Analiza

Si të humbasësh miq dhe të armiqësosh aleatë

Shumë të huajve nuk u pëlqenin politikat e jashtme të Bushit. Atyre nuk u pëlqente madje as administrata Bush. Por atyre u pëlqente Amerika, edhe pse shqetësoheshin se sa të ashpër ishim bërë ne pas 11 shtatorit. Dhe ata e donin shumë Barack Obamën, sepse ai përfaqësonte një Amerikë më të butë, një që punonte me institucionet ndërkombëtarë dhe sillte politikat e SHBA në linjë me normat europiane. Dëmi që politika e jashtme e Obamës i ka bërë imazhit të Amerikës, është se i ka bërë këta shtete të ndiejnë mungesën e ashpërsisë së administratës Bush

KORI SCHAKE

How to Lose Friends and Alienate AlliesAdministrata Obama ka arritur diçka që deri kohët e fundit mund të konsiderohej e pamundur: po i bëjnë aleatët e Amerikës të ndiejnë mungesën e administratës së George W. Bushit. Këtë javë, doli lajmi se ministri i jashtëm i Polonisë ishte i rregjistruar tek përçmonte SHBA. Radek Sikorski deklaronte plot hidhësi, se lidhjet e Varshavës me Uashingtonin janë “të pavlera”, dhe më tej vazhdonte me një gjuhë edhe më të kripur. Në fakt, fakti që rregjistrimi i cili supozohej të mbahej i fshehtë shkaktoi një sensacion, është në vetvete një matës i rëndësisë së Amerikës. Skandali detyroi Kryeministrin Donald Tusk që të përballej me një votëbesim në Parlament. Me shumë gjasa, këto deklarata ia zerojnë Sikorskit shanset pë rt’u zgjedhur në krye të politikës së jashtme të BE-së. Por ai nuk gabohet për Amerikën. SHBA është bërë një aleat irritues. Edhe ata vende që janë të prirur të na mbështesin po kundërshtojnë, për shkak të sjelljes së administratës Obama. As kërcënimet dhe as garancitë që ne ofrojmë nuk besohen. Rikthimi i besueshmërisë do të jetë një sipërmarrje e kushtueshme.

Dihet që për vendet e tjerë është gjithmonë e vështirë të merren me SHBA: sistemi ynë politik është i diskutueshëm dhe i vështirë për t’u naviguar, shpesh herë duke i befasuar aleatët me aktivizmin e kongresit për çështje si tregtia dhe sanksionet. Publiku ynë preferon shpjegime të thjeshtë dhe rezultate të qartë, në vend të punës shpesh herë të palavdishme dhe të pakapshme të diplomacisë dhe negociatave. Ne jemi të paduruar, kërkues, dhe moralizues. Shpesh herë ne i përkeqësojmë problemet që kemi, dhe pastaj përpiqemi të reduktojmë sa më shumë humbjet, duke ua lënë të tjerëve të merren me pasojat. Dhe ne jemi aq të fortë sa të përthithim këto humbje, ndërkohë që shtetet e tjerë që nuk janë aq të fortë sa ne, preken rëndë prej zgjedhjeve tona. Historiani britanik, Arnold Toynbee e ka rrokur shumë mirë frikën e shteteve miqësorë në rastet e angazhimeve tanë: “Amerika është si një qen i madh e miqësor në një dhomë të vogël. Dëshiron kaq shumë të të kënaqë, saqë fillon të tundë bishtin dhe rrëzon dhe shkatërron të gjithë orenditë”.

Por, askush nuk beson që administrata Obama dëshiron t’i kënaqë. Indiferenca e lartë e Presidentit është në krye të listës së ankesave të miqve tanë: ata nuk besojnë më se ne na intereson t’i ndihmojmë të zgjidhin problemet që kanë. Ky ishte thelbi i ankimit të Sikorskit: që SHBA nuk po bën asgjë për rrezikun në rritje prej Rusisë, që është skllave e strategjisë amerikane të zhvendosjes drejt Azisë në dëm të aleatëve në Europë, dhe po linte më shumë të ekspozuar, pikërisht ata vende që mbështesin politikat amerikane. Ekipi i fushatës elektorale të John McCainit kishte një spot interesant në kohën kur Obama mbante fjalimin e tij në Berlin në vitin 2008, ku e vinte në lojë Obamën si një njeri të famshë, në krah të Britney Spearsit dhe Paris Hiltonit. Ajo ide tashmë është e ndarë ndërkombëtarisht: presidenti është një njeri i famshëm i artit, jo një burrë shteti.

