Nga Sergey Radchenko
Muajin e kaluar, një tufë dronësh rusë shkelën kufijtë e Polonisë. Disa u rrëzuan. Pak ditë më vonë, një tjetër dron rus fluturoi mbi hapësirën ajrore të Rumanisë, drejt Ukrainës. Mbrojtja ajrore rumune e la të largohej. Pastaj, më 19 shtator, tre avionë rusë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë. F-35 italiane – në mision të NATO-s në zonë – i interceptuan rusët dhe i shoqëruan jashtë.
Rusia e ka shkelur edhe më parë hapësirën ajrore të NATO-s, por shkalla e këtyre provokimeve të fundit i bëjnë ato të dallojnë nga të tjerat. Shkeljet do të marrin fund vetëm kur ndërhyrësit të rrëzohen. Për fat të mirë, rrëzimi herë pas here i një avioni luftarak rus – e aq më tepër i dronëve – nuk ka gjasa të çojë në përshkallëzim më të gjerë. Madje mund të ndihmojë në uljen e tensioneve, duke forcuar vijat e kuqe.
Lufta e Ftohtë ofron mësime të rëndësishme për trajtimin e incidenteve të tilla. Edhe pse në kujtesën publike shpesh mendohet se Lufta e Ftohtë “delegoi” luftimet në atë që sot e quajmë “jugu global”, ndërsa dy superfuqitë shmangën përplasjet e drejtpërdrejta ushtarake, në fakt nuk ka qenë krejt kështu.
Që nga vitet 1950 pati disa incidente ku avionë amerikanë u sulmuan nga interceptues sovjetikë. Më i famshmi ndodhi më 1 maj 1960, kur një U-2 i pilotuar nga Gary Powers u rrëzua mbi Sverdlovsk (sot Jekaterinburg), thellë në territorin sovjetik. Ishte një fitore propagandistike për BRSS. Jo vetëm që nuk pati kundërpërgjigje ushtarake nga SHBA, por presidenti i atëhershëm, Dwight D. Eisenhower, pezulloi përkohësisht dërgimin e U-2-ave të tjerë mbi hapësirën sovjetike, pasi u vlerësua shumë e rrezikshme.
Sovjetikët rrëzuan një tjetër U-2 mbi Kubë më 27 tetor 1962, një ditë që historianët e Luftës së Ftohtë e kujtojnë si “Të shtunën e zezë”. Edhe pse sot mund të duket si akt i pamend, ai ishte i tillë vetëm sepse ndodhi në kulmin e krizës së raketave në Kubë, kur bota iu qas Armagedonit. Ne nuk jemi në një situatë të tillë.
As më 1 shtator 1983, kur sovjetikët rrëzuan një avion civil që kishte fluturuar gabimisht mbi territorin e tyre në Lindjen e Largët – incident që shkaktoi vdekjen e 269 pasagjerëve e anëtarëve të ekuipazhit, përfshirë një kongresmen amerikan – SHBA nuk iu përgjigj ushtarakisht.
Dikush mund të thotë se nuk pati kundërpërgjigje sepse amerikanët ishin më të kujdesshëm se sovjetikët. Në të vërtetë, të dyja palët ishin të kujdesshme dhe e kuptonin se ishte më e sigurt të uleshin tonet.
NATO duhet t’i marrë këto mësime seriozisht. Rrëzimi i avionëve rusë që shkelin hapësirën ajrore nuk është hap drejt luftës. Është një masë parandaluese e domosdoshme për të ruajtur besueshmërinë përballë provokimeve të kundërshtarit. Të dyja palët angazhohen në operacione psikologjike për të testuar vendosmërinë e tjetrit. Nëse shkelësit nuk marrin një mësim në kohë, do të konkludojnë se vijat e kuqe janë fiktive dhe mund të shkelen pa pasoja – çka do të çojë vetëm në situata edhe më të rrezikshme, teksa kundërshtari shtyn gjithnjë e më tej.
Ekzistojnë protokolle për trajtimin e ndërhyrjes së avionëve të armikut. Edhe në kulmin e Luftës së Ftohtë, dy palët gjenin mënyra për të komunikuar.
Teksa SHBA fillon një tërheqje strategjike nga Evropa, u takon evropianëve të mësojnë të flasin me rusët, përfshirë edhe përmes kontakteve ushtar-me-ushtar. Për çdo orë deklaratash të zjarrta publike (në të cilat evropianët janë vërtet ekspertë), duhet të ketë tre orë diplomaci të qetë, prapa dyerve të mbyllura.
Por kur diplomacia dështon, duhet përdorur forca. Kur shkelësit nuk përgjigjen, e vetmja përgjigje e arsyeshme është t’i rrëzosh. Dhe nuk duhet të kemi asnjë iluzion se pikërisht këtë do të bënin rusët, nëse avionët tanë do të depërtonin në hapësirën e tyre ajrore.
Rrëzime të tilla mund të sjellin shkurtimisht një rritje tensionesh. Kjo ndodhi, për shembull, më 24 nëntor 2015, kur ushtria turke rrëzoi një bombardues rus, që kishte shkelur hapësirën e saj ajrore. Reagimi fillestar i rusëve ishte militant dhe ata vendosën sanksione ndaj Turqisë. Por më vonë, Vladimir Putini zgjodhi ta linte pas këtë episod dhe të përqafohej politikisht me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan. Ndihmoi edhe fakti që ky i fundit shprehu keqardhje. Të dyja palët e kuptuan se ulja e tensioneve i shërbente interesave të tyre. Që atëherë, rusët janë përmbajtur nga provokimet ushtarake ndaj Turqisë – një tregues i qartë i aftësisë së pavullnetshme të Kremlinit për të nxjerrë mësime.
Putini do të vazhdojë të testojë kufijtë e të lejueshmes. Ai synon të poshtërojë NATO-n dhe të thellojë ndarjet në perëndim duke ekspozuar fërkimet mes vendeve në krahun lindor, që rrezikohen drejtpërdrejt nga provokimet e tij, dhe aleatëve më me fat – si italianët, francezët dhe britanikët – të cilët, të paktën për tani, mund të mbajnë një qëndrim më të qetë. Megjithatë, këta të fundit kanë stacionuar avionë luftarakë në zonë, dhe pikërisht këta avionë do të duhet të përdoren për t’i dhënë Putinit mësimin e duhur. / në shqip nga bota.al