Infographics

Si ta lexojmë lajmin, një udhërrëfyes ndihmës

Sasia e informacionit që ndodhet vetëm një klikim larg mund të jetë e pakufishme, por koha dhe energjia që ne kemi për ta përthithur dhe vlerësuar atë, nuk është e tillë.

I gjithë informacioni i botës nuk do të ishte i vlefshëm, po të mos dinim se si të lexojmë lajmet.

Jo shumë kohë më parë, lajmet ishin të kufizuara në vetëm disa revista e gazeta, si dhe tre apo katër rrjete televizive, ku kanale të besuara ofronin lajmet pothuaj në të njëjtën orar të mbrëmjes.

Por, shumë shpejt u kuptua që ky sistem kishte një problem. Shumë skandale treguan se jo vetëm në vendet diktatoriale, ku vepronte censura e autoriteteve, por edhe në qeveritë demokratike bëheshin përpjekje për manipulimin e publikut. Shpesh herë me bashkëpunimin e vetë medias.

Zbulimet për luftëra të fshehta, vrasje sekrete dhe korrupsion politik e dëmtuan shumë besimin e publikut tek narrativat zyrtare që ofroheshin prej burimeve kryesore të informimit.

Kjo thyerje e besimit çoi në krijimin e gazetave, shfaqjeve radiofonike dhe televizioneve alternative, të cilat konkurronin me burimet e mëdha të informimit dhe mbulonin ngjarje nga këndvështrime të ndryshme.

Më vonë, Interneti shumëfishoi sasinë e informacionit dhe këndvështrimeve, teksa mediat sociale, blog-et online dhe videot e shndërruan çdo qytetar në një reporter.

Problemi është se kur të gjithë bëjnë reporterin, burime të ndryshime fillojnë të mos bien dakord jo vetëm për opinione, por edhe për vetë faktet.

Atëherë si mund të informohesh për të vërtetën, apo të paktën diçka që i afrohet?

Një nga mënyrat më të mira është të marrësh lajmin origjinal, të pafiltruar prej ndërmjetësve. Në vend të artikujve që interpretojnë një studim shkencor, apo fjalimin e një politikani, shpesh mund të gjesh materialin dhe të gjykosh vetë.

Ndiqni rrjetet sociale të gazetarëve me reputacion. Gjatë ngjarjeve të mëdha, si Pranvera Arabe apo protestat mbi Ukrainën, shumë prej këtyre kanë raportuar nga mesi i ngjarjeve. Ndonëse ato shfaqen më pas në artikuj apo podcast-e, kini parasysh se këto versione të pastruara do të kombinojnë zërin e gazetarit që ishte në terren me atë të redaktorit që nuk ishte.

Mos e ndiq çdo sekondë

Sa më kaotik lajmi, aq më pak duhet të përpiqesh ta ndjekësh në kohë reale. Në ngjarje si sulmet terroriste apo fatkeqësitë natyrore, televizionet e lajmeve përpiqen të kenë një mbulim të vazhdueshëm, edhe kur nuk kanë në dispozicion informacion të besueshëm, duke çuar shpesh në informacione të pasakta, apo akuza të rreme për njerëz të pafajshëm. Përpiquni të informoheni në disa momente gjatë ditës për informacionin dhe jo çdo minutë, duke u dhënë kohë detajeve të plota të dalin në sipërfaqe dhe lajmeve të rreme të hidhen poshtë.

Lexo disa burime

Kur nuk merr dot lajmin e drejtpërdrejtë, lexo mbulimin e tij në disa media, të cilat punësojnë gazetarë të ndryshëm dhe intervistojnë ekspertë të ndryshëm. Kjo të mundëson të gjykosh vetë mbi atë që është duke ndodhur dhe merr një panoramë më të plotë.

Ndaj Faktet nga opinionet

Fjalë të tilla si “mendoj”, “ka gjasa”, apo “ndoshta”, tregojnë se media po tregohet e kujdesshme apo më keq, thjesht po hamendëson. Dhe bëni kujdes nga raportimet që mbështeten në burime anonime.

Këta burime mund të jenë njerëz që nuk kanë fare lidhje me lajmin, apo kanë interes të ndikojnë mbi mbulimin e tij. Anonimati i bën të mos kenë përgjegjësi për informacionin që ofrojnë.

Verifikoje lajmin përpara se ta shpërndash

Vërtetë media sociale ka mundësuar që e vërteta të vijë më shpejt tek ne, por ka bërë të mundur edhe përhapjen e thashethemeve, pa u verifikuar dhe të mbijetojnë, edhe shumë kohë pasi janë hedhur poshtë. Ndaj, para se të ndani një lajm të pabesueshëm apo tronditës, bëni një kërkim për të gjetur informacione shtesë.

Sot jemi më të lirë se kurrë nga rojtarët e dikurshëm të medias, që kontrollonin rrjedhën e informacionit. Por liria vjen bashkë me përgjegjësinë: Përgjegjësia që të kujdesemi për përvojën tonë dhe të mos lejojmë që rrjedha të bëhet vërshim, që bëhet përmbytje, duke na lënë më pak të informuar se sa ishim në krye të herës. / TruthHub – Bota.al

Back to top button