
Administrata e Donald Trumpit është përfshirë në debate të hapura me Bashkimin Europian, duke i kthyer konfliktet e vjetra mbi lirinë e fjalës, Ukrainën dhe migracionin masiv në politikë zyrtare të SHBA-ve.
Pse ka rëndësi: Gjoba prej 140 milionë dollarësh që BE-ja vendosi ndaj platformës X të Elon Musk ndezi fitilin e një konflikti për të cilin administrata Trump ishte prej kohësh e përgatitur, dhe që u formalizua në Strategjinë e Re të Sigurisë Kombëtare, e cila e portretizon Europën si një “fajtor gjeopolitik”.
“Po shkatërrojnë vendet e tyre”, tha Trumpi për Politico, duke i quajtur shtetet europiane “të kalbura” dhe “të dobëta.”
Pika më e fundit e shpërthimit vjen ndërsa SHBA-ja dhe aleatët e vet europianë janë sërish në përplasje të ashpra mbi Ukrainën dhe të ardhmen e sigurisë europiane.
Përtej detajeve:
BE-ja ndëshkoi X të premten pasi rregullatorët zbuluan se platforma kishte mashtruar përdoruesit, kishte fshehur informacion të rëndësishëm mbi reklamat dhe kishte bllokuar studiuesit nga qasja në të dhëna publike.
Elon Musk reagoi i tërbuar duke akuzuar BE-në për “tirani burokratike” dhe ndërhyrje në lirinë e fjalës, duke mobilizuar liderët e ekstremit të djathtë dhe miliona ndjekës pas hashtagut #AbolishTheEU (Shfuqizoni BE-në).
Ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski, një mbrojtës i zjarrtë i BE-së, iu kundërpërgjigj mes stuhisë së postimeve të Musk: “Shko në Mars. Atje nuk ka censurë për përshëndetjet naziste.”
Zyrtarë të lartë amerikanë u përfshinë menjëherë në debat:
Sekretari i Shtetit Marco Rubio e quajti gjobën “sulm ndaj të gjitha platformave amerikane të teknologjisë”.
Zëvendëspresidenti Vance, Euroskeptiku më i spikatur i administratës, e quajti gjobën “plehrë” dhe pasojë të refuzimit të X për të pranuar “censurën europiane”.
Senatori Ted Cruz i kërkoi Trump të vendosë sanksione ndaj BE-së “derisa kjo padrejtësi të zhbëhet”, një lloj përshkallëzimi i paprecedentë për një aleat të SHBA-ve.
Pamja më e gjerë:
Konflikti për X buron drejtpërdrejt nga vizioni i formalizuar në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Trumpit, e cila akuzon BE-në për “mbytje rregullatore” dhe “nënshtrim të proceseve demokratike”.
Në qendër të këtyre akuzave është migracioni masiv: Shtëpia e Bardhë argumenton se elitat europiane kanë hapur kufijtë dhe kanë shkaktuar ndryshime demografike, duke i heshtur kritikët që paralajmërojnë për pasojat.
Musk dhe Vance, të cilët i paraprinë këtyre tezave në një fjalim shpërthyes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kanë mbështetur partitë e ekstremit të djathtë në Europë, përfshirë AfD-në në Gjermani.
Ndërhyrja në politikën e brendshme europiane tashmë është e formalizuar në dokumentin strategjik të Trumpit, i cili bën thirrje për: “Kultivimin e rezistencës” brenda vendeve anëtare të BE-së, si ilaç ndaj “zhdukjes civilizuese” të Europës.
Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa reagoi: “Nuk mund të pranojmë kërcënime për ndërhyrje në jetën demokratike të Europës.”
Josep Borrell ishte edhe më brutal: “Është një deklaratë lufte politike kundër BE-së. Trump dëshiron një Evropë të bardhë, të ndarë në kombe të nënshtruara ndaj tekave dhe preferencave të tij.” Ai u bëri thirrje udhëheqësve europianë të “ndalojnë së shtiruri se Trumpi nuk është kundërshtari ynë”.
Mes rreshtave:
Strategjia e Trumpit vë në dyshim edhe besueshmërinë e disa aleatëve të BE-së si anëtarë të NATO-s, për shkak të ndryshimeve demografike dhe shpall fundin e perceptimit të NATO-s si një aleancë “gjithnjë në zgjerim”.
Rusia ka mirëpritur përçarjen transatlantike. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha: “Ndryshimet që po shohim … përputhen kryesisht me vizionin tonë.”
Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini përputhen në një pikë: skepticizmin për forcën dhe vlerën strategjike të Europës.
Përfundimi:
Ngjarjet e fundjavës shënojnë një thyerje të thellë me rendin ndërkombëtar të pasluftës. Për Europën, momenti është më i keqi i mundshëm.
Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar u takuan me presidentin ukrainas Zelensky në Londër të hënën, nga frika se Trumpi do të imponojë një marrëveshje paqeje mbi kushte të papranueshme për Europën.
Përçmimi i administratës Trump ndaj “pritshmërive jorealiste” të Europës për luftën ka thelluar frikën se kontinenti do të anashkalohet në negociatat për sigurinë e vet.



