Psikologji

Si ta edukosh fëmijën tënd për ta kuptuar rëndësinë e parave?

Një aspekt i rëndësishëm i raportit prind-fëmijë është edhe edukimi i fëmijës për të kuptuar rëndësinë e lekëve. Është e rëndësishme të ndiqen disa këshilla, në mënyrë që të mos rritësh fëmijë “dorëshpuar”.

Çdo prind duhet ta edukojë fëmijën e vet për ta kuptuar rëndësinë e parave dhe mundësisht sa më shpejt të jesh e mundur. Kjo gjë kërkon kohë dhe energji, por i jep frutat në të ardhmen, kur sheh se ia ke dalë që fëmija yt të kuptojë se duhet të kursejë dhe ta dijë sa vlerë ka paraja. Kështu ai jo vetëm do të kuptojë vlerën e lekut, por edhe do të kursejë e nuk do të nxjerrë teka për të blerë lojërat e preferuara. Në një raport të mirë prind-fëmijë, duhet të flasim me fëmijët që kur ata janë të vegjël për të kuptuar se kjo temë nuk është ekskluzive për të rriturit, por u takon edhe atyre. Edhe ata duhet të kuptojnë se duhet të kursejnë për të plotësuar nevojat e tyre.

Për t’i edukuar fëmijët që të mos jenë “duarshpuar” në të ardhmen, por të kursejnë aq sa të munden, mjafton të ndjekim disa rregulla të thjeshta në mënyrë që fëmija ta krijojë një ide se si t’i menaxhojë më së miri lekët e veta.

Së pari, duhet t’i mësojmë fëmijës rëndësinë e kursimeve. Duhet t’i mësojmë se sakrificat e vogla sot, na çojnë në rezultate të mëdha nesër. Kjo është gjëja më e rëndësishme që duhet të kuptojë fëmija. Blijini një objekt kursimi ku ai të mbajë kursimet e veta dhe mësojeni që t’i hedhë aty ato lekë që i mbeten përditë.

Së dyti, nëse i jepni fëmijës lekë mjaft lirshëm, mos e bëni. Detyrojeni fëmijën të bëjë punë të vogla dhe më pas jepini lekë si shpërblim, në mënyrë që fëmija të kuptojë se lekët nuk fitohen lirshëm. Kur ai të rritët, nxiteni edhe të nisë një punë me kohë të pjesshme, ose gjatë verës që të kursejë nga të ardhurat e tij.

Së treti, lëreni fëmijën edhe të bëjë gabime me kursimet e veta. Do të ndodhë që fëmija t’i shpërdorojë paratë me lodra që nuk do i pëlqejnë më vonë, ndaj në atë moment duhet t’i flisni fëmijës për të kuptuar se ato lekë mund t’i përdorte në mënyrë më të efektshme. Kështu, herë tjetër, ai do të jetë më i vëmendshëm për zgjedhjet e veta.

Si përfundim, duhet ta edukoni fëmijën të kursejë, por jo ta kontrolloni vazhdimisht se çfarë bën me lekët që ju i jepni. Mjafton që thjesht ta edukoni dhe ta këshilloni për gjërat që ble, por jo t’i ushtroni kontroll në paratë që ai ka, pasi kështu edhe fëmija do të ndihet në siklet që ju e kontrolloni vazhdimisht. Ndaj, çdo gjë bëjeni me limite. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button