lexonin artikujt, studentëve u kërkohej që të vlerësonin fytyrat që kishin parë në bazë të kritereve si aspekti fizik, besimi që frymëzonin, arroganca dhe agresiviteti, vlerësime që shpesh herë ndikohen prej përshtypjes së parë që krijojmë për një person. Në fund, pasi i kishin parë fytyrat tre herë, duhej t’i gjykonin “i mirë”, apo “i keq”. Edhe në këtë rast, Ecker verifikoi se përshtypja e parë ishte e rëndësishme dhe e vështirë për t’u ndryshuar.
Kur fotografia korrespondonte me titullin, gjykimet për kriminelin ishin më negativë dhe për viktimën më pozitivë. Por kur kishte divergjencë, vlerësimet ndryshonin: viktima gjykohej më negativisht kur titulli fliste për vrasësin, dhe vrasësi gjykohej më pozitivisht kur titulli fliste për viktimën. Pritshmëritë fillestare se kush duhej të ishte personi në fotografi ndikonin në vlerësimin e mëvonshëm, edhe pse teorikisht gabimi ishte korrigjuar dy herë: në tekst dhe në titull. Zbulimet e Eckerit janë një arsye për t’u shqetësuar, si për lexuesin, ashtu edhe për drejtuesit më të ndërgjegjshëm të gazetave. Pikësëpari duket se një informacion i shtrembëruar shkakton më shumë dëme, kur shtrembërimi është “i hollë”, se sa kur është i qartë. Përshtypja e gabuar e shkaktuar nga një informacion dukshëm i shtrembëruar mund të korrigjohet më kollaj, ndërkohë që në rastin e informacionit të shtrembëruar “hollë”, është më e fshehur dhe më këmbëngulëse. Po kështu, këto zgjedhje janë shpesh herë frut i pakujdesisë, se sa i një përpjekje të qëllimshme për të gënjyer lexuesin. Marrim një titull të New York Times të majit 2014: “Për të shitur një pikturë false nuk mjafton të jesh artist i mirë”. Titulli shoqërohej nga një fotografi e pronarit të një galerie, i cili nuk ishte një prej fajtorëve. Ciftëzimi i një akuze për krim me një fotografi ndikon në mënyrë të pavullnetshme mbi opinionin që krijohet për personin në fotografi.

Një tjetër gjë: pothuajse të gjithë gazetarët e kanë parë si irrituese përvojën e marrjes së komenteve plot pakënaqësi, zemërim, apo sidoqoftë negativë nga lexuesit, në lidhje me një artikull për shkak të titullit: “Të paktën lexojeni njëherë!”, u vjen t’u përgjigjen lexuesve. Por studimet e Eckerit demonstrojnë që, nëse titulli është i gabuar, ndonjëherë nuk mjafton leximi i artikullit. Edhe lexuesit që lexojnë gjithë artikullin mbeten të kushtëzuar nga përshtypja fillestare.
Po ta kisha titulluar këtë artikull: “Përse titujt kanë rëndësi”, do të kisha zgjedhur alternativën më gjenerike. Dhe më pas ju do të kishit mbajtur mend që titujt janë të rëndësishëm, por nuk do të ishit në gjendje të shpjegonit përsenë. Po ta kisha titulluar: “Titujt çorientues gënjejnë lexuesin”, ndoshta do të kishit harruar detajet e studimit, sipas të cilit jemi në gjendje të shkojmë përtej informacioneve të shtrembëruar që përmban një titull. Po të kisha zgjedhur: “Njëmbëdhjetë arsye përse titujt janë të rëndësishëm” ndoshta do ta kishin lexuar më shumë njerëz, por nuk do të kishin përthithur informacionet. Nuk është e lehtë të jesh korrekt e në të njëjtën kohë të ngacmosh kuriozitetin e lexuesit, por siç e demonstron Eckeri, është më mirë se sa të shtrembërosh informacionet.

/THE NEW YORKER/ Perkthimi: Ermal Gjinaj – Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button