Psikologji

Si ndikojnë tek ne filmat dhe programet televizive?

Një nga mënyrat më të mira për të kaluar mbrëmjen është të ulesh përpara ekranit të një televizori apo kompjuteri dhe të shohësh një film, ose një serial të preferuar. Emocionet që na transmetojnë aktorët mund të jenë pozitive ose negative. Dhuna, ligësia, dhimbja përzihen me dashurinë duke dhënë kështu një pasqyrë të jetës së përditshme të secilit nga ne. Madje, shumë shpesh ne përdorim edhe thënie nga filmat tanë të preferuar në situata të ndryshme.

Filmat dhe serialet nuk janë thjesht argëtim për të na shplodhur nga një ditë e lodhshme pune. Regjizorët dhe specialistët e tjerë të industrisë kinematografike bëjnë filma duke u bazuar në jetën reale. Kjo është arsyeja se pse filmat dhe serialet na bëjnë të provojmë emocione të ndryshme, sepse ne mendojmë që ato çfarë shohim, mund të na ndodhin edhe neve.

Të gjithë dëshirojmë të jemi paksa si heronjtë e filmave. Na pëlqen kur protagonisti i një filmi, apo i një seriali, flet me zë të lartë, realizon gjëra të pabesueshme., sakrifikon për objektivat e tij. Duke parë personazhe të tillë, ne përpiqemi t’i imitojmë gjërat që na pëlqejnë tek ta. Kjo dukuri fillon që në fëmijërinë e hershme dhe përfundon me fundin e jetës, përderisa çdo person sheh me interes ekranin e televizorit apo kompjuterit.

Mirëpo, siç e dimë, jeta nuk e vërtetë nuk është gjithmonë si në filma,. Në kushtet kur nuk mund të jetohet një jetë ideale si në filma, ne nuk ndihemi mjaftueshëm të aftë, inteligjentë dhe vetëbesimi ynë bie. Nisim të ndihemi keq, sepse nuk kuptojmë që idealja dhe perfektja janë të paarritshme.

Tjetër aspekt është edhe zhvillimi i frikërave. Me siguri edhe juve keni frikë nga merimangat, gjarpërinjtë, nga pilotimi i një avioni. Këto janë ndjesi që më shumë na i provokojnë filmat, sepse mund të mos kemi udhëtuar ndonjëherë me avion, apo të kemi parë gjarpërinj. Por sërish e kemi atë ndjesinë sikur edhe në qetësi të jemi, do të ndodhë diçka e tmerrshme si nëpër filma. Nëse ju nuk ndikoheni nga të tilla gjëra, atëherë mund të thoni se jeni të pavarur dhe se industria kinematografike nuk ka ndikuar në zhvillimin e fobive të ndryshme.

Filmat dhe serialet na sugjerojnë edhe ide jo të shëndetshme. Shohim filma me beteja, që në fund të fundit qëllimin normalisht e kanë të mirë, dhe duam që edhe ne të fitojmë beteja në jetë me çfarëdo kusht. Por kjo del në shprehjen e famshme “Mjeti e justifikon qëllimin” dhe jo gjithmonë është kështu. Çfarëdo qëllim i mirë të jetë, sërish një betejë me marrjen e jetës së të tjerëve, nuk është rruga e duhur për ta arritur atë qëllim.

Qëllimi i këtij materiali nuk është t’ju trembë mbi efektet negative të filmave apo serialeve, por t’ju bëjë të shihni përtej asaj që ju ofrojnë kompanitë kinematografike. Mendoni pak më thellë, shikojini ngjarjet në të gjitha këndvështrimet, pa u bazuar shumë në gjërat perfekte që na ofrojnë filmat… / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button