Edhe politikat, edhe zbatimi i tyre duhen fajësuar për zemërimin dhe zhgënjimin. Në nivelin më të lartë të abstraksionit, administrata Obama mbështet përdorimin e “fuqisë së butë”, por i shmanget promovimit të vlerave të Amerikës apo pranimit të joshjes universale që ka kredoja jonë politike. Kështu, administrata nuk mund ta thotë se cili është pozicioni ynë në pranverën arabe: ne as nuk jemi në krah të aleatëve tanë autoritarë, as nuk mbështesim krijimin e kulturave politike dhe institucioneve për të nxitur një qeverisje më të përgjegjshme. Duhet të jetë e qatë prej fjalimit të presidentit në Kairo, por ato fjalë të bukura ranë si gurë në liqen sepse prej tyre nuk buruan politika. Më pas, SHBA bëri zgjedhje të gabuara dhe të papajtueshme kur u gjend përballë ngjarjeve që ndodhnin me shpejtësi. Njerëz që ndërmarrin risqe të mëdhenj për të ndryshuar vendet e tyre – popuj që duhet të jenë aleatë të natyrshëm të Amerikës – ndihen të braktisur. Më keq madje, ata ndihen të tradhëtuar nga indiferenca jonë, pas pritshmërive që kishte shkaktuar Presidenti Obama.

Kështu, kur Presidenti thotë “Afganistani është një vend sovran që do të duhet të meret vetë me sigurinë e tij”, shtetet në të gjithë botën dëgjojnë limitet e interesave tanë. Edhe më shumë madje, kur Shtëpia e Bardhë la të kuptohet se një tjetër palë zgjedhje të manipuluara në Afganistan do të detyronin Amerikën të tërhiqte trupat nga ky vend. Më tej, kur zgjedhjet u zhvilluan me minimumin e dhunës dhe manipulimeve, ai e përdori si arsye për të reduktuar më tej trupat, dhe më shpejtë nga sa kishin rekomanduar komandantët ushtarakë. Vende që mbështeten tek fuqia amerikanë e ndiejnë që po vihen në lojë. Eshtë luks i të fortit që të jetë injorant – por shtetet e dobët nuk mund të besojnë atje ku nuk ka vend për besim.

Presidenti Obama e keqkupton që në thelb natyrën e marrëdhënies së aleancave. Ai beson se shoqëritë e dobëta, të varfëra e të shkatërruara nga lufta që dalin prej qeverisjeve shtypëse duhet të gjykohen me të njëjtin standart si ne – se ata duhet të bëjnë zgjedhje të guximshme dhe kompromise politikë të zgjeruar. Por kjo nuk është natyra e popujve të frikësuar në rrethana të vështira: ata përpiqen të zvogëlohen, jo të zmadhohen. Shoqëritë e tyre karakterizohen nga një mungesë besimi social dhe frenimi institucional. Nëse duam zgjidhje të guximshme dhe kompromise politikë të zgjeruar, duhet të mbështesim këta vende dhe të qëndrojmë pranë tyre. Duhet t’i forcojmë përmes angazhimit tonë dhe t’i ndihmojmë të ndërtojnë një lidership të aftë të marrë vendime të vështirë. Në vend të kësaj, administrata tremb aleatët me braktisje: zgjidh shpejt, se ne po largohemi. Dhe Shtëpisë së Bardhë të Obamës i “rrëshket” ironia e këtij presidenti të brishtë, i cili nuk arrin dot të ndërmjetësojë marrëveshje në kongres, por flet shumë për qeverisjen gjithëpërfshirëse.

Administrata po shkon nga kriza në krizë, sepse nuk po kushton vëmendjen e duhur dhe të vazhdueshme – kujdesi për kopshtin, sic thoshte Sekretari i Shtetit George Schultz. Bota nuk është bërë tani dinamike dhe e ndërlikuar. Kështu ka qenë gjithmonë. Risia është një politikë e jashtme amerikane që nuk investon në marrëdhëniet me jashtë, për të qetësuar varkat e shumta që po lëkunden.

Iraku është shembulli tipik. Aq i përkushtuar ishte presidenti Obama për t’i dhënë fund luftës në Irak, saqë e çoi dëm progresin që ishte arritur prej operacionit. Pasi bëri një sy qorr kur kryeministri al Maliki manipuloi zgjedhjet parlamentare të 2010-ës, administrata Obama është krejt papritur e interesuar në ndërmjetësimin e krijimit të një qeverie irakene gjithëpërfshirëse. Kjo do të kishte qenë një qasje shumë e mirë në çdo kohë, gjatë 5 viteve të fundit. Por administrata Obama ishte e heshtur kur Al Maliki urdhëroi arrestimin e zëvendës presidentit të tij sunit, menjëherë pas takimit me Obamën. Ai heshti kur u arrestua ministri i financave. Dhe megjithatë, ai pyet përse nuk ka reformatorë që të bëjnë një hap përpara? Në mesjavën që kaloi, Sekretari i Shtetit John Kerry premtoi një angazhim të qëndrueshëm të Amerikës në Irak. Tani mund të ketë avionë pa pilot që fluturojnë mbi territorin iraken, por akush që ka patur të bëjë me këtë administratë, nuk do i besonte premtimet e Kerryt. Ripushtimi i Irakut do të jetë shumë më i kushtueshëm se sa do të kish qenë ruajtja e Irakut të 2008-ës.

Presidenti Obama ka thënë vazhdimisht se nuk duhet ta vrasim mendjen për sigurinë e të tjerëve, më shumë se sa ata vetë. Kjo është një ide e keqinterpretuar e shoqërive në rrezik. Sigurisht që ata shqetësohen më shumë se sa ne për sigurinë e tyre. Por ata kanë gjithashtu më pak zgjedhje dhe burime për ta garantuar. Madje mund të kenë edhe ide të ndryshme nga ne për ta garantuar. E megjithëkëtë, administrata Obama merr guximin t’u tregojë këtyre vendeve se cilat duhet të jenë interesat e tyre, ndërkohë që bën shumë pak për të kuptuar se çfarë mendojnë ata se janë interesat e tyre, apo strategjitë për t’i përmbushur ata.

Të huajt dhe miqtë kanë të drejtë që vënë në dyshim premtimet tanë. Ata as nuk habiten më prej kontradiktave në politikën e jashtme të Obamës – kur Departamenti i Shtetit doli me një deklaratë se dënimet masivë me vdekje të dhënë nga gjykatat egjiptiane “janë në themel të papajtueshëm me parimet bazë të të drejtave të njeriut dhe qeverisjen demokratike”, ditën tjetër Sekretari Shteti ishte në Kairo duke siguruar për mbështetjen e Amerikës, qeverinë e Abdel Fattah al Sisit.

Shumë të huajve nuk u pëlqenin politikat e jashtme të Bushit. Atyre nuk u pëlqente madje as administrata Bush. Por atyre u pëlqente Amerika, edhe pse shqetësoheshin se sa të ashpër ishim bërë ne pas 11 shtatorit. Dhe ata e donin shumë Barack Obamën, sepse ai përfaqësonte një Amerikë më të butë, një që punonte me institucionet ndërkombëtarë dhe sillte politikat e SHBA në linjë me normat europiane. Dëmi që politika e jashtme e Obamës i ka bërë imazhit të Amerikës, është se i ka bërë këta shtete të ndiejnë mungesën e ashpërsisë së administratës Bush. Këtu e kishte fjalën Radek Sikorski./Foreign policy/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button